Adriana Matoshi i kthehet Lushtakut pasi e ofendoi rëndë, duke quajtur “shtëpi publike”

Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana MatoshI nuk ka dashtë ta komentojë deklaratën të cilën e bëri Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku kundrejt saj që sipas tij “Ajo është niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike”, raporton Ekonomia Online.

Matoshi për Ekonomia Online tha se nuk ka interesim për ta komentuar.

“As që jam e interesuar të jap ndonjë koment”, tha shkurt Matoshi.

Ndërsa Lushtaku pas betimit të tij si Kryetar për demos tha se “Ajo është niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike, e jo si një deputete që ka përgjegjësi për fjalën që flet me qytetarët. Prandaj, mendoj se edhe zonja Matoshi edhe do zonja tjera duhet të kenë kujdes se çka flasin sepse mendoj se fjala e tyre është bajagi me peshë”.

Kusari: Sami Lushtaku e quajti prostitutë Adriana Matoshin që ia përmendi tokat publike, turp

Kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku kundrejt Adriana Matoshit të VV-së, për të cilën tha se “është si me dalë prej një shtëpie publike, e jo që është deputete”, raporton GazetaDemos.

“Në një deklaratë të vetme, kryetari i sapobetuar i Skenderajt, Sami Lushtaku, e quan me fjalë tjetër prostitutë Adriana Matoshin, e pastaj kërkon “kujdes” në atë që flasim, sepse sipas tij faktet që ajo ka përmendur (e që vetë Samiu i ka konfirmuar më herët) për shitblerjen e tokës publike, me fitime marramendëse për Lushtakun, paskëshin qenë “jo mjaftueshëm të mbështetura në fakte”.

Pra, kjo është mënyra e komunikimit të Samisë dhe kategorisë së tij: gratë qenka prostituta nëse flasin me fakte, ndërsa burrave u tregon grushtin. Nganjëherë edhe grave u tregohet grushti — vetëm se duhet të jenë “kategori tjetër”.

Eh pra, urime Kryetar, sapo ia konfirmove edhe një mandat Adrianës.Nëse nuk të ka pëlqyer deri tash çka të ka thënë, prit çka do të thotë në katër vitet e ardhshme. TURP për ty!”, ka shkruar ajo.

Specialja merr një vendim për Thaçin

Gjykata Speciale njofton se rastin “Thaçi dhe të tjerët” të administrimit të drejtësisë, Hashim Thaçit dhe të tjerëve u është vazhduar paraburgimi.

“Në vendimin mbi rishikimin e paraburgimit më 3 dhjetor 2025, Gjykatësi i Vetëm urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut. Gjykatësi Gosnell konstatoi se ekziston rreziku real që të akuzuarit, nëse do të liroheshin, mund të pengojnë ecurinë e procesit dhe të kryejnë vepra penale të tjera”, njofton Specialja.

Ky është vendimi i gjashtë i tillë në këtë çështje; të gjitha vendimet mbi rishikimin e paraburgimit mund t’i gjeni këtu.

Aktakuza kundër të akuzuarve u konfirmua më 29 nëntor dhe u bë publike më 6 dhjetor 2024. Më 3 prill 2025, Paneli i Gjykatës së Apelit miratoi pjesërisht apelin e ZPS-së kundër vendimit të Gjykatëses së Procedurës Paraprake të datës 29 nëntor 2024 për konfirmimin e aktakuzës.

ZPS-ja kundërshtoi interpretimin e Gjykatëses të nenit 32(3) të Kodit Penal të Kosovës (KPK), me argumentin se ajo gaboi që përjashtoi përgjegjësinë penale të Hashim Thaçit për nxitje bazuar në një keqinterpretim të kritereve të dënimit. Me vendim të shumicës – gjykatësja Jorgensen ishte në mospajtim – Paneli u pajtua se neni 32(3) zbatohet për vepra penale për të cilat shkallëzimi i dënimeve përfshin pesë vjet ose më shumë se pesë vjet, edhe nëse jo dënim minimal. Paneli ia ktheu çështjen Gjykatëses së Procedurës Paraprake për shqyrtim të mëtejshëm.

Më 14 prill 2025, Gjykatësja e Procedurës Paraprake ndryshoi vendimin e saj duke konfirmuar një formë përgjegjësie penale shtesë për Thaçin në bazë të nenit 32(3) të KPK në akuzat e paraqitura në Pikat 1, 2, dhe 3 të aktakuzës. Ajo urdhëroi ZPS-në të dorëzojë aktakuzën e re të konfirmuar, e cila u dorëzua më 16 prill 2025.

Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, Hashim Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.

Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me Smakajn, me Fazliun dhe me Kilajn, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me Kuçin, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.

