Kosova përballë një vale të re çmimesh – institucionet në gjumë

Rritja prej gjashtëmbëdhjetë pikë një për qind (16.1%) e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë ka shkaktuar një valë të re të inflacionit, duke shkaktuar ngritje të çmimeve për produktet bazike të vendit dhe ato të importuara. Kështu shtrenjtimi i rrymës nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka rritur ndjeshëm koston e jetesës për qytetarët, të cilët tashmë ndihen të frustruar përballë çmimeve në rritje. Për këtë shqetësim, ekspertët e ekonomisë kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet, raporton KosovaPress.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka shprehur shqetësimin e tij se ky shtrenjtim po godet qytetarët në dy drejtime – nga njëra anë po humbet vlera e parasë për shkak të inflacionit, dhe nga ana tjetër po ulet standardi jetësor.

Ai bën thirrje për ndërhyrje urgjente nga institucionet shtetërore përmes politikave fiskale dhe monetare që synojnë të zbusin efektet e krizës.

“Qytetarët po dëmtohen dy herë, në kuptimin që po humb vlera e parasë dhe po ulet standardi jetësor. E para është përmes rritjes së çmimit të energjisë elektrike në ekonominë familjare, dhe rritjes së çmimit në produktet tona vendore, duke përfshirë edhe ato që importohen për shkak të tendencës së rritjes së inflacionit, jo vetëm në tregun e Kosovës, por edhe në atë të BE-së…Institucionet e vendit ish dashtë me urgjencë të reagojnë nëpërmjet politikave fiskale, politikave monetare, edhe pse ne nuk prodhojmë valutë, por me pa se çka mund të subvencionojë interesat e kredisë për prodhuesit tanë, por edhe për eksport që janë. Po ashtu mepa mundësinë se ku ka hapësirë të subvencionoj, qoftë biznesin apo qytetarin e Republikës së Kosovës që të mos e vërejë këtë rritje, ose këtë tendencë të rritjes së çmimeve”,thotë Rafuna.

Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj thotë se me vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin të energjisë, jeta e qytetarëve do të rëndohet me rritje të çmimeve në përgjithësi.

“Me vendimin e ZRRE-së do të ketë efekt zingjiror në ekonomi. Jemi para një akti të kryer, pasi si pjesa e gastronomisë, po ashtu edhe buka çdo ditë e më shumë po kemi ngritje të çmimeve. Shteti në vend se të marrë hapa në lehtësimin e jetes së qytetarit, shteti me vendimet e veta po rëndon çdo ditë e më shumë jetën e qytetarit”, thotë Kadrijaj.

Ndërkohë, qytetarët shprehen të zhgënjyer nga rritja e çmimeve. Ata thonë se çmimet po i godasin rëndë, veçanërisht ata me të ardhura fikse si pensionistët. Fahredin Halimi thekson se çmimet në Kosovë asnjë herë më të shtrenjta nuk kanë qenë.

“Çmimet në Kosovë kurrë më keq nuk kanë qenë, asnjë pagë nuk i paguan ato, le më ne pensionerët po heqim më së shumti. Në vend se t’i zbresin po i rrisin…Veç për barna çka po shkojnë boll, e lë më tjera rrallë…Shteti ish dashtë prej klasës që ka pagat më të ulta t’i rrisë dhe t’i zbresë çmimet sepse janë rrit për së tepërmi”, thotë Halimi.

Edhe Rexhep Hajdari, një tjetër qytetar, shprehet i shqetësuar ngritjen e çmimeve, derisa kërkon ndërhyrjen e shtetit në këtë drejtim.

“Çmimet të larta janë…Rroga e dobët, dikush nuk ka hiq, të larta janë çmimet…Ish dashtë (të ndërhyjë shteti)…Lartëështë buka, dikush nuk ka kushte”, thotë Hajdari.

Qytetarja Merihban Dula thotë se nuk po arrin t’i përballoj çmimet e larta, dhe pa ndihmën e fëmijëve nuk mund të jeton.

“Shumë shtrenjtë janë për të jetuar, për pensionet s’ka ku të shkoj për çdo gjë. Ushqimi është shumë shtrenjtë…Mos mem ndihmu djemtë, nuk mund të jetojë me pension. 100 euro veç barna i blej…Buka e të gjitha, si t’i qël sytë nëmëngjes është shumë shtrenjtë”, thotë Dula.

