div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged tax-post_format term-post-format-aside term-191 custom-background wp-custom-logo paged-106 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Kur do të ekzekutohet paga e 13-të për puntorët? Kurti jep detajet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e ardhshme synon të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes ekonomike në Kosovë, përfshirë pagën e 13-të për administratën shtetërore dhe masa për përballje me çmimin e energjisë elektrike.

Në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, e cila përkon edhe me 27-vjetorin e themelimit të këtij mediumi, Kurti thotë se me Ligjin e ri për Buxhetin e vitit 2026 parashihet paga e 13-të për të gjithë shërbyesit publikë.

Sipas tij, normalisht paga e 13-të do të duhej të jepej në fund të vitit, por një nga vendimet e para të Qeverisë së re do të jetë që kjo pagë të jepet në fillim të vitit, sapo të formohet qeveria dhe të votohet ligji për buxhetin. Kurti theksoi se sa më herët të formohet qeveria, aq më herët do të realizohet edhe pagesa e 13-të.

Ai rikujtoi se gjatë mandatit të tij, pagat në administratën shtetërore janë rritur në përgjithësi për 47 për qind, ndërsa pabarazia mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët është zvogëluar ndjeshëm, nga raporti 20 me 1 në 4 me 1

“Me ligjin e ri për buxhetin e vitit 2026, ne parashohim edhe pagën e 13-të në administratën shtetërore. Pra, të gjithë shërbyesit publikë do ta marrin pagën e 13-të. Me fjalë të tjera, kush punon 12 muaj, i merr 13 paga. Normal do të ishte që pagën e 13-të ta marrin kah fundi i vitit, atje te dhjetori diku. Mirëpo, një ndër pesë vendimet e para që do të marr, përveç atyre që përmenda, do të jetë natyrisht edhe paga e 13-të në fillim të vitit. Tash kjo varet kur formohet qeveria dhe kur votohet ligji për buxhetin. Porsa të bëhen këto, do ta marrim vendimin edhe për pagën e 13-të dhe ajo do të jetë në fillim të muajit. Tash, ne më të mëdha i kemi gjasat që do ta formojmë qeverinë në muajin shkurt sesa në janar, po kushedi, ndoshta dhe në janar. Sa më herët që e formojmë qeverinë, aq më herët do të mund të jepet paga e 13-të, e cila padyshim që do të jetë në fillim të vitit për administratën shtetërore, të cilëve në fakt edhe u është rritur paga në përgjithësi gjatë qeverisjes në mandatin tim, për 47%, sepse aq është rritur buxheti total i pagesave për rrogat në administratën shtetërore, me ç’rast edhe është zvogëluar dallimi i pagës më të lartë me pagën më të ulët, prej 20 me 1 siç ka qenë, në 4 me 1. Pra, 47% është rritur paga përgjithësisht në administratën shtetërore, te shërbyesit publikë, dhe në të njëjtën kohë pesëfish është zvogëluar pabarazia aty”, thotë Kurti për KosovaPress.

Duke folur për çështjen e energjisë elektrike dhe çmimin e saj, Kurti tha se qëndrimi i Qeverisë do të bëhet i ditur në pranverë, duke rikujtuar se vendimet për tarifat i takojnë institucioneve të pavarura, si Zyra e Rregullatorit të Energjisë

Megjithatë, ai nënvizon se Kosova vazhdon të bartë pasojat e privatizimit të padrejtë dhe të lirë të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike.