Isni Kilaj u arrestua më 2 nëntor 2023 në Kosovë dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të DHSK-së më 3 nëntor 2023. Seanca e paraqitjes së parë të Kilajt, si i dyshuar, para Gjykatësit të Vetëm, u mbajt më 4 nëntor 2023, në bazë të nenit 41 të Ligjit dhe rregullës 55 të Rregullores. Në maj 2024, për shkak të vonesave të konsiderueshme të afatit të procedurave, Gjykatësi i Vetëm përcaktoi se zgjatja e paraburgimit të tij do të ishte e paarsyeshme dhe urdhëroi lirimin e Kilajt në Kosovë me kushte të rrepta. Vendimi i Gjykatësit të Vetëm u konfirmua në vijim nga Gjykata e Apelit e DHSK-së. Gjatë gjithë kësaj periudhe ai u konsiderua vetëm si i dyshuar.

Pas konfirmimit të Aktakuzës kundër pesë të akuzuarve, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja më 5 dhjetor dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë më 6 dhjetor 2024. Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi  në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 5 dhjetor, ndërsa Hajredin Kuçit iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë.

Në paraqitjen e tyre të parë më 8 dhjetor 2023, Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, ndërsa Fazliu u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, Kuçi dhe Kilaj u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.Pasi Thaçi dhe Smakaj vendosën të mos deklarohen lidhur me fajësinë gjatë seancës së 17 dhjetorit 2024, gjykatësja e procedurës paraprake kërkoi që ata të deklarohen në formë të shkruar deri më 7 janar 2025. Më 6 janar 2025, Thaçi dorëzoi njoftimin përmes të cilit u vetëdeklarua i pafajshëm. Vetëdeklarimi i pafajësisë së Bashkim Smakajt u dorëzua më 3 janar ndërsa u bë publike më 14 janar 2025.

Më 19 shtator 2025, ZPS-ja dorëzoi, si konfidenciale, dosjen e vet paraprake. Më 7 tetor 2025, ZPS-ja e dorëzoi versionin e redaktuar publik të dosjes paraprake të korrigjuar. Më 20 dhe 23 tetor 2025, Fadil Fazliu dhe Hashim Thaçi dorëzuan versionet e redaktuara publike të dosjeve të tyre paraprake.

Më 11 nëntor 2025, Gjykatësja e Procedurës Paraprake njoftoi Kryetaren se dosja e çështjes do të jetë gati për t’iu kaluar një trupi gjykues më 12 nëntor 2025. Rrjedhimisht, Kryetarja e DHSK-së caktoi gjykatësin e vetëm në gjykimin e kësaj çështjeje. Më 12 nëntor 2025, Gjykatësja e Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes gjykatësit të vetëm.

Konferencat për përgatitjen e gjykimit u mbajtën më 28 nëntor 2025.

Sami Lushtaku: Adriana Matoshi është si me dalë prej një shtëpie publike, e jo që është deputete

Kryetari i Skenderaj, Sami Lushtaku, i është përgjigjur ‘goditjeve’ të fundit nga ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Adriana Matoshi, raporton GazetaDemos.

Ai tha se Matoshi jep deklarata sipas nivelit të saj, e i cili sipas tij është banal dhe nuk përfaqëson atë të deputetit të Kuvendit.

I njëjti vuri në theks rëndësinë e deklaratave të bëra nga përfaqësuesit e popullit, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj peshe, andaj i bëri thirrje për kujdes të shtuar.

“Ajo është niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike, e jo si një deputete që ka përgjegjësi për fjalën që flet me qytetarët. Prandaj, mendoj se edhe zonja Matoshi edhe do zonja tjera duhet të kenë kujdes se çka flasin sepse mendoj se fjala e tyre është bajagi me peshë. Nëse ka dikush vërejtje për punën dhe angazhimin tonë, le të flasin me fakte”, ka deklaruar Lushtaku.

Sami Lushtaku: Unë mendimin nuk e ndryshoj, për mua Lladrovci nuk është kurrë më PDK

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku sot pas pranimit të detyrës si i pari i kësaj komune, u deklarua për media, ku ndër tjera foli shkurt edhe për temën e tejet përfolur, raportet me Ramiz Lladrovcin, raporton GazetaDemos.

Ai deklaroi se pavarsisht që i respekton vendimet e kryetarit Bedri Hamza dhe të partisë, për të nuk ekziston fakti se Lladrovci është pjesë e kësaj partie.

“Mendimet asnjëherë nuk i ndryshoj, për mua Lladrovci nuk është PDK por unë i respektoj vendimet e kryetarit dhe kryesisë së partisë”, shtoi ai.

