Besim Dina propozohet për president të vendit

Kosova po i afrohet afatit kushtetues që paracakton përfundimin e mandatit të ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiut, derisa partitë politike ende nuk kanë një marrëveshje se kush do të jetë pasardhësi i saj në këtë post.

Lidhur me këtë temë, aktori Valon Maloku ka propozuar kolegun e tij Besim Dina, i cili, sipas tij, do të ishte një kandidat i denjë.

Sipas Malokut, Dina përfaqëson një figurë konsensuale, pasi nuk vjen nga betejat e përditshme partiake dhe nuk identifikohet me asnjë kamp politik.

 

Dehari u bën thirrje partive: Konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për Presidentin nënkupton zgjedhje

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, u ka bërë thirrje partive politike që të ulen së bashku dhe të gjejnë një marrëveshje për tejkalimin e bllokadës institucionale.

Dehari, përmes një postimi, ka thënë se ajo që ndodhi para tri ditësh në Kuvend ishte pikërisht situata për të cilën kishte paralajmëruar më herët, duke vlerësuar se çdo përpjekje për vazhdimin e seancës pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon situatën dhe rrit rrezikun e përplasjeve fizike brenda sallës së Kuvendit.

“Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe për një marrëveshje që e zhbllokon situatën institucionale dhe garanton funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve”, ka shkruar Dehari.

Si kryesues i seancës konstituive, ai u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të ulen në një tryezë dhe të gjejnë një zgjidhje politike që do t’i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe arritjes së një marrëveshjeje për një president konsensual.

Sipas Deharit, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin do të nënkuptonte shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, diçka që, sipas tij, duhet të shmanget.

“Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë.Qytetarët e Kosovës janë thirrur të vendosin me votën e tyre tri herë brenda dy vjetëve të fundit. Populli ka folur. Tani është radha jonë, si përfaqësues politikë, të gjejmë marrëveshjen dhe t’i japim vendit institucione funksionale dhe të qëndrueshme”, shkroi mes tjerash Dehari.

 

Policia del me detaje për dorëzimin e Hazirajt: Për kapjen e tij u aktivizuan FIT dhe AKI

Vezir Haziraj, i dyshuari për plagosjen e 7 gushtit në fshatin Orobërdë të Istogut, është dorëzuar sot në Polici pas disa ditësh në arrati.

Sipas policisë, pas ngjarjes i dyshuari ishte larguar në drejtim të panjohur.

Hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime në Pejë kishin punuar intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Sot, më 15 gusht, Policia ka zbatuar një plan veprimi në bashkëpunim me njësite të nivelit qendror, përfshirë NJSI/FIT, njësinë e vëzhgimit dhe njësi të tjera.

 

Në operacion, sipas Policisë, rol kyç ka pasur edhe AKI-ja.

“I dyshuari Vezir Haziarj, duke e pa se nuk kishte mundёsi largimi ёshtё dorёzuar dhe gjithçka ka shkuar pa ndonjё incident”, ka deklaruar Policia e Kosovës përmes një komunikate.

Vezir Haziraj, nga Istogu, është përmendur edhe më herët në raste penale. Në vitin 2018, ai ishte akuzuar për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë, pasi dyshohej se kishte sulmuar me thikë një 17-vjeçare, me të cilën kishte pasur lidhje.

Sipas Prokurorisë, sulmi kishte ndodhur pasi vajza kishte kërkuar që fotografitë dhe videot intime të saj të fshiheshin nga rrjetet sociale.

Në vitin 2022, ndërsa ishte i burgosur, ai ishte përmendur edhe në një rast ku dyshohej se kishte porositur një sulm ndaj një zyrtari korrektues në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc. Rasti atëherë ishte iniciuar nga Policia si “kanosje”.

Tashmë, Haziraj është në procedurë hetimore lidhur me plagosjen e raportuar në fshatin Orrobërd të Istogut.

