div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged author author-arben-islami author-6 custom-background wp-custom-logo paged-6 author-paged-6 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Tahiri ‘shpall’ fitore: Kushtetuesja shfuqizon 13 ligje të Qeverisë Kurti

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka shfuqizuar 13 ligje të miratuara nga Qeveria Kurti, duke theksuar se ky është një triumf i rendit kushtetues dhe ligjshmërisë.

Tahiri ka bërë të ditur se, në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të PDK-së në legjislaturën e kaluar, më 5 dhjetor 2024, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ligjet e kontestuara, të cilat tashmë janë shpallur antikushtetuese.

“Si kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, në legjislaturën e kaluar, më 5 dhjetor 2024, i dërgova në Gjykatën Kushtetuese këto ligje dhe fituam. U shfuqizuan 13 ligje. Kushtetuta u mbrojt. Ligjshmëria triumfoi”, ka deklaruar Tahiri.

Gjykata Kushtetuese shfuqizon edhe Ligjin për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë

Gjykata Kushtetuese, të premten, nëpërmjet një aktgjykimi ka shfuqizuar edhe Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë, i cili ishte miratuar nga Kuvendi në dy lexime më 5 dhjetor 2024.

Ky ligj ishte dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët kishin pretenduar se miratimi i tij në Kuvend ishte bërë duke u shmangur afatet dhe procedurat ligjore.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me pesë vota për dhe dy kundër, janë shfuqizuar vendimet e Kuvendit të datës 5 dhjetor 2024, përmes të cilave ishte miratuar Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Me këtë ligj parashihej që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë, në rastet kur ekzistojnë dyshime për prejardhjen e saj.

Kushtetuesja i shfuqizon 12 ligje të Qeverisë Kurti

Gjykata Kushtetuese i ka shpallur antikushtetuese 12 ligje të miratura në Kuvend, nga shumica parlamentare e Qeverisë Kurti, gjatë legjislaturës së kaluar. Ndërsa vetëm 3 prej tyre, nga 15 për të cilat ishte ankuar PDK-ja në Gjykatatë Kushtetuese, i ka lënë në fuqi në fuqi, duke kaluar kështu testin e kushtetutshmërisë, shkruan Reporteri.net.

Sipas aktgjykimit të shpallur sot, Gjykata me 5 vota për, dy kundër, ka konstatuar se 12 vendime të Kuvendit, përmes të cilave ishin miratuar ligje të Qeverisë Kurti, nuk janë në përputhshmëri me nenet 4, 7, 74, 76 dhe 77 të Kushtetues së Kosovës. Ndërkohë, 3 ligjet tjera, ai për Bankat, Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe Gjykatën Administrative janë vlerësuar kushtetuese.

Ndërkohë ka shfuqizuar:

Ligjin për Shërbimet e Pagesave

Ligjin kundër dukurive negative në sport

Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit

Ligjin për provimin e maturës shtetërore

Ligjin për Banim Social dhe të Përballueshëm

Ligjin për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim

Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale

Ligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore

Ligjin për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore

Ligjin për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore)

Ligjin për Lojërat Mesdhetare.

Sipas aktgjykimit të Kushtetueses, Kuvendi gjatë miratimit të 12 ligjeve antikushtetuese, të gjitha të hartuara nga Qeveria Kurti sipas zotimeve dhe programit të saj politik, shkeli nenin kushtetues që rregullon formën e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit në vend; atë që përcakton vlerat themelore të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës; nenin që rregullon ushtrimi i funksionit të të zgjedhurve të popullit; atë që rregullon funksionimin e Kuvendit sipas rregulloreve të punës; dhe nenin e Kushtetutës që rregullon dhe përcakton rolin e komisioneve parlamentare në Kuvend./Reporteri.net

 

 

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Syla: S’kemi shumë shpresë për lajme të mira

Më 18 shkurt, katërshja e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, pritet t’i drejtohet gjykatës, datë kjo që shënon fundin e gjykimit të madh “Thaçi dhe të tjerët”.

Nënkryetari i OVL UÇK-së, Gazmend Syla, tha se si organizatë, nuk presin lajme të mira për Kosovën në shkurt të këtij viti.

