Skandali me rezervat shtetërore, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj ministres Rozeta Hajdari

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar vet ministrja Hajdari.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se sapo ta ketë pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohet për media.

“Sapo u njoftova nga avokati im, për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne. Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media. Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022”, ka shkruar ajo.

Vite më parë, Nacionale kishte publikuar audio-incizime të cilat dëshmonin për një skandal të madh në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Në kohën e pandemisë, MINT kishte porositur me kontrata njëburimore disa mallra për rezervën shtetërore, megjithatë një sasi e madhe e tyre nuk kishte arritur. Fjala ishte për miell, sheqer e vaj.