div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-705 category-paged-705 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Kurti akuzon Perëndimin se po e ‘përkdhelin’ Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Perëndimin për “përkëdhelje” të Serbisë, pasi thotë se janë të frikësuar se Beogradi do të afrohej më shumë me Moskën.

Në një intervistë për Reuters në Bruksel, Kurti tha se Bashkimi Evropian po dështonte në rolin e arbitrit për zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve.

Reuters shkruan se zyrtarë të BE’së dhe ShBA’së e kanë kritikuar Kurtin për dështimin lidhur me avancimin e marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës. Por, Kurti e hodhi poshtë këtë pretendim, duke thënë se ‘Perëndimi po dështon të denoncojë shkeljet e marrëveshjes që po i bën Serbia’.

“Unë dua që Brukseli të luajë rolin e një arbitri që do të fishkëllejë në çastin kur ndodhin shkelje të marrëveshjes,” tha Kurti, duke shtuar se”Ajo që kemi parë në këto dy vite është se sa herë Beogradi ka shkelur marrëveshjen, Brukseli nuk ka vepruar.”

“Përkëdhelja ndaj Serbisë, për më shumë se dy vite e gjysmë që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, nuk po jep rezultate. Dikush duhet të thotë mjaft,” tha ai.

Kurti akuzoi se Perëndimi po tregon ‘shumë kujdes’ ndaj Serbisë për shkak të frikës që ka nga Rusia.

Reuters thotë se BE-ja vendosi kufizime mbi ndihmën ekonomike dhe takimet e nivelit të lartë me qeverinë e Kurtit, vitin e kaluar, duke e mbajtur atë përgjegjës për një shpërthim dhune në veriun e Kosovës. Kurti po ashtu u kritikua edhe për moskrijimin e Asociacionit, që do t’u jepte serbëve në veri njëfarë vetëqeverisjeje.

Ndërsa, Serbia ka insistuar që ky asociacion duhet të vijë para hapave të tjerë për normalizimin e marrëdhënieve dhe e ka akuzuar Kurtin për bllokimin e përparimit në dialogun e mbështetur nga BE.

Por, Kurti thotë se ishte i gatshëm të fliste për “vetëqeverisje” për serbët, por nuk dëshironte të pranojë asgjë që do ta dëmtonte Kosovën si shtet. Ai gjithashtu tha se ishte e gabuar nga Perëndimi që të fokusohej kaq shumë në një çështje kur kishte një gamë të gjerë marrëveshjesh mes Serbisë dhe Kosovës që Beogradi kishte dështuar t’i respektonte.

Kurti tha se një angazhim i tillë ishte hapja e urës kryesore në qytetin e Mitrovicës, i ndarë etnikisht. Ura lidh veriun me shumicë serbe të qytetit me jugun me shumicë shqiptare dhe është bërë simbol i ndarjes në Kosovë. Aktualisht, ajo është e hapur vetëm për këmbësorët.

Qeveria e Kurtit ka kërkuar të hapë urën për trafikun rrugor, pavarësisht paralajmërimeve perëndimore se kjo mund të shkaktojë destabilizim, duke vënë në rrezik njerëzit lokalë dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Lidhur me këtë, Kurti tha se ishte në konsultime për urën, duke përfshirë edhe serbët lokalë, por debati nuk mund të vazhdojë përherë. Ai tha se Beogradi dëshironte të mbante urën të mbyllur sepse dëshironte të ndante veriun me shumicë serbe nga pjesa tjetër e Kosovës.

“Unë mendoj se ata në Serbi që insistojnë për mbajtjen e urës të mbyllur, duan të mbajnë të gjallë ëndrrën e ndarjes së Kosovës. Ne duhet ta hapim urën dhe ta bëjmë Kosovën normale”, tha Kurti.

“Koalicioni LVV-PDK po ndodh”

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi ka thënë se një flirtim mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, është duke ndodhur.

Kjo pasi, sipas Abazit, ekziston mundësia se këto dy parti do të lidhin koalicion paszgjedhor.

“Nuk dua të bëjë parashikuesin këtu, por është e qartë që kemi një flirtim ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe një pjese të PDK-së, e cila është duke e pritur, ose veç ka një marrëveshje për arritjen e një koalicioni paszgjedhor. Kështu flitet në bazë të raporteve të LPK-së dhe njerëzve eksponentë”, tha Abazi në “DPT te Fidani” të Klan Kosova.

