“Lamtumirë Babi” – gruaja e njërit nga viktimat në Malishevë me fjalë prekëse

Arjeta Morina, bashkëshortja e Driton Morinës, i cili u vra dje në fshatin Gollubovc të Malishevës, ka reaguar përmes një postimi prekës në rrjete sociale pas ndarjes tragjike nga jeta të bashkëshortit të saj.

Në një postim në Instagram, Arjeta ka ndarë fotografi të Drilonit ku ai shihet i përqafuar nga dy djemtë e tij.

“Lamtumirë Babi” është mbishkrimi që ajo ka shkruar në Instastory, raporton Klankosova.tv.

“Gjysma e zemrës sime sot shkoi me ty…” – postimi prekës i bashkëshortes së Driton Morinës, i cili sot u vra në Malishevë nga dhëndri i tij

 

Thellohet skandali i drejtësisë me të dyshuarin për vrasjen e dy vëllezërve në Malishevë – Apeli ia kishte ulur dënimin

I dyshuari, Astrit Isufi, për vrasjen e dyfishtë në Golluboc të Malishevës, del të jetë i dënuar për dhunë në familje dhe kanosje nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 16 prill 2025 me 154 ditë burgim dhe 800 euro gjobë, ndërkaq Gjykata e Apelit më 26 qershor 2025 kishte ndryshuar këtë vendim, duke dënuar Isufin me 3 muaj burgim dhe 800 euro gjobë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 7 prill 2025 kishte ngritur aktakuzë ndaj Isufit për veprën penale dhunë në familje dhe kanosje.

Sipas aktakuzës të cituar në vendim të gjykatës, thuhet se Isufi më 30 mars 2025 me dashje dhe qëllim të cenimit të dinjitetit kishte ushtruar dhunë fizike dhe psiqike.

Të dëmtuarën, gruan e tij, e kishte goditur me peshqir, duke e sulmuar me shuplaka disa herë, duke i gjuajtur pijatën e ushqimit, e duke e ngre zhag të dëmtuarën dhe duke e futur në dhomë me kabëll rryme derisa i ishte dukur mjaftueshëm, dhe më pas duke e larguar nga shtëpia.

Në pikën tjetër të akuzës thuhet se Isufi i është drejtuar me fjalë të dëmtuarës – gruas së tij – me fjalët: “Ti nuk guxon me mu nda mua, se kam me të vra familjen ka me ti faruar krejt,” e që me këto veprime ngarkohen edhe me veprën penale kanosja.

Në seancën fillestare, Isufi ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar falje, me të cilin deklarim është pajtuar mbrojtësi i Isufit, Prokuroria e Shtetit dhe vet përfaqësuesja e palës së dëmtuar.

Më tutje, gjykata ka gjetur se pranimi i fajësisë është në harmoni me dispozitat ligjore, duke shtuar se dënimi me burgim prej 154 ditë dhe 800 euro gjobë është i mjaftueshëm dhe se arrihet qëllimi i dënimit, duke u arritur rehabilitimi në rastin konkret.

Ndërkaq, lidhur me propozimin për masë të paraburgimit, gjykata del të ketë caktuar masën e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit të gjykatës, përmes të cilit i kishte shqiptuar dënim prej 154 ditë burgim dhe 800 euro gjobë.

Ndaj këtij vendimi, Isufi ka ushtruar ankesë përmes avokatit të tij, e që më pas Apeli ka pranuar pretendimet e avokatit, duke vlerësuar se Themelorja ka mbivlerësuar rrethanat rënduese dhe i ka nënvlerësuar rrethanat lehtësuese.

Posaçërisht, pasi që Isufi është mbajtës i familjes dhe se për hir të interesit familjar ka kërkuar dënim më të butë apo alternativ.

Dhe se, sipas Apelit, shkalla e parë ka nënvlerësuar rrethanat lehtësuese dhe se e dëmtuara ka njoftuar gjykatën se është kthyer në shtëpi dhe se i akuzuari Isufi ka shprehur pendim.

Isufi ishte në arrati pas dyshimeve për kryerje të vrasjes së dyfisht në fshatin Golluboc më 6 tetor 2025 të Malishevës, mirëpo i njëjti u gjet nga policia dhe u arrestua./BetimipërDrejtësi

“Rrahje me kabllo, kërcënime se do t’ia vrasë familjen” – zbulohen detaje tronditëse për Astrit Isufin që vrau dy vëllezërit e gruas së tij në Malishevë

Rrahje me kabllo, kërcënime se do t’i vrasë familjen dhe paralajmërime se mbante armë në të kaluarën – Kallxo.com ka zbuluar detaje për ngjarjen e regjistruar në mars të këtij viti, ku viktimë ishte gruaja e tashmë të dyshuarit kryesor për vrasjen e vëllezërve Morina në Malishevë

Raporti tregon se ndaj Isufit kishte pasur një aktakuzë në prill të këtij viti për dhunë në familje dhe kanosje. Gjithashtu, ekzistonte edhe një vendim i Gjykatës Themelore të Prishtinës, i cili e dënonte Isufin për rrahjen dhe kërcënimin e bashkëshortes së tij.

