div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="home blog paged custom-background wp-custom-logo paged-25 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Kaq vota mori Vetëvendosje në fshatin e Hashim Thaçit

Në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar rezultat të ulët në fshatin e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Sipas të dhënave nga numërimi i votave, Vetëvendosje ka marrë gjithsej 90 vota, apo 11.29 për qind të totalit në këtë vendvotim.

Ndërkohë, në këtë fshat ka dominuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 645 vota, që përbëjnë 80.93 për qind, duke lënë prapa partitë e tjera.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 33 vota (4.14%), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vetëm 17 vota (2.13%).

Rezultati konfirmon mbështetjen tradicionale të elektoratit lokal për PDK-në, ndërsa Vetëvendosje vazhdon të ketë vështirësi në bastionet e ish-krerëve të kësaj partie.

Janina Ymeri, a i ka siguruar votat për një ulëse në Kuvend?

Ndërsa rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit ishte një nga më të dobëtit për Lidhjen Demokratike të Kosovës, në renditjen e kandidatëve për deputetë po spikat një dinamikë e re.

Përbërja e ardhshme e Kuvendit pritet të ketë një opozitë me ton tjetër, të përfaqësuar nga figura që gjatë mandatit të kaluar janë bërë të njohura për ballafaqim publik, dhe për insistim në çështje që prekin jetën e përditshme të qytetarëve. Në këtë konktest, një nga emrat që bien në sy është ai i Janina Ymerit, e cila për herë të parë iu fut garës për deputete në listën e Lidhjes Demokratike.

Vetëm dy muaj më parë, Ymeri ishte kandidate për asambliste në Komunën e Ferizajt, ku mori vetëm 128 vota. Ymeri nuk u tërhoq dhe u angazhua në shpërfaqjen e skandaleve dhe keqmanxhimit të qeverisë Kurti II për një temë që ka peshuar drejtpërdrejt mbi buxhetet familjare përgjatë katër viteve të fundit: shtrenjtimi i energjisë elektrike.

Me 45 për qind të votave të numëruara, Ymeri aktualisht gjendet në top 10 kandidatët më të votuar të LDK-së, me 8 mijë e 74 vota, duke u renditur pas figurave të njohura të partisë si Lutfi Haziri, Armend Zemaj dhe Anton Quni. Njëkohësisht, ajo ka lënë prapa edhe emra të tjerë të njohur si Jehona Lushaku-Sadriu dhe Besian Mustafa.

Në pak javë, Ymeri e ktheu debatin për energjinë në pikë referimi të daljes së saj publike. Në një intervistë të ditëve të fundit me Berat Buzhalën, ngriti shqetësime për heshtjen e pushtetit dhe mungesën e llogaridhënies nga institucionet dhe akterët përkatës për importin e energjisë dhe çmimet stratosferike.

“Ky është peng i mafisë energjetike – nuk fol. Ti nuk ke mundësi teknike me iu ik krejt këtyre lojtarëve, ku je duke e marrë rrymën. NOA nuk gjeneron rrymë. Shqipëria nuk ka rrymë sa na nevojitëm, ke me marrë prej Greqisë, Serbisë, Republika Srpskas – kah e ke marrë? Ama heshtin, nuk flasin. Nuk po mund që 1 muaj ditë me ma dhanë një raport teknik që më thënë ‘jo, ne nuk e kemi marrë asnje megavat prej këtyre që po thua ti’.”– deklaroi ndër të tjera Ymeri.

Arifi: Vetëm 25% e qytetarëve mbështesin VV-në, rrenci mbetet rrenc

Politikani shqiptar, Shqiprim Arifi, është deklaruar pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Arifi ka thënë se vetëm 450 mijë votues kanë votuar për VV. Sipas tij, vetëm rreth 25 për qidn e Kosovës janë mbështetës të përkohshëm të VV’së.

“Vota për Albinin dhe VV-në nuk e bën më pak RRENC dhe as nuk i jep më shumë të drejtë apo të vërtetë! Përkundrazi, shumica jo gjithmonë është pasqyrim real i së vërtetës; në këtë rast, ajo është bazë për të ardhmen për të mashtruar e gënjyer edhe më shumë, për të vjedhur edhe më shumë. Nesër mos u ankoni, i keni ditur të gjitha”, ka deklaruar ai.

Postimi i plotë:

Nuk foli i gjithë populli, por vetëm rreth 25% e tij!

