Dejona Mihali merret në pyetje në Speciale, dyshohet për lidhje me tenderë milionësh

0
52

Prokuroria Speciale është duke intervistuar Koordinatoren e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihalin.

Sipas raportimeve të mediave, të cilat kanë publikuar edhe pamje ku shihet Mihali duke hyrë në objektn e Prokurorisë, intervistimi i saj ka filluar në orën 09:30.

Mihali, konkretisht është ftuar të merret në pyetje për rastet e ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.

Burime të Paparacit kanë thënë se Mihali ka dijeni për tenderët milionësh në KEK për të cilët është nën hetim Nagip Krasniqi.

Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi ndodhet nën hetime për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, në një rast që ndërlidhet me dyshimet për dallaveret me tenderë publikë.

Në muajin gusht, ndaj Krasniqit është ngritur një aktakuzë për një rast tjetër të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Ai rast ka të bëjë me shit-blerjen e energjisë. Rasti për të cilin po hetohet ai aktualisht, është i ndarë nga tregtia me energji.

Dejona Mihali do duhej të intervistohej të premten në cilësinë e dëshmitares në Speciale, bazuar në një ftesë të Prokurorisë por ajo e refuzoi atë ftesë, raportoi Paparaci të premten e javës së shkuar.

Dejona Mihali është pjesë e të ashtuquajturit “Grup i Tiranës” në Lëvizjen Vetëvendosje. Pjesë e këtij grupi janë eksponentë në zë në LVV, të cilat kanë prejardhje nga Shqipëria. Aty bëjnë pjesë këshilltarët e kryeministrit Albin Kurti: Elvis Hoxha dhe Hysamedin Feraj.

“Grupi i Tiranës” ka tërhequr shpeshherë vëmendjen e opozitës në Kosovë, sidomos të atyre me prirje ideologjike kosovocentrike. Njëri prej tyre, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka cilësuar “të papranueshme” komentet e tyre politike ndaj aleatëve të Kosovës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here