E madje ngjarja shkon edhe më larg kur vendoset që dënimi i Gjykatës së Prishtinës të ndryshohet nga Gjykata e Apelit, dënimi ulet duke vlerësuar se ka arritur efektin e përgjegjësisë së të dënuarit.Isufi ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës më 07.04.2025.

Në vendimin që ka siguruar portali Kallxo jepen detaje të ngjarjes së dhunës në familje dhe kanosjes ndaj bashkëshortes së tij.

Dosja përshkruan se Astrit Isufi më 30 mars 2025, rreth orës 15:00 por edhe në të kaluarën kishte rrahur gruan e tij e kishte kërcënuar që nëse ndahet nga ai do t’ia vrasë familjen.

Ky paralajmërim është theksuar edhe në dosjen e gjykatës për vendimin që i ishte dhënë me burgim

E rrahu gruan në ditën e festës së Bajramit.

Më 30 mars 2025, Astrit Isufi sipas dosjes së gjykatës rreth orës 06:00 të mëngjesit përderisa gruaja e tij e kishte përgatitur drekën e festës së Brajramit, i pandehuri ishte zgjuar nga gjumi e kishte thirrë gruan e tij dhe e kishte goditur me peshqir në trup duke i kërkuar të njëjtës që t’i zgjoj fëmijët nga gjumi.

Gruaja kishte shkuar të fëmijët por ata nuk ishin zgjuar e ishte kthyer sërish te Astrit Isufi për t’i treguar.

Dosja tregon se Astrit Isufi ishte nervozuar e më pas kishte nisur ta sulmoj gruan e tij me shuplakë e grushte në fytyrë e trup. Disa orë më vonë, kur Astrit Isufi ishte kthyer në shtëpi pasi kishte shkuar të përshëndes familjarët për festën e Bajramit, kishte kërkuar ushqim nga gruaja e tij dhe kjo e fundit i kishte thënë se mungonte një produkt ushqimor e kjo më pas sërish kishte qenë një sherr i cili shkaktoi dhunën fizike të dytë brenda ditës nga Astrit Isufi te bashkëshortja e tij.

Dosja shpjegon se kur kishte marrë vesh Astriti se mungon një produkt, i kishte marrë pjatat e ushqimit dhe i kishte gjuajtur në tokë e më pas e kishte kap gruan e tij për dore e kishte tërhequr zvarrë e kishte futur brenda dhomës dhe kishte nisur ta qëlloj me një kabllo të rrymës në pjesë të ndryshme të trupit.

Në ato momente vajza e tyre kishte hyrë brenda dhomës dhe i kishte kërkuar babait të saj të ndaloj sepse ‘po e mbyste nënën’.

Ani pse kishte kërkesë nga vajza, dosja shpjegon se Astrit Isufi nuk kishte ndaluar deri sa i është dukur mjaftueshëm se e ka rrahur të dëmtuarën në këtë rast gruaja e tij dhe më pas e kishte larguar nga shtëpia.

Në po të njëjtën ditë, Astrit Isufi sipas dosjes që ka siguruar portali e kishte kërcënuar gruan e tij dhe e kishte paralajmëruar se nëse ndahet nga ai do t’ia vrasë gjithë familjen.

“Ti nuk guxon me u nda me mua, se ka me ta vra familjen, ka me t`i faru krejt”- përshkruhet kërcënimi që i kishte bërë Astrit Isufi, gruas së tij më 30 mars 2025.Kjo situatë të njëjtës i kishte shkaktuar ankth, frikë dhe pasiguri për jetë.

Më krejt këto veprime që Astrit Isufi kishte kryer ndaj gruas së tij, Gjykata në Prishtinë- Dega në Drenas, kishte dënuar të njëjtin me burg në kohëzgjatje me 154 ditë dhe 300 euro gjobë për dhunë në familje ndërsa për kanosje ishte gjobitur me 500 euro.

Xhelozia shkak i dhunës në familje

Pa telefon, duke përjetuar dhunë të vazhdueshme fizike, gruaja e Astrit Isufit në deklarimin e saj në seancën për caktimin e paraburgimit kishte thënë se burri i saj nuk i kishte lejuar telefon, nuk ka mundur më herët të raportoj dhunën në familje sepse nuk kishte mundësi, burri i saj ishte xheloz dhe i njëjti nuk ia kishte dashur familjen gruas së tij dhe i kishte thënë shumë herë që ‘nuk kanë çka lypin këtu’.

