A po bëhet Bashkim Jashari president? Zbulohen detaje nga takimi me Kurtin
Burime të afërta me kryeministrin Albin Kurti bëjnë të ditur për Gazetën Minuti se gjatë një takimi të zhvilluar së fundmi me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, janë diskutuar një sërë çështjesh me rëndësi strategjike për vendin.
Sipas këtyre burimeve, në fokus të bisedës kanë qenë zhvillimet e fundit rreth transformimit dhe avancimit të Forca e Sigurisë së Kosovës, përfshirë edhe mundësinë e ndryshimit të ligjit që rregullon funksionimin dhe mandatin e saj. Ky ndryshim shihet si një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse të vendit, në përputhje me aspiratat euroatlantike të Kosovës.
Po ashtu, pjesë e diskutimit ka qenë edhe çështja e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të vendit. Burimet bëjnë të ditur se gjatë këtij takimi, emri i gjeneralit Jashari është përmendur si një nga opsionet potenciale për këtë post të lartë shtetëror.
Megjithatë, sipas të njëjtave burime, gjenerali Jashari nuk ka dhënë një përgjigje të menjëhershme lidhur me këtë propozim. Ai ka kërkuar kohë shtesë për të reflektuar, duke theksuar se i nevojiten të paktën dy ditë për të shqyrtuar me kujdes ofertën dhe për të marrë një vendim përfundimtar.