“Qysh ka funksionu kjo Gjykatë prej që është themeluar deri më tani, nuk na jep shumë shpresë që kemi me pas një lajm shumë të mirë kur të jepet verdikti final”, tha Syla në Klan.

Pos tjerash, ai thotë se çfarë synonin me organizatën, tash e sa kohë.

“Krejt çka kemi bo si Organizatë e Veteranëve të Luftës, së bashku me juve mediat, çka kemi dashur me thënë ka qenë: ‘Shihni çka po ndodh atje’. Prandaj kemi nxitur shumë njerëz me reagu, prandaj kemi komunikuar me bashkësinë ndërkombëtare se çfarë po ndodh në Gjykatën Speciale”.

“Krejt këto i kemi bërë për me mbrri te epilogu që do të ndodhë në shkurt”, u shpreh Syla.

Vdes ish-ministri i Financave

Ka vdekur në moshën 75-vjeçare, Ali Sadriu, ish-ministër i Financave dhe ish-drejtor ekzekutiv i QKUK-së.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar familja e tij e ngushtë.

“Të nderuar miq dhe familjarë. Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se sot ndërroi jetë babai ynë i dashur, Ali Shaban Sadriu. Për detajet e varrimit do t’ju njoftojmë me kohë”, ka shkruar në Facebook i biri i tij, Flamur Sadriu.

Kush ishte Ali Sadriu?

Ali Sadriu, sipas biografisë së publikuar në ueb-faqen e Kuvendit të Kosovës, ka qenë drejtor ekzekutiv i QKUK-së, deputet i LDK-së (1992-1998, 1998-2002, 2002-2004, 2004-2008,2011-2014), Ministër për Ekonomi dhe Financa (2002-2004), Bashkëdrejtues i Autoritetit Qendror Fiskal (2000-2002), Drejtor financiar në Fakultetin e Mjekësisë 1977-1980, Drejtor financiar në Bankos (1980-1990), Drejtor financiar “Fabrika e Veglave dhe Ujtive Elektrike” (1975-1977).

 

Rezultati i dobët në zgjedhje, Abdixhiku del me një njoftim

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Lidhja Demokratike e Kosovës  ka rënë në 15 ulëse, nga 20 sa kishte. Ajo mori 13.23 për qind të votave.

Abdixhiku ka përsëritur se ky rezultat nuk ishte ai që e prisnin, por tha se respekton verdiktin e qytetarëve.

Ai tha se pas certifikimit të rezultateve, sipas statutit do të mblidhet Kryesia e LDK-së, dhe sipas tij  do të organizohet dhe Kuvendi i LDK-së, aty ku vendosë anëtarësia, e jo siç ka shkruar Abdixhiku “klithmat e interesave të ngushta”.

“Në Kuvend, në organet legjitime të partisë, nga anëtarësia e partisë, vendoset fati i LDK-së. Aty do të trajtohen të gjitha çështjet politike, organizative dhe vendimmarrëse – mbi të gjitha të përgjegjësisë dhe të vizioneve tutje përpara”, ka shkruar ai.

Ai po ashtu ka shkruar se ata që po e godasin LDK-në, qëllimet nuk i kanë të mira.

“Kjo është mënyra jonë. Kjo ka qenë gjithmonë LDK-ja: përgjegjësi, maturi, rend institucional dhe respekt për demokracinë e brendshme.
Një fjalë të drejtpërdrejtë kam dhe për ata që sot po e godasin LDK-në nga jashtë: qëllimet e tyre nuk kanë qenë kurrë të mira, as për LDK-në e as për arritjen e një rezultati më të mirë zgjedhor.

LDK-ja nuk ndërtohet me sulme nga jashtë, e as me gëzim për humbjen e saj. LDK është më e madhe se çdo individ, por edhe më e fortë se çdo zë që synon ta dobësojë. Ne do ta bëjmë fatin tonë, me qetësi, me ndershmëri dhe me përgjegjësi; siç i ka hije kësaj shtëpie politike e cila nuk braktiset e as nuk goditet në ditët e saja më të vështira.
Faleminderit secilit që na votoi, na mbështeti dhe na qëndroi pranë. Besimi juaj mbetet detyrimi ynë më i madh”, ka shkruar Abdixhiku.

Postimi i plotë:

Ju faleminderit!
Ju faleminderit nga zemra, të gjithë 126.102 qytetarëve të Kosovës që i besuan LDK-së në këto zgjedhje. Çdo votë e dhënë për ne është përgjegjësi, respekt dhe obligim për të ardhmen. Ju faleminderit për besimin, për durimin dhe për angazhimin në një garë të vështirë.

Nuk është e tepërt të përsëritet se rezultati zgjedhor nuk ishte ai që pritëm; larg madje. Por është verdikt i qytetarëve të vendit tonë dhe para tij përulemi me respekt të plotë.

LDK e asnjë individ nuk i shmanget asnjë përgjegjësie dhe asnjë reflektimi; kjo na dallon. Dalim faqebardhë në secilin veprim tonin.

Por njëkohësisht, dua të jem i qartë: LDK është parti institucionale. Çështjet tona nuk zgjidhen në statuse emocionale, as në klithma sociale, e as në debate të çastit. Pas certifikimit të rezultateve, sipas Statutit dhe traditës sonë demokratike, do të mblidhet Kryesia e LDK-së; dhe pas saj, siç kam paralajmëruar natën e zgjedhjeve, do të organizohet dhe Kuvendi i LDK-së, aty ku vendosë anëtarësia, e jo klithmat e interesave të ngushta. Në Kuvend, në organet legjitime të partisë, nga anëtarësia e partisë, vendoset fati i LDK-së. Aty do të trajtohen të gjitha çështjet politike, organizative dhe vendimmarrëse – mbi të gjitha të përgjegjësisë dhe të vizioneve tutje përpara.

Kjo është mënyra jonë. Kjo ka qenë gjithmonë LDK-ja: përgjegjësi, maturi, rend institucional dhe respekt për demokracinë e brendshme.
Një fjalë të drejtpërdrejtë kam dhe për ata që sot po e godasin LDK-në nga jashtë: qëllimet e tyre nuk kanë qenë kurrë të mira, as për LDK-në e as për arritjen e një rezultati më të mirë zgjedhor.

LDK-ja nuk ndërtohet me sulme nga jashtë, e as me gëzim për humbjen e saj. LDK është më e madhe se çdo individ, por edhe më e fortë se çdo zë që synon ta dobësojë. Ne do ta bëjmë fatin tonë, me qetësi, me ndershmëri dhe me përgjegjësi; siç i ka hije kësaj shtëpie politike e cila nuk braktiset e as nuk goditet në ditët e saja më të vështira.
Faleminderit secilit që na votoi, na mbështeti dhe na qëndroi pranë. Besimi juaj mbetet detyrimi ynë më i madh.
Lumiri

Paralajmërim: Ky vend pritet të goditet nga një stuhi e fuqishme dimërore

Gjermania po përgatitet për reshje të mëdha dëbore këtë fundjavë duke çuar në mbylljen e shkollave dhe vonesa të fluturimeve.

Shërbimi Gjerman i Motit DWD ka parashikuar stuhi të forta dëbore që do të godasin vendin gjatë natës, veçanërisht në Gjermaninë lindore dhe qendrore, si dhe midis qyteteve veriore të Bremenit dhe Hamburgut.

Një meteorolog i DWD-së e përshkroi motin si “ekstrem”, me trashësinë e borës që pritet të arrijë deri në 20 centimetra në disa pjesë të Gjermanisë.

Ndërsa disa pjesë të Gjermanisë janë mbuluar nga dëbora dhe akulli për ditë të tëra, shërbimi i motit paralajmëroi se “kombinimi i erës dhe dëborës” që po vjen mund të shkaktojë kaos dhe të çojë në ndërprerje të trafikut.

Stuhia “Elli” pritet të godasë nesër vendin, përpara se të humbasë forcën dhe të lëvizë në lindje drejt Republikës Çeke të shtunën.

Partia qeverisëse e Kristiandemokratëve (CDU) anuloi takimin e parë të madh të partisë për këtë vit – për shkak të përkeqësimit të motit.

Rreth 350 pjesëmarrës, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe rreth 100 përfaqësues të medias, do të mblidheshin në konferencën dyditore të partisë në Mainz, në dalje të Frankfurtit.

Merz tha se udhëheqja e partisë ka planifikuar ta zhvillojë takimin online dhe të miratojë disa rezoluta.

Veprimtari i Ilegales: Shqiptarët duhet të varrocen pa ceremoni fetare

Është varrosur Rrahime Krasniqi, nëna e Arben Krasniqit, e cila priti e u kujdes për disa nga heronjtë e vendit. Sipas veprimtarit të ilegales, Mustaf Lajqi, e ndjera ka porositur të afërmit, që rituali i varrimit të kryhet pa ceremoni fetare.

Kjo porosit, Lajqi tha se i gëzoi shumë shokët e djalit të saj, veprimtarët e Ilegales.

“Shembulli më i mirë se si duhet të varrosen shqiptarët ishte edhe rasti i varrimit të Nënës Rahime(nëna e Arben Krasniqit)në varrezat e Hashanëve(Obiliq),ku me porosinë e vet Nënës Rukije të lënë nga vet ajo që rituali i varrimit të kryhet pa ceremoni fetare neve shokëve të ilegales na bëri që të ndjehemi krenar që jemi shqiptarë…!!!…”, tha ai.

Lajqi shkoi më tutje, duke thënë se varrimet me rituale fetare kanë degraduar, dhe se nuk shfaqin kulturën shqiptare.

“Varrimet me rituale fetare islamike kanë degraduar deri në atë shkallë,sa që unë i kam quajtur “rituale të shpifura islamike”me të cilat nuk na lidhë asnjë gjë dhe shkojnë deri në degradimin e shkallës së fundit duke u larguar totalisht nga islami ynë tradicional!

Këto varrime gjithçka mund ti quash vetëm varrime shqiptare nuk janë,e kanë përqudnuar dhe degraduar traditën tonë të varrimeve!

Është koha e fundit që ritualet e varrimit të marrin konotacin të mirëfilltë shqiptar dhe domosdoshmërisht ti kthehemi vetvetes dhe qenësisë sonë shqiptare…!!!…”, tha ai.

Mimoza Kusari këtë mandat do të jetë ministre?

Pas certifikimit të rezultateve, së shpejti pritet të hapet rruga për krijimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.

Albin Kurti pritet të vazhdojë mandatin e tretë qeverisës.

Mimoza Kusari, e cila edhe në mandatin e kaluar ishte shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, pritet që kësaj radhe të jetë ministre

Ajo ka konfirmuar nominimin e saj për një post ekzekutiv.

“Nga propozimet e dy mandatarëve në legjislaturën e kaluar, jam propozuar për qeveri. Kësaj radhe, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, do të ketë diskutim final, por në parim jam e nominuar për një post ekzekutiv”, ka thënë Kusari-Lila, raporton Indeksonline.

Kusari-Lila ishte propozuar më herët nga Kurti për drejtimin e Ministrisë së Tregtisë, në qeverinë që nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme në Kuvend.

Zgjedhja e e Presidentit të ri, PDK-ja del me këtë qëndrim

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të qartë qëndrimin e saj sa i përket zgjedhjes së Presidentit të ri, pas triumfit të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare i PDK-së, Bernard Nikaj, ka konfirmuar se nuk do të ketë votë “blanko” për asnjë kandidat pa një dakordim paraprak.

Edhe pse LVV ka fituar mbi 50% të votave dhe mund ta formojë qeverinë e vetme, numrat për zgjedhjen e Presidentit kërkojnë prezencën e 80 deputetëve në sallë, gjë që e vendos opozitën në një pozicion kyç.

Nikaj ka kujtuar qëndrimin e PDK-së nga viti 2021, duke shtuar se partia e tij nuk do të lëkundet nga parimet e saj, pavarësisht presionit apo “kërcënimeve” me zgjedhje të reja.

“Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar të votojë vetëm për një kandidat të cilin e propozon z. Kurti pa një marrëveshje ose diskutim politik. Edhe kësaj radhe nuk ka asnjë arsye që ne, pa një diskutim politik apo dakordim, të shantazhohemi ose të kërcënohemi në votimin e cilitdo kandidat”, deklaroi Nikaj në Klan Kosova.

Pas rezultatit rekord të 28 dhjetorit, Albin Kurti e ka rrugën e hapur për Kryeministër, por nyja e vërtetë politike mbetet posti i Presidentit. Pa një marrëveshje me partitë opozitare, veçanërisht me PDK-në apo LDK-në, vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje nëse dështojnë tri raundet e votimit për kreun e shtetit./Insajderi