KALLXO.com zbuloi se gruaja kishte informuar organet e rendit muaj më parë se burri i saj kishte një armë të cilën e posedonte kohë më parë. Ajo pas ngjarjes kishte qëndruar te familja e saj ndërsa fëmijët te babai për shkak që të mos ndërpritej shkollimi i tyre.

Për vendimin e Themelores, Astrit Isufi ishte ankuar në Apel

Astrit Isufi ishte dënuar me rreth 5 muaj nga Gjykata Themelore e Prishtinës ndërsa Gjykata e Apelit kishte bërë ndryshim të vendimit të shkallës së parë duke i ndryshuar edhe kohëzgjatjen e dënimit nga 5 në 3 muaj për rrahjen brutale të gruas së tij si dhe kërcënimet ndaj të njëjtës. KALLXO.com zbulon se Gjykata e Apelit më 26.06.2025 kishte marrë vendim që të aprovoj ankesën e mbrojtësit të Astrit Isufit.

Gjykata e Apelit kishte vendosur që në total t’i jap Astrit Isufit dënim me burg 3 muaj dhe gjobë prej 300 euro për dhunë në familje ndërsa nuk kishte ndryshuar dënimin me gjobë për veprën penale të kanosjes.

Për vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, kishte bërë ankesë avokati i Astrit Isufit, Muhamet Binaku.

Në përgjigjen në ankesë ishte paraqitur edhe përfaqësuesi i gruas së Astritit, Faik Morina duke treguar se gruaja ishte kthyer në shtëpinë e përbashkët me Astritin në Komoran te fëmijët e saj më 22.04.2025 me marrëveshjen e dy palëve të familjes.

Gjykata e Apelit kishte mbajtur edhe seancën e kolegjit dhe kishte shqyrtuar ankesën e cila nuk ishte për shkelje esenciale të vendimit por për ndryshimin e saj.

Mbrojtësit e dy palëve në këtë rast Astrit Isufit dhe gruas së tij kishin mbështetur kërkesën që të shqiptohej një dënim alternativ siç është ai me kusht.

Gjykata e Apelit kishte shqyrtuar të gjithë situatën dhe kishte ardhur në përfundim që t’i ulte dënimin me burgim të dënuarit Astrit Isufit nga 5 muaj në tre muaj burgim duke shtuar se ky dënim është më i butë është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të kryerjes së veprës penale me shkallën e përgjegjësisë së të akuzuarit dhe kjo do të shërbej si preventivë gjenerale.

Kush është Astrit Isufi?

Astrit Isufi deri më tani dyshohet se është i dyshuari kryesor për vrajsen e dy vëllezërve të gruas së tij në fshatin Gollubovc të Malishevës.

Deri më tani ende nuk janë të qarta rrethanat që çuan deri te vrasja por që nga Policia është konfirmuar se i njëjti është i plagosur po ashtu. Në vendin e ngjarjes ishin gjetur dy armë ndërsa për më shumë se 15 orë, Isufi ishte në arrati ndërsa u arrestua më 07.11.2025 në fshatin Plloçicë.

Ai aktualisht ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës duke marrë tretman mjekësor ndërsa gjendja e tij është stabile

Qeveria në detyrë mban mbledhje, këto janë tri vendimet që mori

Qeveria në detyrë ka mbajtur dje mbledhje elektronike në të cilën ka marrë disa vendime.

Në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar propozimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje në Ballkanin Perëndimor”,ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian, si huadhënës dhe Kosovës, si huamarrës dhe Bankës Qendrore të Kosovës, si Agjent i huamarrësit.

Është miratuar edhe kërkesa e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve të transferuara në Buxhetin e Republikës së Kosovës, në Ndërmarrjen Shoqërore “Çeliku” në shumën prej 6,405 euro.

Në fund është miratuar kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje./Reporteri.net

I dyshuari Astrit Isufi po trajtohet në QKUK, kjo është gjendja e tij
I dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Gollubovc të Malishevës Astrit Isufi është arrestuar snë orët e hershme të mëngjesit në një fushë në fshatin Plloqicë të Malishevës.

Isufi ishte i plagosur dhe fillimisht është dërguar në urgjencën e Malishevës, e më pas në QKUK nën masa të rrepta sigurie.

Drejtori i Klinikës Emergjente Naser Syla ka thënë për Indeksonline se  gjendja e tij është stabile dhe se po i bëhen të gjitha ekzaminimet.

Ndërkaq pohoi se do të transferohet në Kliniken Abdominale.

“Po aktualisht pacienti ndodhet në emergjencë, jane duke  iu bërë ekzaminimet. Gjendja e tij është stabile. Do të transferohet në Kirurgji Abdominale”, ka thënë Syla.

