Analisti i njohur i bashkohet Vjosa Osmanit
Vjosa Osmani, ka njoftuar për aderimin e analistit Visar Xani, si kandidat në zgjedhjet e 7 qershorit.
Osmani vlerësoi përvojën mbi 18-vjeçare të Xanit në gazetari, analiza politike, administratë publike dhe organizata ndërkombëtare, duke theksuar kontributin e tij në reforma dhe komunikim institucional.
Ajo tha se Xani sjell seriozitet dhe përkushtim ndaj shërbimit publik, duke i uruar sukses në “rrugëtimin e përbashkët”.
Ky është postimi i saj:
Për më shumë se tetëmbëdhjetë vjet, puna e Visar Xanit lidhet ngushtë me fjalën publike.
Visari i përket atij brezi që e njohu Kosovën në lëvizje, në debat, në përpjekjen e saj të vazhdueshme për t’u bërë shtet më i fortë e më i drejtë. Fillimisht si gazetar e analist politik, me syrin kritik ndaj zhvillimeve shoqërore e politike, e më pas brenda vetë institucioneve, aty ku fjala duhet të shndërrohet në përgjegjësi dhe puna në rezultat.
Në organizata ndërkombëtare dhe në administratë publike, Visari ka sjellë qetësinë e njerëzve që e kuptojnë shtetin si një projekt në të cilin duhet të punohet ditë pas dite. Visari ka kontribuar në reforma, në komunikim institucional dhe në formimin profesional të shumë zyrtarëve në Kosovë, në veçanti me rolin e tij si Koordinatori Nacional i RESPA-s për Kosovën.
Mbi të gjitha, ai sjell një cilësi që rrallë thuhet, por lehtësisht dallohet: seriozitetin e njeriut që e sheh shërbimin publik si detyrim ndaj qytetarëve dhe jo si privilegj.
I nderuar Visar, na priftë e mbara në këtë rrugëtim të përbashkët!
/Reporteri.net/
