“Ishte amaneti i babait tonë”, familja Musa dhuroi tokën për kishën në Zogaj

Në mesin e disa qytetarëve nga Vushtrria që janë pagëzuar gjatë ditës së sotme në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë ishte edhe Fadil Musa, pjesëtar i familjes që ka dhuruar tokën për ndërtimin e kishës në Zogaj të Vushtrrisë. Pas pagëzimit, ai ka marrë emrin Bardhyl Musa.

Ai tha se pagëzimi ishte një dëshirë e kahmotshme e familjes së tij, duke theksuar se nuk kishte pasur mundësi të pagëzohej rreth një vit më parë, kur ishin pagëzuar pjesëtarët e tjerë të familjes Musa.

“Kjo është një vullnet i kahmotshëm i familjes time, përkatësisht familjes Musa. Familja ime janë pagëzuar para një viti. Unë s’kam pasur mundësi deri sot dhe sot e kreva këtë dëshirë të kahmotshme”, tha Musa.

Duke folur për ceremoninë e bekimit të gurthemelit të kishës në Zogaj, Musa tha se pavarësisht dëshirës së familjes së tij që kjo ceremoni të mbahej më 18 gusht, ata nuk dëshirojnë përplasje dhe e konsiderojnë vendimin e institucioneve të sigurisë si një masë për mbrojtjen e qytetarëve.

“Ne s’jemi kundër kërkujt. Ne kemi pasur dëshirë me vënë gurin e themelit sot me të vërtetë, por organet e sigurisë na sugjeruan që, për shkak që mos me ndodhë ndonjë ekses, nuk bën më me mbajtë këtë manifestim dhe ne e kuptuam atë gjithsesi. Edhe kjo ishte e tëra, për shembull. Ne nuk jemi që, për shembull, me një vendimmarrjen tonë me pru sot një ton për shembull në konflikt. Jemi kundër asaj gjithsesi, gjithkush ka mendimin e vet, e shpreh mendimin e vet”, tha Musa.

Ai foli edhe për historinë e tokës së dhuruar për ndërtimin e kishës, duke treguar se kjo ishte pjesë e një amaneti të babait të tij, Rrahim Musës.

Sipas tij, në kohën e presidentit Ibrahim Rugova, babai i tij kishte ofruar dy hektarë tokë në Vushtrri për shqiptarët që mund të ktheheshin nga Turqia.

Musa tregoi se edhe pse atëherë nuk ishte realizuar ky qëllim, familja vendosi ta çonte në vend amanetin e të atit duke ia dhuruar tokën komunitetit për ndërtimin e një kishe.

“Kjo ishte një dhuratë e familjes tonë, por është dëshirë e kahmotshme e prindit tonë, babait tonë Rrahim Musës. Në kohën e Rugovës, për shembull, ka qenë një, si të them, një aferë që thoshin që po kthehen disa shqiptarë prej Turqie. Në atë kohë baba ka shkuar menjëherë në LDK të Vushtrrisë edhe i ka ofruar aty dy hektarë tokë: ‘Nëse kthehen shqiptarët prej Turqie, falas’. Edhe në atë kohë e ka marrë një leje të vogël. Kjo ka qenë dëshira e babait tonë, për shembull. Ajo kohë nuk u arrit ai qëllim që mund të ktheheshin shqiptarët e Turqisë këtu, për shembull, edhe erdhi koha e sotshme. Ne e patëm atë çështje që amanetin e babës me e çuar në vend, në njëfarë mënyre me ia falë komunitetit tonë, për shembull”, tha ai.

Ai tha se vendin për ndërtimin e kishës e kanë zgjedhur edhe për shkak të historisë së tij, pasi pak më poshtë, sipas tij, në të kaluarën ka qenë e ndërtuar një kishë e vjetër ilire.

Ndërkohë, gazetari dhe publicisti Asllan Ibrahimi, i cili ka përcjellë nga afër zhvillimet lidhur me ndërtimin e kishës në Zogaj, e vlerësoi veprimin e familjes Musa si një hap të rëndësishëm, duke e parë këtë çështje edhe në rrafshin shoqëror e kombëtar.

Ceremonia e pagëzimit u mbajt sot në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, në Prishtinë, një ditë pas bekimit të gurthemelit të kishës së re në Zogaj të Vushtrrisë.