Thellohet aleanca VV-AAK për balotazhin, zyrtarizohet një tjetër koalicion mes tyre

Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thelluar bashkëpunimin për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Dy subjektet politike të cilat shkëmbejnë akuza të ashpra ndaj njëra-tjetrës në nivel qëndror, kanë lidhur koalicion për balotazhin e zgjedhjeve lokale në Komunën e Vitisë.

Në balotazh, AAK-ja do ta mbështesë kandidatin e Vetëvendosjes, Arsim Ademin, kundrejt Sokol Halitit të LDK-së.

Marrëveshja për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe AAK-së është nënshkruar mëngjesin e sotëm, ka bërë të ditur kryetari i Degës së AAK-së në Viti, Labinot Bislimi.

“Sot në mëngjes nënshkruam marrëveshjen e koalicionit në nivel të degëve dhe i zgjatem dorën njëri-tjetrit me kandidatin për kryetar, z. Arsim Ademi”, shkroi Bislimi në një postim në Facebook të premten.

“Ky koalicion është rrjedhojë e natyrshme e situatës dhe e vet pozicionimit tonë karshi të keqes së komunës së Vitisë që me emër thërrasim Sokol Haliti”, tha Bislimi.

Bislimi tha se Dega e AAK-së në Viti “nuk ka qëndruar asnjëherë indiferente ndajë proceseve dhe nuk ka pasur asnjëherë pozicion neutral përballë të keqes”.

Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK-ja, deri më sot kishin lidhur marrëveshje koalicioni edhe në Fushë Kosovë, Junik dhe Prizren.

I dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Gollubovc, u kap në këtë shtëpi të pabanuar

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, rreth orës 06:30, policia ka arritur ta kapë Astrit Isufin, i cili dyshohet për vrasjen e dyfishtë të ndodhur të enjten në Gollubovc të Malishevës.

Isufi është gjetur nga zyrtarët policorë teksa fshihej në një shtëpi të pabanuar në fshatin Pllaçicë, jo larg vendit të ngjarjes.

Në momentin e kapjes, Isufi ishte i lënduar. Menjëherë pas arrestimit, atij iu ofrua ndihmë e parë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, ndërsa më pas u dërgua për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ky ishte vendi ku u fsheh Astrit Isufi – dhëndërri që i la të vdekur dy miqtë e tij

Pas kërkimeve intensive gjatë ditës së djeshme, e edhe natës së mbrëmshme, Policia e Kosovës ka arritur ta arrestojë të dyshuarin, Astrit Isufi, për krimin e rëndë që tronditi gjithë vendin, pasi la të vdekur nga arma e zjarrit dy vëllëzërit e bashkëshortes së tij, Driton Morina e Naim Morina, raporton GazetaDemos.

Me kapjen e tij, në pah kanë dalë edhe detaje të reja rreth rastit. Siç bëhet e ditur në konfirmimin e Policisë, i njëjti u kap në një shtëpi të pabanuar, sot rreth orë 06:30 në fshatin Plloqicë.

Pas arrestimit, është vërejtur se i njëjti është i plagosur me çrast u dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku mori ndihmën e parë mjekësore.

Teksa, për trajtim më të thelluar mjekësor, Isufi u dërgua më pas në Qendrën Klinike Universitre të Kosovës.

Prokuroria bëri të ditur se rreth rastit janë duke u marr veprimet e nevojshme, teksa brenda afatit të paraparë ligjor, ndaj të dyshuarit A.I., do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publik, se lidhur me rastin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës, është arrestuar personi i dyshuar A.I., i cili më parë kishte qenë në arrati.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

Brenda afatit të paraparë ligjor, ndaj të dyshuarit A.I., do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente”, thuhet në njoftim.

Aksion i madh i Policisë, arrestohen tre persona, kapen armë, granata dore

Një aksion i madh policor është zhvilluar në dy fshatra të Deçanit, Drenoc dhe Isniq gjatë së cilit janë prangosur tre persona.

Tek pronat e të dyshuarve janë kapur armë, granata dore e narkotikë.

“Më 06.11.2025 Njësitë e DHTN-Pejë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Pejë, kanë kryer bastisje në pronat e tre të dyshuarve meshkuj kosovarë ku janë gjetur dhe sekuestruar: 161.9 gramë substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë, një armë AK 47, një armë e gjatë gjysmë automatike, një pushkë ajrore (jofunksionale) dy granata dore, 236 fishekë kalibrash të ndryshëm, pjesë dhe pajisje optike për armë, dy bajoneta, 2 peshore elektrike për matjen e narkotikëve, qese të ndryshme për paketim të narkotikëve, 3 telefona celularë etj”.

“Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dy nga ta janë dërguar në mbajtje, ndërsa një është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë