Arrestohet ish-këshilltari i Kurtit

Ish-këshilltari i kryeministri në detyrë, Albin Kurti, Durim Berisha, është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar avokati i Berishës, Ngadhnjim Makolli.

“Policia me Urdhër të Prokurorit, ka ndaluar për 48 orë klientin tim, Durim Berisha. Ky ndalim vjen pas denoncimit publik në Facebook rreth dyshimeve për keqpërdorim seksual në BIK”, ka shkruar avokati.

Berisha në profilin e tij në “Facebook” ka publikuar vazhdimisht shkrime ku hedh akuza për keqpërdorime seksuale në BIK.

Ai kishte përmendur edhe kërcënime që pretendon se i janë bërë.

Ky do të jetë kandidati i PDK-së për kryeministër

Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se Bedri Hamza do të jetë sërish kandidati i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e 7 qershorit.

Ajo në Blic Interview me Astrit Gashin tha se Hamza përfaqëson një figurë serioze dhe të përgatitur, i cili “nuk prodhon drama” dhe nuk përdor gjuhë përçarëse apo etiketuese.

Deliu-Kodra shtoi se PDK synon të fuqizojë vizionin e saj politik dhe të bashkëpunojë edhe me forca të tjera, ndërsa theksoi se zgjedhjet e ardhshme do të vendosin mes, siç u shpreh ajo, një Kosove të varfëruar dhe një qeverisjeje me strategji për dalje nga kriza.

“Bedri Hamza, do të vazhdojë të jetë sërish kandidati ynë për kryeministër në zgjedhjet e 7 Qershorit. Bedri Hamza nuk prodhon drama, ka qenë njeri që ka prezantuar një vizion të njeriut serioz e të përgatitur, nuk etiketon, nuk linqon”.

“Unë vazhdoj të mendoj se ne duhet ta fuqizojmë vizionin tonë me PDK-në edhe me të tjerë që duan të bashkohen.Krizat dhe trazirat kanë qenë të mëdha në këto muaj, e për këtë jam e bindur që do të shohim ndryshim në zgjedhjet e qershorit sepse do të jenë dy dilema para të cilave qytetarët do të jenë në ditën e votimit: Dilema të një Kosove të saksionuar e varfëruar dhe dilema për një qeverisje me strategji për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë”, tha Blerta Deliu Kodra.

Tragjike: Vetëvrasje në Piranë të Prizrenit – gruaja gjendet pa shenja jete pranë armës

Një rast i rëndë ka ndodhur në fshatin Piranë të Prizrenit, ku një grua është gjetur pa shenja jete, mëson Sinjali.

Ngjarja është raportuar sot, rreth orës 12:05, nga bashkëshorti i saj, i cili ka njoftuar Policinë se gruaja e tij dyshohet të ketë kryer vetëvrasje.

Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku kanë hasur në viktimën L.A., rreth 43-vjeçare, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e saj.

Sipas informacioneve fillestare, pranë trupit është gjetur edhe një armë zjarri, e cila dyshohet të jetë përdorur nga viktima

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e hetimeve të stacionit dhe hetuesit rajonalë, të cilët kanë siguruar vendin dhe kanë nisur ekzaminimet.

Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa për detaje shtesë pritet raporti i mëtejmë nga autoritetet kompetente.

Gani Geci me lutje: Ju që dikur ishit me Vjosa Osmanin, kthehuni në LDK!

Gani Geci, ish-deputet i LDK-së, ka shkruar një status, në të cilin ka komentuar zhvillimet brenda LDK-së.

Geci ka pasur një lutje për të gjithë që dikur ikën nga LDK-ja bashkë me Vjosa Osmanin, ish-presidente e Kosovës.

Ai ka shkruar se ata që ishin me Osmani, duhet të kthehen në LDK.

