div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged tax-post_format term-post-format-aside term-191 custom-background wp-custom-logo paged-105 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Kurti tregon me kë do ta bëjë Qeverinë

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaron se formimi i qeverisë së re do të ndodhë menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Kurti thotë se synimi është që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i legjislaturës së dhjetë, të zgjidhet kryesia e Kuvendit dhe të formohet qeveria e re, duke theksuar se vendimi më i rëndësishëm në fillim do të jetë miratimi i buxhetit për vitin 2026. Sipas tij, bashkëpunimi me partitë tjera  do të shihet shumë shpejt, siç thotë ai, për shkak të marrëveshjeve ndërkombëtare urgjente.

Kryeministri në detyrë, partia e të cilit mori mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, nënvizon se Kosova nuk duhet të vonohet më në përfitimin e rreth 880 milionë eurove nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, si dhe 90 milionë eurove mbështetje buxhetore nga Banka Botërore. Po ashtu, ai përmendi edhe fondet për çerdhe dhe për sistemin informativ shëndetësor.

Lideri i LVV-së flet edhe për përbërjen e kabinetit të qeverisë së re, për çka thotë se do të ketë konsultime të reja brenda subjektit dhe me partnerët e koalicionit, duke marrë parasysh edhe rezultatin individual të deputetëve.

“Sapo të certifikohen rezultatet nga Komisioni Qendror Zgjedhor, ne jemi të interesuar që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i legjislaturës së dhjetë, me kryesinë e kuvendit, dhe të formohet qeveria e Republikës, ku vendimi më i rëndësishëm qysh në fillim është buxheti për vitin 2026. Janë edhe disa vendime të tjera për mbledhjen e parë, por natyrisht më i rëndësishëm është buxheti”, thotë Kurti për KP.

Sa i përket bashkëqeverisjes, Kurti thotë se prioritet do t’u jepet partive politike të komuniteteve jo-shumicë, jo-serbe, me të cilat ka pasur bashkëpunim edhe në legjislaturat e kaluara, përfshirë edhe subjektin politik të Nenad Rashiq. Thekson se bashkëpunimi me disa subjekte të tjera është bërë më i vështirë gjatë vitit 2025, por nuk e përjashtoi plotësisht.

Ne se sa mund të kemi komunikim e bashkëpunim me partitë e tjera, duhet ta shohim shumë shpejt, sepse duhet t’i votojmë këto marrëveshje ndërkombëtare. Pra është shumë e rëndësishme që mos të vonohemi më për 880 milionë euro të planit të rritjes së Bashkimit Evropian, ku dy të tretat, përafërsisht, janë kredi, ndërkaq një e treta janë grante. Ndërkaq në anën tjetër, gjithashtu i kemi edhe 90 milionë euro prej Bankës Botërore mbështetje për buxhetin. I kemi edhe 20 milionë euro të tjera për çerdhet për fëmijë, dhe 20 milionë euro të tjera për sistemin informativ shëndetësor. Pra, shumë shpejt do ta shohim ne se a do të mund të bashkëpunojmë me opozitën sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare. Ndërkaq, sa i përket qeverisë, nuk do të ketë kurrfarë problemi për formimin e shpejtë të qeverisë. Aktualisht vonesat janë derisa të bëhet numërimi i plotë i votave dhe certifikimi i rezultatit”, thekson Kurti për KosovaPress.

Duke folur për kabinetin qeveritar, Kurti thotë se nuk priten ndryshime të mëdha, porse nënvizon se do të ketë konsultime të reja brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe me partnerët e koalicionit.

“Unë nuk mund të them që do të ketë ndryshime të mëdha, nuk do të ketë ndryshime të mëdha, por nuk mund të them as që do të jetë identike. E para, duhet ta presim rezultatin e zgjedhjeve dhe tash ju e keni parasysh që qytetarët bëjnë dy lloj zgjedhjesh: së pari zgjedhin subjektin politik, më pastaj zgjedhin kandidatët përbrenda subjektit politik, dhe aty ka ndryshime. Kemi deputetë që janë zgjedhur për herë të parë, kemi deputetë që janë konfirmuar edhe më fuqishëm, kemi të tillë që kanë ngecur ca. Duhet t’i kemi të gjitha në konsideratë para se ta marrim vendimin përfundimtar dhe ne jemi ekip i gjerë. Pra nuk është çështja vetëm renditja në hierarki, qoftë ajo brenda Lëvizjes Vetëvendosje apo jashtë saj në popull sa vota ka marrë kush, por kush, ku, për çka, kur, janë po ashtu shumë të rëndësishme. Domethënë, ne duhet ta shohim veten tonë individualisht në funksion të ekipit që e ndërtojmë, e që është bashkëdyzim i mazhorancës në Kuvend me kabinetin qeveritar” thotë Kurti.

Ai flet edhe për bashkëpunimin me partitë tjera jo-serbe, respekivsht për mundësinë e një partneriteti me deputeten nga komuniteti boshnjak, Duda Balje dhe deputetin nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha, me të cilët vitin e kaluar nuk arriti t’i bindte për ta votuar kryeparlamentarin.

“Unë i kam takuar ata në të kaluarën dhe ata besoj që e kanë lexuar drejt rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Ne jemi të interesuar që pikë së pari të bashkëpunojmë me këta që kemi bashkëpunuar, pra me partitë politike të komuniteteve jo-shumicë, jo-serbe, të cilët ishin në legjislaturën e tetë dhe të nëntë. Dhe natyrisht do të ketë e përfshirë edhe subjektin e Nenad Rashiq. Pra, kjo do të jetë së pari, e mandej për të tjerët të shohim, por besoj që viti 2025 na e ka vështirësuar mundësinë e bashkëpunimit me ta. Nuk po them që është e pamundur, por ne hapin e parë do ta kemi me këta të cilët kemi bashkëqeverisur, e njohim mirë njëri-tjetrin, dhe nuk e befasojmë njëri-tjetrin me qëndrime e deklarime publike”, thotë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Profesori dështon, Ardian Kastrati i merr veç 1.463 vota – pak më shumë se Sali Rexhaj

Ardian Kastrati, ish-deputet i PDK-së, në zgjedhjet e 28 dhjetorit garoi me AAK-në e Ramush Haradinajt.

Megjithatë, Kastrati nuk ka arritur të zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës.

Kur numërimi është drejt përfundimit, Kastrati ka marrë vetëm 1.463 vota, duke u renditur i 53-ti në listën e AAK-së.

Kastrati ka marrë pak më shumë vota se Sali Rexhaj, një tjetër eksponentë shumë kritik ndaj VV-së, që mori vetëm 982 vota.

Edhe 25 kuti pa numëruar, ky është rezultati nga votat me postë

Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve janë numëruar 72.83 për qind e votave me postë. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri më tani janë numëruar 67 nga gjithsej 92 kuti të votimit me postë.

Në këto rezultate prin Lëvizja Vetëvendosje me 72.56 për qind të votave, apo gjithsej 13,917 vota.

Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 10.62% ose 2,036 vota ndërsa Partia Demokratike e Kosovës zë vendin e tretë me 8.19% që përfaqësojnë 1,571 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës renditet e katërta me 4.73% apo 908 vota.

Ndryshe sipas një njoftimi nga KQZ, nga fillimi i procesit të numërimit (e shtunë, 3 janar, ora 16:00) e deri të dielën në orën 16:00, ishin numëruar 41 nga gjithsej 92 kuti të votimit me postë, brenda të cilave ndodhen pakot me fletëvotime që deri tani janë sjellë në Kosovë.

Fletëvotimet e numëruara u takojnë komunave: Deçan (4 kuti), Gjakovë (6), Gllogoc (2), Gjilan (7), Dragash (1), Istog (4), Kaçanik (2), Klinë (2), Fushë Kosovë (2), Kamenicë (3), Mitrovicë e Jugut (4), Lipjan (2) dhe Rahovec (2).

Luizi rikthehet në ‘Big Brother’?

Këngëtari i njohur Luiz Ejlli ka ngjallur sërish kuriozitet te fansat e Big Brother, pas një postimi në rrjetet sociale.

Ai publikoi një foto nga prapaskena e Fan Club-it të programit, ku shihet në një ambient që lidhet me shtëpinë e BB, ndërsa moderatore është gruaja e tij, Kiara Tito.

Ky postim ka bërë që ndjekësit të spekulojnë se Luizi mund të rikthehet si pjesëmarrës në një nga edicionet e ardhshme të Big Brother.

Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga produksioni apo nga vetë këngëtari, prandaj mbetet e paqartë nëse rikthimi i tij është i vërtetë apo thjesht një prapaskenë nga Fan Club-i.

Lushtaku mesazh diasporën: Kthjelluni, qëndroni tre muaj në Kosovë dhe përballuni me faturat, shkollimin e shëndetësinë

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, që në bazë të votave të numëruara ka fituar prapë mandatin, Mërgim Lushtaku, ka kritikuar diasporën për votimin me shumicë të Albin Kurtit.

Ai u ka thënë diasporës që të qëndrojnë tre muaj këtu, të paguajnë faturat, të shkollojnë fëmijët këtu edhe të përballen me shëndetësinë e Kosovës

I plotë:

Të dashur miq e dashamirë,

Falë besimit tuaj do të vazhdoj të jem zëri dhe përfaqësuesi juaj në Kuvendin e Kosovës.

Nuk i gëzohem fitores personale kur shoh gjendjen në të cilën është katandisur shteti ynë nën këtë regjim. Për pesë vite në pushtet nuk morën kurrë përgjegjësi për dështimet, por zgjodhën shpifjen dhe etiketimin e kundërshtarëve politik si “miliarderë”, “kriminelë” e “vrasës”, duke mbjellë urrejtje për të fshehur paaftësinë.

Një thirrje të sinqertë kam edhe për një pjesë të bashkatdhetarëve tanë në diasporë. Qëndroni dhe jetoni realitetin e Kosovës, me paga të Kosovës. Paguani faturat, shkolloni fëmijët këtu dhe përballuni me shëndetësinë tonë. Faturat mujore shpesh janë sa një pagë mesatare, nuk kemi shëndetësi moderne e as sigurime shëndetësore, andaj qëndroni dhe jetoni këtu veç  tre muaj, sepse vetëm kështu bie propaganda e këtij regjimi.

Kthjelluni nga hipnoza politike dhe herën tjetër votoni me arsye, jo me inat. Thirrni mendjes, mendoni me kokë të ftohtë dhe bëni krahasimet, ku ishim para pesë viteve dhe ku jemi sot krahasuar me vendet e rajonit.

Gjithsesi, urime për ata që zgjodhën varfërim dhe izolim. Më së shumti urime Martinit, Vuk Hamoviqit, urime atyre që janë kundër familjes, si dhe të gjithëve që janë kundër Kosovës.

Në fund, falënderimi im shkon nga zemra për votuesit e PDK-së dhe veçanërisht për votuesit e mi. Faleminderit për besimin.

Nuk dorëzohemi!❤️

Mergim Lushtaku

A do të shtrenjtohet rryma sërish, deklarohet Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se qeveria e re do të formohet menjëherë pasi të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit.

Ai u pyet në një intervistë për KosovaPress se “kur pritet që qytetari të ndjejë rritjen ekonomike, meqenëse janë shtrenjtuar produktet esenciale siç janë vaji, buka… për të cilat është thënë se s’do të ketë shtrenjtim, por megjithatë ka pasë”.

Tha se qytetarët tashmë e ndiejnë rritjen ekonomike që tha se ka ndodhur përgjatë viteve të qeverisjes së tij.

