Presidenti rus, Vladimir Putin ka miratuar një strategji të re detare e cila synon të rivendosë plotësisht pozicionin e Rusisë si një nga fuqitë kryesore detare në botë, ka thënë ndihmësi i Kremlinit, Nikolai Patrushev, në një intervistë të botuar të hënën.
Rusia ka marinën e tretë më të fuqishme në botë pas Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, sipas shumicës së renditjeve publike, megjithëse marina ka pësuar një sërë humbjesh në luftën e Ukrainës, raporton Reuters.
Patrushev, një ish-oficer i KGB-së (agjencia kryesore e sigurisë së Bashkimit Sovjetik nga viti 1954 deri në vitin 1991) i cili ka shërbyer me Putinin në qytetin verior rus të Shën Petersburgut gjatë kohës sovjetike, ka thënë se strategjia e re detare, e titulluar “Strategjia për Zhvillimin e Marinës Ruse deri në vitin 2050”, është miratuar nga Putini në fund të majit.
“Pozicioni i Rusisë si një nga fuqitë më të mëdha detare në botë po rikuperohet gradualisht”, ka thënë Patrushev për gazetën ruse “Argumenti e Fakti”.