Numërohen votat në Rahovec, kjo parti prin bindshëm

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në përfundim e sipër të numërimit të rezultateve preliminare, për zgjedhjet e 07 qershorit

Votat në Rahovec tashmë janë n umëruar dhe se ne këtë komunë kryeson Lëvizja Vetëvendosje me 44,91% të votave.  Pasuar nga PDK me 19,27%,  AAK me 18.88%. Ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është rënditur e katërta në Rahove me vetëm 16,96 % të votave.

 

 

Numrohen 48% e votave në Prishtinë, Kurti po ‘deklason’ LDK-në

Procesi i numërimit të votave në kryeqytet po vazhdon, ndërsa rezultatet preliminare tregojnë një epërsi të thellë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas numërimit të 48% të votave në Prishtinë, LVV-ja kryeson me 50.25%, duke lënë pas rivalët e saj politikë.

Në vendin e dytë renditet LDK-ja me 25.07%, ndërsa PDK-ja mban pozitën e tretë me 17.66% të votave të numëruara deri më tani. AAK-ja ka siguruar 4.41%.

Rezultatet mbeten preliminare dhe pritet të ndryshojnë me procesimin e kutive të mbetura të votimit, por aktualisht Vetëvendosje po dominon bindshëm garën në kryeqytet.

Kjo është komuna e vetme ku po prin LDK-ja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar përditësimin më të ri të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të sotme.

Kur janë procesuar 34 nga 60 vendvotimet në Istog, Lidhja Demokratike e Kosovës po kryeson në këtë komunë me 38.84%, pas saj është LVV me 36.17% dhe e treta AAK me 8.89%.

Nga votat totale, kur janë procesuar 1,819 vendvotime nga 2,498 sa janë gjithsej, apo 72,82%, Lëviza Vetëvendosje prin me 43,09% apo 207,253 Vota. E dyta është PDK 21,82% apo 104,943 Vota, e treta është LDK me 17,98% apo 86,456 Vota.

Në vend të katërt është AAK me 7,63% apo 36,683 Vota.

/Reporteri.net/

98% të votave të procesuara- këto janë shifrat e fundit nga KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat mbi pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Me përpunimin e 97.92% të të dhënave (2,446 nga 2,498 vendvotime gjithsej), pjesëmarrja zyrtare e votuesve ka arritur në 36.13%.

Sipas këtyre statistikave zyrtare, deri në këtë fashë orari të drejtën e tyre të votës e kanë ushtruar saktësisht 708,045 qytetarë nga 1,959,962 sa janë gjithsej në listën e votuesve.

Në krahasim me zgjedhjet e kaluara të mbajtura më 28 dhjetor 2025, ku pjesëmarrja kishte qenë 44.99%, ky trend tregon një rënie të interesimit të qytetarëve për të votuar në mbarë Kosovën.

Nga KQZ-ja rikujtojnë se këto shifra pasqyrojnë vetëm gjendjen në vendvotimet e rregullta, ndërsa votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe votat e ardhura nga diaspora do të shtohen pas numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Kurti reagon pas mbylljes së vendvotimeve, bën thirrje për mbrojtje të votës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka reaguar pas mbylljes së vendvotimeve për zgjedhjet e 7 qershorit.

Në një postim, Kurti ka thënë se tani mbrojtja e votës është kusht i pandashëm i legjitimitetit.

“Vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e sotme është brenda kutive të votimit. Mbrojtja e tij është kusht i pandashëm i legjitimitetit dhe kredibilitetit të procesit zgjedhor”, ka shkruar Kurti.

“Në këto momente, sytë, veshët dhe vëmendja jonë janë te ju komisionerë dhe vëzhgues. Mbi juve peshon një përgjegjësi e lartë institucionale dhe fisnike”, ka thënë ai.

“Ju falemnderit për angazhimin dhe punë të mbarë në numërimin e çdo vote”, ka thënë Kurti.

Agim Bahtiri: Jemi mbi 53%

Agim Bahtiri i Lëvizjes Vetëvendosje ka deklaruar se fitorja në zgjedhjet aktuale do të rezultojë mbi 53 për qind, duke theksuar se ky parashikim, sipas tij, është bërë dy javë më parë dhe do të konfirmohet në përfundim të procesit zgjedhor.

“Kam thënë para dy javësh që do të jemi mbi 53% dhe kjo do të vërtetohet sonte”, u shpreh Bahtiri, pas mbylljes së qendrave të votimit.

Sondazhi i Baton Haxhiut e qet VV-në fituese: Këto janë rezultatet

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 43 për qind të votave në zgjedhjet e 7 qershorit, sipas një sondazhi të realizuar nga Albanian Post.

Sondazhi i publicistit Baton Haxhiu e paraqet Partinë Demokratike të Kosovës partinë e dytë më të votuar, me 22 për qind.

E treta është renditur Lidhja Demokratike e Kosovës me 18 për qind, tregon EXIT POLL-i i realizuar nga Albanian Post.

Sipas projeksionit të Baton Haxhiut, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7 për qind të votave.

10% të votave i përkasin partive të tjera të cilat nuk e kalojnë pragun dhe atyre të komuniteteve joshumicë.

Sondazhi i Baton Haxhiut/ Albanian Post:

Vetëvendosje 43%

PDK 22%

LDK 18%

AAK 7%