div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="home blog paged custom-background wp-custom-logo paged-53 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Befason Limaj, kjo parti i fiton zgjedhjet sipas tij

Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj është shprehur i bindur se Partia Demokratike e Kosovës do t’i fitojë zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në “Rubikon” Limaj tha se PDK po rikthehet fuqishëm në skenën politike.

“Jemi dy lista të cilat garojmë që atje të jemi sa më të fuqishëm, dhe pastaj procesi le të ecë. Rikthimin e fuqishëm të Partisë Demokratike, me shpresë që do të na kthehen edhe ata burra në Kosovë, për të shkuar drejt asaj Partisë Demokratike të i fiton zgjedhjet”, tha Limaj.

Mes tjerash, i pari i Nismës tha se ai ishte i gatshëm për një koalicion me PDK-në.

“Gatishmëria jonë ka qenë deri në fund. Ne me të tjerët edhe mund të ndërtojmë edhe ndonjë lloj koalicioni, partneriteti, por me Partinë Demokratike të Kosovës kemi qenë të gatshëm të përfundojmë në listë. Sigla e PDK-së është sigël që ndihem mirë”, u shpreh Limaj.

“Është sjellja ime politike. Është identiteti im politik. Nuk ka ndonjë distancim programor, është diçka që e kemi ndërtuar bashkë”, tha ai pos tjerash.

The Telegraph ngre alarmin: Militantët serbë po luftojnë për Putinin dhe po përgatiten për një luftë të re ballkanike

Një gjeneratë e re nacionalistësh etnikë serbë po përgatiten për një konflikt të ri të armatosur në Bosnjë, paralajmëron The Telegraph në një investigim të gjatë, duke ngritur alarmin për rrezikun e destabilizimit të rajonit 30 vjet pas përfundimit të luftës së përgjakshme në Bosnjë.

Sipas gazetës britanike, qindra militantë serbë kanë udhëtuar drejt Ukrainës për të luftuar krah forcave ruse, të bindur se “Nëna Rusi” do t’i shpërblejë në të ardhmen, duke i ndihmuar të rimarrin territore që ata i konsiderojnë të humbura, si Kosova. Mes tyre ka edhe veteranë të luftës së Bosnjës, të cilët po përdorin rrjetet sociale për të rekrutuar të rinj serbë, duke u premtuar pagesa deri në 23 mijë funte për t’u bashkuar me luftimet në Ukrainë.

Frika kryesore e autoriteteve dhe analistëve është se, pas kthimit në Bosnjë, këta luftëtarë mund të nxisin konflikte paramilitare dhe të ringjallin tensionet etnike në një rajon ende të brishtë.

Një nga rastet e përmendura nga The Telegraph është ai i Dario Risticit, një nacionalist serb që u plagos rëndë në Ukrainë, ku luftoi në një njësi ruse të njohur si “Ariu nga Permi”. I njohur në front me nofkën ironike “Speedy”, Ristic mori pjesë në sulme me snajper dhe dronë në qytete si Avdiivka, ndërsa në rrjetet sociale, përfshirë TikTok dhe Vkontakte, promovonte luftën dhe mesazhet nacionaliste për të rinjtë serbë në Ballkan.

Pas kthimit në Bosnjë, Ristici u arrestua në aeroportin e Sarajevës për pjesëmarrje në një formacion paramilitar të huaj, por më pas u lirua dhe aktualisht ndodhet në arrest shtëpie në pritje të përfundimit të gjyqit. Pavarësisht kësaj, ai mbetet një figurë me ndikim, me mbi 10 mijë ndjekës online, dhe konsiderohet rrezik serioz për rekrutime të reja.

The Telegraph thekson se kjo lëvizje mbështetet kryesisht nga një bërthamë veteranësh të luftës së Bosnjës, të cilët vazhdojnë të ushqejnë ideologji përçarëse tek brezat e rinj. Analisti Srecko Latal shprehet për gazetën se këta ekstremistë besojnë se Rusia do ta “shlyejë borxhin në gjak” duke ndihmuar në realizimin e projektit të “Serbisë së Madhe”. Edhe pse numri i tyre është i vogël, ndikimi i tyre mund të jetë destabilizues. “Nuk nevojiten shumë individë të armatosur për të rrezikuar paqen”, paralajmëron ai.

Në qendër të kësaj rrjete qëndron edhe Davor Savicic, i njohur si “Ujku”, një ish-anëtar i njësisë famëkeqe paramilitare “Tigrat e Arkanit”, përgjegjëse për krime të rënda gjatë luftërave të viteve ’90. Savicic ka luftuar në Krime, Siri dhe ka qenë pjesë e grupit Wagner. Sipas dokumenteve mjekësore të rrjedhura, ai rezulton gjithashtu kolonel i GRU-së ruse, shërbimit famëkeq të inteligjencës ushtarake.

Nën drejtimin e tij, thuhet se janë krijuar kompani guackë për të ndihmuar rekrutët të shmangin autoritetet në vendet e tyre, duke siguruar leje pune dhe itinerare udhëtimi përmes vendeve të treta. Një gazetar investigativ nga Sarajeva, i cituar nga The Telegraph, tregon se pagesat për luftëtarët janë rritur ndjeshëm, për shkak të humbjeve të Rusisë në front.

Situata është veçanërisht shqetësuese në zona si Modrica, ku papunësia është e lartë dhe pagat mujore arrijnë vetëm rreth 500 paund. Në këto kushte, ofertat financiare dhe propaganda nacionaliste gjejnë terren të favorshëm, ndonëse ligjet në Serbi dhe Bosnjë e ndalojnë pjesëmarrjen në luftëra të huaja, me dënime deri në pesë vite burg – dënime që, sipas gazetës, rrallë zbatohen.

Raporti ngre gjithashtu dyshime për bashkëpunim shtetëror, duke përmendur fotografi të Milorad Dodikut, liderit të fuqishëm të Republika Srpska, me Davor Savicic, përpara një takimi me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.

Sipas The Telegraph, ka frikë se kjo infrastrukturë paramilitare dhe trajnimi i luftëtarëve në enklavën e mbështetur nga Rusia mund të ketë pasoja edhe për sigurinë evropiane dhe britanike. Dëshmi nga gjyqe të fundit në Moldavi sugjerojnë se Republika Srpska është përdorur si bazë trajnimi për luftë hibride, përfshirë sabotime, përdorim dronësh dhe shndërrimin e protestave paqësore në trazira të dhunshme.

Për komunitetin mysliman boshnjak, kthimi i këtyre luftëtarëve ringjall plagë të vjetra. Banorë që kanë përjetuar masakrat e viteve ’90 shprehen se, pavarësisht përpjekjeve për pajtim, ekziston ende një pakicë ekstremistësh që kërkojnë të rikthejnë frikën dhe dhunën. “Ne refuzojmë të jetojmë sërish në frikë”, citohet të ketë thënë një dëshmitar i luftës për The Telegraph.

Përçarje brenda VV-së pak para zgjedhjeve, ish-deputeti thyen heshtjen, s’flet fjalë të mira për zëvendësministrin

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Milazim Salijaj ka ngelur jashtë listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Jeton Raka po shihet si “bllokues”, për të cilin thuhet se ia pamundësoi Salijajt që të marrë pjesë në listë.

Salijaj është pyetur ‘Facebook’ nga një qytetar nëse është e vërtetë që Raka e ka dërguar atë në komision disiplinor. Ai ka konfirmuar një gjë të tillë dhe s’ka pasë fjalë fort të mira për kandidatin aktual për deputet të LVV’së.

Fatkeqësisht që po, Jetoni një humbës ky serik i të gjitha zgjedhjeve të deritashme, një përjashtues dhe përqarës i madhë i LVV- ës, në Kaçanik, na ka dërgue në Komision diciplinorë me gjasë për ti arsyetuar humbjet e tij të njëpasnjëshme, e pa asnjë dyshim që nuk do të fitojë asgjë nga kjo punë, përveq se do të turpërohet. Absurditet i llojit të vet“, ka shkruar Salijaj.

Salijaj është kontaktuar nga Gazeta Insajderi për ta pyetur lidhur me pakënaqësitë ndaj Rakës, por i njëjti ka thënë se ka një rast në familje dhe e ka të pamundur të flasë.

Babai kosovar kërkon ndihmë për vajzën 8 vjeçare që po lufton me kancerin

Remzi Kiqina nga Baica e Drenasit, u është drejtuar qytetarëve me një apel prekës për ndihmë, duke kërkuar mbështetje për vajzën e tij të vogël, vetëm 8 vjeçare, e cila po përballet me një betejë të rëndë kundër kancerit.

Ai shprehet se vajza e tij është një fëmijë plot jetë, buzëqeshje dhe ëndrra, por sot është e detyruar të përballet me një sëmundje që asnjë fëmijë nuk duhet ta përjetojë.

Sipas tij, çdo ditë është e vështirë për familjen, ndërsa trajtimet mjekësore janë të rënda dhe shpenzimet financiare shumë të mëdha.

Kiqina thekson se çdo ndihmë, pavarësisht madhësisë, përbën një shpresë më shumë për shërimin e vajzës së tij, që ajo të mund të jetojë, të luajë dhe të ëndërrojë si çdo fëmijë tjetër. Ai ka falënderuar nga zemra të gjithë ata që po e mbështesin me ndihma, lutje dhe shpërndarje të apelit.

Vëllai i Rexhep Selimit reagon – pse në protestat kundër Speciales përmenden vetëm Thaçi dhe Veseli

Vëllai i Rexhep Selimit, Ramandani Selimi, ka reaguar publikisht ndaj mënyrës se si, sipas tij, po trajtohen protestat dhe veprimet simbolike kundër Dhomave të Specializuara në Hagë, ku po përmenden dhe përfaqësohen vetëm disa nga ish-krerët e UÇK-së

Në një shkrim të publikuar së fundmi, ai ka ngritur shqetësimin për atë që e quan “diferencim të çlirimtarëve”, duke iu referuar veçanërisht ngritjes së një flamuri gjigant në Drenicë që, sipas tij, i kushtohet vetëm Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, duke lënë anash Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Ramandani Selimi thekson se ky veprim hap pyetje serioze morale dhe politike, pasi të gjithë ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë po përballen me të njëjtën aktakuzë. Sipas tij, ndarja e tyre në “më të merituar” dhe “më pak të merituar” është e padrejtë dhe dëmton vetë kauzën e luftës çlirimtare

Ai rikujton se Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli janë një emër i vetëm në histori – UÇK-ja – dhe se kontributi i secilit për çlirimin e Kosovës është i pandashëm. Çdo përpjekje për t’i veçuar apo hierarkizuar, sipas tij, përbën padrejtësi historike dhe politike.

Në reagimin e tij, Selimi ngre edhe çështjen e përfaqësimit politik dhe ndjeshmërisë ndaj familjeve të të akuzuarve, duke përmendur faktin se djali i Jakup Krasniqit është nominuar për deputet, ndërsa mbështetja publike dhe simbolike, sipas tij, po fokusohet vetëm te dy emra.

Ai kritikon mospërputhjen mes deklaratave publike për mbështetjen e “katërshes” dhe veprimeve konkrete, duke theksuar se drejtësia për luftën çlirimtare nuk mund të mbrohet me simbolikë selektive.

“Nëse vërtet besojmë se gjykimi në Hagë është padrejtësi ndaj luftës çlirimtare, atëherë mbështetja duhet të jetë e barabartë, e sinqertë dhe pa dallime. Historia nuk i ndan ata. As ne nuk duhet t’i ndajmë”, shkroi Ramandani Selimi.

Halil Budakova i rrevoltuar: Do iki nga Kosova dhe s’do të kthehem kurrë, as i gjallë as i vdekur

Aktori i njohur Halil Budakova është rikthyer në skenën artistike së bashku me bashkëshorten e tij, Merita Budakova, me një film të ri aksion me titull “Djemtë e rrezikshëm”.

I ftuar në emisionin “Weekend” në Klan Kosova, Budakova u shpreh i revoltuar dhe i zhgënjyer nga mungesa e mbështetjes nga institucionet shtetërore për projektet e tij artistike.

Ai njëherësh theksoi se deri më tani është mbështetur vetëm nga miqtë dhe shokët e tij, por sipas tij kjo nuk mund të vazhdojë pafundësisht, pa mbështetje institucionale.

“Një film aksion që s’kam dashur me e bo hiç, sepse jam shumë i dëshpëruar, jam shumë i mërzitur dhe, nëse nuk funksionon edhe pak, unë do iki jashtë dhe s’do të vij kurrë në Kosovë. Mbaje në mend, kurrë në jetë s’do të vij, as i gjallë as i vdekur, në Kosovë. Jam njeri që s’jam përkrahur kurrë. Mua më përkrahin miqtë e mi, por ata i kam lodhur, nuk shkon gjithmonë. Hajdeni, ndihmoni, hajde të sponsorizohemi. I kam lodhur njerëzit, është koha e shtetit”, tha Budakova.

 

E rëndë: Vajza 7-vjeçare dërgohet pa shenja jete në QKMF

Një vajzë rreth 7-vjeçare është dërguar pa shenja jete në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë.

Sipas Policisë së Kosovës, ekipi mjekësor kujdestar ka konstatuar vdekjen e fëmijës, ndërsa rasti është duke u trajtuar dhe hetuar nga organet kompetente.

Me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave që kanë çuar në këtë rast të rëndë.

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë, derisa hetimet janë në vazhdim.

Një polic gjendet i vdekur në Prishtinë

Një aksident komunikacioni ka ndodhur në mëngjesin e të hënës në rrugën “Zagrebi” në Prishtinë, ndërsa një zyrtar policor ka vdekur.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka thënë se vdekja e viktimës është konfirmuar në vendin e ngjarjes, ndërsa dyshohet se ka ndodhur para aksidentit të komunikacionit.

“Sot rreth orës 06:30 në rrugën Zagrebi në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku ka qenë e përfshirë një veturë. Njësitet policore dhe emergjenca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nga këta të fundit është konstatuar vdekja e viktimës (zyrtar policor), që dyshohet të ketë ndodhë para aksidentit”.

“Me rastin është duke u marrë Njësia Rajonale e Trafikut, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të sqaruar shkaqet e sakta të aksidentit”, ka njoftuar Pllana.

Tërmet në Kosovë, kaq ishte magnituda

Një tërmet me magnitudë 3.1 ballë të shkallës Rihter është regjistruar sot në orët e hershme të mëngjesit në rajonin kufitar mes Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas të dhënave sizmologjike, lëkundja ka ndodhur rreth orës 07:20 sipas kohës lokale.

Epiqendra e tërmetit është lokalizuar në koordinatat 42.3734° gjerësi veriore dhe 21.2843° gjatësi lindore, rreth 35 kilometra në juglindje të Prishtinës dhe afërsisht 11 kilometra në verilindje të Ferizajt.

Tërmeti është regjistruar në një thellësi prej rreth 9 kilometrash.

Deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo persona të lënduar, ndërsa lëkundja është ndjerë lehtë nga banorët e zonës përreth.

 

Sondazh me 20 mijë të anketuar – Ky është rezultati i Vetëvendosjes

Një analizë e gjerë online, e mbështetur në rreth 20 mijë respondente dhe në modele të avancuara statistikore, tregon se situata elektorale në Kosovë mbetet e ndërlikuar dhe me gjasa të larta për ngerç politik.

Sipas të dhënave të prezantuara, lëvizjet e votuesve nga 9 shkurti e deri më tani kanë qenë minimale, ndërsa vetëm 6% e qytetarëve deklarohen të pavendosur se kujt do t’ia japin votën.

Sipas këtij sondazhi online fituese e zgjedhjeve do të jetë Lëvizja Vetëvendosje me 40.8%.

Sqarim: Kjo matje është publikuar nga Bleron Baraliu.