Ndërkaq kjo ceremoni ishte paraparë të mbahej më 18 gusht në Zogaj të Vushtrrisë por është ndaluar nga një vendim i Policisë së Kosovës

Lajm i keq për banorët e katër fshatrave, nga nesër pezullohet transporti për në Prishtinë

Banorët e Grabovcit, Hallaqit, Hencës dhe Miradi së Epërme nga nesër do të përballen me ndërprerjen e përkohshme të linjave të autobusëve që i lidhin këto fshatra me Prishtinën.

Sipas njoftimit, nga 19 gushti 2026 transporti në këto linja do të pezullohet për shkak të vështirësive të mëdha financiare dhe pamundësisë për të përballuar shpenzimet e karburantit dhe kostot tjera operative.

Ndërprerja prek linjat:

Grabovc – Prishtinë – Grabovc

Hallaq – Prishtinë – Hallaq

Hencë – Prishtinë – Henc

Miradi e Epërme – Prishtinë – Miradi e Epërme

Ky vendim pritet t’ua vështirësojë lëvizjen e përditshme banorëve të këtyre lokaliteteve, veçanërisht atyre që udhëtojnë drejt Prishtinës për punë, shkollim dhe shërbime të tjera.

Në njoftim bëhet e ditur se janë kërkuar zgjidhje nga institucionet kompetente për vazhdimin e shërbimit, ndërsa është shprehur shpresë që transporti të rikthehet sa më shpejt.

Pezullimi do të jetë i përkohshëm, por ende nuk është bërë e ditur se kur do të rikthehen linjat në funksion.

Ky është personi nuk u mbijetoi pľagëve nga aksidenti i rëndë në Kliqinë

Një aksident i rëndë trafiku, i ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në Kliçinë, ka përfunduar me fatalitet.

Sinjali mëson se viktima është Brahim Delijajnga Klina, i cili, përkundër përpjekjeve për t’i shpëtuar jetën, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra në aksident.

Sipas informacioneve fillestare, në aksident janë përfshirë disa automjete, ndërsa Delijaj kishte pësuar lëndime të rënda.

Rrethanat e sakta dhe dinamika që çuan deri te aksidenti fatal ende nuk janë të qarta dhe pritet të përcaktohen gjatë hetimeve.

Kryetarët e komunave do të protestojnë në shtator para Qeverisë Kurti

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se kryetarët e komunave të Kosovës do të organizojnë protestë në shtator para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka thënë se kryetarët e komunave janë bërë bashkë kundër, siç pretendon ai, “shkeljes së vazhdueshme të ligjit” dhe qasjes së Qeverisë Kurti ndaj pushtetit lokal.

“Sot, të gjithë kryetarët e komunave jemi bashkë. Bashkë do të jemi edhe në shtator, në protestë para Qeverisë Kurti!”, ka shkruar Rama.

Ai ka akuzuar Qeverinë se po bllokon mjetet financiare dhe po pengon realizimin e projekteve në komunat që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Rama ka pretenduar se që nga viti 2022 komunave u janë marrë mbi 344 milionë euro për obligime që, sipas tij, nuk janë krijuar nga komunat.

Sipas tij, përmes bllokimit të mjeteve dhe pengimit të investimeve po tentohet që pushteti lokal të vihet nën presion financiar dhe politik.

Komunat nuk janë të kryetarëve! Komunat janë të qytetarëve!”, ka deklaruar Rama, duke shtuar se bllokimi i mjeteve të një komune për arsye politike do të dëmtonte drejtpërdrejt qytetarët.

Ai ka kritikuar gjithashtu qasjen e Qeverisë, duke e cilësuar si diskriminuese dhe të rrezikshme për demokracinë.

Deri më tani, bëhet fjalë për një paralajmërim të protestës, ndërsa detajet për datën dhe organizimin e saj pritet të bëhen të ditura më vonë.

Çfarë tha Vezir Haziraj në Polici? Flet avokati i tij

Sipas procesverbalit, që e ka siguruar Insajderi, Vezir Haziraj nuk ka dhënë asnjë deklaratë lidhur me ngjarjen apo veprat penale për të cilat ai dyshohet (Vrasje në Tentativë, Mbajtja në pronësi/kontroll e armëve, dhe Kanosja ndaj personit zyrtar).

Ajo çfarë ai ka thënë gjatë atyre 15 minutave (17:30 – 17:45) në stacionin policor ka qenë vetëm përgjigje me “PO” dhe “JO” rreth procedurave standarde, konkretisht:

​Ka konfirmuar që është në gjendje të dëgjojë dhe të flasë.

​Ka pranuar të përfaqësohet nga avokati i tij dhe i ka kuptuar të drejtat.

​Nuk ka kërkuar përkthyes, pasi e kupton gjuhën.

​Ka deklaruar se nuk është i përfshirë në ndonjë procedurë tjetër penale.

Arsyeja pse ai nuk ka thënë asgjë rreth vetë rastit është sepse ai ka informuar policinë dhe avokatin se është duke përdorur medikamente (Tramadoll, Diazepam).

Për shkak të kësaj dhe gjendjes së tij të rënduar emocionale, avokati i tij ka ndërhyrë dhe e ka këshilluar klientin që të mbrohet në heshtje derisa t’i nënshtrohet një ekzaminimi mjekësor.

Kësisoj, seanca është ndërprerë pa u marrë dëshmia e tij për ngjarjen.

I kontaktuar nga Insajderi, avokati tij, Asdren Mekaj ka thënë se nuk do të ketë deklarim nga i dyshuari, lidhur me rrethanat e rastit për të cilin ka qenë në arrati tash e disa ditë.

“Për momentin nuk do të ketë deklarim mbi rrethanat e rastit. Çështja është në fazën fillestare dhe mbrojtja, në funksion të garantimit të të drejtave të të mbrojturit, do të vlerësojë fillimisht rrethanat relevante për gjendjen e tij dhe nevojën për vlerësim profesional. Çdo prononcim i mëtejshëm do të bëhet pas përfundimit të këtyre vlerësimeve”, ka thënë Mekaj për Insajderin.

Ftesa e Haxhiut për takim me partitë, PDK-ja jep përgjigjen

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili në një konferencë për media komentoi letrën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu drejtuar partive parlamentare shqiptare.

Ismaili tha se letra e Haxhiut është tentim i manipulimit të radhës së Kurtit duke shtuar se PDK nuk do të marrë pjesë në atë takim.

“Kjo është edhe një tentativë e manipulimit të Kurtit me shtyerjen e afateve kundrejt afateve të Gjykatës Kushtetuese. Haxhiu më mirë kishte me qenë me i shkru letër Avni Deharit, sepse çdo pushtet në Kosovë bazohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe Kuvendi është i suspenduar. Si mundesh me ushtru mandate edhe me dërgu letra dhe nuk ia dërgon letrën Avni Deharit. Prandaj, ky është manipulim i radhës dhe PDK nuk do jetë në atë takim. Po ju themi ejani në Kuvend mos ikni”, tha Ismaili.

Të martën takimi në Presidencë/ Kush i tha “po” e kush e refuzoi Albulena Haxhiun?

Përfaqësuesit e partive politike janë ftuar në takim nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për të diskutuar gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e presidentit dhe procedimin tutje me formimin e institucioneve.

Ftesat, Haxhiu i nisi dje në adresat e partive, duke i ftuar ato të ulën bashkë në Presidencë, të martën në orën 09:00, raporton IndeksOnline.

Deri më tani, ftesës i është përgjigjur pozitivisht partia e Haxhiut.

Në një konfirmim për IndeksOnline, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se kreu i partisë, Albin Kurti, do të marrë pjesë në takim.

“Po, Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga u.d. presidentja Albulena Haxhiu” tha shkurtimisht Manxhuka.

Por, një ftesë të tillë e kanë refuzuar dy parti opozitare.

Në një deklarim publik, Aleanca pohoi se refuzon ftesën e Haxhiut, që, sipas tyre, është “lojë” dhe prandaj refuzon t’u japë alibi.

“Ju nuk jeni presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik. Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional. Qëllimi juaj është më shumë se kaq. Ju doni ta zvarrisni këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet” thuhet në përgjigjen publike të Aleancës.

Nga ana tjetër, ftesës i është përgjigjur negativisht edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Në një konferencë për media të mbajtur sot, Uran Ismaili pohoi se PDK-ja e sheh këtë ftesë si manipulim, duke i bërë thirrje Avni Deharit që të ftojë sa më parë seancën konstituive.

“E para, kjo është edhe një tentativë, të themi, e manipulimit të zoti Kurti me shtyrjen e afateve, kundrejt afateve të Gjykatës Kushtetuese. Pra, është një manipulim i radhës. Zonja Albulena Haxhiu, më mirë kishte me qenë t’i kishte shkruar letër zotit Avni Deharit, që ta thërrasë Kuvendin, sepse çdo pushtet në Kosovë, çdo funksion në Kosovë, politik, funksionon dhe bazohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dhe, Kuvendi i Republikës së Kosovës është i suspenduar”, tha ai.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk i është përgjigjur ftesës së Haxhiut – as pozitivisht, as negativisht.

