Koci: Serbia ndaloi një qytetar nga Gjakova, ai është dërguar në Beograd
Një tjetër qytetar nga Kosova është ndaluar nga autoritetet serbe.
Sipas njoftimit të avokatit Arianit Koci, mbrëmë, gjatë kalimit të kufirit mes Serbisë dhe Kroacisë, është ndaluar Dugagjin Maxhuni, nga Beci i Gjakovës, i lindur më 10 maj 1979.
Fillimisht, Maxhuni është ndaluar për verifikim, ndërsa pas disa orësh familja e tij është njoftuar se ai është transferuar në Beograd dhe se procedurat ndaj tij janë duke vazhduar.
Koci ka bërë të ditur se për momentin nuk janë të qarta rrethanat dhe baza juridike e ndalimit, ndërsa ka thënë se është duke i verifikuar informacionet dhe duke e përcjellë rastin.
“Ndërkohë që politika jonë merret me fajësime e përplasje të pafundme, Serbia po vazhdon me arrestimin e qytetarëve tanë”, ka shkruar Koci.
Ai ka theksuar se duhet të ketë kujdes edhe për qytetarët e Kosovës dhe ka paralajmëruar se do të njoftojë për çdo zhvillim të ri lidhur me rastin.
