E rëndë: Ky është 41-vjeçari që u gjet pa shenja jete në hyrje të një ndërtese

Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për një rast të rëndë që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00, në rrugën “Skënderbeu”, në Gjakovë, ku një person është gjetur pa shenja jete në hapësirat e një objekti banesor.

Sinjali merr vesh se viktima është Hekuran Matoshi, i cili ishte i shtrirë në pushimoren e shkallëve të një ndërtese.

Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ndërsa ekipi i emergjencës ka konstatuar vdekjen e 41-vjeçarit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e stacionit, hetimet rajonale, njësia e krim-teknikës si dhe stafi komandues i Policisë.

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit dhe Prokurorit për Krime të Rënda, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Sipas zhvillimeve të fundit, më 29 prill 2026 rreth orës 00:30, ekipi i IML-së ka tërhequr trupin nga vendi i ngjarjes.

Rrethanat e vdekjes mbeten ende të paqarta dhe janë objekt i hetimeve.

Gjendet pa shenja jete në hyrje të një ndërtese – nisin hetimet për vdekjen e 41-vjeçarit

Një rast i rëndë ka ndodhur në Gjakovë, ku një person është gjetur pa shenja jete në hapësirat e një objekti banesor, mëson Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur më 28 prill 2026 rreth orës 22:00 në rrugën “Skënderbeu”, ku Policia ka pranuar informacion për një person të shtrirë në pushimoren e shkallëve të një ndërtese.

Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ndërsa ekipi i emergjencës ka konstatuar vdekjen e viktimës, H.M., rreth 41-vjeçar.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e stacionit, hetimet rajonale, njësia e krim-teknikës si dhe stafi komandues i Policisë.

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit dhe Prokurorit për Krime të Rënda, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Sipas zhvillimeve të fundit, më 29 prill 2026 rreth orës 00:30, ekipi i IML-së ka tërhequr trupin nga vendi i ngjarjes.

Rrethanat e vdekjes mbeten ende të paqarta dhe janë objekt i hetimeve.

Rrahje mes tri grave

Policia ka njoftuar se tri gra janë arrestuar në Pejë pasi janë ofenduar dhe sulmuar mes vete.

Njëra nga to ka pranuar tretman mjekësor.

“Pejë/ 28.04.2026 – 14:40. Janë arrestuar tri femra kosovare pasi që janë ofenduar dhe sulmuar mes vete. Njëra nga to ka pranuar tretman mjekësor. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, njoftoj policia.

Vjosa Osmani reagon pas shpërndarjes së Kuvendit, ka një thirrje për qytetarët

Pas dështimit të zgjedhjes së Presidentit e krejt situatës aktuale politike në vend, Vjosa Osmani është lajmëruar me një video në Facebook ku ka thënë se rrugët që mbyllen nga padrejtësitë, gjithmonë hapen nga populli.

Ajo tha se mbrëmë ka qenë një natë e rëndë për Kosovën, por duke shtuar se ky popull ka ditur të ngritet edhe nga momentet shumë më të rënda.

Osmani theksoi se duhet të mbrohet e vërteta, aty ku thuhet propaganda e shpifja.

“Mbrëmë ka qenë një natë e rëndë për Kosovën por ky popull ka ditur ka ditur të ngritet edhe nga momentet shumë më të rënda. Ka ardh momenti që të japim dashni për vendin tonë, mjaft më propagandë, mjaft urrejtje, përqarje, mjaft më ndjellje të frikës. Aty ku ka urrjetje duhet të sjellim vetëm dashni për njëri-tjetrin e vendin tonë. Aty ku ka frikë dhet të sjellim shpresë. Aty ku ka propagandë e shpifje duhet ta mbrojmë të vërtetën. Ju ftoj që të bashkohemi në këtë mision sepse rrugët që mbyllen nga padrejtësitë, gjithmonë hapen nga populli”, tha Osmani.