Nga 2 milionë votues, 900 mijë kanë dalë në votime dhe prej tyre rreth 450 mijë kanë votuar për VV. Kjo do të thotë se vetëm rreth 25% e gjithë e Kosovës në përgjithësi, janë mbështetës të përkohshëm, të manipuluar, të mashtruar dhe në fund edhe të blerë nga VV.

Vota për Albinin dhe VV-në nuk e bën më pak RRENC dhe as nuk i jep më shumë të drejtë apo të vërtetë! Përkundrazi, shumica jo gjithmonë është pasqyrim real i së vërtetës; në këtë rast, ajo është bazë për të ardhmen për të mashtruar e gënjyer edhe më shumë, për të vjedhur edhe më shumë. Nesër mos u ankoni, i keni ditur të gjitha!

RRENCI mbetet RRENC, sepse e ka të dëshmuar me 20 vjet tone të larta, inçizime dhe vendime. Këtë e dinë të gjithë saktë, edhe votuesit e vet, por inati i shqiptarit i’a shuan mendjen dhe logjikën e shëndoshë. Siç ka ndodhur shpesh në historinë tonë dhe më pas jemi bërë pishman.

Sa i përket diasporës, lëreni rehat. As ajo nuk ka faj që opozita nuk ka lider e as strategji (mendojnë se “me të mira” duhet bërë fushata kundër manipulimit). Po ashtu, nuk është faji i tyre që janë përballur me një RRENACAK ordiner, që prej 20 vitesh komunikon rrenën intensivisht dhe sot, e shpërblejnë me votë.

Albini nuk lëshoi pe, e pse të lëshojmë pe, ne?!

E vërteta është mbi votën e inatit apo shumicës së inatit dhe i’a vlen të qëndrosh për të, edhe nëse je i vetëm kundër të gjithëve.

Unë, që nga viti 2017 nuk kam lëshuar pe për këtë RRENC dhe kështu do të vazhdoj, me kismet!

”Të rinjtë kishin hyrë në vilë që nga mbrëmja e djeshme..”, detaje nga rasti tragjik në Pejë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Pejë, ku dy persona janë gjetur pa shenja jete brenda një vile në rrugën “KFOR”.

Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 15:10, kur Policia ka pranuar informatën se në vilat nr. 03 ndodheshin një mashkull dhe një femër, të moshës rreth 20 deri në 25 vjeç, të cilët sipas informacioneve fillestare kishin hyrë në vilë që nga mbrëmja e 29.12.2025, por prej asaj kohe nuk ishte dëgjuar asnjë zë nga brenda.

Pas daljes së patrullave policore në vendin e ngjarjes dhe kontrollit të objektit, është konstatuar se të dy personat ndodheshin pa shenja jete. Njësia e Emergjencës, e cila ka dalë në vendngjarje, ka konfirmuar vdekjen e tyre.

Menjëherë janë njoftuar njësia e hetimeve dhe krimteknika e Stacionit Policor në Pejë, të cilët ndodhen në lokacion dhe kanë nisur procedurat hetimore. Po ashtu, është kërkuar edhe dalja e Njësisë së Hetimeve të DRP Pejë për trajtimin e mëtejmë të rastit.

Për momentin, identiteti i viktimave dhe rrethanat e sakta të vdekjes së tyre mbeten të paqarta, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rastit

Pas zgjedhjeve, Lumbardh Salihu tregon nëse siguron ulëse në Kuvend

Me numërimin e rreth 30 për qind të kutive të votimit, kanë dalë në dritë shifrat e para për kandidatin e LDK-së, Lumbardh Salihu.

Deri në këtë fazë të procesit, Salihu ka grumbulluar rreth 1200 vota.

Ky rezultat tregon një ecuri sfiduese për ish-fituesin e Big Brother, i cili po garon për një ulëse në Kuvendin e Kosovës nën siglën e Lidhjes Demokratike të Kosovës

 

Pas publikimit të rezultateve të para, Salihu ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë.

“Qytetarë të dashur, faleminderit për përkrahje. E kuptoj që rezultati nuk është i kënaqshëm, por unë nuk do të ndalem”.

“Do të vazhdoj të kontribuoj me zemër për vendin tim dhe atë vetëm përmes LDK-së. Respekt”, ka shkruar ai.

Procesi i numërimit të votave vazhdon, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të sjellin një pasqyrë më të qartë për garën elektorale.