 

Kosova po bëhet gati për zgjedhje, Kurti emëron zëvendësministrin e radhës

Albin Kurti, kryeministër në detyrë, ka emëruar Agon Batushën, zëvendësministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Siç njofton ZKM-ja, Kurti i ka uruar suksese Batushës në detyrën e re.

Ndryshe, Batusha, më herët ka qenë deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Komunikata e ZKM-së:

Agon Batusha emërohet zëvendësministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal

Prishtinë, 1 maj 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar z. Agon Batusha në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Kryeministri në detyrë Kurti e uroi z. Batusha për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.

Këto janë çmimet e derivateve sot në Kosovë

Çmimi i naftës për ditën e sotme është 1.68 euro për litër, njëjtë si çmimi i djeshëm.

Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila ka publikuar përditësimin e çmimeve të derivateve.

Sipas njoftimit, benzina kushton deri në 1.47 euro për një litër, ndërsa gazi 0.85 euro.

Kryetarja e Vlorës: S’ka më shezlongë 20 euro…

Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini foli mbi vendimin e miratuar një ditë më parë në këshillin bashkiak për tarifën 700 lekë (7 euro) për plazhet.

Mersini thotë se janë 15 mijë metër katror vijë bregdetare plazh publik që do të jetë falas. Në këto plazhe, sipas Mersinit, do të vendosen 350 çadra dhe shezlongë. Ajo thotë se krahas tyre do të ketë edhe plazhe publike pa çadra dhe shezlong ku qytetarët do të mund të vendosin çadrat dhe shezlongët personal.

Për sa i përket tarifës prej 700 lekësh (7 euro), Brunilda Mersini, kryetare e bashkisë së Vlorës, thotë se këto janë plazhe publike që do të menaxhohen me anën edhe të bashkëpunimit me privati.

Tarifa 700 lekë (7 euro) sipas saj është limiti.

“Pra bizneset private në ndryshim nga një vit më parë ku kishim çmime të ndryshme deri në 2 mijë lekë (20 euro). Këtë vit plazhet private do të shkojnë maksimumi në vlerën 700 lekë dhe jo më tepër”, u shpreh kryebashkiakja.

Tarifa prej 700 lekësh e plazheve private ka ngjallur shumë diskutime në Këshillin Bashkiak dhe në qytetin e Vlorës ditët e fundit./Top Channel

Krimineli i luftës Ratko Mlladiç që u dënua për gjenocid është ‘‘pranë vdekjes’’, avokatët kërkojnë lirimin e tij nga burgu

Avokatët që përfaqësojnë kriminelin e dënuar të luftës nga serbët e Bosnjës, Ratko Mlladiç, janë në pritje të një vendimi nga një gjykatë e OKB-së për kërkesën e tyre që ai të lirohet nga burgu në Hagë, me arsyetimin se është në fund të jetës së tij.

Mlladiç, 84 vjeç, u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2017 për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftërave në ish-Jugosllavi midis viteve 1992 dhe 1995. Dënimi për njeriun e njohur si “Kasapi i Bosnjës” u la në fuqi pas apelit në vitin 2021, raporton BBC, përcjell Gazeta Express.

Në një parashtresë të detajuar drejtuar gjykatës të premten, avokatët e tij thanë se Mlladiç ka qenë për një kohë të gjatë i shtrirë në shtrat ose në karrocë me rrota.

Ata shtuan se ai ka pësuar një goditje të dyshuar në tru gjatë një telefonate me djalin e tij, gjë që e ka lënë pothuajse të paaftë për të folur.

Sipas tyre, dy mjekë e kanë vlerësuar gjendjen e tij si të rëndë dhe “rreziku për vdekje të afërt është i lartë”, ndërsa avokatët kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të përkohshëm ose me kusht në një spital ose hospice ku flitet gjuha serbe.

Nënkuptohet se ekipi mbrojtës i Mlladiç po kërkon kthimin e tij në shtëpi, dhe ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujic, ka bërë të qartë se qeveria e tij është e gatshme të japë garanci për gjykatën nëse ai lirohet.