Të martën, në ditën e fundit të afatit kushtetues, partitë e përfaqësuara në Kuvend, kanë dështuar të zgjedhin presidentin, e për pasojë, vendi sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, do të shkojë në zgjedhje të parakohshme që duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

Çitaku: Presioni qytetar e ndali Kurtin, mbrëmë ishte shfaqje e turpshme

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar sërish sot pas dështimit të seancave për presidentin.

Sipas saj, reagimi publik dhe presioni qytetar e detyruan Albin Kurtin të tërhiqet nga përpjekja e tij për ta zgjedhur shefin e shtetit në stil “karate” dhe për ta përmbysur rendin kushtetues.

“Po, edhe mbrëmë bëri aq sa mundi. Doli dhe abuzoi me zyrën e Presidentit.  Albin, nga ajo sallë qytetarëve u drejtohet Presidentja apo Presidenti i zgjedhur. Jo Kryeministri dhe as kandidatja e shumicës”, ka shkruar deputetja, njofton Klankosova.tv.

Ndër të tjera, Çitaku në Facebook thotë se gjithçka që ndodhi mbrëmë, ishte një shfaqje e turpshme.

“Shfaqja e mbrëmshme e ilustroi qartë, me zë dhe figurë, se ju në fakt e shihni veten si autoritetin e vetëm në këtë vend: edhe President, edhe Kryeministër, edhe Ministër, edhe Kryeprokuror, edhe gjithçka tjetër”, përfundon postimi, raporton Klankosova.tv.

Seanca për presidentin, Kuvendi del me njoftim

Pas dështimit të katër seancave për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, Kuvendi ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me zhvillimet e së martës.

Në këtë njoftim thuhet se, në hapje të seancës së parë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka rikujtuar edhe një herë kushtet dhe procedurat për zgjedhjen e presidentit të Republikës.

“Duke iu referuar serish Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, me theks të veçantë Aktgjykimit në rastin Nr. KO2911, opinioneve të Komisionit të Venecias dhe dokumenteve të tjera relevante lidhur me pjesëmarrjen e deputetëve në këtë proces, kryetarja Haxhiu përsëriti disa herë ftesën për deputetët që mungonin, që të vijnë në sallë dhe të votojnë. Ajo tha se deputetët të cilët nuk ishin prezentë, përkatësisht deputetët e grupeve parlamentare opozitare, nuk kanë marrë leje nga kryetarja e Kuvendit për të munguar në seancën për zgjedhjen e presidentit”, thuhet në njoftim.

Haxhiu ndërpreu tre herë seancën. Në vazhdimin e fundit të orës 23:00, ajo ripërsëriti ftesën për deputetët.

“Po presim nëse deputetët e opozitës do të vijnë dhe t’i lënë anash barrikadimet. Kjo është arsyeja pse në vazhdimësi kam bërë thirrje që deputetët e opozitës të vijnë këtu. Janë minutat e fundit të kësaj legjislature. Kjo rrugë e nisur mbarë nuk meritonte të ndërpritej”, theksoi kryeparlamentarja pak kohë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

“Duke marrë fjalën në seancë, ministri i Financave, Hekuran Murati, foli për humbjet që sipas tij vendi do të pësojë nga shkuarja në zgjedhje të reja. Ai tha se pos 10 milionë eurove që do të kushtojë organizimi i zgjedhjeve, do të humbin edhe dhjetëra miliona të tjerë”, thuhet mes tjerash, transmeton Klankosova.tv.

Fjalën e mori edhe Kryeministri Albin Kurti, I cili mbrëmjen e së martës në seancë foli për ofertat që u ka dhënë partive opozitare.

“Ai tha se Republika e Kosovës praktikisht e ka presidentin, por nuk e ka konstruktivitetin elementar të opozitës për këtë gjë”, vazhdon njoftim.

“Feride Rushiti është e gatshme dhe gatishmëria e saj është nder. Unë e falënderoj që, si lidere e shoqërisë civile, ka pranuar të kandidohet”, tha Kurti.