“Ne do ta themi qëndrimin tonë në këtë pranverë kur të vijë koha, por ta keni parasysh që janë institucione të pavarura shtetërore, sikurse Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ajo e cila merret me këtë çështje. Ndërkohë që ne edhe më tutje jetojmë me një trashëgimi me të cilën nuk jemi pajtuar, por është fakt që shpërndarjen dhe furnizimin e energjisë elektrike, Kosova e ka të privatizuar tepër lirë e padrejtësisht. Në anën tjetër, ndër vendimet e para që do të marrim, do të jenë edhe një pako e përgjithshme prej 200 milionë euro për përballje me inflacionin, për kategori të cilat kanë më së shumti nevojë dhe që preken më së rëndi: pensionistët, fëmijët, sektorët, sektori privat përkatësisht punëtorët aty, punëmarrësit, dhe gjithashtu edhe studentët. E paralelisht me këtë, edhe do ta rikthejmë atë skemën që kush kursen energji elektrike, shpërblehet. E kemi pasur para tre-katër vjetëve dhe ka qenë shumë e suksesshme. Pra, nëse dikush dëshmon, ta zëmë që në muajin shkurt të vitit 2026 ka kursyer energji elektrike duke konsumuar më pak kilovat-orë sesa në shkurtin e vitit 2025, menjëherë do të shpërblehet. 150 milionë euro në mandatin që do të vijë, do t’i ndajmë për efiçiencën e energjisë elektrike. Sepse ne shpenzimin suplementar, le ta quajmë ashtu, por në anën tjetër ekzistencial, që e kemi te energjia elektrike është për ngrohje. Tash merreni me mend, digjet linjiti si qymyr, punojnë turbinat e gjeneratorit, e shndërrojnë energjinë termike në energji elektrike, të cilën ne sërish e shndërrojmë në energji termike nëpër shtëpitë dhe banesat tona. Prandaj kogjenerimi do të jetë një zgjidhje. Do ta dyfishojmë kogjenerimin prej termocentraleve. Do të kemi gjithashtu edhe mundësinë për ngrohje nëpërmjet paneleve solare dhe do ta shohim edhe mundësinë që sa më shpejt të hyjmë në gazifikimin e linjitit, pra në kapacitete të reja energjetike. Besoj që e ardhmja afatshkurtër dhe afatmesme do të jenë shumë të mira edhe në këtë aspekt”, tha Kurti./KosovaPress.

Vuçiç “shpërthen” kundër Shqipërisë: Është kërcënim, rezoluta 12 44 e Kosovës ka rënë

“Rendi botëror ka rënë!”. Kështu u shpreh presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, pas një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku diskutoi me tonë kritike për operacionin amerikan për kapjen e mikut të tij në Venezuelë, Nikolas Maduro.

“Pas veprimeve në Venezuelë, është plotësisht e qartë se rendi publik ndërkombëtar dhe Karta e OKB-së nuk zbatohen”, theksoi Presidenti serb, duke shtuar se ligji i forcës dhe ligji i më të fortit po dominojnë botën.

“Pra, ju e shihni që nuk ka parime. Kjo është arsyeja pse ne jemi veçanërisht të shqetësuar për armatimin e mëtejshëm të Prishtinës, në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244, e cila është pezulluar de facto, por jo de jure, nga fuqitë e mëdha, siç është Turqia. Ato po e armatosin me shpejtësi Prishtinën. Një kërcënim i veçantë për sigurinë e Serbisë është aleanca ose bashkimi i sapokrijuar i Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, i cili po zhvillohet në një fushë të gjerë që përfshin zhvillimin e përbashkët të sistemeve komplekse luftarake nga automjetet katër me katër deri te armët dhe mjetet më të fuqishme”, tha Vuçiç, duke shtuar se Serbia po e monitoron nga afër këtë dhe po përgatitet për mbrojtje kundër atyre që pretendoi se tani po bëjnë “kërcënime të hapura” ndaj Serbisë.

“Duam t’ju themi se Republika e Serbisë po e ndjek këtë me kujdes dhe ne jo vetëm që po e ndjekim, por po përgatitemi edhe për t’u mbrojtur kundër atyre që, as fshehurazi, por hapur kërcënojnë vendin tonë. Ne besojmë se forca jonë do të jetë një pengesë e mjaftueshme”, theksoi Vuçiç. (A2 Televizion)

Gruaja në Podujevë sulmon fizikisht bashkëshortin

Një grua ka sulmuar fizikisht bashkëshortin e saj.

Policia e ka arrestuar dhe e njejta është dërguar në mbajtje.

Raporti:

Podujevë 03.01.2026-23:26. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare, pasi që e njëjta pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshortin e saj viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.

Numërohen gati 30% e votave me postë, VV e para deri tani, kjo është partia e dytë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë përditësimin e fundit kur janë numëruar 28.26% e votave me postë, shkruan Reporteri.net.

Nga 26 kuti nga 92 sa janë gjithsej, aktualisht Lëvizja Vetëvendosje prin me 70.67% apo 4,932.

Në vend të dytë është Lidhja Demokratike e Kosovës me 10.65% apo 743 vota

Pas saj vie, Partia Demokratike e Kosovës me 8.68% apo 606 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në vend të katert aktualisht me 8.44% apo 589 vota.

Kryeziu i reagon Gjergj Dedajt: Matuf që s’ka pikë dashurie për Kosovën

Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, i ka reaguar Gjergj Dedajt, ish-ambasador i Kosovës në Maqedoni të Veriut, i cili vlerësoi dramatikisht se Kosova po rrëshqet drejt diktaturës.

Kryeziu ka qenë i ashpër ndaj Dedajt, duke përdorur një term abritrat.

Kryeziu e quajti matuf Dedajn.

“Përkufizimi i një matufi që nuk ka asnjë pikë dashurie për vendin e vet” – shkroi Kryeziu.

Numërohen votat e para me postë, kjo parti po prin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar rezultatet e votave me postë, ku deri tani janë numëruar 25% e fletëvotimeve nga mërgimtarët.

Për momentin, Vetëvendosje vazhdon të udhëheqë me një rezultat të shkëlqyer, duke fituar 69% të votave të procesuar. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është e dyta me 11.28%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka arritur 9.43% të votave.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 8.13% të votave, apo gjithsej 506 vota

Kujtojmë se më 28 dhjetor, qytetarët e Kosovës zhvilluan zgjedhjet parlamentare, ku Vetëvendosje fitoi bindshëm me rreth 50% të votave. Priten rezultate të tjera nga procesi i numërimit të votave me postë në ditët në vazhdim.

Gjykata Kushtetuese nis shqyrtimin e kërkesës së re të Hashim Thaçit

Gjykata Speciale ka njoftuar se është caktuar Paneli i Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës së re referuese të Hashim Thaçit në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, që ka të bëjë me veprat kundër administratës së drejtësisë.

Në një njoftim të Gjykatës, thuhet se më 30 dhjetor, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Alenka Trendafilova, caktoi Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur në lidhje me kërkesën që Thaçi e dorëzoi në të njëjtën ditë. Paneli do të përbëhet nga gjyqtarët Vidar Stensland, Roumen Nenkov dhe Piotr Hofmański, të cilët do të shqyrtojnë kërkesën në vijim të vendimit të Gjykatës së Apelit të 28 tetorit 2025.

“Më 30 dhjetor, Kryetare Trendafilova caktoi Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur në lidhje me kërkesën referuese të dorëzuar nga Hashim Thaçi në të njëjtën ditë. Gjykatësit Vidar Stensland, Roumen Nenkov dhe Piotr Hofmański do të vendosin në lidhje me këtë kërkesë referuese që pason vendimin e Gjykatës së Apelit të 28 tetorit 2025”, njofton Specialja.

A do të jetë deputet? Djali i Jakup Krasniqit flet pas rezultateve të zgjedhjeve

Kandidati për deputet nga PDK-ja, Altin Krasniqi, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke pranuar se nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për mandat.

Ai ka falënderuar qytetarët për mbështetjen, duke theksuar se, ndonëse rezultati nuk ishte ai i dëshiruar, vota e marrë përfaqëson “një besim të madh”, transmeton lajmi.net.

“Ju falënderoj nga zemra secilin qytetar për votën dhe mbështetjen që ma keni dhënë më 28 dhjetor. Kjo mbështetje, edhe pse nuk ishte e mjaftueshme për ta arritur qëllimin, për mua përfaqëson një besim të madh”, ka shkruar Krasniqi, duke shtuar se gjatë fushatës ka ndier pritje për ndryshim në çdo qytet e fshat ku është takuar me qytetarë.

Ai ka theksuar se angazhimi i tij politik nuk ka qenë personal, por në shërbim të partisë dhe interesit publik, edhe në raste kur qëndrimet e tij “kanë kushtuar politikisht”.

Krasniqi ka shprehur shpresën që qeverisja e ardhshme ta ketë prioritet përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe ka kritikuar, siç ka thënë ai, “stagnimin, përçarjen dhe gjuhën e urrejtjes” të viteve të fundit.

Postimi i plotë: 

Ju falenderoj nga zemra secilin qytetar për votën dhe mbështetjen që ma keni dhënë më 28 dhjetor. Kjo mbështetje, edhe pse nuk ishte e mjaftueshme për ta arritur qëllimin, për mua përfaqëson një besim të madh.
Në çdo shtëpi, në çdo fshat e në çdo qytet ku jam pritur me respekt dhe dinjitet, kam ndier nga afër besimin tuaj dhe pritjen për ndryshim. Ky besim është arsyeja pse angazhimi im publik nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë personal, por gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe interesit të përgjithshëm.
Edhe pse mandati im i parë ishte i shkurtër, jam përpjekur vazhdimisht ta jap maksimumin për vendin dhe për partinë, duke vepruar me përgjegjësi dhe bindje politike.
Edhe në momente të vështira, kur vendimet e partisë nuk kanë qenë të lehta e as gjithmonë të mirëpritura, kam zgjedhur t’i respektoj ato. Kam mbështetur qëndrime për të cilat kam qenë i vetëdijshëm se do të më kushtonin politikisht. Edhe kur partia ka kaluar në faza përçarjeje, kam mbrojtur interesin e saj, jo veten time.
Megjithatë, është bërë e qartë se shpeshherë vlerësohen më shumë vendimet populliste ose heshtja, sesa qëndrimi i hapur dhe mbrojtja e bindjeve politike. Përkundër kësaj, besoj se roli i individit ka rëndësi vetëm aq sa i shërben një vizioni më të madh dhe një qëllimi të përbashkët.
Shpresoj që kushdo që qeveris me vendin, sot apo nesër, ta ketë prioritet përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe kthimin e Kosovës drejt normalitetit, zhvillimit dhe bashkëjetesës demokratike. Vendi ka nevojë për qeverisje me vizion dhe përgjegjësi, jo për stagnim, përçarje dhe gjuhë urrejtjeje, siç fatkeqësisht i kemi përjetuar gjatë këtyre pesë viteve, e veçanërisht gjatë vitit 2025.

Këta pritet të jenë deputetët e ardhshëm në Kuvend

Në Qendrat Komunale të Numërimit (QNR) ka përfunduar numërimi i të gjitha fletëvotimeve.