Gjyqtarja Graciela Gatti Santana ka kërkuar një vlerësim të pavarur shëndetësor, i cili pritej të paraqiste gjetjet të premten.

Mlladiç komandoi forcat serbe të Bosnjës në vitet 1990 kundër ushtrive kroate të Bosnjës dhe boshnjakëve (myslimanëve boshnjakë), gjatë një lufte në të cilën trupat e tij kryen “spastrim etnik” në Bosnje-Hercegovinë, rrethuan qytetin kryesor Sarajevë duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 10,000 njerëzve, dhe kryen masakrën e 8,000 burrave dhe djemve në Srebrenicë.

Mlladiç u zhduk në vitin 1995 dhe u gjet vetëm në Serbinë rurale në vitin 2011, pas 16 vitesh në arrati. Ai doli në gjyq në Hagë në vitin 2012 dhe u dënua në vitin 2017.

Ai mbahet në një qendër paraburgimi të Kombeve të Bashkuara që nga viti 2011, por avokatët e tij argumentojnë se kjo njësi dhe spitali i burgut nuk janë të mjaftueshme për t’i ofruar kujdesin e nevojshëm, dhe se mbajtja e tij në paraburgim përbën “ndëshkim mizor dhe çnjerëzor” dhe nuk shërben më për asnjë qëllim.

Grupet boshnjake që përfaqësojnë viktimat dhe të mbijetuarit e kundërshtojnë fuqishëm lirimin e ish-komandantit serb të Bosnjës nga burgu, duke e parë atë si një “taktikë ligjore” dhe jo si një kërkesë humanitare. Ata kanë paralajmëruar gjykatën e OKB-së se ekipi i tij mbrojtës ka bërë përpjekje të ngjashme të përsëritura prej vitesh.

Avokatët e tij kërkuan lirimin në korrik 2025, por kjo u refuzua; më pas, në nëntor 2025, ata kërkuan pa sukses një lirim të përkohshëm për të marrë pjesë në një ceremoni përkujtimore për një anëtar të familjes.

Djali i Mlladiçit, Darko, u tha mediave serbe se nuk ka pasur ndryshime në gjendjen shëndetësore të babait të tij dhe se planifikon ta vizitojë atë në spitalin e burgut javën e ardhshme.

Gjyqtarja Graciela Gatti Santana tha se kishte kërkuar nga ekspertët mjekësorë të vlerësojnë gjendjen aktuale të tij dhe mundësitë për trajtim të mëtejshëm, si dhe nëse jetëgjatësia e tij mund të përcaktohet dhe nëse kujdesi që po merr në paraburgim është i mjaftueshëm.

Rrahje mes 10 personave, ndërhynë Policia

Përleshjet mes të rinjve janë të shpeshta në vendin tonë dhe ndodhin për motive të ndryshme.

Një rast i tillë ka ndodhur sot në fshatin Lluzhan të Podujevës, ku janë përfshirë rreth 10 persona, mëson Sinjali.

Burime të Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë menjëherë Policia e Kosovës.

Sipas të njëjtave burime, situata është vënë nën kontroll nga policia, ndërsa rrethanat dhe motivet e përleshjes mbeten ende të panjohura.

E dhimbshme: Ndërron jetë veterani i UÇK-së

Ka ndërruar jetë të enjten, pas një sëmundjeje të rëndë, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gëzim Mehmeti.

I lindur më 10 shkurt 1979 në Drenas, Mehmeti ishte pjesë e luftës çlirimtare dhe njihej për kontributin e tij gjatë asaj periudhe.

Familja ka bërë të ditur se ceremonia e varrimit do të zhvillohet pas kthimit të trupit të pajetë nga Franca, ndërsa për datën dhe kohën do të njoftohet në vijim.

Ngushëllime Familjes Mehmeti!