Në prag të skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit, kryeparlamentarja tha se kjo seancë fatkeqësisht shënon fundin e këtij procesi dhe fundin e kësaj legjislature.

“Sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese Kuvendi konsiderohet i shpërndarë dhe zgjedhjet do të shpallen brenda afatit kushtetues”, theksoi kryeparlamentarja.

Vazhdon të shtrenjtohet nafta në Kosovë

Çmimi i naftës për ditën e sotme është 1.68 euro për litër, një cent më shtrenjtë krahasuar me dje.

Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila ka publikuar përditësimin e çmimeve të derivateve.

Sipas njoftimit, benzina kushton deri në 1.47 euro për një litër,  tre centë më shtrenjtë se dje, ndërsa gazi 0.85 euro.

 

Pas shpërndarjes së Kuvendit, vjen reagimi nga ekipi i Vjosa Osmanit

Pas shpërndarjes së Kuvendit, ekipi i ish-Presidentes Vjosa Osmani ka bërë një reagim.

Këshilltarja e Osmanit, Egnesa Vitija, ka publikuar një foto të Osmanit, teksa ka shkruar “Shihemi”.

PDK del me njoftim

Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit është shmangur një ndër shkeljet më të rënda të Kushtetutës dhe një tentativë e rrezikshme për demokracinë tonë.

Përpjekjet për të imponuar një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese dështuan. Institucionet e Republikës dhe rendi kushtetues u mbrojtën.

Pushteti aktual mban përgjegjësinë kryesore për krizën e krijuar, si shkaktar i krizave të njëpasnjëshme politike, i keqqeverisjes, i krizave ekonomike, i shpërdorimit të besimit të qytetarëve dhe i abstenimit nga përgjegjësitë ndaj shtetit dhe qytetarëve.

Në përputhje me Kushtetutën, vendi hyn tani në një proces të ri zgjedhor. PDK kërkon nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes që të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, duke garantuar një proces të rregullt, të lirë dhe demokratik.

Partia Demokratike e Kosovës fton qytetarët e Republikës së Kosovës që të jenë të gatshëm për këtë proces të rëndësishëm demokratik dhe përmes votës së tyre të refuzojnë logjikën e përçarjes, bllokadës dhe aventurave institucionale.

Kosova ka nevojë për një drejtim të ri, për stabilitet, përgjegjësi dhe zhvillim. Ka nevojë për institucione që funksionojnë dhe për një qeverisje që respekton Kushtetutën, jo që përpiqet ta mbizotërojë atë.

Republika u mbrojt sot. Tani është radha e qytetarëve.

AAK: S’bëhemi pjesë e këtij komploti, Kurti është i vogël për ta shkatërruar Kosovën

Grupi Paralemntar i AAK-së ka mbajtur një konferencë për media, pak orë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit.

Shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti dhe partinë e tij, për situatën e krijuar lidhur me këtë çështje, duke thënë se nuk do të bëhen pjesë e këtij komploti që sipas tij, po i bëhet shtetit.

“Qysh flet një kryeministër që don me ia jep një zgjidhje Kosovës, por del e flet në media. Kjo nuk është asgjë tjetër, pos një tendencë për bartje të fajit.”, ka thënë Tahiri.

Kurse, deputeti Bekë Berisha ka thënë se krejt kjo tendencë e Kurtit është se zgjedhjet janë të pashmangshme.

Ai ka thënë se kur preket rendi kushtetues, atëherë do të ketë veprime për të mos lejuar një gjë të tillë.

“Ky është i vogël me na mohu ekzistencën neve. Ky nuk ka me arritë me e shkatërru Kosovën. Ky le të bon hajgare, por nuk ka me i dal qashtu. Ndoshta i dokemi pak, por ai e din qysh mundemi me dal. Këto manipulime se sillni nënshkrimet, më nuk ka besim askush të komunikojë me të.”, ka thënë Berisha.