Tragjedi: 23 vjeçari gjendet i vdekur, dy pistoleta dhe thikë në vendngjarje
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Podujevë, ku një i ri është gjetur pa shenja jete pas të shtënave me armë zjarri, mëson Sinjali.
Rasti është raportuar më 30 prill 2026 rreth orës 23:20 në rrugën “Gryka e Llapit”, në hapësirat e NNP “Vëllezërit Hyseni”, ku njësitë policore kanë hasur në një person të shtrirë në dysheme.
Viktima është identifikuar si Rifat Hyseni (23-vjeçar), i cili kishte plagë në fytyrë, që dyshohet se janë shkaktuar nga arma e zjarrit. Mjekët e emergjencës kanë konfirmuar vdekjen e tij në vendngjarje.
Në afërsi të trupit janë gjetur dhe sekuestruar:
- një pistoletë,
- një thikë,
- një karikator me një fishek,
- një gëzhojë,
- mjete për pastrimin e armës,
- si dhe një palë syze të dëmtuara.
Gjatë ekzaminimit të mëtejmë, në vendngjarje është gjetur edhe një tjetër armë pistoletë pa numër serik, që dyshohet të jetë jofunksionale, si dhe 11 fishekë të kalibrit 9×19 mm.
Në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar babai i viktimës, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve, forenzika rajonale dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Me udhëzim të Prokurorit për Krime të Rënda, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
Hetimet janë në vazhdim për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
