Policia jep detaje për tragjedinë në Shëngjin: Dy pushues nga Kosova humbën jetën, tre po marrin trajtim mjekësor
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së mërkurës në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, ku dy persona nga Kosova kanë humbur jetën pasi u përfshinë nga dallgët e fuqishme të detit.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, rreth orës 16:30 autoritetet janë njoftuar se disa persona që kishin hyrë në det për t’u larë ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin për shkak të dallgëve të shkaktuara nga era e fortë.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë intervenuar shërbimet e Policisë Kufitare, policia e Lezhës dhe ekipet emergjente. Në aksionin e shpëtimit kanë ndihmuar edhe qytetarë me Jet Ski, të cilët së bashku me policinë kanë arritur të nxjerrin nga deti pesë shtetas nga Kosova.
Të lënduarit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës, por sipas informacionit paraprak nga stafi mjekësor, dy prej tyre nuk kanë arritur t’u mbijetojnë pasojave, ndërsa tre të tjerët po marrin trajtim mjekësor.
Lidhur me rastin, grupi hetimor në koordinim me Prokurorinë ka nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.