Musliu i reagon kryeshefit të Trainkosit: Nëse nuk kërkon falje brenda 24 orësh, përballja do të vazhdojë në rrugë ligjore

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar publikisht ndaj kryeshefit të Trainkos, duke e akuzuar për gjuhë seksiste, shpifje dhe deklarata të pavërteta ndaj saj dhe familjes së saj.

Musliu ka thënë se ka pritur tri ditë që ai të reflektojë dhe të kërkojë falje publike, por sipas saj, në vend të reflektimit, ai ka vazhduar me deklarata të tjera.

“Ajo që nisi me një koment në një portal, vazhdoi me një status të paramenduar mirë, ku ke bërë shpifje dhe ke thënë të pavërteta për mua dhe familjen time”, ka shkruar Musliu.

Ajo i ka vendosur një afat prej 24 orësh për të fshirë deklaratat dhe për të kërkuar falje publike ndaj saj dhe familjes së saj.

Musliu ka paralajmëruar se, nëse kjo nuk ndodh, çështjen do ta dërgojë në rrugë ligjore.

“Unë nuk do të hesht përballë shpifjeve, fyerjeve dhe përpjekjeve për të njollosur emrin tim apo familjen time”, është shprehur ajo.

Në fund, Musliu ka deklaruar se është e gatshme t’i përballojë akuzat me prova dhe fakte, duke paralajmëruar se përgjegjësia për deklaratat do të kërkohet edhe para gjykatës.

Postimi i plotë:

KUR TRENAT MBESIN NË VEND, POR MENDËSIA SEKSISTE ECËN ME SHPEJTËSINË E DRITËS.

Kryeshef i Trainkosit, çoji trenat përpara, sepse gratë e kanë gjetur rrugën e tyre pa lejen dhe miratimin tuaj!

Kam pritur tri ditë që të reflektoje dhe të kërkoje falje publikisht, jo vetëm ndaj meje, por para së gjithash ndaj bashkëshortes tënde dhe ndaj të gjitha grave të Kosovës, të cilat çdo ditë përballen me paragjykime, fyerje, shpifje, linçime, kërcënime, abuzim dhe gjuhë seksiste, si ajo që ke përdorur edhe ti.

Por, në vend që të reflektoje, paske shkuar edhe më larg.

Ajo që nisi me një koment në një portal, vazhdoi me një status të paramenduar mirë, ku ke bërë shpifje dhe ke thënë të pavërteta për mua dhe familjen time, duke tentuar të njollosësh jo vetëm emrin tim, por edhe familjen time.

Të paralajmëroj publikisht: nëse nuk reflekton, nuk i fshin deklaratat dhe nuk kërkon falje publike ndaj meje dhe familjes sime brenda 24 orësh, atëherë përballja jonë do të vazhdojë në rrugë ligjore.

Unë nuk do të hesht përballë shpifjeve, fyerjeve dhe përpjekjeve për të njollosur emrin tim apo familjen time.

I dal ballë secilit me prova, fakte dhe argumente, sepse trashëgimia më e madhe që më ka lënë familja ime është pastërtia kombëtare, shtetërore, institucionale e njerzore.

Këto vlera do t’i mbroj në çdo instancë dhe me çdo kusht, ndaj secilit që tenton t’i cenojë, t’i njollosë apo t’i shtrembërojë.

Përgjegjësinë për fjalët dhe akuzat tuaja do ta mbani edhe para gjykatës.

Bëri thirrje për pushkatimin e Haradinajt, Llugiqit i caktohet një muaj paraburgim

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Skender Llugiqit, i dyshuar se ka bërë thirrje për vrasjen e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.

Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Llugiqi, pak ditë më parë, gjatë qëndrimit në sallën e Kuvendit të Kosovës, e cila ishte hapur për pritjen e mërgimtarëve, kishte bërë thirrje për pushkatimin e Haradinajt.