Numërohen 30% të votave për deputet, në PDK vazhdojnë të prijnë figurat e reja

KQZ në faqen zyrtare ka procesuar 29,88% të votave të numëruara të kandidatëve për deputet. Në Partinë Demokratike të Kosovës, aktualisht Bedri Hamza ka marrë 45,619 vota.

Në vend të dytë është Arian Tahiri me 21,800 vota.

Me 20,221 vota në vend të tretë radhitet deri tani Përparim Gruda.

Uran Ismaili është i katërti me 15,963 vota, ndërsa në të pestin Sala Jashari me 14,474 vota. Pas saj, Vlora Çitaku me 12,767 vota.

Nga totali i votave, nga 2,557 vendvotime të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 49.34%.

20.98% ka marrë Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 13.57%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 5.66%.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë të drejtë vote patën 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë.

/Reporteri.net/

Rreth 30% të votave të numërura, ndryshon radhitja për deputetë – këta janë më të votuarit në VV tash për tash

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve  po vazdhon numërimin e votave të kandidatëve për deputet.

Deri më tani janë numëruar 754 vendvotime, apo 29.49 për qind nga gjithsej 2,557 vendvotime në nivel vendi.

Sipas rezultateve të deritanishme për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, kandidati Albin Kurti kryeson listën me 98,765 vota, i pasuar nga Glauk Konjufca me 76,873 vota.

Deri në këtë fazë të numërimit vërehen ndryshime në radhitjen e kandidatëve. Albulena Haxhiu nëkëtë fazë e ka kaluar Hekuran Muratin, duke u radhitur si e treta më e votuar.

Haxhiu aktualisht ka 39 mijë e 903 vota, e pasura nga Murati me 39 mijë e 579 vota

Donika Gërvalla-Schwarz  renditet si e pesta në listën e më të votuarve me  34 mijë e 991 vota, e pasuar nga Xhelal Sveçla me 31 mijë e 939 vota

Pas tij vjen Hajrulla Çeku me 29,816 vota, Avni Dehari me 26,210 vota, Mimoza Kusari-Lila me 24,334 vota dhe Ejup Maqedonci me 22,296 vota.

Në mesin e më të votuarve janë edhe Shqipe Mehmeti Selimi me 17 mijë e 810 vota.

Një prej më të votuarve është edhe djali i ideologut të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, Andini, i cili ka marrë 16 mijë e 171 vota.

Fitorja e Kurtit në zgjedhje, reagon Ambasada Amerikane

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë shpreson që të thellojë  partneritetin me Qeverinë e Kosovës përfshirë  edhe rifillimin e dialogut strategjik, i pezulluar prej gati katër muajsh për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë.

Siç kishte thënë ShBA-ja veprimet e qeverisë kishin rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë duke vështirësuar bashkëpunimin në prioritetet e përbashkëta.

Ambasada tha për RTV21 se rifillimi i dialogut strategjik kërkon veprime nga Qeveria e Kosovës.

“Shpresojmë të thellojmë partneritetin tonë me qeverinë e Kosovës, duke përfshirë edhe rifillimin e dialogut tonë strategjik. Kjo do të kërkojë veprime nga Qeveria e Kosovës për të avancuar agjendën tonë të përbashkët të paqes rajonale, stabilitetit dhe prosperitetit të ndërsjellë ekonomik, tha për RTV21 një zëdhënës i ambasadës së ShBA-së në Prishtinë./RTV21/21Media

E trishtë: Digjet një shtëpi banimi, vdes fëmiju 1 vjeçar

Një zjarr ka përfshirë një shtëpi banimi në qendër të Prizrenit mëngjesin e sotëm, rreth orës 10:00, ku si pasojë ka humbur jetën një fëmijë rreth moshës një vjeç.

Sipas Policisë, dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e thithjes së tymit, ndërsa tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë, ku po marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor.

Njësitë emergjente kanë reaguar menjëherë dhe zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht. Shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente.

Konfirmimi i policisë:

Sot, më datën 30.12.2025, rreth orës 10:00, është raportuar për një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të qytetit të Prizrenit. Si pasojë e zjarrit, një fëmijë rreth moshës 1 vjeç ka humbur jetën, ku dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e thithjes së tymit.

Tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë, ku po marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor.

Njësitë emergjente kanë reaguar menjëherë dhe zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht. Ekipet përkatëse vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes.

Shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore.