Abdixhiku flet hapur: Ky është emri që mbështet LDK-ja për president

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetarit të kësaj partie, Lutfi Haziri, i cili ditë më parë tha se votat e LDK-së unifikohen vetëm nëse president i ri bëhet Abdixhiku ose ai vetë.

Abdixhiku ka bërë të qartë se një deklaratë e tillë ka qenë e ngutshme dhe e pamenduar, pasi asnjëra nga këto pozicione nuk është diskutuar brenda organeve të partisë.

Përmes këtij qëndrimi, kreu i LDK-së ka lënë të nënkuptohet se partia nuk ka ndryshuar kurs dhe se kandidatja e vetme që mbështetet mbetet Vjosa Osmani.

“Nuk është dashur të flasë për emrin tim e as për të tij, dhe ai e qartësoi më pas. Me Lutën kemi pasur diskutim miqësor, ai i ka dhënë qëndrimet e LDK-së këto ditë dhe është një njeri që ka kontribuar shumë në LDK, sepse as unë e as Luta s’kemi garuar për president. Unë s’kam konsensus për emrin tim, se s’e kemi diskutuar këtë çështje. Brenda grupit parlamentar e diskutojmë se si do të ecim tutje, brenda partisë ne kemi qëndrim, garim”, ka deklaruar Abdixhiku në Rubikon tw Klan Kosovës, përcjell Insajderi.

Më herët, Haziri kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se konsensusi brenda LDK-së mund të arrihej vetëm nëse presidenti del nga kjo parti, ku sipas tij, pas Abdixhikut, ai gëzon konsensusin më të madh.

Megjithatë, ky skenar është hedhur poshtë nga vetë Abdixhiku, duke konfirmuar se tema e presidentit do të trajtohet vetëm mbi bazën e qëndrimeve zyrtare të grupit parlamentar.

Avdullah Hoti kërkon zgjedhje në LDK

Avdullah Hoti ka kërkuar nisjen e një procesi të ndryshimeve të brendshme në LDK pas rezultateve zgjedhore.

Sipas tij, pas një rezultati të dobët është normale që të kërkohet që partia të rishikojë organizimin e saj, të reformojë strukturat udhëheqëse dhe të dalë para qytetarëve me një ofertë të re politike.

Hoti tha se ofertat e deritanishme të LDK-së nuk kanë qenë të mjaftueshme për të fituar besimin e qytetarëve, duke lënë të kuptohet se nevojiten zgjedhje dhe rifreskim i lidershipit brenda partisë.

“Është normale kur ke një rezultat të dobët zgjedhor, të kërkohet që të rishikohen gjërat, të riformohemi nga brenda, t’i hymë një procesi të ndryshimeve brenda partisë, ta ridefinojmë komplet strukturën udhëheqëse të partisë dhe të dalim para qytetarëve të rifreskuar me ofertë të re politike, sepse është e qartë që ajo që kemi ofruar dy herë vitin e kaluar, një herë sivjet, nuk ka qenë e mjaftushme për të marrë besimin e qytetarëve”, tha Hoti në ATV.

Abdixhiku: Kushdo që kërkon zgjedhje të reja është i çmendur, nuk ia do të mirën Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se vendi ka nevojë për stabilitet institucional dhe se partitë politike duhet të angazhohen për arritjen e marrëveshjeve që mundësojnë funksionalizimin e institucioneve.

Sipas tij, mundësitë për krijimin e një qeverie me mbështetje minimale parlamentare ekzistojnë, por sfida kryesore mbetet zgjedhja e presidentit, e cila kërkon konsensus politik ndërmjet partive.

“Problemi nuk ka qenë asnjëherë vetëm te qeverisja, por te zgjedhja e presidentit. Në thelb, mungesa e vullnetit për marrëveshje politike mes partive ka krijuar bllokada institucionale”, tha Abdixhiku.

Ai vlerësoi se një qeveri mund të formohet edhe me 61 apo 62 deputetë, por theksoi se stabiliteti afatgjatë institucional nuk mund të sigurohet pa bashkëpunim politik, veçanërisht për procesin e zgjedhjes së presidentit.

Kreu i LDK-së bëri thirrje që partitë të nisin diskutimet duke u fokusuar fillimisht në parime dhe në nevojën për stabilitet institucional.

“LDK-ja ka një pozicion të qartë. Duhet patjetër të krijohen institucionet. Kushdo që kërkon zgjedhje të reja nuk e do të mirën e Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.

Abdixhiku theksoi se partitë politike duhet të ulen së bashku, të analizojnë raportet numerike në Kuvend dhe të gjejnë zgjidhje që garantojnë funksionimin normal të institucioneve dhe shmangien e krizave të reja politike.

“Absolutisht. Kushdo që kërkon zgjedhje të reja është i çmendur. Është i çmendur, nuk e do të mirën e Republikës së Kosovës. Kushdo që do zgjedhje të reja edhe një herë, nuk e do të mirën e Republikës së Kosovës. Pra partitë politike duhet të kërkojnë stabilitetin institucional si vlerë bazike, si parim bazik. Pra i pari, po nisim për stabilitet institucional. Tani si duket ky stabilitet institucional? Ulen partitë, shohin se si janë numrat matematikorë në drejtim, edhe vendosin”, tha Abdixhiku në Rubikon në Klan Kosova.

Vjosa Osmani reagon pas zhvillimeve të fundit në LDK

Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ka reaguar për herë të pari pasi degët kryesore të kësaj partie kërkuar dorëheqjen e kryetarit Abdixhiku.

Osmani, përmes një postimi në Facebook ka shpërndarë disa fotografi nga takimi që ka zhvilluar me Abdixhikun në qytetin e Vitisë.

“Kur qëllimi është i drejtë, asnjë rrugë nuk është tepër e vështirë për t’u kaluar bashkë.”, thuhet mes të tjerash në postimin e Osmanit.

Ajo ka falënderuar degën e LDK-së në Viti “për punën e angazhimin e vazhdueshëm dhe për qëndrimet e qarta e mbështetëse”.

Zhvillimet e fundit në LDK, reagon ashpër Agim Veliu

Agim Veliu ka reaguar ashpër ndaj situatës së brendshme në Lumir Abdixhiku dhe kërkesave për dorëheqjen e tij nga drejtimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke i cilësuar ato si plotësisht legjitime dhe të drejta.

Sipas Veliut, kërkesat për dorëheqje burojnë nga fakti se Abdixhiku ka marrë merita për sukseset e pretenduara të partisë, ndërsa tani duhet të marrë përgjegjësi për rezultatet zgjedhore që ai i cilëson si dështim.

“LDK-ja, nën drejtimin e tij, ka mbetur e ngujuar në vendin e tretë dhe nuk ka arritur të rikthehet si alternativë serioze për pushtet, pavarësisht premtimeve dhe kontrollit të plotë mbi partinë”, ka deklaruar Veliu.

Ai thekson se mungesa e rezultateve në disa cikle zgjedhore dhe mungesa e reflektimit politik, sipas tij, përbëjnë pengesë për reformimin e partisë.

Veliu ka kritikuar edhe reagimin e Abdixhikut ndaj kryetarëve të degëve në Lipjan, Pejë dhe Prishtinë, të cilët kishin kërkuar dorëheqjen e tij, duke e cilësuar si “arrogant”.

“Në vend që të reflektonte mbi kritikat, ai kërkoi dorëheqjen e dy kryetarëve të degëve që kanë fituar zgjedhjet në komunat e tyre, ndërsa vetë nuk po jep llogari për rezultatet në nivel qendror”, ka shtuar ai.

Në fund, Veliu vlerëson se mënyra e udhëheqjes së Abdixhikut po dërgon mesazhin se në parti ndëshkohen kritikët, jo ata që nuk arrijnë rezultate.

“Kur një lider kërkon të heshtë kritikët dhe të mbrojë veten nga përgjegjësia politike, problemi nuk është vetëm rezultati zgjedhor, por mënyra se si kuptohet demokracia dhe funksionimi i brendshëm i partisë”, përfundon reagimi i Veliut.

Gucati sfidon Goxhajn: Trego në cilën zonë operative të UÇK-së ke shërbyer

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, disa herë ka reaguar ndaj përdorimit të emrit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe stemës së saj në protestën që po mbahet në Tiranë.

Lidhur me këtë çështje sot në Kosova Today ka folur kreu i OVL UÇK-së Hysni Gucati.