Pas deklaratës së tij në Parlament, rasti i Llugiqit ka ngjallur reagime të shumta publike dhe politike./Klankosova.tv

Kosovari i arrestuar nga Serbia nën dyshimet për kr’ime lufťe, s’është veteran i UÇK-së

Dukagjin Maxhuni nga Gjakova, i cili është arrestuar nga autoritetet serbe dhe ndaj të cilit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, nuk është në listën e personave që gëzojnë statusin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur për REL, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Arrestimin e Maxhunit e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili ka thënë se ai “dyshohet për krime lufte”.

“Ekzistojnë dyshime të bazuara se ai e ka kryer veprën penale kundër popullsisë civile, në dëm të anëtarëve të dy familjeve, gjatë qershorit të vitit 1999, në fshatin Bec, në komunën e Gjakovës”, ka thënë Daçiç përmes një njoftimi.

Sipas Daçiçit, ndaj të dyshuarit fillimisht ishte caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa kallëzimi penal ishte dërguar në Prokurorinë serbe për Krime Lufte.

“Bazuar në vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd – Departamenti për Krime Lufte, atij i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh

Ndërkohë, në Kosovë, gjatë viteve të fundit janë arrestuar dhjetëra serb nën dyshime për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë, ndërsa disa prej këtyre rasteve kanë përfunduar me aktgjykime dënuese.

Arrestimi i Maxhunit është i dyti gjatë muajit gusht që Serbia e bën në lidhje me pretendimet për krime lufte në Kosovë. Më 2 gusht, një person tjetër ishte arrestuar në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë.

Gëzim Kelmendi kritikon arrestimin e imamit Elvedin Pezic: Për hoxhallarët arrestime sikur të kriminelëve!

Ish-deputeti Gëzim Kelmendi ka reaguar pas arrestimit të imamit boshnjak Elvedin Pezic në Vitomiricë të Pejës, duke kritikuar mënyrën e trajtimit të tij nga autoritetet.

Kelmendi ka bërë një krahasim mes trajtimit të klerikëve serbë që vijnë nga Serbia dhe atij të figurave islame.

“Për priftërinjtë serbë nga Serbia përcjellje dhe siguri e lartë shtetërore, ndërsa për hoxhallarët arrestime sikur të kriminelëve!”, ka shkruar Kelmendi.

Ai ka thënë se arrestimi i Pezicit dhe mënyra e shoqërimit të tij, sipas tij, tregojnë për një qasje të padrejtë ndaj figurave islame në Kosovë.

“Unë personalisht nuk e njoh dhe nuk kam dëgjuar kurrë më parë për imamin, doktorin e shkencave Elvedin Pezic dhe nuk kam fare njohuri për qëndrimet dhe ligjëratat e tij”, ka deklaruar Kelmendi.

Megjithatë, ai ka kritikuar faktin që Pezic është parë me duar të lidhura gjatë arrestimit, duke e krahasuar këtë me trajtimin e një personi të akuzuar për vepra të rënda kriminale.

Kelmendi ka akuzuar gjithashtu pushtetet politike në Kosovë për, siç pretendon ai, përdorim të figurave fetare gjatë fushatave zgjedhore dhe ndryshim të qasjes ndaj tyre pas zgjedhjeve. /Indeksonline/

Spiuni i dyshuar i BIA-s ishte pritur në takim nga Kurti

I arrestuari nën dyshimet për spiunazh për Serbinë, Fehim Sali, kishte arritur të hynte në zyrën e kryeministrit Albin Kurti, tregon një njoftim i vitit 2022 i Zyrës së Kryeministrit

Sali ishte pritur në takim bashkë me disa të tjerë në cilësinë e “përfaqësuesit të komunitetit goran”.

Takimi ishte zhvilluar më 3 tetor të vitit 2022.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bashkëbiseduar me përfaqësuesit e komunitetit goran në Kosovë, nga akademia, organizatat joqeveritare, mediat dhe institucionet e Kosovës”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit për takimin.