KosovaPress ditë më parë kishte raportuar se shtrenjtimi i rrymës për gjashtëmbëdhjetë pikë një për qind, ka ndikuar në ngritjen e çmimeve për disa produkte esenciale, përfshirë produktet e bukës dhe kafesë deri në pesëdhjetë përqind (50 %)

Ekipi i KosovaPress ka vizituar disa furra dhe dyqane. Shihet se mantia është shtrenjtuarpesëdhjetë përqind (50 %). Një manti deri dje ka kushtuar zero pikë pesëmbëdhjetë centë (0.15), sot në disa furra të Prishtinës çmimi i saj ka arrit zero pikë njëzet centë.

Bureku është shtrenjtuar njëzetepesë për qond (25%). Një burek në Prishtinë në shumicën e furrave është shtrenjtua nga një euro e njëzet euro në një eurp e pesëdhjetë euro, kurse në disa qytete tjera të Dukagjinit, si në Gjakovë, çmimi i burekut ka arrit deri një euro e shtatëdhjetë centë.

Buka është shtrenjtuar deri njëzet përqind. Një bukë gjysmë kilogramë deri dje ishte pesëdhjetë centë, ndërsa sot në Prishtinë ky çmim ka arrit në gjashtëdhjetë centë.

E rëndë: Shembet dheu i zë dy punëtorë

Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të shtunë në fshatin Poroçan të bashkisë Gramsh të Shqipërisë, ku një masiv dheu është shembur në afërsi të një hidrocentrali në ndërtim.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se dy punëtorë janë zënë nga dheu në momentin e shembjes së kanalit, shkruan A2 CNN.Shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për nxjerrjen e tyre.

Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe për të verifikuar nëse janë respektuar standardet e sigurisë në kantierin e punimeve.

India dhe Pakistani pajtohen për armëpushim

India dhe Pakistani kanë arritur të shtunën marrëveshje për armëpushim, pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, për t’i dhënë fund përleshjeve mes vete.

Ka javë që këto dy vende fqinje – të armatosura me armë bërthamore – kanë shkëmbyer zjarr ndaj njëri-tjetrit, pas një sulmi vdekjeprurës ndaj turistëve muajin e kaluar për të cilin India e fajësoi Pakistanin.

Këto ishin përleshjet më të mëdha mes tyre ndër dekada dhe shkaktuan dhjetëra viktima civile në të dyja palët.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ishte i pari që njoftoi për arritjen e armëpushimit mes Indisë dhe Pakistanit, duke thënë se ato pajtohen për armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm.

“Urime të dyja vendeve për përdorimin e arsyes së shëndoshë dhe inteligjencës së madhe. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!” shkroi Trump në Truth Social.

Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, tha se Pakistani dhe India kanë rënë dakord për një armëpushim të “plotë” dhe “jo të pjesshëm”, duke shtuar se rreth dhjetëra vende ishin përfshirë në diplomacinë që e bëri të mundur këtë marrëveshje.

Disa orë para marrëveshjes, Pakistani e nisi një operacion ushtarak kundër Indisë, pasi e akuzoi atë për sulme raketore në drejtim të tri bazave ajrore pakistaneze mbrëmjen e së premtes.

Burime të sigurisë pakistaneze i thanë Radios Mashaal se operacioni mbante emrin e koduar “Bunyanun Marsoos”, një fjalë arabe e marrë nga një varg i Kuranit që do të thotë “shtyllë e fortë”.

Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte biseduar me shefin e ushtrisë pakistaneze, gjeneralin Asim Munir, dhe i kishte bërë thirrje të dyja palëve që të gjenin mënyra për ta shtensionuar situatën.

Rubio gjithashtu kishte ofruar ndihmën e SHBA-së për të nisur bisedime konstruktive në mënyrë që të shmangen konfliktet e ardhshme, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Tammy Bruce, të premten.

