Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, ka reaguar ashpër ndaj komentuesve në rrjete sociale, pas një vale komentesh që ajo i ka cilësuar si gënjeshtra dhe linçime të organizuara ndaj saj, shkruan Insajderi.
Përmes një postimi në profilin e saj, Balje ka thënë se brenda një dite ka marrë gati 400 komente në një publikim të fundit, duke u drejtuar publikisht ndaj atyre që e kanë kritikuar.
Deputetja ka lënë të kuptohet se reagimi i saj lidhet me vendimin e Kurtit për shkarkimin e bashkëpartiakut, pas së cilës ajo shkroi në Facebook: ‘Hakmarrja nuk ka nisur, veç ka vazhduar!”.
“Përshëndetje për të gjithë ju që nga dje keni shkruar komente në postimin tim të fundit — gati 400 prej jush. Dua t’ju them këtë: nëse keni ndonjë provë, qoftë edhe më të voglën, që unë ose ndonjë anëtar i familjes sime kemi bërë diçka të keqe ndaj shtetit apo ndonjë individi, raportojeni aty ku duhet”, ka shkruar ajo.
Deputetja ka shtuar se në mungesë të provave, komentet e tilla janë vetëm përpjekje të kota për ta denigruar publikisht, duke theksuar se për tetë muaj është përballur me sulme të organizuara në rrjete sociale, por pa asnjë rezultat konkret.
“Nëse nuk keni — dhe të gjithë e dimë që nuk keni, e me çdo koment tuajin vetëm përhapni gënjeshtra — mos e humbni më kohën. Prej tetë muajsh po përpiqeni në mënyrë të organizuar të bëni të njëjtën gjë, dhe tashmë është bërë monotone, pa asnjë rezultat konkret. Asnjë koment i juaji nuk mund të ndryshojë asgjë në jetën time”, ka shkruar më tej Balje.
Ajo ka thënë se të gjitha gënjeshtrat, fyerjet dhe shantazhet që i drejtohen, sipas saj, vetëm “ia pastrojnë mëkatet”.
“Të gjitha ato gënjeshtra, linçime mediatike, fyerje, kërcënime dhe shantazhe vetëm më pastrojnë mëkatet. Në emër të kësaj — uroj të jeni mirë dhe me shëndet ju dhe familjet tuaja!”, shkroi ajo.



