Lekaj: Qeveria Kurti është e zhytur në korrupsion deri në veshë

Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se në partinë e tyre as që flitet se a do ta kalojnë pragun apo jo në zgjedhjet e ardhshme.

Në emisionin DPT te Fidani në Klan Kosova, ai tha se Aleanca do të hyjë në garë për të fituar.

“Aleanca do të hyjë në garë, dhe do të hyjë për të fituar, dhe sa fitojmë, varet nga qytetarët, por jemi të bindur dhe as që flitet në strukturat e Aleancës, se a e kalojmë apo jo” pragun, deklaroi Lekaj.

Ndër të tjera, ai tha se nuk duhet t’i zgjatet jeta Qeveria Kurti.

“Ai nuk e ka në vizion shtetin, por partinë e vet, se sikur ta kishte pasur apo të kishte pasur vizion të vetin për të mirën e vendit sikur të kishte menduar, atëherë pa e krijuar qeverinë do të ftonte LDK-në dhe PDK-në për ndonjë marrëveshje paraprake. Këtë nuk e ka bërë. E ka zgjedhur kryetarin e Kuvendit, e ka krijuar qeverinë, dhe i ka injoruar totalisht. Ka menduar se tri pozitat kryesore, kryeministrin, kryekuvendarin dhe presidentin e vet, t’i takojnë LVV-së, dhe e dëshmoi me kandidimin për president të Glaukut dhe të doktoreshës”, tha nënkryetari i AAK-së, dhe shtoi “nuk bën të lejojmë të biejmë në kurthin e Kurtit”.

Ai tha se edhe sikur Kurti të ftonte AAK-në në takim, “nuk do t’i shkonim”.

“Jo që ka qeverisur me duar të pastra, por është zhytur në korrupsion deri te veshët, deri te maja e kokës. Shikoni tenderët një-burimorë, shikoni energjinë se sa vjedhje masive me NOA-n… nëse ka aq shumë tenderë, ku janë more ato para? Merre autostradën për Gjilan, janë bërë me u la shotat aty, qe 6 vite. Merre Gjakovë-Dollc, merre për Pejë, zgjerimin e rrugës, e ka pasur të gatshme autostradën e mbyllur me katër korsi, dhe e ka hjekur atë”, shtoi Lekaj.

“E zuri sharra e druve”, detaje nga rasti i rëndë ku humbi jetën një 55-vjeçar

Një person e ka humbur jetën në vendin e punës në Strellc të Deçanit.

Klan Kosova merr vesh se bëhet fjalë për një 55-vjeçar, të cilin dyshohet se e ka zënë sharra e dryve derisa ishte duke punuar.

“Sot rreth orës 14:05, Policia e Kosovës është njoftuar për një aksident që ka ndodhur në një punëtori (sharrë) në fshatin Strellc i Ulët, ku dy punëtorë kanë pësuar lëndime si pasojë e rënies së disa dërrasave. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitali Rajonal i Pejës”.

“Megjithatë, pas një kohe të shkurtër, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e njërit prej tyre. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente, të cilat po merren me hetimin e rrethanave të rastit”, thuhet në konfirmim e policisë për Klankosova.tv.

Haradinaj kritikon Kurtin: Rreth 360 milionë euro u dërguan vjet në Serbi për blerje rryme

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj deklaroi se rreth 360 milionë euro janë dërguar gjatë vitit 2025 në Serbi për blerje rryme.

Ai ka theksuar se, bazuar në të dhënat që ka siguruar, shpenzimet për energji gjatë një periudhe prej 18 muajsh afrojnë shifrën e 1 miliard eurove.

“Për lëvizjet e z.Kurti sa i përketë energjisë, i kam marrë disa statistika, vetëm ta shohim sa milionë euro i kemi dërguar gjatë vitit 2025 në Serbi, me blerje të energjisë. Rreth 360 milionë euro, vetëm në Serbi. Ju kemi afruar shifrës 1 miliardëshe për 18 muaj blerje të energjisë”, tha ai në Klan.

Rriten sërish çmimet e naftës

Çmimi i naftës u rrit gjatë natës të së mërkurës, mes shqetësimeve në rritje nëse armëpushimi dyjavor i rënë dakord mes SHBA-së dhe Iranit do të mbahet.

