Gjuajtja me armë zjarri nëpër dasma, policia arrestoi 70 persona

0
44

Gjuajtja me armë në dasma e ahengje është një zakon e kahmotshëm i shqiptarëve. Ani pse vazhdimisht Policia dhe institucionet e sigurisë bëjnë thirrje që të mos festohet me armë, rastet e tilla nuk kanë të ndalur, shkruan Gazeta Sinjali.

Vetëm gjatë muajit gusht, tre persona kanë mbetur të lënduar nga të shtënat me armë zjarri në ahengje.

Kështu ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët kanë bërë të ditur se gjatë muajit të kaluar janë arrestuar 70 persona në lidhje me këto raste, janë konfiskuar 71 armë e 824 municione.

 

 

“Gjatë muajit gusht 2024 lidhur me incidentet e të shtënave me armë në ahengje, Policia e Kosovës ka pranuar 74 raportime nga qytetarët, ka hapur 121 raste, ka konfiskuar 71 armë, ka konfiskuar 824 municione, ka arrestuar 70 persona dhe raporton se 3 persona kanë pësuar lëndime”, thuhet në njoftim.

Si shpesh herë, MPB sërish iu ka bërë thirrje qytetarëve që të festojnë me zemër e jo me armë, në mënyrë që të kujtojnë festën dhe jo tragjeditë që mund të ndodhin nga përdorimi i armëve në ahengje të tilla.

Po ashtu, kjo ministri ka bërë thirrje publike për raportimin e rasteve të përdorimit të armëve në ahengje, duke shtuar se bashkëpunimi është thelbësor në parandalimin e tragjedive që mund të shkaktohen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here