Gazetari Astrit Gashi ka analizuar rezultatin e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.
Sipas tij, LVV është tkurrur në krahasim me fuqinë që e ka pasur, sepse i ka humbur Prishtinën dhe Prizrenin.
“Para vitit 2021, i ka pasur Prishtinën dhe Prizrenin, dhe Prishtina e Prizreni janë më shumë se gjysma e Kosovës,” është shprehur Astrit Gashi.
Po ashtu, analisti Ylli Hoxha ka thënë se, kur ai ishte pjesë e LVV-së dhe në atë kohë e kishin fituar garën në Prishtinë dhe Prizren, ajo ishte konsideruar si fitore në gjithë Kosovën.
Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e ka komentuar rezultatin e disa kandidatëve të LDK-së në disa komuna.
Mustafa në një prononcim për IndeksOnlinen, ka thënë se fitorja e LDK-së në Prishtinë, si qendër metropolitane është një sukses i veçantë.
Sa i përket Fushë-Kosovës dhe Obiliqit, ai ka thënë se është punuar shumë.
“Obiliqi është transformuar në një mjedis të pastër, me infrastrukturë moderne e gjelbërim, i këndshëm për jetesë. kështu e vlerësojnë qytetarët që jetojnë aty. Nuk është humbur se s’ka punuar z. Gashi. Ka punuar shumë si në këtë mandat si në mandatet kur nuk ishte pjesë e LDK-së. Njëjtë vlen edhe për Fushë-Kosovën, ku është punuar shumë, ndërkaq kandidatin për kryetar, z. Osmani e konsideroj si ndër njohësit më të mirë të pushtetit lokal në Kosovë dhe më gjerë”, ka thënë Mustafa.
Vota jo gjithherë, sipas Mustafës është peshojë ekzakte e meritës, por si e tillë në demokraci duhet respektuar.
“Njerëzit duhet përkrahur, fitoret dhe humbjet janë procese të pandara, prandaj duhet trajtuar me përgjegjësi dhe me dinjitet”, ka përfunduar Mustafa.
Vetëvendosje arriti ta thyente bastionin e LDK-së në Fushë-Kosovë na balotazhin e zhvilluar të dielën.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar vet ministrja Hajdari.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se sapo ta ketë pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohet për media.
“Sapo u njoftova nga avokati im, për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne. Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media. Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022”, ka shkruar ajo.
Vite më parë, Nacionale kishte publikuar audio-incizime të cilat dëshmonin për një skandal të madh në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Në kohën e pandemisë, MINT kishte porositur me kontrata njëburimore disa mallra për rezervën shtetërore, megjithatë një sasi e madhe e tyre nuk kishte arritur. Fjala ishte për miell, sheqer e vaj.
Sahit Tmava nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë është caktuar si prokuror përgjegjës për hetimin e rastit të fletëvotimeve në këtë qytet.
Deri më tani, rastin e ka trajtuar prokurori Shpejtim Peci, por ai tashmë është zëvendësuar nga Sahit Tmava nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar Komisionin Komunal Zgjedhor që të rifillojë procesin e numërimit të fletëvotimeve në Mitrovicën e Jugut.
Ky vendim vjen pas sqarimeve të kompanisë sllovene CETIS lidhur me printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë.
Sipas CETIS, problemi i numërimit ndodhi vetëm në njërën nga katër kokat e printerëve me ngjyrë, e cila ishte përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit. Kompania ka marrë përgjegjësinë për këtë gabim, duke theksuar se në rrethana normale, një situatë e tillë do të ishte pothuajse e pamundur.
Prokuroria gjithashtu ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë prezent gjatë gjithë procesit deri në përfundimin e plotë të numërimit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka arritur të bëhet si grup parlamentar në Kuvendin e Kosovës, pasi deputetja boshnjake Duda Balje i është bashkuar kësaj partie duke u bërë kështu gjashtë deputetë sa edhe nevojiten.
Lajmin e ka konfirmuar deputetja e AAK-së, Time Kadriaj.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 5 ulëse në Kuvendin e Kosovës nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Si koalicion me NISMA-n Socialdemokrate i morën 7.06% të votave apo 8 ulëse, por tri nga to i takojnë NISMA-s. AAK dhe NISMA i ndanë rrugët pas zgjedhjeve.