Nafta Brent, standardi kryesor global, u rrit me më shumë se 2% në 97.35 dollarë për fuçi, pasi më parë kishte rënë me mbi 10% pas njoftimit për armëpushim nga Donald Trump të martën vonë.

Kjo vjen ndërkohë që Irani raportohet se ka ndaluar trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit – rihapja e së cilës ishte thelbësore për marrëveshjen e armëpushimit – si përgjigje ndaj një vale të madhe sulmesh nga Izraeli në Liban, që besohet se kanë vrarë të paktën 250 persona.

Megjithatë, SHBA ka këmbëngulur se trafiku në ngushticë po kthehet në normalitet.

Në kundërpërgjigje ndaj asaj që e quajti “shkelje të armëpushimit”, Hezbollahu i mbështetur nga Irani, i cili është i bazuar në Liban, tha në orët e fundit se ka lëshuar raketa drejt veriut të Izraelit.

Ky është kandidati që mund të marrë votat e LDK-së për president

Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka deklaruar se kjo parti i kishte pasur të gatshme votat për rizgjedhjen e Vjosa Osmanit si presidente.

Sadiku në Debat Plus ka theksuar se LDK-ja disponon 15 vota dhe se ato kishin qenë në dispozicion për Osmanin, por ajo nuk ishte paraqitur si kandidaturë nga LVV-ja, ndërsa për propozim nga ana e tyre kërkoheshin të paktën 30 nënshkrime.

Ai ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e presidentit duhet të intensifikohet dhe të mos lihet për momentet e fundit, duke shtuar se vendi ka nevojë për stabilitet dhe vazhdim të zhvillimit.

“Është e vërtetë që Kurti po i kërkon 84-85, nuk i kemi ne i kemi 15, këto 15 i kemi pasur të gatshme për Vjosa Osmanin, nuk është paraqit si kandidaturë, nuk kemi mundur ta propozojmë nevojiteshin 30. Tash po presim që mendoj se duhet çdo ditë të intensifikohet procesi i gjetjes së zgjidhjes nuk ka nevojë të lihet për ditët e fundi. Vendi ka nevojë të vazhdojë punët te zhvillohet”, ka deklaruar ai.

Vdes veprimtari dhe veterani i UÇK-së

Organizata “Shqiptaria” bën të ditur se është ndarë nga jeta atdhetari i devotshëm, veterani invalid i Luftës së UÇK-së dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Shefki Sejdiu.

Sipas njoftimit, Shefki Sejdiu vdiq më 8 prill 2025, duke lënë pas një kontribut të jashtëzakonshëm në shërbim të lirisë dhe çështjes kombëtare shqiptare. Ai ishte një nga themeluesit e Organizatës “Shqiptaria” dhe një figurë e njohur e angazhimit kombëtar që nga vitet ’90.

“Shqiptaria” e cilëson ndarjen e tij si një humbje të madhe për kombin shqiptar, duke e përshkruar Sejdiun si simbol të qëndresës, sakrificës dhe përkushtimit të pakushtëzuar ndaj atdheut. Gjatë jetës së tij, ai ishte aktiv si në periudhën e luftës, ashtu edhe në vitet sfiduese pas saj, gjithmonë në shërbim të interesit kombëtar.

Në reagimin e saj, organizata thekson se veprimtaria e tij ishte më shumë se një kontribut – ishte një mision jetësor dhe një shembull i rrallë i përkushtimit të palëkundur ndaj idealit kombëtar.

Organizata “Shqiptaria” ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Sejdiu, bashkëluftëtarët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe bashkëpunuan me të.

“Kujtimi dhe vepra e tij do të jetojnë përherë në ndërgjegjen kombëtare”, thuhet në fund të njoftimit.

Zjarri i madh në autostradën “Ibrahim Rugova”, krijohen kolona të gjata te Qafa e Duhles

Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer pasditen e sotme në autostradën “Ibrahim Rugova”, saktësisht në segmentin rrugor në afërsi të Qafës së Duhles.

Sipas pamjeve nga vendi i ngjarjes, dyshohet se një kamion është përfshirë tërësisht nga flakët, çka ka bërë që qarkullimi i automjeteve të vështirësohet mjaft shumë.

Si pasojë e zjarrit dhe rrezikut në rrugë, janë krijuar kolona të gjata automjetesh që presin në këtë pjesë të autostradës.