Sali operonte prej kohësh si udhëheqës i një organizate jo-qeveritare.

Ai u arrestua të enjten në pikën kufitare në Merdare, derisa po hynte nga Serbia në Kosovë.

Sulmohet dhe kërcënohet mjeku në QMF-në

Komuna e Vitisë ka reaguar pas një rasti të sulmit fizik dhe kanosjes ndaj një specialisti të mjekësisë familjare në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pozharan.

Sipas Komunës, rasti ka ndodhur gjatë kujdestarisë së natës, derisa mjeku me inicialet A.Ç. ishte në vendin e punës duke ushtruar detyrën e tij profesionale.

Komuna e Vitisë, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe QKMF-ja e kanë dënuar ashpër rastin, duke e cilësuar si akt të papranueshëm dhe cenim serioz të sigurisë dhe integritetit të punonjësve shëndetësorë.

“Nuk mund të normalizohet dhuna ndaj punonjësve shëndetësorë. Asnjë pakënaqësi, mosmarrëveshje apo rrethanë nuk e justifikon sulmin fizik apo kërcënimin ndaj mjekut, infermierit apo çdo profesionisti tjetër shëndetësor”, thuhet në reagim.

Nga Komuna kanë theksuar se përsëritja e rasteve të tilla është shqetësuese dhe kërkon reagim të menjëhershëm institucional.

Sipas njoftimit, për rastin janë njoftuar edhe institucionet e sigurisë, ndërsa Komuna ka kërkuar që ndaj personave përgjegjës të ndërmerren masat e parapara me ligj.

Komuna ka shtuar se do të shqyrtojë të gjitha mundësitë ligjore për të rritur sigurinë e punonjësve shëndetësorë gjatë ushtrimit të detyrës.

I shkaktoi vdekjen vajzës 3-muajshe pas djegieve me tharëse flokësh, 28-vjeçarja dënohet me 6 vite burg

Një 28-vjeçare është dënuar me gjashtë vite burg në Skoci, pasi u shpall fajtore për vdekjen e vajzës së saj vetëm tre muajshe.

Courtney Gartsor u shpall fajtore për vrasje pa dashje, pasi vajza e saj, Dalia-Rose, ishte ekspozuar për një periudhë të gjatë ndaj temperaturave të larta nga një tharëse flokësh.

Ngjarja kishte ndodhur në shtator të vitit 2023, në një banesë në Peterhead të Aberdeenshire. Shërbimet e emergjencës ishin thirrur në vendngjarje, por foshnja ishte gjetur pa shenja jete.

Gjatë gjykimit u bë e ditur se foshnja kishte pësuar djegie të rënda në rreth 18 për qind të sipërfaqes së trupit, përfshirë edhe kokën.

Gjyqtari Simon Collins e cilësoi rastin si “jashtëzakonisht tronditës dhe të dhimbshëm”, duke theksuar se 28-vjeçarja do të duhet të jetojë me faktin se ishte përgjegjëse për vdekjen e vajzës së saj.

Avokati mbrojtës tha se Gartsor nuk kujtonte ta kishte përdorur tharësen e flokëve dhe nuk mund të jepte një shpjegim të qartë për përdorimin e saj. Si mundësi u përmend se ajo mund të ketë tentuar ta ngrohte foshnjën.

Gjykata dëgjoi gjithashtu se Gartsor kishte konsumuar alkool para ngjarjes, ndërsa në tharësen e flokëve ishin gjetur gjurmë të ADN-së së foshnjës.

Ekspertët ngritën edhe mundësinë që foshnja të kishte vdekur para se të pësonte djegiet, por juria e shpalli njëzëri 28-vjeçaren fajtore pas pak më shumë se një ore diskutimesh.

Pas vendimit, autoritetet skoceze deklaruan se rasti kishte qenë jashtëzakonisht i rëndë për të gjithë personat e përfshirë në hetim dhe theksuan se fëmijët janë të pambrojtur dhe duhet të mbrohen.