Shërbimi i Forcave të Armatosura të Pakistanit për Marrëdhënie me Publikun (ISPR) tha se gjatë sulmeve të shtunën në mëngjes shkatërroi një depo ku India ruante raketat BrahMos. Ushtria tha se goditi edhe disa lokacione të tjera, përfshirë aeroportin ushtarak Pathankot dhe bazën ajrore Udhampur. Gjithashtu, theksoi se hodhi raketa Fatah 1 ndaj këtyre dy bazave indiane.

Ushtria indiane e quajti të papranueshëm operacionin e Pakistanit.

“Përshkallëzimi i hapur nga Pakistani me sulme me dronë dhe municione të tjera vazhdon përgjatë kufirit tonë perëndimor. Në një nga këto incidente, sot rreth orës 5 të mëngjesit, u panë disa dronë të armatosur mbi Khasa Cantt, Amritsar”, tha ushtria indiane në rrjetin X.

“Dronët armiqësorë u shkatërruan menjëherë nga njësitë tona të mbrojtjes ajrore”, tha ajo.

Burime të sigurisë pakistaneze pretenduan gjithashtu se ishte kryer një sulm i sinkronizuar kibernetik dhe se energjia elektrike në disa qytete ishte ndërprerë.

Pakistani tha më herët se raketat, të lëshuara nga India, kishin rënë në disa lokacione të ndryshme në territorin pakistanez.

Njëra nga raketat goditi bazën ajrore Noor Khan në qytetin Raëalpindi. Kjo bazë është selia e ushtrisë dhe ndodhet më pak se 30 kilometra nga ndërtesat kyçe si Shtëpia Presidenciale, Parlamenti dhe rezidenca e kryeministrit në kryeqytetin Islamabad.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, menjëherë pas sulmeve të mbrëmjes së 9 majit, drejtori i përgjithshëm i ISPR-së, gjeneral Ahmad Sharif, tha se ishte penguar një sulm i Indisë që kishte si objektiv bazën ajrore Noor Khan.

Ai shtoi se dy raketa të tjera ishin lëshuar drejt bazave të tjera ajrore – Murid dhe Shorkot. Sharif pretendoi gjithashtu se India kishte lëshuar disa raketa edhe në Afganistan.

Tensionet mes dy fuqive bërthamore janë rritur ndjeshëm që pas një sulmi më 22 prill në një zonë turistike në Kashmirin e kontrolluar nga India, ku mbetën të vrarë 26 civilë, kryesisht turistë hindu nga India.

Qeveria e Indisë fajësoi Pakistanin për mbështetjen e këtij sulmi, por Islamabadi e ka mohuar përfshirjen.

India dhe Pakistani, të cilët fituan pavarësinë nga Britania në vitin 1947, kanë zhvilluar tri luftëra të plota në vitet 1948, 1965 dhe 1971, si dhe një konflikt të kufizuar në vitin 1999.

Çështja kryesore mbetet lugina e Kashmirit, të cilën India e konsideron pjesë të pandashme, ndërsa Pakistani e sheh si “çështje të papërfunduar të ndarjes” të nënkontinentit indian.

Kashmiri është i ndarë mes tri vendeve me armë bërthamore. India kontrollon rreth 45 për qind të tij, Pakistani rreth 35 për qind, dhe Kina – pas një lufte të shkurtër me Indinë në vitin 1962 – mban 20 për qind./Radio Evropa e Lirë

Sfondi i Windows XP nuk është më ai që mbani mend – ja si duket sot

“Bliss”, sfondi ikonik i Windows XP që është cilësuar si fotografia më e njohur në botë, nuk është më ai që dikur e njihnim.

Fotografia, e realizuar në vitin 1998 nga fotografi Charles O’Rear në luginën Napa të Kalifornisë, paraqiste kodra të gjelbra nën një qiell të pastër blu dhe për vite të tëra zbukuronte ekranet e miliona kompjuterëve anembanë globit.

Por pamja që dikur ofronte një ndjesi qetësie dhe nostalgjie, sot është transformuar. Livadhet janë zëvendësuar me vreshta, një ndryshim që ka shkaktuar reagime të përziera në rrjetet sociale.

Disa komentues e kanë cilësuar ndryshimin si “të trishtueshëm” dhe “depresiv”, ndërsa të tjerë e mbrojnë pamjen e re duke pohuar se edhe vreshtat kanë bukurinë e tyre dhe se vendi ende ruan njëfarë magjie natyrore.

