Shtyhet certifikimi i rezultateve: Kryeziu dhe Haxhiu ankohen në PZAP, kërkohet rinumërimi i votave
Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit pritet të shtyhet për disa ditë.
Kjo pasi dy kandidat për deputetë të PDK-së do të paraqesin ankesë ndaj rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu kanë paralajmëruar konferencë për media sot, pasi të dorëzojnë ankesa e tyre në PZAP.
Kandidati Qëndrim Kryeziu është shprehur i bindur se ka të drjetë në ankesën e tij.
“Sot, në 11:00 në PZAP përsëri paraqes ankesën për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Jam i bindur se kishte hajni në zgjedhje. Rezultati përfundimtar nuk e pasqyron vullnetin real të votuesve. Ky është cenim i demokracisë. Do të angazhohem deri në fund për mbrojtjen e saj”, ka shkruar Kryezi në profilin e tij në Facebook.
Ata pritet të kërkojnë rinumërim të plotë ët votave të PDK-së.
Një gjë të tillë e kishin bërë edhe pas numërimit, por ankesat e tyre ishin refuzuar nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme.
Dy të ditë me parë, Gjykata Supreme e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidatit për deputet të PDK-së, Qëndrim Kryeziu.
Në arsyetimin e aktgjykimit është thënë se vendimi i Panelit për Ankesa dhe Parashtresa ka qenë i drejtë.
“Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave të lëndës, gjeti se: Ankesa është e pabazuar”, është thënë në aktgjykimin e Supremes.
Duke pasur parasysh afatet që marrin shqyrtimin e ankesave të kandidatëve nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme, certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit mund të shtyhet deri javën e ardhshme.
