Recitimi i vajzës në tubimin e Kurtit, PZAP-i merr këtë vendim ndaj VV-së
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka pranuar si të bazuara ankesat e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) me 5 mijë e 100 euro, për përdorimin e një fëmije nën moshën 15-vjeç në tubim zgjedhor në Vushtrri.
“Pranohen të bazuara ankesat e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ZP.Anr.11/2026 e 01.06.2026, dhe ankesa e Organizatës Joqeveritare “Instituti i Kosovës për Drejtësi ZP.Anr.12/2026, e datës 01.06.2026, ashtu që subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), për shkak të pjesëmarrjes së fëmijëve në fushatë zgjedhore, i shqiptohet dënimi më gjobë në lartësi prej 5.100 (pesëmijë
e njëqind) €”, thuhet në vendimin e marrë të mërkurën.
Sipas PZAP-së, LVV-ja detyrohet që gjobën e shqiptuar ta paguajë në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi.
PZAP thekson se LDK-ja në ankesë ka potencuar se pjesëmarrja aktive e fëmijës në skenë, para publikut dhe në kuadër të një aktivitetit të organizuar zgjedhor, përbën angazhim të një personi nën moshën 15 vjeçare në fushatë zgjedhore, gjë që është e ndaluar nga rregullat zgjedhore në fuqi dhe se PZAP në rastet e mëhershme ka konstatuar se pjesëmarrja e fëmijëve në aktivitete dhe materiale të fushatës zgjedhore përbën shkelje të rregullave zgjedhore dhe ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike.
LDK-ja kërkoi nga PZAP që ta pranojë ankesën si të bazuar, të konstatojë së Lëvizja Vetëvendosje ka shkelur dispozitat e Rregullës Zgjedhore lidhur me përfshirjen e personave nën moshën 15 vjeçare në fushatë zgjedhore si dhe të shqiptojë sanksionet e parapara me legjislacion zgjedhor në fuqi dhe të urdhërojë ndërprerjen e praktikave të ngjashme gjatë pjesës së mbetur të fushatës zgjedhore.
Kurse, thuhetse IKD-ja në ankesë vlerësoi se LVV-ja ka shkelur Rregulloren Zgjedhore Nr.07/2024 për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin e fushatës së zgjedhjeve dhe deklarimin financiar, konkretisht nenin 5 të kësaj Rregullore.
“IKD gjithashtu thekson se kjo sekuencë vazhdon të mbetet e përfshirë edhe në videon e transmetuar “live” nga ky tubim, e publikuar nga
faqja zyrtare e këtij subjekti politik në rrjetin social “Facebook” si dhe kjo përmbajtje është shpërndarë gjerësisht nga faqe edhe përdorues të ndryshëm në rrjete sociale të ndryshme. Parashtruesi i ankesës kërkon nga PZAP-i, që ta pranojë ankesën si të bazuar, të konstatojë së Lëvizja Vetëvendosje ka shkelur dispozitat e Rregullës Zgjedhore lidhur me përfshirjen e personave nën moshën 15 vjeçare në fushatë zgjedhore si dhe të shqiptoj një gjobë, e cila do të ishte e përshtatshme për të parandaluar që në të ardhmen të përdoren fëmijët në fushata”, thuhet në vendim.
Sipas PZAP-së, përgjigje në ankesa ka paraqitur LVV-ja, duke sqaruar se e mitura në fjalë nuk ka qenë pjesë e programit të organizuar të tubimit, nuk ka qenë e angazhuar nga subjekti i tyre dhe nuk ka pasur asnjë rol të planifíkuar në aktivitetin zgjedhor.
“Sipas tyre, para fillimit të tubimit, e mitura i është afruar vetë kandidatit për kryeministër Albin Kurtit dhe ka kërkuar që t’i mundësohet të këndojë një këngë para të pranishmëve dhe se kjo është bërë në prani të prindit të saj, i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes dhe nuk ka shprehur asnjë kundërshtim lidhur me veprimin e vajzës”, thuhet në vendim.
Gjithashtu, LVV-ja ka pretenduar se nuk mund të flitet për “angazhim” të një personi nën moshën 15-vjeç nga subjekti politik sepse iniciativa nuk ka ardhur nga organizatori por nga vetë e mitura.
“Më tej në përgjigje në ankesat e paraqitura po ashtu theksohet se në rastin konkret nuk ekziston asnjë provë që e mitura është ftuar,
organizuar, koordinuar apo angazhuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tyre ankesat nuk paraqesin asnjë provë që e vërteton ndonjë marrëveshje paraprake, organizim, udhëzim apo përfshirje të planifikuar të te miturës nga subjekti i tyre dhe se behët fjalë për një veprim spontan të një pjesëmarrëseje në tubim e i cili nuk mund të konsiderohet si “angazhim” që do të binte ndesh me rregullat zgjedhore. Tutje, LVV shton se ankuesit nuk pretendojnë dhe nuk dëshmojnë se prindi i të miturës ka kundërshtuar pjesëmarrjen e saj, ndërsa sipas tyre prindi ka qenë në tubim dhe se propozojnë edhe dëgjimin e dëshmitarëve relevantë, përfshirë prindin e të miturës”, citohet në vendim.
