19.7 C
Pristina
E hënë, 9 Qershor, 2025

Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale që u ndalua në Serbi të hënën del para gjykatës në Beograd, reagon MPJD

Ish-polici i Kosovës, Arbnor Spahiu, është ndaluar nga autoritetet serbe më 7 qershor 2025, rreth orës 09:00, në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë.

Lajmin e ka bërë të ditur për Telegrafin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Sipas MPJD-së, Spahiu po udhëtonte me autobus së bashku me familjen, gjatë kthimit të tij nga Austria drejt Kosovës.

Menjëherë pas marrjes së informacionit për ndalimin, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka dorëzuar një kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

“Kërkesa ka pasur për qëllim konfirmimin e ndalimit, ofrimin e sqarimeve mbi bazën ligjore të tij, si dhe informimin mbi vendndodhjen dhe gjendjen aktuale të z. Spahiu”, thuhet në përgjigjen e zyrtares së MPJD-së, Qendresa Fazliu.

Spahiu po mbahet aktualisht në Qendrën e Paraburgimit në Kanjizha, në rajonin e Vojvodinës.

Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd është në kontakt të vazhdueshëm me bashkëshorten e tij dhe po ndjek nga afër zhvillimet.

Ai pritet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake më 9 qershor, në ora 09:00, në Gjykatën Komunale të Kikindës.

MPJD ka njoftuar gjithashtu se ka informuar edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Beograd lidhur me ndalimin, dhe se do të vazhdojë të ndjekë rastin përmes kanaleve diplomatike, duke mbajtur të informuara institucionet relevante dhe partnerët ndërkombëtarë.

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here