div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="home blog paged custom-background wp-custom-logo paged-6 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Lajmi i hidhur: Vdes profesori dhe intelektuali i respektuar

Ka ndërruar jetë, intelektuali dhe profesori, Zeqir Rrecaj nga fshati Llaishë i Komunës se Skenderajt. Ai sherbeu si profesor në Prishtinë, raporton portali rajoni.org.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë dhënë familjarët të cilët përmës rrjetit social “facebook” kanë njoftuar se varrimi i të ndjerit bëhet sot me datë 07/01/2026, e mërkurë në ora 16:00 në varrezat e lagjes Rrecaj të fshatit Llaushë (te xhamia).

Njoftimi:

Me dhimbje të thellë njoftojmë familjarë, miq dhe dashamirë se u nda nga jeta më i dashuri ynë (baba, vëllau, axha) Prof. Zeqir Shaban Rrecaj.
Varrimi do të bëhet sot me datë 07/01/2026, e mërkurë në ora 16:00 në varrezat e lagjes Rrecaj të fshatit Llaushë (te xhamia).

Të pikëlluar për humbjen e tij do ta kujtojmë gjithmonë me respekt dhe dashuri të pafund.

Gjermania ka nevojë për 120 mijë shoferë kamioni, rroga është kaq mijë euro

120 mijë shoferë kamioni janë mungesë në Gjermani, ka thënë zëdhënësi i Shoqatës Gjermane të Transportit Rrugor, Logjistikës dhe Asgjësimit të Mbeturinave (BGL), Dirk Englehardt, për “Reuters”. Paga është rreth 3048 euro bruto.

Në Gjermani, nga 30 deri në 35 mijë shoferë dalin në pension çdo vit. Megjithatë, ka vetëm 15 deri në 20 mijë zëvendësime. Prandaj, pritet që hendeku të zgjerohet më tej. Tetëdhjetë për qind e mallrave në Gjermani transportohen me rrugë tokësore.

“Po dëgjojmë nga shumë kompani transporti se po heqin gjithnjë e më shumë kamionë nga rruga dhe po anulojnë porositë sepse thjesht nuk kanë shoferë të mjaftueshëm”, ka treguar Engelhardt.

Shumë ofrues logjistike nuk po marrin më pjesë në tendera sepse të ardhurat e pritura nga transporti i mallrave, të kombinuara me rritjen mbi mesataren e kostove të personelit për shkak të mungesës së shoferëve, nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet.

Shoqata e industrisë nuk pret ndonjë lehtësim nga e ashtuquajtura drejtim autonom, ku kamionët përdorin sensorë, kamera dhe inteligjencë artificiale (IA) për të lëvizur pa shofer. Shoferët e kamionëve ka të ngjarë të mbeten të domosdoshëm, duke vepruar si shoqërues dhe roje të mallrave që u janë besuar.

“Ata janë përgjegjës për dorëzimin e ngarkesës te marrësi në përputhje me ligjin, si dhe për transportin dhe sigurimin e ngarkesës”, theksoi Engelhardt. Edhe në të ardhmen, vetëm njerëzit do të jenë në gjendje të ndërhyjnë në ngjarje të paparashikuara.

Sipas Atlasit të Pagave të Agjencisë së Punësimit, paga mesatare bruto për shoferët e kamionëve është 3,048 euro, që është dukshëm nën të ardhurat mesatare vjetore të të gjithë popullsisë, të cilat janë 4,346 euro. Paga mesatare përfaqëson të ardhurat me të cilat saktësisht gjysma e të gjithë punëtorëve fitojnë më shumë dhe gjysma tjetër fiton më pak.

Vazhdon gara për Kuvend: Kësaj partie i shtohet një deputet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar rezultatet nga zgjedhjet e 28 dhjetorit nga numërimi i pjesës së dytë të votave me postë i cili aktualisht po vazhdon. Lidhja Demokratike e Kosovës tani ka rikthyer edhe një deputet.

Nga kjo parti aktualisht Fadil Hadërgjonaj ka arritur të zë ulëse në Kuvendin e Kosovës. Deri tani ai ka marrë 17 mijë e 397 vota.

Nga 14 deputet sa kishte të hënën, LDK tani numëron 15.

Në anën tjetër, një deputet më pak tani figuron në Partinë Demokratike të Kosovës.

Bëhet fjalë për Bekim Haxhiun, i cili ditën e djeshme veçse figuroi në listën e deputetëve të kësaj partie, deri në ato momente të numërimit.

Kandidati për deputet i PDK-së, Bekim Haxhiu aktualisht ka 20 mijë e 928.

Nga numërimi i deritanishëm, nga rezultatet e përmbledhura nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje del të jetë e para me 50.82% apo 477 mijë e 145 vota dhe me 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

E dyta është Partia Demokratike e Kosovës me 20.34% apo 191 mijë e 20 vota dhe me 22 ulëse në Kuvend.

Lidhje  Demokratike e Kosovës ka marrë deri tani 13.28% apo 124 mijë e 704 vota, dhe ka siguaruar deri në këtë pikë të numërimit, 15 ulëse.

Me 5.51% apo 51 mijë e 777 vota është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me gjashtë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

/Reporteri.net/

Kurti drejt mandatit të tretë – Ja deputetët që po ia sigurojnë votat

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë 57 ulëse në Kuvend nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, por ky numër nuk është i mjaftueshëm për ta konstituuar e vetme Kuvendin dhe për të formuar Qeverinë e re, pasi për këto procedura nevojiten së paku 61 vota.

Megjithatë, kjo pengesë pritet të tejkalohet pa nevojë për koalicion paraprak me partitë shqiptare, pasi deputetë nga komunitetet serbe dhe joserbe kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim me kryeministrin Albin Kurti.

Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, i cili sipas rezultateve ka siguruar një mandat deputeti, ka deklaruar se është i gatshëm ta votojë formimin e Qeverisë “Kurti 3”. Ai ka theksuar se paraprakisht kërkon një takim me Kurtin për sqarimin e disa çështjeve.

“Besoj se kemi siguruar një mandat, pasi diferenca e votave është e madhe dhe nuk jemi në rrezik. Kam përvoja të mira bashkëpunimi me zotin Kurti. Ende nuk kemi biseduar konkretisht, por jam i sigurt se në ditët në vijim do të takohemi. Jam i gatshëm për bashkëpunim. Nuk kemi kushte për ta votuar Qeverinë Kurti 3, por kemi disa kërkesa për përmirësime teknike në interes të qytetarëve serbë. Kushtetuta parasheh që një ministri të udhëhiqet nga një ministër serb dhe të gjitha rrethanat po na drejtojnë drejt vazhdimit të bashkëpunimit”, ka deklaruar Rashiq.

Ndërkohë, nga komunitetet tjera, përfaqësuesit e romëve dhe ashkalinjve janë në pritje të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Përfaqësuesi i Partisë Socialdemokrate të Ashkalinjëve, Artan Asllani, i cili ka siguruar mandat deputeti, ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë me Kurtin për formimin e institucioneve.

“Po, do të jemi pro konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë. Jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi dhe të japim kontributin tonë. Ende nuk kemi zhvilluar takim, pasi KQZ-ja është në proces të numërimit të votave”, ka deklaruar Asllani për RTV21.

Gatishmëri për bashkëpunim ka shprehur edhe përfaqësuesi i komunitetit rom, Alber Kinolli. Sipas tij, nga grupi multietnik pritet që së paku 8 nga 10 deputetë ta votojnë formimin e Qeverisë së re.

“Nëse fitojmë mandat dhe bëhemi pjesë e Kuvendit, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës do të luajë rol konstruktiv dhe do ta japë votën për formimin e Qeverisë. Shpresoj që minimumi të jenë tetë deputetë, por shpresoj që në të ardhmen të reflektojë edhe ndonjëri nga tre deputetët që deri tani nuk kanë dhënë votë pro Qeverisë”, ka thënë Kinolli.

Ndërkohë, përfaqësuesja e komunitetit boshnjak, Duda Balje, si dhe Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane, të cilët kanë siguruar mandate në Kuvend, ende nuk kanë bërë të ditur nëse kanë ndryshuar qëndrimin e tyre, pasi më herët ishin shprehur kundër formimit të Qeverisë nga Kurti.

Sipas kalkulimeve të deritanishme dhe deklarimeve publike të përfaqësuesve të komuniteteve serbe dhe joserbe, Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i sigurojë rreth 65 vota për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

Pas fitores të VV-së, a do të jetë Fatmir Spahiu ministër i Kulturës? Deklarohet aktori

Ndërsa procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit po shkon drejt fundit, vëmendja është zhvendosur te emrat që do të përbëjnë kabinetin e ri qeveritar “Kurti 3”.Deri tani, nga numërimi i mbi 99.50% të votave,rezulton se Lëvizja Vetëvendosje është fituese absolute me rreth 50,55% të votave (që pritet të përkthehen në rreth 57 ulëse në Kuvend).