 

Ndër të tjera, deputeti thotë se kryeministri Albin Kurti, është i mundur, por sipas tij, në aspektin moral dhe të arritjeve.

“Albin Kurti është i mundur, në kuptimin moral, në kuptimin e arritjeve”, deklaroi Abazi.

Bie çmimi i drurit dhe peletit, ky është çmimi i tyre

Nga 60-65 euro sa shitej vitin e kaluar, çmimi i një metri dru në tregun kosovar ka rënë në 45-50 euro, bëjnë të ditur shitësit e drurit për ngrohje për portalin Front Online.

“45 euro po shkon një metër dru, në disa raste shitet edhe pak më shtrenjtë”, thotë një shitës i drurit në tregun e Prishtinës, i cili nuk dëshiron të flas me emër.

Ndërsa një shitës nga Komuna e Lipjanit thotë për Front Online se çmimi i një metri dru fillon me 45 euro dhe shkon deri në 55 euro.

Përpos drurit, rënie e çmimit vërehet edhe tek peleti, ku një ton sivjet po shitet prej 120 e deri në 200 euro, përderisa vitet e fundit shitej 550 deri në 600 euro.

Nga kompania ‘Ilko Pelet’, deklaruan për “Front Online” se toni i peletit po kushton aktualisht 120 euro.

“Këtë vit një ton pelet kushton 120 euro”.

Ndërsa nga “Kompania Gorenje” e cila bënë shitjen e peletit kanë treguar për “Front Online” çmimet.

“Nëse i bënë blerjet 2 ton, çmimi për ton është 220 euro, nëse i blenë3 ton ose më shumë 200 euro çmimi për ton”, thuhet në përgjigjen e tyre për Front Online.

Çmimi i lëndëve djegëse për ngrohje sivjet ka rënë dukshëm për shkak se interesimi i qytetarëve është që ngrohjen gjatë sezonit të dimrit ta bëjnë nëpërmjet paisjeve elektrike efiçiente, të cilat edhe sivjet po subvencionohen nga Qeveria e Kosovës.

Më 12 shtator 2024, Ministria e Ekonomisë ka lansuar thirrjen publike për mbështetje për konsumatorët familjarë për investimin në pajisje efiçiente për ngrohje. Masa për mbështetje për familje për pajisje efiçiente për ngrohje parasheh subvencionimin deri në 70% për kaldaja me biomasë(dru, pelet, briket), 40% për klima efiçiente dhe 30% për pompat termike./Front Online/

Ky është moti për nesër dhe ditët në vijim

Mendimi për motin – 20.09.2024

Mot kryesisht me kthjellime e diell parashihet të mbretërojë gjatë fundjavës. Të shtunën vransira mund të zhvillohen përreth viseve malore, orëve të pasdites, që mund të krijojnë kushte për ndonjë rigë shiu. Frynë erë e lehtë dhe mesatare nga verilindja 4-7m/s. Temperaturat minimale zbresin në 8C e 10C, e gjatë ditë maksimalet në rritje, shkojnë deri në 20C e 22C.

Kthjellime e diell parashihet edhe ditën e hënë, derisa të martën gradualisht shtohen vransira në vend, që mund të japin kushte për ndonjë rigë shiu orëve të mbrëmjes në pjesë perëndimore të vendit. Ditën e mërkurë, paraqiten kushte për zhvillime të ndonjë rrebeshi shiu orëve të pasdites. Maksimalet gradualisht shënojnë rritje deri në 23C e 24C. Minimalet të dielen pritet të zbresin deri në 4C, por më pas shënojnë një rritje deri në 12C, të mërkurën. Nga e hëna frynë erëra kryesisht nga jugu e jugperëndimi, mesatare 4-10m/s.

Përgjatë fundjave cilësia e ajrit do të jetë me indeks në vlera të pranueshme dhe të mira, sikur që ishte gjatë këtyre ditëve të fundit, sipas matjeve në stacionet e cilësisë së ajrit të IHMK-së. Tek nga dita e hënë, mund të ketë një rritje të koncentrimeve të grimcave të imëta PM2.5, që çojnë indeksin në vlera mesatare.

Albin Kurti shkon në SHBA, zbulohet arsyeja dhe data

Deputeti i LVV-së, Dimal Basha, ka bërë të ditur se kryeministri Albin Kurti dhe zv.kryeministrja Donika Gërvalla do të jenë bashkë në SHBA më 29 shtator.

Siç ka shkruar Basha, ata do të marrin pjesë në dy tubime të organizuara nga qendra e VV-së në SHBA.

Postimi i plotë i Bashës

Jasharaj kërkon rritje të pagave në arsim që tani, jo para zgjedhjeve të shkurtit

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jashari, nuk ka ndërmend t’i ndalë kërkesat edhe pse dialog midis sindikatës dhe qeverisë nuk ka tashmë disa vjet.

Ne një intervistë dhënë për IndeksOnlinen, Jasharaj, ka bërë të ditur se i kanë adresuar dy kërkesa qeverisë, më 3 shtator: rritja e koeficientit për 30% dhe plot ndryshime, që të kthehet 0.5 e jo 0.25 e koeficientit në vitet e shërbimit.

Ndërsa, nëse nuk ka një përgjigje nga qeveria për kërkesat e tyre, Jashari nuk përjashton edhe veprime sindikale.

“Në fund të shtatorit, do ta kemi një takim me këshillin drejtues, ku ne do të raportojmë se çfarë jemi munduar të bëjmë. Ne po bëjmë të pamundurën që me dialog t’i zgjidhim çështjet. Çuditërisht zonja Nagavci hesht ndaj kësaj kërkesave të sindikatës, e pastaj kur pyetet nga mediat ajo i jep disa përgjigje që nuk qëndrojnë, kinse nuk ka pasur kohe apo ka biseduar me ne. Nga shtatori i viti 2022, nuk kemi pasur ndonjë takim të rregullt me Nagavcin, pra po i ik dialogut”, bëri të ditur ai.

Në javën e fundit të shtatorit nëse anëtarët e këshillit drejtues janë të pakënaqur, ata e kanë të drejtën legjitime që të ndërmarrin çfarë më tej dhe unë nuk mund te përjashtojë që nuk do të ketë veprime sindikale. Cila do qofshin veprimet sindikale, protestat, grevat e përshkallëzuar e deri te grevat e përgjithshme, por nëse këshilli drejtues vendos kështu, kështu edhe do të behët”, ka thënë Jasharaj.

Më tej, Jashari theksoi se është i frikësuar se mund të ketë greva këtë vit.

“Unë jam i frikësuar që mund të ketë grevë këtë vit, sepse grevat nuk i duam, por nga 3 shtatori kur e kemi dërguar kerkesën tani jemi ne fund të shtatorit dhe nuk e kemi asnjë sinjal se Kurti apo Nagavci të na thërrasin që të bisedojmë rreth dy kërkesave: rritja e koeficientit për 30% dhe plot ndryshime atë që e ka thënë edhe kushtetuesja, që të na kthehet ai 0.5 e jo 0.25 në vitet e shërbimit”, vijoi Jasharaj.

I pyetur se nëse ka kërkuar rritje page tashti me buxhetin e ri, ai tha se nëse Kurti e ka ndërmend që t’i rrisë pagat, atëherë le ta bëjë nga ky muaj e jo nga janari, sepse në atë periudhë e ka gajlen e votave, transmeton IndeksOnline.

“Nëse qeveria Kurti e ka seriozisht dhe i do njerëzit e Kosovës, ai të veprojë tani se nëse vepron me Ligjin e pagave i cili si projekt, vlen tek në vitin e ardhshëm e nëse bën ngritje në janar e që është muaji i fushatës, atëherë le të dihet se ata nuk po e bëjnë këtë ngritje, sepse duan t’u ndihmojnë të punësuarve të sektorit të arsimit po e bëjnë me shpresën që në atë mënyrë do t’i joshin për vota. Nëse Kurti ndjenë dhimbje ndaj qytetarëve të vetë dhe terë sektorit publik, policisë, arsimit, shëndetësisë dhe të tjerëve le ta bëjë ngritjen prej 30% tani dhe në atë mënyrë do të lexohej që nuk e ka atë gajlen e votave, por po e bën sepse është Qeveria e Kosovës”, ka bërë të ditur kryetari Jasharaj.

“Le të dihet që ajo nuk po bëhet për hir të qytetarëve që përballen me çmime të larta por për t’i joshur për vota”, tha ai.

“Kur të fillojnë veprimet sindikale e grevat të mos vazhdojnë të aktivizojnë tërë atë ushtri qe e kanë nëpër Facebook për të na sharë e fyer, sepse kështu nuk rregullohen kërkesat në arsim”, ka thënë Jasharaj.

 

Edi Rama tregon pse e mban “Putinin” në tryezën e punës: Më pëlqen ta shoh si kukull

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se sheh si një “kukull” presidentin rus, Vladimir Putin.