Fotografi O’Rear e ka shkrepur këtë fotografi rastësisht, teksa po kalonte pranë asaj fushe që në atë kohë ishte bosh për shkak të një sëmundjeje që kishte prekur hardhitë.

Kosova s’po gjenë qetësi: Vëllau plagos motrën

Policia Rajonale e Ferizajt ka arrestuar një person për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe dhunë në familje pas një incidenti të rëndë që ndodhi rreth orës 10:00 në rrugën “Mejdi Xhaferri” në Ferizaj.

Siç njofton Policia, i dyshuari E.M., 19-vjeçar dyshohet se e ka plagosur motrën e tij, 25 vjeçare, me armë zjarri dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Pas një operacioni të shpejtë të policisë, i dyshuari u lokalizua dhe u arrestua. Viktima, pas marrjes së ndihmës së parë në Emergjencën e Ferizajt, është dërguar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha veprimet hetimore, ndërsa është sekuestruar arma e zjarrit, me të cilën dyshohet të jetë kryer sulmi.

Motivi i këtij incidenti ende mbetet i paqartë. Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori i shtetit dhe hetimet vazhdojnë.

Qeveria tranzicionale e propozuar nga Abdixhiku – ja si i përgjigjet Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar zhvillimet politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke u ndalur në ngërçin politik që ka lindur në Kuvend. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ai ka refuzuar propozimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për formimin e një qeverie tranzicionale, duke theksuar se interesi i tij është krijimi i një qeverie normale.

Kurti ka theksuar se pas përmbushjes së reformave të nevojshme, një koalicion me LVV-në do të ishte më i lehtë për LDK-në. Ai ka dërguar dy ftesa për Abdixhikun, por ato janë refuzuar.

Kryeministri ka deklaruar se ka ftuar edhe liderët e partive të tjera për të diskutuar mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike, por vetëm PDK-ja ka shfaqur interes.

“Për të ndihmuar daljen nga kjo bllokadë, i ftova kryetarët e partive PDK-së dhe LDK-së, por ky i dyti refuzoi të vijë, ndonëse disa deputetë të LDK-së thanë se duhet të ketë marrëveshje politike. E dërgova edhe një letër tjetër për koalicion LVV-LDK, por edhe ajo u refuzua. LDK më 2020 bëri koalicion me ne, tani pas reformave do të duhej ta kishte më të lehtë. Ndoshta rruga e re ka preferenca të tjera. Ne duam qeveri normale, jo të përkohshme, as të tranzicionit dhe as të opozitës. Ky togfjalësh është një paradoks, sepse opozita është opozitë dhe duhet të mbetet opozitë e qeverisë,” ka thënë Kurti.

Kurti jep detaje, ky është propozimi i tyre për kryeparlamentar nesër

Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë të qartë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë se mbështetja për Albulena Haxhiun si kryetare të ardhshme të Kuvendit të Kosovës është e palëkundur.

Në një deklarim të drejtpërdrejtë para strukturave të partisë, Kurti theksoi se, ndonëse janë dëgjuar zëra që sugjerojnë alternativa të tjera – qoftë brenda VV-së apo jashtë saj – vendimi i tij dhe i partisë është i qartë: Albulena Haxhiu është zgjedhja që përfaqëson më së miri parimet dhe vizionin e Lëvizjes.

“Ka pasur zëra që thonë jo Albulenën, por dikë tjetër, madje disa që nuk e duan fare një përfaqësues të VV-së në krye të Kuvendit. Por për ne, përkushtimi dhe besueshmëria nuk janë negociata – janë vlera. Albulena i përfaqëson këto më së miri,” tha Kurti, transmeton Indeksonline

Ai shtoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk funksionon me logjikën e pazareve politike, por me bindje të qarta dhe vendime të bazuara në angazhimin konkret të anëtarëve të saj.

“Kemi shumë figura të denja në Vetëvendosje, por në këtë moment politik, Albulena është zëri që i duhet Kuvendit dhe qytetarëve. Ne nuk do të tërhiqemi nga ky propozim,” përfundoi Kurti.

Kjo deklaratë e Kurtit vjen në kohën kur po zhvillohen diskutime intensive për pozitat udhëheqëse në institucionet e reja që do të formohen pas zgjedhjeve të pritshme apo ndryshimeve të mundshme në strukturën parlamentare.

