“Fshesa e Ramës”, shkarkohet edhe një drejtor i LDK-së në komunën e Prishtinës
Samir Shahini bën të ditur se mandati i tij si drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës ka përfunduar.
Përmes një postimi, ai ka thënë se ky vendim është marrë nga i pari i kryeqytetit, Përparim Rama, raporton KosovaPress.
Tutje, ai është shprehur “puna që kemi nisur nuk ishte e zakonshme dhe nuk duhet të trajtohet si e tillë”.
Drejtori i deritanishëm i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini ka thënë se ka sfiduar mënyra të vjetra të funksionimit, ku në vijim ka numëruar edhe punët e deritanishme
– kemi inicuar procesin e analizimit e largimit të ngarkesës administrative për mësimdhënësit,
– kemi shpërndarë mbi 300 tabela digjitale në dhjetëra shkolla për më pak se 1 vit,
– kemi filluar Ligen e Shkollave për djem, e këtë vit edhe për vajza,
– kemi nënshkruar rreth 40 marrëveshje bashkëpunimi me OJQ dhe biznese në të mirë të sistemit të arsimit,
– kemi kërkuar matje reale të dijes, dhe kemi shtyrë përpara përgjegjësinë në çdo nivel – nga drejtori te klasa.
Këto asnjë nuk janë procese të lehta. Por janë të domosdoshme.
Për këtë rrugë që kemi hapur, për gjithë punën e përkushtimin tim gjatë kësaj kohe jam jashtëzakonisht krenar, e sot largohem me kokën lart.
Dhe mbi të gjitha, jam mirënjohës për ju që nuk keni zgjedhur rrugën më të lehtë, por atë që i shërben më së miri nxënësit.
Ndryshimi në arsim nuk vjen nga vendimet e një dite. Vjen nga qëndrueshmëria në procese. Nga guximi për të mos u kthyer mbrapa.
Prandaj, vazhdoni.
Mos e ulni standardin. Mos e ndalni ritmin.
Sepse në fund, nuk është çështje mandati. Është çështje e së ardhmes së fëmijëve tanë.
I juaji,
Samir Shahini