Me këtë forcë të numrave, Kryeministri Albin Kurti pritet të formojë qeverinë i vetëm, ndërsa një nga emrat më të lakuar për dikasterin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbetet ai i aktorit dhe producentit, Fatmir Spahiu.

Ky i fundit ishte pjesë e planeve të Kurtit edhe në tentativat e kaluara për formimin e qeverisë.

Më 26 tetor të vitit 2025, përmes një postimi në rrjetet sociale, Spahiu kishte konfirmuar publikisht se kishte pranuar ftesën e Albin Kurtit për t’u bërë pjesë e ekzekutivit.

Megjithatë, pasi ajo përbërje qeveritare nuk u votua, pyetja që shtrohet tani është: A mbetet Spahiu zgjedhja e parë e Kurtit edhe pas triumfit të 28 dhjetorit?

I kontaktuar nga Insajderi për të mësuar nëse ka marrë një ftesë të re pas certifikimit të rezultateve, Spahiu u tregua i rezervuar:

S’kam asgjë me thënë diçka konkrete për momentin”, deklaroi shkurtimisht ai.

Mbetet të shihet nëse në seancën e ardhshme të Kuvendit, kur pritet të votohet ekzekutivi i ri, Fatmir Spahiu do të ulet në karrigen e ministrit për të udhëhequr një nga dikasteret më me peshë për rininë kosovare./Insajderi

Krasniqi: Qeveria kishte informacion për sulmin në Banjskë 4 ditë para se të ndodhte

Ish-kandidati për deputet i AAK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Dardan Krasniqi, tha se institucionet e Kosovës kishin informacione paraprake për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, që ndodhi në shtator të vitit 2023.

Sipas Krasniqi, institucionet shtetërore ishin të njoftuara rreth katër ditë para se të ndodhte sulmi, në të cilin u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në përballjen e armatosur u vranë edhe tre sulmues.

“Qeveria jonë e ka pas informatën 4 ditë më herët se do të ndodh Banjska. Po e them fjalën publike, institucionet tona kanë pas informacione që do të ndodh informacione”, tha Krasniqi.

Sulmi në Banjskë u cilësua nga autoritetet e Kosovës si akt terrorist. Përgjegjësinë për këtë sulm e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili aktualisht ndodhet në arrati. Ai dhe 41 persona të tjerë akuzohen për terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa ndaj Radojçiqit rëndojnë edhe akuza për financim të terrorizmit dhe shpëlarje parash.

“Ta heqin flamurin e Shqipërisë nga varrezat”- Bekim Jashari reagon pas deklaratave të Nexhmedin Spahiut

Bekim Jashari, djali i heroit Hamëz Jashari, ka reaguar pas deklaratave të Nexhmedin Spahiut, i cili teksa komentoi mundësinë që Murat Jashari të kandidohej për president të vendit, kushtëzoi që të heqej flamuri kuq e zi dhe të vendoset ai i Kosovës në varrezat e Jasharëve.

Bekim Jashari me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka publikuar një fotografi me Besarta Jasharin, të shoqëruar me një mesazh, ku edhe shihet flamuri kuq e zi, shkruan Insajderi.

“Amanet na e lanë të parët, brez pas brezi e djalë pas djali”. Me gjakun dhe sakrificën e tyre u rritëm ne, për të të mbajtur lart me krenari. Valo, o flamuri më i bukur në botë”, ka shkruar Jashari.

Ky reagim vjen pas deklaratës së Spahiut, i cili tha se Murat Jashari, për t’u zgjedhur president, do të duhej të merrte “aprovim amerikan” dhe të distancohej nga simbolika e flamurit kuq e zi, duke theksuar se në varrezat e heronjve të Kosovës duhet të valojë vetëm flamuri i Kosovës.

Albini ka edhe variante rezervë, e ka për shembull Murat Jasharin, mirëpo Murati për me u zgjedh president duhet me marrë një leje amerikane siç e ka marrë Albin Kurti para se me u bë kryeministër, kushti që e ka pas Albin Kurti nga kuq e zi me kalu në verdh e kaltër, edhe Murat Jashari për me u bë president duhet me kalu verdh e kaltërt, jo në varreza të kryeheronjëve të Kosovës valon flamuri i Shqipërisë, jo i Kosovës”, tha Spahiu në studiot e ‘Pressing’-ut.