“Unë besoj që qytetarët e kanë ndjerë dhe po e ndiejnë rritjen ekonomike. Asnjëherë nuk kemi rënën nën 4%. 6% është mesatarja e rritjes ekonomike gjatë qeverisjes sonë. Dëshirojmë që kjo të vazhdojë edhe më tutje dhe punojmë për këtë gjë”, tha ai.

“Është paralajmëruar edhe një shtrenjtim i rrymës”, i tha gazetarja.

Kurti vazhdoi: “Tash, papunësia ka rënë nën 11%. Ka qenë 26%. Kur unë e kam marrë detyrën, para më pak se pesë vjetëve, çdo i katërti në Kosovë ka qenë i papunë. Sot që po flasim është çdo i nënti. Pra, para pesë vjetëve s’ka pasë familje pa dikë të papunë. Tash duhet t’i bësh dy familje që mezi ta nxjerrësh një të papunë. Papunësia ka rënë, punësimi është rritur. Gjithashtu janë rritur pensionet, i janë shtuar mirëqenies së përgjithshme shtesat për fëmijë dhe për nënat lehona, të cilat më pastaj janë rritur, është rritur shumë fitimi i korporatave. 2.3 miliardë euro është fitimi i korporatave në vitin që shkoi, sepse 230 milionë euro kanë paguar tatim, sipas ATK-së”.

Edhe pagat në sektorin privat, Kurti tha se janë rritur.

“Totali i pagesave në sektorin privat është rritur nga 1.2 milionë sa ka qenë, më shumë se dyfishim – 2.6 milionë. Paga mesatare në sektorin privat është rritur për katër vjet, bruto 57%, neto 50%”.

Ai pranoi se shporta e konsumatorit do të duhej të ishte më e përballueshme, por shtoi se “kjo nuk ka të bëjë me rritjen ekonomike, sa ka të bëjë me tavanin e munguar për produktet bazë”.

Për paralajmërimin se rryma do të shtrenjtohet sërish së shepjti, Kurti tha: “Ne do ta themi qëndrimin tonë në këtë pranverë, kur të vijë koha”.

Kurti paralajmëron: Mund të shkojmë sërish në zgjedhje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka refuzuar të deklarohet nëse përkrah rikandidimin e Presidentes Vjosa Osmani për këtë post, duke theksuar se paraprakisht duhet të përmbyllen disa procese kyçe institucionale.

Kurti tha se e ka parë deklarimin e Presidentes lidhur me gatishmërinë për një mandat të dytë, por shtoi se prioritetet aktuale janë formimi i Kuvendit, i Qeverisë dhe miratimi i buxhetit.

Sipas tij, këta tre hapa janë parakusht për çdo diskutim serioz rreth rizgjedhjes së Presidentes, ndërsa vetëm pas përfundimit të tyre mund të vlerësohen realisht gjasat përpara.

“Ne e kemi parë deklarimin e Presidentes. Së pari, duhet ta formojmë Kuvendin e Qeverinë, gjithashtu duhet ta votojmë buxhetin. Unë besoj që këta janë hapat më të rëndësishëm. Pra, janë tre hapa para se të vijmë te rizgjedhja e Presidentes, dhe unë besoj që nga këta tre hapa ne do të shohim se si janë gjasat përpara. Unë kam deklaruar që është e rëndësishme që të ulemi me Presidenten dhe të diskutojmë të gjitha gjërat. 80 vota në sallë është vështirësi e konsiderueshme. 

Përderisa kësaj radhe ne 61 vota i kemi, 80 nuk i kemi, dhe këto marrëveshje ndërkombëtare të cilat po përpiqemi t’i kalojmë sa më shpejt, unë besoj gjithashtu që mund të na japin indikacione për rrugën përpara. Nuk besoj që është e drejtë dhe e dobishme që të flasim për hapin e katërt pa i parë të tre të parët. Vetëm pasi t’i kemi kaluar këta tre hapa, ne mund të flasim.” – tha Kurti për “KosovaPress”.