Duda Balje me SDU-në ka marrë një mandat apo 0.32% të votave.
Adil Behramaj ka thënë se ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ia ka punësuar vajzën në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Bujqësisë prokurorit të ri të caktuar në rastin e parregullsive në numërimin e votave në Mitrovicë.
Behramaj me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se Aida Tmava Shabani, e përzgjedhur për pozitën në fjalë në ministrinë e Pecit, është vajza e prokurorit Sahit Tmava, që dha urdhër për rinumërimin e votave në QKN në Mitrovicë.
“Valla bre rrjet kriminal ishin. Qy tash, Faton Peci ia paska punësuar vajzën edhe këtij prokurorit të ri, Sahit Tmavës, që sot lëshoi urdhëresë në Mitrovicë. Aida Tmava Shabani qenka vajza e tij”, ka shkruar Behramaj.
Një zhvillim tjetër, i paprecedent ka ndodhur në Gjykatën Speciale në Hagë përderisa atje po vazhdon të dëshmojë Chris Hill, emisar amerikan gjatë kohës së luftës në Kosovë. Atje, me kërkesë të Prokurorisë e aprovim të Gjykatës, është marrë vendim që të kontrollohen kompjuterët dhe printerët që ka përdorur për procedura ish-presidenti Hashim Thaçi në Qendrën e Paraburgimit. Materialet që Thaçi ka përdorur aty, janë ruajtur në një kopje e më pas e njëjta i është nënshtruar një analize forenzike.
“Më 8 shtator 2025, me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (“ZPS”), Gjykatësi i Procedurës Paraprake autorizoi disa kontrolle (shtesë) forenzike mbi materialet e ruajtura nga printerët dhe kompjuterët që (pretendohet se) janë përdorur nga dhe/ose kanë qenë të qasshme për Hashim Thaçin (“z. Thaçi”) në Qendrat e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara. Specifikisht, Gjykatësi i Procedurës Paraprake autorizoi kryerjen e kontrolleve të mëtejshme nga një kompani e jashtme forenzike (“KJF”)”, citohet në një shkresë, të nxjerrur nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot në rastin ku Thaçi akuzohet për ndërhyrje në drejtësi.
Siç kuptohet nga parashtresa parakrake e cituar, për nxjerrjen e “dosjeve” nga kompjuteri që ish-presidenti Thaçi përdori në qendër të paraburgimit (për çështje të procesit), gjyqtarja Masselot ka urdhëruar të angazhohet një ekspert i jashtëm. Ky i fundit, ka marrë të gjitha dokumentet dhe printimet e bëra nga kompjuteri i përdorur nga Thaçi dhe të njëjtat ia ka dorëzuar Prokurorisë.
Kontrolli i kompjuterëve ka ndodhur gjatë shtatorit dhe për të ka qenë në dijeni edhe mbrojtja e ish-Presidentit. Paraprakisht, me urdhër të së njëjtës gjyqtare, Thaçit i ishin ndaluar vizitat nga mbi 10 persona. Prokuroria fillimisht kërkonte që i njëjti vendim të merrej edhe për vëllezërit e Thaçit, por që pas reagimeve publike nuk ndodhte një gjë e tillë./ voxkosova.com
Vetëm pak kohë pas rifillimit të procesit të numërimit, janë numëruar 100% të votave të rregullta në Mitrovicë të Jugut.
Sipas përditësimit të fundit të KQZ-së, numërimi tashmë ka përfunduar.
Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 53,47% apo 17,837 vota, ndërsa Arian Tahiri i PDK-së mori 46,53% apo 15,522 vota.
Kujtojmë që pas dyshimeve për manipulim të votave, Prokuroria Themelore në Mitrovicë e ka urdhëruar të martën Komisionin Komunal Zgjedhor ta rifillojë numërimin e votave të balotazhit të 9 nëntorit në Qendrën Komunale në Mitrovicën e Jugut, i cili u ndërpre dje pas raportimeve për parregullsi.
Këto janë pamjet pas atentatit të rëndë të ndodhur mesditën e sotme pranë aeroportit të Rinasit në Tiranë.
Një automjet qëlloi në drejtim të një mjeti tjetër ku ndodhej viktima dhe i plagosuri. Sikurse duket në pamje, qytetarët kanë tentuar të thyejnë xhamat e makinës, me qëllim për të nxjerrë viktimën dhe të plagosurin.