Haxhi Avdyli: Vjosa Osmani e ka bërë kryeministër Albin Kurtin
Ish-deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka folur sërish për procesin e zgjedhjes së presidentit.
Ai ka treguar se deri në momentet e fundit para kandidimit të Glauk Konjufcës, kishte besuar se bëhej fjalë për një strategji politike të Albin Kurtit.
Sipas tij, kishte menduar se Kurti nuk do ta kandidonte Konjufcën dhe se mund të kërkonte mbështetje nga LDK-ja përmes nënshkrimeve.
“Unë mendoj që deri ditët e fundit kur është kandiduar Glauku, akoma ne e kemi pasur një bindje që Albin Kurti është duke e bërë një politikë, është një taktikë e Albinit. Unë kam menduar që nuk e kandidon as Glaukun dhe shkon i thotë LDK-së “mi jep ato 15 nënshkrime”.
“Konkretisht një ditë apo dy para se të nominohet Glakuku, na është thënë që kandidat do të jetë Glauk Konjufca dhe një kandidat tjetër formal, që më vonë doli që është Fatmirja. Normalisht unë nuk isha i bindur pse nuk po bën Vjosa”, tha ai në Klan Kosova.
Avdyli ka theksuar se një ose dy ditë para nominimit, ishte bërë e ditur se kandidat do të ishte Konjufca, së bashku me një kandidat tjetër formal.
Sipas tij, zakonisht mosnominimi i një figure lidhet me performancë jo të mirë, por në rastin e Osmanit, sipas tij, ajo e kishte përfaqësuar Kosovën në mënyrë shumë të mirë.
“Zakonisht kur dikush nuk nominohet ose shkarkohet, bëhet kur nuk ka punuar mirë, askush në grup parlamentar, por as qytetarët nuk e kam hasur që kanë thënë që kjo nuk po punon mirë, kjo është shkarkuar që lka punuar shumë, e ka prezantuar Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai.
Avdyli ka përshkruar edhe atmosferën në momentin e nominimit, duke thënë se shumë deputetë dukeshin të pakënaqur.
“Në momentet e nominimit unë edhe i kam parë fytyrat e deputetëve që kanë qenë të ngrysura, deputetëve të tjerë, jo të Guxo-s, të gjithë janë ndjerë keq, sepse ata kanë besuar dhe akoma e di që shancat më të mëdha për t’u bërë kryetare e shtetit, me vazhdu, i ka pasur Vjosa Osmani, asnjëri tjetër nuk i ka pasur”, tha ai.
Ai ka treguar gjithashtu se kishte komunikime me disa deputetë që nuk ishin të informuar për zhvillimet dhe që shprehnin mbështetje për Osmanin.
Megjithatë, ai u shpreh i habitur që disa prej tyre më pas dolën publikisht me qëndrime kundër saj.
“Shumë më kanë thirrur çka po bëhet, as ata nuk kanë qenë të informuar çka po bëhet, “a po bëhet Vjosa, mirë është me shku Vjosa”, shumë deputetë 3-4 e di që kam komunikuar edhe përmes telefonit. Ata po ndihen shumë keq, por tash po çuditem kur të njëjtit po dalin e po bëjnë video kundër Vjosës”, tha ai.
Në fund, Avdyli theksoi se, sipas tij, në vitin 2021 ishte Vjosa Osmani ajo që ndikoi në ardhjen e Albin Kurti në postin e kryeministrit.
“Vjosa Osmani e ka bërë kryeministër Albin Kurtin, jo Albin Kurti, Vjosa Osmanin, po flasim për vitin 2021”, u shpreh ai.