Kurti: Zgjedhjet mund t’i përsërisim, por edhe rezultati mund të thellohet në favor të LVV-së

Kryeministri në detyrë, njëherazi kryetar I LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se është hera e tretë që dalin të parët në zgjedhje

Kurti ka folur edhe për përgatitjet për zgjedhjet lokale, duke thënë se reformat duhet të ndodhin edhe nëpër komuna, njëjtë si në nivelin qendror.

“Komunat ku udhëheq LVV, janë shembull se si duhet qeverisur”, tha ai.

Kurti foli edhe për konsitutimin e Kuvendit, që ka mbetur duke u zvarritur tash disa ditë.

“Institucionet janë funksionale, organet e drejtësisë po veprojnë dhe ligjet po respektohen. E vetmja pengesë është se Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, pasi Kushtetuta e Kosovës nuk parashikon se çfarë duhet bërë në rast se një kandidat për kryetar të Kuvendit nuk i siguron votat e nevojshme për t’u zgjedhur. Institucionet janë funksionale, organet e drejtësisë po veprojnë dhe ligjet po respektohen. E vetmja pengesë është se Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, pasi Kushtetuta e Kosovës nuk parashikon se çfarë duhet bërë në rast se një kandidat për kryetar të Kuvendit nuk i siguron votat e nevojshme për t’u zgjedhur”, tha Kurti.

Ai tha se Kuvendi nuk themelohet nga fituesi, pa marrë parasysh a është absolut apo relativ, duke shtuar se Kuvendi themelohet nga të gjithë.

“Ne nuk kemi bllokuar, ne kemi propozuar kandidaten tonë. Bllokimi vjen prej atyre që votojnë kundër ose nuk votojnë. Ne nuk jemi bllokues, jemi propozues dhe propozuesja jonë është Albulena Haxhiu. Të tjerët le t’i ruajnë propozimet e tyre”, theksoi ai.

Kurti tha se mund të shkojnë edhe në zgjedhje, por që rezultati mund të thellohet në favor të partisë së tij./

Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Ferizaj, njofton me dhimbje të thellë për humbjen e Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muhamet Karalija.

“Lajmi për ndarjen e tij nga jeta na ka prekur thellë. Ngushëllime të sinqerta familjes Karalija, bashkëluftëtarëve dhe gjithë miqve të tij!”, thuhet në njoftimin e OVL e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Ceremonia e varrimit do të zhvillohet më 10 maj 2025 (e shtunë), në ora 17:00, në varrezat e fshatit Pleshinë e Epërme.

Putin kërkon takim, Trump i ‘prerë’ pret ndaljen e luftës – Uashingtoni i vendosur për më shumë presion

Një takim mes liderëve amerikan dhe rus është “në vëmendje”, tha zëdhënësi i Kremlinit.

Por, ndërsa Moska duket se po dërgon sinjale për gatishmërinë për një takim, cili është reagimi i Uashingtonit?

Një takim mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut amerikan, Donald Trump është “i domosdoshëm në shumë drejtime”, por ende nuk është planifikuar, tha të hënën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Një takim i tillë është qartësisht në horizont”, shtoi ai, raporton euronews.

“Duhet të përgatitet siç duhet, dhe kjo kërkon përpjekje në disa nivele ekspertësh”, tha Peskov.

Por çfarë përfshijnë këto “përpjekje”?

Para së gjithash, angazhimin e Kremlinit për një armëpushim në luftën kundër Ukrainës, thotë Kurt Volker, ish-përfaqësues i posaçëm i SHBA për negociatat për Ukrainën gjatë administratës Trump.

Në një intervistë për Euronews nga Forumi i Sigurisë në Kiev, Volker tha se presidenti amerikan do të dëshironte të takohej me homologun rus, por vetëm pasi të vendosej një armëpushim në Ukrainë.

“(Trump) dëshiron ta përfundojë luftën, dhe më pas do të donte të rindërtonte marrëdhëniet me Rusinë. Ai mendon se Rusia mund të reintegrohet në ekonominë globale, se mund të bëhen marrëveshje biznesi me të, por Putini duhet të ndalojë luftën më parë”, shpjegoi Volker.