Ai përmendi në veçanti Dritan Goxhajn, për të cilin tha se nuk ka të drejtë të flasë në emër të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare.

“Është mirë Dritan Goxhaj me dal edhe me deklaru se në cilën zonë operative ka shërbyer, në Koshare, Pashtrik, Dukagjin, Drenicë, Llap, Gollak apo ku ka shërbyer?”, deklaroi Gucati në Klan Kosova.

Gucati tha se Goxhaj asnjë dokument nuk e ka në Organizatën e OVL UÇK-së.

Bëhet horë Arian Tahiri, publikoi një status “gabimisht” ku goditet opozita, edhe media që e raportoi e fshiu lajmin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka publikuar për disa minuta në profilin e tij në Facebook një status që dyshohet se ishte menduar të dërgohej privatisht dikujt e jo të bëhej publik.

Në postimin që u fshi shpejt, flitej për interpretimet kushtetuese rreth zgjedhjes së Presidentit dhe formimit të institucioneve, duke sulmuar opozitën, juristë të caktuar dhe duke përmendur edhe emrin e Enver Hasanit.
Këtë status e kishte publikuar dje influenceri Drin Zatriqi i cili jeton në ShBA ku përmes këtij statusi ka pretenduar skenarin e opozitës për zgjedhjen e presidentit.

Si duket kjo gjë i kishte bërë përshtypje deputetit të PDK-së Arian Tahiri dhe duke tentuar të ja dërgoj dikujt padashur e ka publikuar në facebookun e tij.

Ajo që e bëri edhe më interesante situatën është fakti se publikimi i Tahirit u raportua fillimisht nga media vendore Gazeta Blic, e cila publikoi lajmin me fotografi dhe titull përkatës. Mirëpo, pak më vonë, edhe vetë lajmi i Gazetës Blic u largua nga faqja e mediumit, duke bërë që linku të rezultojë me mesazhin “Page not found”.

Ky zhvillim ka nxitur reagime dhe komente në rrjete sociale për ndikimin që partitë politike, e veçanërisht PDK-ja, vazhdojnë të kenë në një pjesë të mediave në Kosovë. Fshirja e postimit nga deputeti dhe më pas largimi i lajmit nga mediumi që e raportoi, tregon  shembullin e ndërhyrjes politike në raportimin mediatik.

Deri tani nuk ka pasur ndonjë sqarim publik nga Tahiri apo nga Gazeta Blic për arsyen e fshirjes së postimit dhe lajmit.

Rrahje mes dy policëve në stacionin policor në Prishtinë

Dy zyrtarë policorë janë përfshirë në një rrahje pas mos-marrëveshjes me njëri tjetrin në stacionin policor “Jugu” në Prishtinë. Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tyre.

Lajmi për Gazetën Insajderi u bë i ditur nga Arbër Beka prej IPK’së, i cili shtoi se rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt, shkruan Insajderi.

“Duke ju referuar kërkesës suaj Inspektorati Policor i Kosovës ju konfirmon se është njoftuar për këtë rast. Nga veprimet fillestare hetimore të ndërmarra nga Inspektorati Policor i Kosovës ekziston dyshimi se mbrëmë  dy zyrtarë policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare brenda objektit të Stacionit Policor Jugu, janë përfshirë në një mosmarrëveshje  me njëri tjetrin dhe se të njëjtit janë të dyshuar për veprën penale “Sulm””, ka bërë të ditur Beka.

Ai shtoi se IPK’ja ka rekomanduar suspendimin e tyre.

“Secili veprim i zyrtarëve policorë që mund të cenojë integritetin policor ose mund të ndikojë negativisht në profesionalizmin e Policisë së Kosovës  do të trajtohet me seriozitet të plotë  nga Inspektorati Policor i Kosovës”.

“Zullumqarët e vendit tim”- Reagon Ikballe Huduti pasi u shpall “non-grata” në Shqipëri

Ikballe Huduti Berisha ka reaguar pasi që është shpallur “non-grata” nga ministri i Punëve të Brendshme të Shiqpërisë, Besfort Lamallari.

Berisha me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka arsyetuar prezencën e saj në protestat e Shqipërisë për Zvërnecin, duke thënë se misioni i saj “ngjason me misionin e shehidëve të Qerbelasë”, shkruan Insajderi.

“Mjaft më me poshtërimet që më janë bërë nga zullumqarët e vendit tim, qoftë nga pushtetarët apo fetarët”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Postimi i plotë:

Një përgjigjje jo për Ministrin Llamallari por për një vëlla të shqetësuar që më dërgoji këtë lajm në what’s app.

Paqe për ty Vëlla.

Po e di, vëlla i nderuar, e lexova këtë shkrim. S’kam çfarë të humb, sepse moti i kam humbur ato gjëra që zullumqarët mendojnë se unë kam vuajtur për to.

Krejt çka kam humbur është frika ndaj zullumqarëve, asgjë tjetër, sepse edhe shpirtin, edhe jetën, edhe zemrën time moti ia kam falur Dikujt që m’i ka falur.

Kam “humbur” nga kjo botë e “bukur” çdo të mirë, që nga dita kur e ngrita zërin kundër padrejtësisë në emër të lirisë humane dhe njerëzillëkut. U shkurorëzova nga kjo botë që nga dita kur e lexova poemën “Qerbelaja” të Naim Frashërit.

Jeta ime nuk do të kishte vlerë në këtë vend të shqiptarisë nëse unë nuk e kryej misionin tim, që ngjason me misionin e shehidëve të Qerbelasë.

Mjaft më me poshtërimet që më janë bërë nga zullumqarët e vendit tim, qoftë nga pushtetarët apo fetarët.

Më e mirë për mua është një vdekje me vlera dinjitoze sesa një jetë me poshtërime.

Të kam në dua, vëlla, edhe ju më keni në dua në këtë ditë të Ashuras. Kam nevojë për lutjet e secilit që dëgjon për padrejtësitë që më bëhen në këtë jetë.

 

Igballe Huduti shpallet “person non-grata” në Shqipëri

Teologia nga Kosova, Igballe Berisha-Huduti, është shpallur “person i padëshiruar” në Republikën e Shqipërisë për një periudhë 15-vjeçare, me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar Hudutin si të infiltruar në protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec.

Sipas vendimit, të transmetuar nga mediat në Shqipëri të enjten, masa është marrë mbi bazën e informacioneve të grumbulluara nga institucionet përgjegjëse, sipas të cilave veprimtaria e Hudutit vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin dhe sigurinë publike.

Urdhri i ministrit i është përcjellë për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.

Autoritetet shqiptare pretendojnë se Huduti ka lidhje me regjimin iranian të ajatollahëve. Ajo gjithashtu është akuzuar për thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri.

Po ashtu, sipas autoriteteve në Shqipëri, ajo është shfaqur publikisht pranë ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinejad.

E Rama publikoi në Facebook foto të Hudutit ku pretendohet të jetë krah Ahmadinejadit, teksa e akuzoi se është përfshirë në protesta si e infiltruar.

“Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e ‘diasporës’ së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllanë e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinexhadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, ka shkruar Rama.

Pas shkrimit të Ramës, ka reaguar edhe vetë Igballe Huduti, e cila ka mohuar se pjesëmarrja e saj në protesta ka motive të tjera përveç atyre qytetare dhe patriotike.

Në reagimin, ajo ka deklaruar se pjesëmarrja në protestat në Tiranë buron nga shqetësimi për zhvillimet në Shqipëri dhe nga bindja se çdo qytetar ka të drejtë të ngrejë zërin kur mendon se po cenohet interesi publik.

“Dalja ime në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare. Unë jam bijë e një familjeje shqiptare dhe kam kaluar shumë sprova, padrejtësi dhe vështirësi në jetë. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të hesht përballë padrejtësive që prekin popullin tim”, ka shkruar ajo.

Huduti ka bërë thirrje ndaj Ramës, udhëheqësve botërorë dhe Bashkimit Evropian që të dëgjojnë, sipas saj, zërin e qytetarëve të revoltuar.

Ajo ka theksuar se nuk kërkon armiqësi me askënd, por “paqe me drejtësi, dialog me respekt dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë”.

“Nuk kërkoj armiqësi me askënd. Kërkoj paqe me drejtësi, dialog me respekt dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë. As Lindje, as Perëndim – Paqe me Drejtësi për Shqipërinë”, ka përfunduar ajo.