Deklarimi i plotë:

 

 

Trafiku Urban me njoftim të rëndëishëm

Trafiku Urban ka njoftuar qytetarët se ditët e humbura, shkaku i protestës, do të shtohen dhe se vlefshmëria e biletës do të zgjatet automatikisht për nëntë ditë pas procesit të vulosjes

Përmes një postimi në faqen zyrtare, kjo ndërmarrje ka njoftuar për hapat se si mund të bëhet kjo:

Paraqituni në cilëndo nga kioskat e Trafikut Urban.

-Prezantojeni biletën tuaj mujore aktuale.

-Punëtori në kioskë do të vendosë vulën zyrtare të zgjatjes, e cila është e domosdoshme që kompensimi të hyjë në fuqi.

-Pas vulosjes, bileta juaj do të ketë zgjatjen automatike të ditëve të humbura.

Kioskat ku mund të bëhet vulosja:

1. Kioska prapa Objektit të Komunës (Tek “Plepat”)

Orari i punës:

E hënë – E shtunë: 07:00 – 21:00

E diel: 08:00 – 16:00

2. Kioska në lagjen “Kodra e Diellit” (Tek “Banesat e Bardha”)

Orari i punës:E hënë – E premte: 07:00 – 21:00

E shtunë: 07:00 – 14:00

3. Kioska në Bulevardin “Bill Kllinton” (Afër nënkalimit)

Orari i punës:

E hënë – E shtunë: 07:00 – 21:00

E diel: 08:00 – 16:00

“Kompensimi aplikohet vetëm pas vulosjes së biletës!”, thuhet në njoftim.

Policia po e kërkon këtë person për vjedhje, ia publikon foton

Njësiti i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim të prokurorisë kompetente, ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar, fotografitë e të cilit janë bërë publike nga policia.

Sipas njoftimit, personi në fjalë dyshohet për përfshirje në veprën penale “Vjedhje”.

Policia u bën thirrje qytetarëve që posedojnë çfarëdo informacioni që mund të ndihmojë në identifikimin e tij, të kontaktojnë në numrin 192ose përmes emailit: info@kosovopolice.com.

Autoritetet theksojnë se çdo informatë e konfirmuar do të trajtohet me konfidencialitet të plotë.

 

A po kthehet Nisma te PDK-ja? Vjen reagimi nga partia e Limajt

Zyrtarja e Nisma Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me diskutimet e ditëve të fundit mbi një bashkim të mundshëm të Nismës me PDK’në në një listë zgjedhore.

Izmaku ka konfirmuar se marrëveshja e përfolur nuk është arritur, duke theksuar se Nisma Socialdemokrate do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të pavarur.

“Sot dua t’ju them me qartësi – ajo marrëveshje nuk ndodhi”, ka shkruar Izmaku.

Ajo tha se Nisma do të ecë përpara, e pavarur.

“E përkushtuar dhe e mbështetur tek njerëzit që e besuan këtë rrugë dekada me radhë, nën lidershipin e provuar të Fatmir Limajt”, shkroi ajo.

Sipas Izmakut, partia mbetet e fokusuar në vlerat që, siç tha, i përgjigjen nevojave reale të qytetarëve.

Ajo shtoi se për Nismën, politika nuk është “krenari e tepruar apo arrogancë, por përgjegjësi, shërbim dhe përkushtim i përditshëm.”

 

Rrahen mes vete dy gra në Gjakovë

Dy gra janë arrestuar në Gjakovë, pasi dyshohet se janë përleshur fizikisht mes vete pas një mosmarrëveshjeje të mërkurën.

Në raportin 24-orësh të policisë, për këtë rast është iniciuar vepra penale “dhunë në familje”.

Sipas policisë, nuk raportohet për lëndime apo edhe tretman mjekësor.

Në konsultim me prokurorin, të dyshuarat pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

Canaj: VV’ja edhe Adem Jasharin do ta quante tradhtar po të ishte gjallë

Analisti Blerim Canaj në ”Click” të RTV21 ka bërë një analizë kritike mbi mënyrën se si Vetëvendosje po e menaxhon diskursin politik në Kosovë, sidomos kur akuzon të tjerët që po bashkëpunojnë me armiq të shtetit.

Ish-diplomati Canaj tha se partia e Albin Kurtit edhe Adem Jasharin po të ishte gjallë do e quanin tradhtar.

“Këta edhe Ramush Haradinajn e quajnë tradhtar, edhe Hashim Thaçin e kanë quajtur tradhtar, edhe Kadri Veselin e quajnë tradhtar”, tha ai.

”Këta, po të ishte gjallë, edhe Adem Jasharin e kishin quajtur tradhtar. VV po driblon të gjitha partitë opozitare,” tha më tej analisti Canaj.