“Dhe meqë Putini nuk po e bën këtë, mundësitë për një takim mes Trump dhe Putin duken gjithnjë e më të largëta”, shtoi ai, transmeton Telegrafi.

Volker shërbeu si negociatori i Uashingtonit për Ukrainën midis viteve 2017 dhe 2019, periudhë gjatë së cilës Putini dhe Trump u takuan për herë të fundit në Helsinki dhe më pas në samitin e G20 në Osaka.

Putini po përpiqet të luajë me egon e Trumpit

Volker thotë se presidenti rus “po përpiqet të luajë me egon e presidentit Trump duke thënë: mirë, mund të ulemi si dy burra dhe ta zgjidhim këtë”.

Në fillim të mandatit të dytë, Trump kishte deklaruar se do të takohej me Putinin “shumë shpejt” pas marrjes së detyrës.

“Mendoj se presidenti Trump, në njëfarë mënyre, e sheh veten si një figurë e fortë që është në gjendje ta bëjë këtë. Por ai nuk është i kënaqur me faktin që Putini nuk po e përfundon luftën. Dhe pikërisht këtu, kjo ide për një takim nuk ka gjasa të ndodhë, përveçse nëse ndryshojnë rrethanat”, tha Volker.

Volker i tha Euronews se për pasojë ka pasur një ndryshim të ndjeshëm qëndrimi në Uashington për sa i përket gatishmërisë së Putinit për të ndalur luftën kundër Ukrainës. “Është e qartë se SHBA dhe Ukraina janë në një linjë për të kërkuar një armëpushim të plotë 30-ditor. Dhe kjo është një hap drejt një armëpushimi të përhershëm. Por Putini po e përqesh këtë”, pohoi ai.

“Ai nuk është serioz për ndalimin e luftimeve. Dhe tashmë ndjesia në Uashington është se njerëzit po e kuptojnë këtë dhe po e sfidojnë Putinin, po i thonë se Rusia po kërkon shumë dhe nuk po pranon një armëpushim”, theksoi Volker.

Në vend të kësaj, presidenti rus shpalli një “armëpushim të njëanshëm” tre-ditor për të mbrojtur dhe siguruar paradën e Ditës së Fitores në Moskë.

“Putini nuk është serioz për një armëpushim. Ai nuk është serioz për ndalimin e sulmeve të tij. Mendoj se ai thjesht dëshiron të bëjë një gjest politik, sidomos tani që përkon me paradën ushtarake në Moskë”, tha Volker, duke shtuar se do të ishte “i habitur nëse ai e respekton edhe armëpushimin e vetë”.

Çfarë do të bëjë tani Uashingtoni?

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance pranoi këtë javë se bisedimet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës janë larg pritshmërive fillestare të Uashingtonit.

“Aktualisht, rusët po kërkojnë një sërë kushtesh dhe lëshimesh për ta përfunduar konfliktin. Ne mendojmë se po kërkojnë shumë”, tha Vance.

Administrata amerikane tani mund të “ashpërsojë retorikën ndaj agresionit rus dhe mungesës së gatishmërisë së tyre për një armëpushim”, tha Volker për Euronews.

Ky do të ishte hapi i parë, i pasuar nga “një theks i ri mbi sanksionet kundër Rusisë”, që mund të përfshijnë edhe sanksione dytësore “kundër atyre që ndihmojnë Rusinë të shmangë sanksionet ekzistuese për naftën, gazin dhe industrinë financiare”.

Dhe më e rëndësishmja, Uashingtoni do të vazhdojë të furnizojë Ukrainën me armë. “Nuk do të jetë më me para të taksapaguesve. Mendoj se ajo epokë e fondeve të drejtpërdrejta ka përfunduar. Por mund të kemi kredi për Ukrainën, një politikë huadhënieje-shembim siç bëmë me Mbretërinë e Bashkuar gjatë Luftës së Dytë Botërore”, shtoi ai.

Ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e sekuestrimit të aseteve të ngrira ruse dhe përdorimin e tyre për të financuar armë për Ukrainën, “Kanadaja po lëviz në atë drejtim, dhe nuk do të befasohesha nëse edhe SHBA vepron njësoj,” përfundoi ambasadori Volker.