Rreth 20 kandidatë nga ekipi i Osmanit në garë me LDK-në
Armend Zemaj, deputet i Lidhja Demokratike e Kosovës, ka bërë të ditur se kjo parti tashmë ka arritur një dakordim për bashkëpunim me ish-presidenten Vjosa Osmani për zgjedhjet e 7 qershorit.
Në TV Dukagjini, Zemaj deklaroi se bëhet fjalë për një bashkëpunim parimor dhe ideologjikisht të përafërt me LDK-në, ku secila palë do të ruajë subjektivitetin e vet, ndërsa garimi do të zhvillohet brenda listës dhe me logon e LDK-së.
“Ajo që është diskutuar dhe na është paraqitur nga kryetari është një bashkëpunim parimor dhe ideologjikisht i përafërt me LDK-në, duke ruajtur subjektivitetin e secilit në këtë garë zgjedhore brenda listës së LDK-së”, ka deklaruar Zemaj.
Ai ka bërë të ditur se listat zgjedhore pritet të dorëzohen më 12 maj, ndërsa një pjesë e kandidatëve do të jenë nga lista e Osmanit.
“Mund të jetë rreth 20 anëtarë të rinj nga ajo që propozon, besoj që do të jenë emra që i përshtaten edhe profilit të së djathtës”, u shpreh Zemaj.
Zemaj shtoi se përgjegjësia për krijimin e listës dhe partneritetet i takon kryetarit të LDK-së, ndërsa nënvizoi se qëllimi i përbashkët mbetet ndryshimi i qeverisjes aktuale.