Bëhuni gati: Nga kjo ditë priten reshje bore dhe ngrica në gjithë Kosovën

Moti i ngjashëm me atë të djeshmin pritet të mbajë edhe sot, ndërsa nga dita e enjte parashihet përkeqësim i kushteve atmosferike, përfshirë ulje të temperaturave dhe reshje bore. Kështu kanë bërë të ditur nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Sipas meteorologut Besim Aliu, moti do të jetë kryesisht i vranët, i shoqëruar me riga shiu me intensitet mesatar deri të lartë. Nga dita e enjte pritet rënie e temperaturave, ndërsa gjatë natës do të fillojnë reshjet e borës.

Ai theksoi se presioni atmosferik aktualisht është nën vlerat normale, ndërsa erërat fryjnë kryesisht nga jugperëndimi dhe veriperëndimi i vendit. Temperaturat e ulëta që do të vazhdojnë edhe të enjten dhe të premten pritet të krijojnë kushte për ngrica në gjithë territorin e Kosovës.

Ndërkohë, reshjet e shiut gjatë ditës së sotme kanë qenë të konsiderueshme në disa zona të vendit. Sipas të dhënave të fundit, sasitë më të mëdha të reshjeve janë regjistruar në Junik, me rreth 250 litra për metër katror, ndërsa në rrethin e Gjakovës janë shënuar 200 deri në 220 litra për metër katror. Reshje të mëdha janë regjistruar edhe në Gllogjan dhe fshatrat përreth.

Po ashtu, Malisheva është përballur me reshje të shumta, të cilat kanë shkaktuar edhe vërshime gjatë ditës së sotme.

Nga Instituti Hidrometeorologjik bëhet e ditur se reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës, ndaj qytetarët këshillohen të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.

Një grua në Turqi pretendon se Trump është babai i saj, kërkon t’i bëhet ADN’ja

Një grua në Turqi ka hapur proces gjyqësor për atësi, duke pretenduar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është babai i saj biologjik dhe po kërkon një test ADN-je për ta vërtetuar këtë.

Necla Ozmen, 55 vjeçe, jeton në Ankara dhe ka ngritur padi në Gjykatën për Çështje Familjare më 25 shtator, raportoi DailyMail.

Padia megjithatë menjëherë është rrëzuar nga gjykata, por ajo ka vazhduar apelin.

Necla ka thënë se ka lindur më 1970, ndërsa është e regjistruar si e bija e Sati dhe Dursun Ozmen, çifti që e rriti. Ajo pretendon se më vonë mori vesh se ishte e adoptuar dhe se Sati ia kishte treguar të vërtetën.

Necla pretendon se “ndërrimi i bebeve” ndodhi në një spital në Turqi rreth vitit 1970. Sipas saj, Sati kishte lindur foshnjën të vdekur dhe një grua amerikane që kishte lindur në të njëjtën ditë dhe në atë spital ia kishte dhënë foshnjën e saj për ta rritur.

Necla pretendon se arsyeja pse gruaja amerikane ia dha fëmijën familjes Ozmen ishte për shkak të marrëdhënies jashtëmartesore me Trumpin.

Ajo u kërkoi gjykatësve testin gjenetik.

Necla për mediat turke ka thënë se dëshiron vetëm ta dijë të vërtetën duke insistuar se ka ngjashmëri me Trumpin dhe fëmijët e tij.

 

Merret vendim në tërë Kosovën, shtyhet procesi mësimor

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton opinionin publik se, për shkak të reshjeve të fundit atmosferike dhe kushteve të vështirësuara në disa zona të vendit, ka marrë vendim që fillimi i procesit mësimor të shtyhet deri më 12 janar 2026.

“Si pasojë e vërshimeve dhe situatës së rënduar në shumicën e komunave, si dhe e qarkullimit të vështirësuar për shkak të reshjeve të vazhdueshme, të cilat sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim duke shkaktuar vërshime lokale, vështirësi në komunikacion, probleme në sistemet e kanalizimit dhe pengesa në trafik, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim që pushimi dimëror të vazhdojë edhe për dy ditë në nivel vendi, përkatësisht më 8 dhe 9 janar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.

Mësimi për gjysmëvjetorin e dytë do të fillojë të hënën, më 12 janar 2026.

“MAShTI është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe, bazuar në informacionet e pranuara nga terreni, është konstatuar se fillimi i procesit mësimor i paraparë për ditën e enjte është i pamundur. Për këtë arsye, procesi mësimor do të fillojë gjatë javës së ardhshme, ndërkohë që orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar”, thuhet në njoftim.

Ministria e Arsimit falënderon prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke ritheksuar se siguria e nxënësve dhe e stafit arsimor mbetet prioritet kryesor. /IndeksOnline/