Në vendin e ngjarjes janë parë ekipet e zjarrfikësve.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar Policinë e Kosovës për të marrë informacione zyrtare lidhur me shkaqet e zjarrit dhe nëse ka persona të lënduar, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, policia nuk ka kthyer përgjigje.

 

E rëndë: Ky është i riu që vdiq dje në Skenderaj, sot i jepet lamtumira

Jeton Babaj, humbi jetën dje në Llaushë të Skenderajt.

Dyshohet se deri te ngjarja tragjike erdhi si pasojë e një zjarri.

39 vjeçarit sot do t’i jepet lamtumira e fundit.

Njoftimi u bë nga familja përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

Ceremonia e varrimit do të bëhet nga ora 15:00.

“Me dhimbje të thellë njoftojmë familjarët, miqtë, shokët dhe dashamirët se më i dashuri ynë, Jeton Babaj, ndërroi jetë më datë 07.04.2026. Varrimi do të bëhet sot, më datë 08.04.2026, në ora 15:00, në Llaushë, te varrezat e lagjes Babaj”, ka njoftuar familja transmeton Klankosova.tv.

E rëndë: Babai e gjen pa shenja jete djalin e tij

Kur do të lirohet nafta në Kosovë? Vjen përgjigjja nga naftëtarët

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka paralajmëruar se prej javës së ardhshme pritet të bie çmimi i naftës në Kosovë.

Berjani për rtv21 tha se duhet të ketë treg të lirë, për të cilën shtoi se do të ishte ndikim në çmim më të lirë.

“Pritet prej javës së ardhshme të lëvizin çmimet. Çmimet janë duke lëvizur në tërë globin”, tha ai./RTV21/21Media

Fyerjet ndaj Ramush Haradinajt, studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” thërrasin protestë në Pejë

Parlamenti Studentor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë ka bërë thirrje për protestë paqësore të premten, më 10 prill, në orën 12:00, në Sheshin e Qytetit të Pejës, si reagim ndaj gjuhës së urrejtjes, fyerjeve dhe kërcënimeve të fundit ndaj ish-komandantit të UÇK-së në Dukagjin, Ramush Haradinaj.

Në njoftimin e tyre, studentët theksojnë se rastet e fundit të deformimit të historisë së Republikës së Kosovës dhe sulmet verbale ndaj figurave të luftës çlirimtare janë të papranueshme dhe cenojnë kujtesën kolektive dhe dinjitetin e shoqërisë.

Postimi:

THIRRJE PËR PROTESTË PAQËSORE

E organizuar nga Parlamenti Studentor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë

Qytetarë të Republikës së Kosovës, studentë, profesorë, të rinj dhe të gjithë ju që besoni në të vërtetën, dinjitetin dhe historinë e Republikës së Kosovës.

Në ditët e fundit, jemi përballur me raste shqetësuese të përhapjes së gjuhës së urrejtjes dhe të deformimit të historisë së Republikës së Kosovës. Këto veprime janë të papranueshme, sepse cenojnë kujtesën tonë kolektive, fyejnë sakrificën e popullit tonë dhe dëmtojnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë.

Ne nuk mund të heshtim.

Ne nuk mund të lejojmë që urrejtja të zërë vend në shoqërinë tonë.

Ne nuk mund të pranojmë që historia e Kosovës të shtrembërohet.

Prandaj, Parlamenti Studentor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë u bën thirrje të gjithë qytetarëve, studentëve, profesorëve, familjeve, aktivistëve dhe secilit njeri të ndërgjegjshëm që t’i bashkohen:

PROTESTËS PAQËSORE

10 prill 2026

Ora 12:00

Sheshi i Qytetit të Pejës

Le të dalim bashkë, me qetësi, me dinjitet dhe me vendosmëri qytetare, për të mbrojtur të vërtetën, për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes dhe për të reaguar ndaj çdo përpjekjeje për deformimin e historisë së Republikës së Kosovës.

Kjo është një thirrje qytetare.

Kjo është një thirrje për ndërgjegje.

Kjo është një thirrje për të mos heshtur.

Bashkohuni!

Për të vërtetën.

Për kujtesën historike.

Për dinjitetin tonë.

Për Republikën e Kosovës