Ende pa u konstituuar Kuvendi dhe pa u formuar institucionet, situata politike është komplikuar nga një ngërç i ri i cili kushtimisht mund të zgjidhet me emërimin e presidentit të ri të Republikës, përbrenda kompetencave kushtetuese dhe ligjore.

LVV-ja pretendon me bindje se pa u zgjedhur një emër jopartiak në krye të Presidencës, nuk është e mundur të procedohet me konstituim të Kuvendit, pasi vendi rrezikon zgjedhje të reja.

Nga ana tjetër, partitë opozitare insistojnë në konstituim dhe formim të institucioneve, pasi sipas tyre, bllokimi i kësaj procedure në këtë pikë, është shkelje e Kushtetutë

Besim Dina propozohet për president të vendit

Kosova po i afrohet afatit kushtetues që paracakton përfundimin e mandatit të ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiut, derisa partitë politike ende nuk kanë një marrëveshje se kush do të jetë pasardhësi i saj në këtë post.

Lidhur me këtë temë, aktori Valon Maloku ka propozuar kolegun e tij Besim Dina, i cili, sipas tij, do të ishte një kandidat i denjë.

Sipas Malokut, Dina përfaqëson një figurë konsensuale, pasi nuk vjen nga betejat e përditshme partiake dhe nuk identifikohet me asnjë kamp politik.

 

Dehari u bën thirrje partive: Konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për Presidentin nënkupton zgjedhje

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, u ka bërë thirrje partive politike që të ulen së bashku dhe të gjejnë një marrëveshje për tejkalimin e bllokadës institucionale.

Dehari, përmes një postimi, ka thënë se ajo që ndodhi para tri ditësh në Kuvend ishte pikërisht situata për të cilën kishte paralajmëruar më herët, duke vlerësuar se çdo përpjekje për vazhdimin e seancës pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon situatën dhe rrit rrezikun e përplasjeve fizike brenda sallës së Kuvendit.

“Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe për një marrëveshje që e zhbllokon situatën institucionale dhe garanton funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve”, ka shkruar Dehari.

Si kryesues i seancës konstituive, ai u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të ulen në një tryezë dhe të gjejnë një zgjidhje politike që do t’i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe arritjes së një marrëveshjeje për një president konsensual.

Sipas Deharit, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin do të nënkuptonte shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, diçka që, sipas tij, duhet të shmanget.

“Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë.Qytetarët e Kosovës janë thirrur të vendosin me votën e tyre tri herë brenda dy vjetëve të fundit. Populli ka folur. Tani është radha jonë, si përfaqësues politikë, të gjejmë marrëveshjen dhe t’i japim vendit institucione funksionale dhe të qëndrueshme”, shkroi mes tjerash Dehari.

 

Policia del me detaje për dorëzimin e Hazirajt: Për kapjen e tij u aktivizuan FIT dhe AKI

Vezir Haziraj, i dyshuari për plagosjen e 7 gushtit në fshatin Orobërdë të Istogut, është dorëzuar sot në Polici pas disa ditësh në arrati.

Sipas policisë, pas ngjarjes i dyshuari ishte larguar në drejtim të panjohur.

Hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime në Pejë kishin punuar intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Sot, më 15 gusht, Policia ka zbatuar një plan veprimi në bashkëpunim me njësite të nivelit qendror, përfshirë NJSI/FIT, njësinë e vëzhgimit dhe njësi të tjera.

 

Në operacion, sipas Policisë, rol kyç ka pasur edhe AKI-ja.

“I dyshuari Vezir Haziarj, duke e pa se nuk kishte mundёsi largimi ёshtё dorёzuar dhe gjithçka ka shkuar pa ndonjё incident”, ka deklaruar Policia e Kosovës përmes një komunikate.

Vezir Haziraj, nga Istogu, është përmendur edhe më herët në raste penale. Në vitin 2018, ai ishte akuzuar për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë, pasi dyshohej se kishte sulmuar me thikë një 17-vjeçare, me të cilën kishte pasur lidhje.

Sipas Prokurorisë, sulmi kishte ndodhur pasi vajza kishte kërkuar që fotografitë dhe videot intime të saj të fshiheshin nga rrjetet sociale.

Në vitin 2022, ndërsa ishte i burgosur, ai ishte përmendur edhe në një rast ku dyshohej se kishte porositur një sulm ndaj një zyrtari korrektues në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc. Rasti atëherë ishte iniciuar nga Policia si “kanosje”.

Tashmë, Haziraj është në procedurë hetimore lidhur me plagosjen e raportuar në fshatin Orrobërd të Istogut.