Mandatari i ri, Presidentja takon Krasniqin dhe Abdixhikun
Pas takimit paraditen e së martës me Kryetarin e VV-së, Albin Kurtin, Vjosa Osmani ka pritur në takim edhe dy liderë tjerë, Memli Krasniqin dhe Lumir Abdixhikun.
Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se tashmë Presidentja Osmani ka përfunduar takimin me kreun e PDK-së, Memli Krasniqin.

Aktualisht, siç merr vesh mediumi, ajo po zhvillon takim me Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Ky takim me liderët tjerë, vjen pasi sot VV-ja në Këshillin e Përgjithshëm të partisë e nominoi Glauk Konjufcën për mandatar të dytë për Kryeministër.

Nga PDK, LDK, AAK dhe Nisma “njëzëri” u tha se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Edhe të premten e 31 tetorit, kur Presidentja Osmani mblodhi liderët politikë për të diskutuar se çka më tutje, pas dështimit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti që ta formojë qeverinë, takimit, liderët e partive u deklaruan për zgjedhje.

Mandatimi i Glauk Konjufcës për kryeministër, NISMA del me qëndrim
Nisma Socialdemokrate ka reaguar pas mandatimit të Glauk Konjufcës për kryeministër nga ana e Vetëvendosjes.

Nisma e ka ftuar presidenten Vjosa Osmani të mos bëhet pjesë e zvarritjeve politike apo interpretimeve arbitrare që rreziojnë parimet kushtetuese dhe krijojnë tensione të panevojshme.

“NISMA Socialdemokrate vlerëson se vendi ndodhet në një ngërç të paprecedentë institucional si rezultat i mungesës së vullnetit politik për marrëveshje dhe vendimmarrje të përgjegjshme, dhe si pasojë e përpjekjeve të vazhdueshme për zgjatjen e pushtetit pa shumicë parlamentare dhe pa legjitimitet politik. Sot është e qartë për të gjithë: Kuvendi i Kosovës nuk ka shumicë. Në takimin e fundit me Presidenten e Republikës, të gjitha partitë politike e kanë shprehur qartë dhe zyrtarisht qëndrimin e tyre: në këtë Kuvend nuk ekziston shumicë parlamentare dhe zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja. Si e tillë, kjo situatë kërkon veprim të qartë dhe të shpejtë institucional. Presidentja e Republikës ka detyrim kushtetues të respektojë vullnetin e subjekteve politike, vullnet që tashmë është deponuar zyrtarisht”.

 

Mosmarrëveshje në komunikacion, përleshje mes motoçiklistit dhe shoferit në Prishtinë
Një incident është raportuar sot në Prishtinë, ku një motoçiklist është përleshur fizikisht me shoferin e një veture pas një mosmarrëveshjeje në komunikacion, shkruan Gazeta Imazhi.
Ngjarja ka ndodhur në një nga rrugët e frekuentuara të kryeqytetit, pamje të cilat janë publikuar nga portali Zëri, transmeton Imazhi.

Në video shihet se pas një debati verbal, situata përshkallëzohet në konfrontim fizik.

VIDEO:

 

Dyshohet se grupe serbe kanë ndërhyrë në rrjetin e Policisë së Kosovës në Jarinjë

Gjatë ditës së sotme u raportua se disa grupe serbe kanë ndërhyrë në rrjetin e Policisë së Kosovës në Jarinjë, shkruan GazetaDemos.

Kështu, duke u krijuar edhe kolona të gjata pritjesh.

Video e publikuar nga Teve1:

PDK-ja del me qëndrim për mandatarin – ja nëse do ta votojë Glauk Konjufcën
Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se vendi ndodhet përpara një momenti vendimtar politik dhe institucional, që kërkon vendime të qarta, të përgjegjshme dhe në përputhje me realitetin politik në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në një situatë ku është e qartë se shumica shqiptare në Kuvend, së bashku me disa deputetë të komuniteteve joshumicë joserbe, kanë shprehur qëndrimin e prerë se nuk kanë votë për një mandatar tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, çdo tentativë për t’ia dhënë sërish mandatin kësaj partie do të përbënte humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të mungesës së besimit në institucione.

Ashtu siç dështoi Albin Kurti për të siguruar shumicën, do të dështojë çdo përpjekje tjetër për ta zgjatur artificialisht këtë proces nga Lëvizja Vetëvendosje. Realiteti politik është i qartë: askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë nga kjo legjislaturë.

PDK konsideron se injorimi i këtij realiteti vetëm sa do ta thellonte krizën, do ta zgjaste pasigurinë institucionale dhe do ta dëmtonte më tej stabilitetin e vendit.

Në emër të përgjegjësisë dhe të besimit qytetar, Partia Demokratike e Kosovës bën thirrje për t’i dhënë fund çdo skeme zvarritëse, çdo improvizimi politik dhe çdo përpjekjeje për ta mbajtur peng shtetin për interesa të ngushta partiake.

Aktualisht, zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike janë zgjedhjet e reja të parakohshme, që do t’i kthejnë sovranit, qytetarit të Republikës së Kosovës, të drejtën për të vendosur drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’i dhënë legjitimitet institucioneve të reja.

Kriza e stërzgjatur gjatë këtij viti, e shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, përveç dëmit politik, ka goditur ekonominë, ka cenuar mirëqenien e qytetarëve, ka dëmtuar raportet me partnerët tanë ndërkombëtarë, ndërsa rreziku që buxheti i shtetit të mos kalojë me kohë dhe që vitin e ardhshëm qytetarët të mbeten pa paga, e bën edhe më të domosdoshëm përshpejtimin e procesit drejt zgjedhjeve të reja.