Andaj, PZAP pasi shqyrtoi dhe vlerësoi pretendimet ankimore nga ankesa si dhe përgjigjen në ankesë, gjen se ankesat janë të bazuara.
Paneli vëren se nga fotografitë dhe linku i ofruara si provë nga parashtruesit e ankesave, të cilat gjenden në shkresat e lëndëve, është konstatuar se në tubimin e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje më 31 maj 2026, rreth orës 18.00, ka marrë pjesë edhe një fëmijë i mitur
e veshur me rroba me logon e subjektit politik LVV, si dhe ka recituar para pjesëmarrësve në tubim, veprim ky qe bie në kundërshtim me dispozitat ligjore të nenin 5, paragrafi 3 të Rregullores Zgjedhore nr.07/2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar, me të cilën është përcaktuar se “Asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të angazhojë persona nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç në fushatë zgjedhore”.
Kështu, Paneli vlerëson se qëllimi i kësaj dispozite është mbrojtja e të miturve nga përfshirja në aktivitete të fushatës zgjedhore nga subjektet politike, dhe se në asnjë rrethanë nuk mund të marrin pjesë në aktivitete zgjedhore.
Kurse, pretendimin në përgjigjen në ankesë të LVV-së, se “… nuk mund të flitet për angazhim të një personi nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeçare nga subjekti politik, sepse iniciativa nuk ka ardhur nga organizatori por nga vetë e mitura“, PZAP e vlerësoi si të pabazuar, për faktin se në momentin kur organizatori i aktivitetit i ka mundësuar të miturës hyrjen në sallë, pastaj paraqitjen në skenë para publikut në kuadër të tubimit zgjedhor, pjesëmarrja e saj konsiderohet përfshirje aktive në fushatë zgjedhore.
“Sepse për zbatimin e kësaj norme nuk është vendimtare nëse iniciativa për paraqitjen e të miturës ka ardhur nga organizatori apo nga vetë e mitura, por vet fakti se subjekti politik ka lejuar dhe mundësuar pjesëmarrjen e saj aktive, apo edhe pasive në një aktivitet zyrtar zgjedhor”, thuhet tutje në këtë vendim.
Kurse, lidhur me pretendimin se s’ka prova që e mitura vshtë ftuar, koordinuar apo angazhuar nga LVV-ja, Paneli e vlerëson si të pabzuar për faktin se nuk është më rëndësi në këtë rast se a ka pasur ftesë, organizim apo koordinim për të marrë pjesë e mitura në aktivitete politik, por me rëndësi është fakti se organizatori i këtij aktiviteti e ka lejuar që të marrë pjesë në këtë aktivitet politik, veprim ky i cili bie në kundërshtim me Rregulloren.
Gjithashtu, Paneli e vlerëson të parëndësishëm gaktin se prindi i fëmijs nuk e ka kundërshtuar pjesëmarrjen e saj në tubim, por e rëndësishme është fakti se e mitura nuk ka mundur të gjendet në atë aktivitet politik, e aq më shumë që të ftohet të recitojë siç edhe ka ndodhur.
“Ndërsa lidhur me propozimin për dëgjimin e dëshmitareve të njëjtin propozim paneli e vlerëson si të pabazuar, për faktin se deklaratat e tyre nuk do të vërtetonin një gjendje tjetër faktike nga ajo e vërtetuar më lartë”, thuhet në vendim.
PZAP thekson se këto veprime janë në kundërshtim me dispozitën e nenit 5, paragrafi 3 të Rregullores Zgjedhore Nr.07/2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar.
“Paneli me rastin e vendosjes së lartësisë së dënimit më gjobë si në dispozitiv të këtij vendimi, ka marrë parasysh të gjitha rrethanat si në vijim: se përfshirja e fëmijëve ne fushata zgjedhore përbenë shkelje të te drejtave te tyre, dhe se nuk është në interesin më të mirë të tyre që subjektet politike ti angazhojnë në fushata zgjedhore, po ashtu paneli ka vlerësuar natyrën e shkeljes dhe ndikimit të mundshëm të saj në procesin zgjedhor në fjalë, shkallën dhe peshën e shkeljes, dhe se subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, ka qenë i njoftuar me obligimet dhe përgjegjësit gjatë procesit të fushatës, po ashtu faktin se i njëjti subjekt edhe në zgjedhjet e kaluara ka kryer të njëjtat veprime me ç’rast edhe i janë shqiptuar dënime me gjobë”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
