Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat mbi pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Me përpunimin e 97.92% të të dhënave (2,446 nga 2,498 vendvotime gjithsej), pjesëmarrja zyrtare e votuesve ka arritur në 36.13%.
Sipas këtyre statistikave zyrtare, deri në këtë fashë orari të drejtën e tyre të votës e kanë ushtruar saktësisht 708,045 qytetarë nga 1,959,962 sa janë gjithsej në listën e votuesve.
Në krahasim me zgjedhjet e kaluara të mbajtura më 28 dhjetor 2025, ku pjesëmarrja kishte qenë 44.99%, ky trend tregon një rënie të interesimit të qytetarëve për të votuar në mbarë Kosovën.
Nga KQZ-ja rikujtojnë se këto shifra pasqyrojnë vetëm gjendjen në vendvotimet e rregullta, ndërsa votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe votat e ardhura nga diaspora do të shtohen pas numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka reaguar pas mbylljes së vendvotimeve për zgjedhjet e 7 qershorit.
Në një postim, Kurti ka thënë se tani mbrojtja e votës është kusht i pandashëm i legjitimitetit.
“Vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e sotme është brenda kutive të votimit. Mbrojtja e tij është kusht i pandashëm i legjitimitetit dhe kredibilitetit të procesit zgjedhor”, ka shkruar Kurti.
“Në këto momente, sytë, veshët dhe vëmendja jonë janë te ju komisionerë dhe vëzhgues. Mbi juve peshon një përgjegjësi e lartë institucionale dhe fisnike”, ka thënë ai.
“Ju falemnderit për angazhimin dhe punë të mbarë në numërimin e çdo vote”, ka thënë Kurti.
Agim Bahtiri i Lëvizjes Vetëvendosje ka deklaruar se fitorja në zgjedhjet aktuale do të rezultojë mbi 53 për qind, duke theksuar se ky parashikim, sipas tij, është bërë dy javë më parë dhe do të konfirmohet në përfundim të procesit zgjedhor.
“Kam thënë para dy javësh që do të jemi mbi 53% dhe kjo do të vërtetohet sonte”, u shpreh Bahtiri, pas mbylljes së qendrave të votimit.
Fisnik Halimi nga PIPOS ka deklaruar se Exit Polli i këtij procesi zgjedhor pritet të jetë shumë më afër rezultatit përfundimtar që do të dalë nga kutitë e votimit
Ai tha se kjo lidhet me rrethana të ndryshme që kanë ndikuar në realizimin e matjeve, duke theksuar është analizuar e njëjta kulturë votuese si në sondazhet e mëparshme të realizuara nga PIPOS.
“Besoj që kësaj radhe rezultati ka me u afru shumë me realitetin në kuti, për shkak të rrethana të ndryshme. Kemi anketuar sot të njëjtin njerëz, të njëjtën kulturë votuese siç është anketuar nëpër anketat që i kemi bërë paraprakisht”
Ai ka sqaruar gjithashtu se Exit Poll-i nuk është diçka që zhvillohet vetëm në ditën e zgjedhjeve, por një proces i gjatë përgatitor.
“Të gjithëve duhet t’u sqarohet që Exit Polli nuk është akt i një ditë, por është proces që përgatitet për muaj të tërë”, është shprehur ai.
20,48% përqind e qytetarëve kanë votuar deri në orën 15:00.
Sipas përditësimit të fundit të KQZ-së bëhet fjalë për 401,337 qytetarë që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës deri më tani, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Bëhet fjalë për pjesëmarrje më të ulët krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025.
Në zgjedhjet e dhjetorit, deri në ora 15:00 kishin votuar 29,29% e votuesve./Reporteri.net/