Kështu është shprehur ai në një intervistë për gazetarin italian Federico Marconi, të emisionit “Piazza Pulita” në La7.

“Pse e mbani Putin në tryezë?”, e ka pyetur gazetari Ramën, duke bërë me shenjë nga një matrioshkë me fytyrën e presidentit rus.

 “Sepse më pëlqen ta shoh si një kukull. Të kesh kapacitetin e autoironisë dhe sensin e ironisë së historisë edhe përmes këtyre objekteve të vogla  është e rëndësishme për të mos qenë skllevër të historisë, ose për të mos e marrë shumë seriozisht veten”, është përgjigjur Rama.

Shkaku i asfaltimit do të mbyllet për qarkullim kjo rrugë rajonale

Ministria e Infrastrukturës ka bërë të ditur përmes një komunikate për media se rruga rajonale R-115, konkretisht segmenti Prizren-Prevallë, do të jetë e mbyllur me rastin e asfaltimit të saj.

Mbyllja do të përfshijë lokacionin nga dalja e Prizrenit, lagjja Marashi, deri tek tunel i parë i rrugës për Llokvicë.

Mbyllja e rrugës për qarkullimin e automjeteve do të bëhet nga 23-25 shtator 2024, në intervalin kohor nga ora 9.00  deri në 17.00.

Driton Selmanaj: Mos u habisni kur të ftohet edhe Albin Kurti në Prokurori Speciale, hetimet do ta implikojnë

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka reaguar pas intervistimit të Dejona Mihalit nga Prokuroria Speciale. Selmanaj e ka quajtur atë si “mashë” të kryeministrit Albin Kurti për atë që deputeti i LDK-së e quan korrupsion masiv për 1 mijë kontratat e nënshkruara, përfshirë ato në KEK.,

Sipas Selmanajt, s’duhet habitur kur të ftohet edhe kryeministri Albin Kurti nga Prokuroria Speciale, meqë sipas deputetit opozitar, hetimet do ta implikojnë edhe kreun e Qeverisë.

“Kam thënë me kohë, që krimi dhe korrupsioni në qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje është i strukturuar. Nuk vidhet dhe nuk abuzohet me paranë publike pa dijeninë e Albin Kurtit.

Dejona Mihali është njëra nga “mashat” e Albinit, për korrupsionin masiv tek 1 mijë kontratat sekrete tek të gjitha ministritë, duke përfshirë edhe KEK-un.

Mos u befasoni kur të ftohet për intervistim edhe Albini në Prokurorinë Speciale, sepse jam i bindur që zhvillimi i hetimeve detyrimisht do ta implikojnë edhe ate!”, ka shkruar Selmanaj.

Vrasja e 45-vjeçarit, Policia e Kosovës jep detajet

Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen e sotme në Mitrovicë, ku janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë gëzhoja si prova materiale.

Sipas informacioneve zyrtare, Florim Zeqiri, 45 vjeçar, është vrarë sot rreth orës 09:42.

Një person i dyshuar kishte qëlluar në drejtim të tij, dhe viktima u dërgua fillimisht në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, për të kaluar më pas në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK). Rreth orës 12:00, SHSKUK raportoi se Florim Zeqiri kishte ndërruar jetë. Me urdhër të prokurorit, trupi i tij është dërguar në IML për obduksion.

“Sot, rreth orës 09:42, policia në Mitrovicë, ka pranuar informatën për të shtëna me arme zjarri në rrugën ‘Fatime Hetemi ’ në Mitrovicë.
Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes, ishte bërë e ditur se një person i dyshuar kishte shtënë me armë në drejtim të viktimës F. Z., 45 vjeçar, i cili fillimisht është dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicës, më pas ishte dërguar në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar te Kosovës “SHSKUK ”. Ndërsa, rreth orës 12:00 nga SHSKUK- ja, është raportuar se i plagosuri viktima ka ndruaj jetë. Me urdhër te Prokurorit, trupi i pajete i viktimës është dërguar në IML, për obduksion”, thuhet në njoftim.

Hetimet vazhdojnë në koordinim me prokurorin për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

“Nga hetimet e zhvilluara në vendin e ngjarjes si dhe ekzaminimet e kryera, hetuesit policor si prova materiale kanë gjetur dhe sekuestruar gjashtë gëzhoja. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit në drejtim të identifikimit dhe arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje “, thuhet në njoftim.