Këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, Donika Kadaj-Bujupi, i ka reaguar deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, për deklaratën se presidentja “nuk ka vend në LDK, duke e cilësuar atë si përgjegjësen kryesore për rënien e partisë në zgjedhjet e vitit 2021.
”Kadaj-Bujupi i reagoi duke thënë se nuk ka asnjë kuptim e rezon shtetëror që Bajrami ta sulmojë publikisht Presidenten, dhe sipas saj, mënyra qysh iu referua presidentes Osmani vetëm me emër e mbiemër është vetëm formë që përdoret në mediat e Serbisë.
“Nuk ka asnjë kuptim e rezon shtetëror që një deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, profesoreshë universitare e madje nënkryetare e një partie tradicionale në politikën tonë, të mos ketë asnjë problem me subjektin më agresiv kundër shtetësisë sonë – Listën Serbe – por të zgjedhin të sulmojnë publikisht në një emision televiziv Presidenten e Republikës, pa asnjë motiv racional. Ato sulme po vazhdojnë edhe sot me gjuhë ofenduese e përplot shpifje e tentim denigrim”- ka shkruar Kada-Bujupi në Facebook.