PDK mbetet e përkushtuar të kontribuojë në çdo proces që i shërben stabilitetit, funksionimit normal të institucioneve dhe forcimit të demokracisë parlamentare në vend.

 

Këto janë hapat që VV-ja duhet t’i ndjekë për të bindur Presidentën për mandatarin e radhës
Sot Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV’së e ka propozuar Glauk Konjufcën për mandatar të dytë për formimin e qeverisë.

Emri i tij pritet të dërgohet më pas te presidentja.

Ehat Miftaraj nga IKD ka thënë për Express se sipas Kushtetutës dhe aktgjykimit të vitit 2014 VV duhet ta bindë presidenten Osmani se i kanë 61 vota për të votuar qeverinë me mandatarin e ri.

“Mënyrat më të mira për të bindur presidenten se i kanë 61 vota është përmes mbledhjes së nënshkrimeve të deputetëve që votojnë pro, ose në rast të arritjes së një koalicioni mandatari të shkojë te Presidentja bashkë me liderin e asaj partie që së bashku me LVV I kanë 61 vota për votimin e qeverise”, tha Miftaraj.

Sipas tij, nëse nuk i vërtetohet kjo gjë, Osmani s’ka pse të thërrasë seancë të re por duhet menjëherë t’i shpallë zgjedhjet.

LDK-ja s’ka votë për Konjufcën: Le të thonë fjalën e tyre qytetarët në zgjedhje
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas propozimit të Glauk Konjufcës për mandatar të dytë për formimin e qeverisë, duke theksuar se tashmë është e qartë se asnjë subjekt politik nuk e ka shumicën e nevojshme parlamentare.

Sipas LDK-së, zvarritjet dhe interpretimet procedurale vetëm po thellojnë bllokadën institucionale, ndaj e vetmja zgjidhje legjitime janë zgjedhjet e reja.

Asnjë parti politike nuk e zotëron shumicën parlamentare për formimin e qeverisë së re. Dalja nga bllokada institucionale nuk mund të kërkohet përmes veprimeve jo-kushtetuese, por përmes kthimit te sovrani. Zgjedhjet e reja tashmë janë domosdoshmëri,” ka theksuar LDK-ja.

Partia thotë se vendit i duhet qartësi dhe legjitimitet i ri politik, jo “zvarritje, pazare dhe improvizime”, duke bërë thirrje për veprim të shpejtë dhe në përputhje me Kushtetutën.

LDK ka rikujtuar përkushtimin e saj ndaj rendit kushtetues dhe procesit demokratik, duke theksuar se qytetarët duhet të jenë ata që vendosin për qeverinë e ardhshme.

A do ta votojë PDK-ja Konjufcën për kryeministër? – Vjen reagimi i parë nga kjo parti

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka reaguar pas propozimit të Glauk Konjufcës si mandatar i dytë për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Deliu ka kritikuar vendimin, duke e cilësuar si përpjekje për të zvarritur proceset politike në vend.

Sipas saj, zgjedhjet janë zgjidhja e vetme.

“Mandatari i ri pa shumicë është thjesht një lojë për të fituar kohë. Nëntë muaj dështim nuk mund të mbulohet me taktika politike. Zgjedhjet janë zgjidhja,” ka shkruar Deliu.

Ky reagim vjen pas njoftimit të Albin Kurtit se Lëvizja Vetëvendosje do të propozojë sërish të njëjtin kabinet qeveritar, me ndryshimin që këtë herë Konjufca do të jetë kandidat për kryeministër, ndërsa Kurti do të marrë postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Jashtëm.

Haradinaj deklarohet pasi Glauku u mandatua për kryeministër
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi kreu i LVV-së, Albin Kurti, e ka nominuar për kryeministër, Glauk Konjufcën.

Sipas Haradinajt, presidentja Vjosa Osmani s’mund ta mandatojë Konjufcën, derisa nuk deponohen 61 nënshkrimet e deputetëve të cilët e votojnë Qeverinë e re.

Kreu i AAK-së thotë se Osmani do të bënte shkelje të rëndë kushtetuese, nëse e mandaton Konjufcën pa e pasur një garanci të tillë.

Postimi i plotë

Afati kushtetues për votimin e qeverisë përfundon nesër dhe presidentja e vendit nuk ka mandat ta mandatojë askënd për krijimin e qeverisë, pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme.

Shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve. Në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje të rëndë kushtetuese. Kandidatura e dytë nga VV për qeveri është veç përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike.

Kjo farsë duhet të marrë fund menjëherë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Glauku mandatari i ri për kryeministër, ish-opoizta i drejtohen Presidentës me këtë vendim

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka propozuar Glauk Konjufcën për mandatar të dytë për formimin e qeverisë, duke e prezantuar atë si një shans të ri.

Por, as Konjufca s’do të gjejë mbështetje te partitë ish-opozitare.

Siç merr vesh Gazeta Express këto parti qysh tani kanë thënë presidentes Vjosa Osmani se nuk do të votojnë Konjufcën në rast se emri i tij prezantohet në foltoren e Kuvendit.

Kurti të dielën e 26 tetorit dështoi të marrë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e qeverisë meqë në seancë shkoi pa një marrëveshje./Express/