Bazuar nga të dhënat e publikuara në platformën e KQZ-së, ku nuk janë të përfshira votat me kusht, me postë, të personave me nevoja të veçanta dhe të kosovarëve që kanë votuar në përfaqësitë diplomatike, këta deputetë pritet t’i zënë ulëset në Kuvendin e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i sigurojë 56 ulëse me këtë përbërje: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Donika Gërvalla, Xhelal Sveçla, Hajrulla Çeko, Avni Dehari, Mimoza Kusari-Lila, Ejup Maqedonci, Shqipe Mehmeti-Selimi, Andin Hoti, Arben Vitia, Saranda Bogujevci, Alban Bajrami, Edona Llalloshi, Refki Suma, Mefail Bajqinovci, Jeta Statovci, Nezir Kraki, Ardiana Matoshi, Ardian Gola, Armend Muja, Haxhi Avdyli, Adelina Grainca, Albena Reshitaj, Taulant Kelmendi, Blerim Gashi, Fitore Pacolli-Dalipi, Artane Rizvanolli, Hysen Durmishi, Labinotë Demi, Dimal Basha, Arbër Rexhaj, Agim Bahtiri, Arbëreshë Kryeziu, Fatos Geci, Arjeta Fejza, Artan Abrashi, Arbërie Nagavci, Enver Haliti, Valon Ramadani, Liza Gashi, Adnan Rrustemi, Fatmire Kollçaku, Jeton Raka, Drita Pajaziti, Arsim Ademi, Fitim Haziri, Fjolla Ujkani, Rozeta Hajdari, Valon Hoti, Sylejman Meholli, Ilir Kërçeli, Salih Zyba dhe Naim Bardiqi.

Partia Demokratike e Kosovës pritet t’i fitojë 23 ulëse: Bedri Hamza, Arian Tahiri, Përparim Gruda, Uran Ismaili, Sala Jashari, Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj, Arben Mustafa, Nait Hasani, Rrahman Rama, Eman Rrahmani, Kujtim Gashi, Ganimete Musliu, Elmi Reçica, Artan Behrami, Xhavit Haliti, Besa Kabashi-Ramaj, Mergim Lushtaku, Ferat Shala, Bekim Haxhiu, Hajdar Beqa, Blerta Deliu-Kodra dhe Jakup Nura.

Lidhja Demokratike e Kosovës mund t’i rrëmbejë 15 karrige: Lumir Abdixhiku, Hykmete Bajrami, Ukë Rugova, Avdullah Hoti, Doarsa Kica-Xhelili, Kujtim Shala, Anton Quni, Armend Zemaj, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku-Sadriu, Janina Ymeri, Besian Mustafa, Ardiana Thaqi-Meta, Ermal Sadiku dhe Fadil Hadërgjonaj.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet të ketë gjashtë deputetë: Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha, Agim Çeku dhe Time Kadrijaj.

Këto janë rezultate preliminare, dhe disa emra mund të ndryshojnë pas certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së./EO

LDK-ja me 15 deputetë, zbulohet nëse Lumbardh Salihu do të jetë pjesë e listës

Fituesi i edicionit të dytë të Big Brother VIP Kosova, Lumbardh Salihu, nuk ka arritur të sigurojë një ulëse në Kuvendi i Kosovës në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Salihu garoi në këto zgjedhje si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me numrin rendor 77 në listën zgjedhore të kësaj partie. Megjithatë, ai nuk arriti të marrë votat e nevojshme për t’u përfshirë në mesin e 15 deputetëve që LDK-ja ka siguruar në këtë legjislaturë.

Sipas rezultateve të deritanishme, ish-futbollisti nga Vitia ka marrë gjithsej 3,469 vota, duke u renditur i 68-ti në listën e LDK-së për nga numri i votave. Ky rezultat e lë atë larg pragut të nevojshëm për të fituar një mandat deputeti

Kjo nuk është hera e parë që Lumbardh Salihu tenton të hyjë në Kuvend, pasi edhe në zgjedhjet e kaluara ai nuk kishte arritur të siguronte mbështetjen e mjaftueshme për të fituar një ulëse parlamentare.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që në këtë legjislaturë të ketë vetëm 15 deputetë, çka përfaqëson një nga rezultatet më të dobëta të saj në zgjedhjet parlamentare, në krahasim me historikun e kësaj partie.

Rezultati i Lumbardh Salihut tregon edhe një herë se popullariteti televiziv nuk përkthehet domosdoshmërisht në mbështetje elektorale, ndërsa gara për vota mbetet e varur nga struktura partiake dhe besimi i drejtpërdrejtë i qytetarëve.

Image