Gazi bëhet ‘gaz’ në Pejë, Taulant Kelmendi e qon në balotazh

KQZ sot ka shpallur rezultatet përfundimtare për kryetarë komunash.

Peja do të shkojë në balotazh.

Dy kandidatët që morën më së shumti vota janë Gazmend Muhaxheri dhe Taulant Kelmendi.

Gazmend Muhaxheri (LDK): 46.25 për qind

Taulant Kelmendi (VV): 27.78 për qind.

Balotazhi do të mbahet më 9 nëntor.

Aksident i rëndë në Bresje, ka të vdekur

Një aksident i rëndë trafiku u raportua sot në Bresje, ku dyshohej se një person ka humbur jetën.

Rasti është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i policisë, Bajram Krasniqi.

Krasniqi ka deklaruar për IndeksOnline se nga aksidenti që ndodhi në orën 16:30, një person është gjetur pa shenja jete.

“Rreth orës 16:30, policia është njoftuar për një aksident trafiku në Bresje, Fushë-Kosovë. Në aksident janë përfshirë një veturë dhe një kamion. Në vend-ngjarje është ftuar njësia emergjente dhe zjarrfikësit. Ekipi mjekësor ka konstatuar se një person është pa shenja jete. Njësitet përkatëse policore janë duke u marrë me rastin” deklaroi Krasniqi.

Paralajmërohet situatë e rënduar nëse nuk formohet qeveria nesër, mund të mbesin pa paga këto kategori

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj ka shprehur shqetësimin për ngërçin politik dhe vonesat në formimin e institucioneve, duke paralajmëruar pasoja serioze nëse buxheti nuk votohet së shpejti.

Ai ka deklaruar se mungesa e buxhetit do të linte pa paga punëtorët e sektorit publik.

“Institucionet të bëjnë zgjidhje nëse ka. Nëse punëtorët e arsimit, policia, sektori publik në tërësi mbeten pa paga pas vitit të ri do të krijohet një gjendje e rëndë se shumica e tyre mezi e lidhin muajin me muaj dhe me pagat që i kanë e paramendo nëse mbeten edhe pa to”, u shpreh ai për frontonline.

Ai kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje për neglizhencë, duke thënë se si parti fituese ka përgjegjësinë për krijimin e institucioneve.

“Është një neglizhencë e partisë që doli e para. Për situatën që është deri tash fajet i ka LVV se ajo e ka obligim t’i krijojë institucionet. Kemi shumë kërkesa nga anëtarësia që s’po kemi ku me i adresuar në mungesë të parlamentit dhe institucionet”, ka deklaruar Jasharaj.

Gani Geci reagon pas incidentit të Zemajt: Albin komunisti s’ka lënë shtëpi pa përçarë

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e LDK-së, Gani Geci ka reaguar pas incidentit të deputetit Armend Zemaj dhe një qytetari dje në sheshin e Prishtinës, ku përveç fyerjeve, u përdorë edhe forca fizike, raporton GazetaDemos.

Geci i doli në mbështetje Zemajt, teksa e akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për mbjelljen e frymës përçarëse në vend, duke e cilësuar edhe si komunist.

“Armend Zemaj e mbrojti veten dhe dinjitetin e vet njerëzor. Vetëm sllavët ishin agresorë e paraqiteshin si viktima, ashtu si edhe disa njerëz këtu që janë mbetje patologjike turke e fundrrina të regjimeve komuniste e majtiste sllave.

Këta janë mësuar duke dëgjuar Albinin, komunistin e ri në Ballkanin e vjetër, duke fyer e sharë. Ky Albin komunisti nuk ka lënë shtëpi pa përçarë; i ka ndarë motrën me vëllanë, dajën me nipin, shokun me shokun. Tanimë edhe këtyre fundrrinave po u vjen fundi, njësoj si atyre paraardhsve të tyre të LPK sepse njerëzit nuk durojnë më të jenë të fyer e të sharë nga njerëz pakurrizorë”, ka shkruar Geci.

 

 

Edi Rama befason me fjalët për Albin Kurtin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se raportet personale me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, janë shumë miqësore, megjithatë ka dallime të pashmangshme në aspektin institucional.

Në një intervistë për DW Shqip, Rama theksoi:

“… unë me Albinin kam një marrëdhënie shumë miqësore në aspektin personal, por kemi dallime të pashmangshme në këndvështrime, dhe këto dallime i ndajmë në mënyrë të hapur dhe të drejtpërdrejtë. Në të gjitha aspektet e bashkëpunimit me Kosovën, në bashkëpunimin ndërshtetëror, kemi bërë goxha përparim, dhe jemi duke punuar bashkërisht për një vepër madhore siç është hekurudha Durrës-Prishtinë”.

Rama gjithashtu foli për akuzat mbi marrëdhëniet e tij me Serbinë, duke thënë:

“I mirëkuptoj të gjitha ato që më janë vendosur si etiketa… nuk i marr me të keq. Raporti im është me të vërtetën dhe me njerëzit që më besojnë, nuk është me nevojën që të gjithë të jenë dakord apo të pëlqejnë atë që e bëj unë”.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai theksoi se Prishtina duhet të përmbushë të gjitha obligimet e saj unilaterale, ndërsa topi duhet t’i lihet Serbisë.

“Sipas meje, Kosova duhet ta harrojë krejt Serbinë… duhet të përmbushë në mënyrë unilaterale të gjitha kërkesat e dialogut dhe t’ia lë topin në derë Serbisë… duhet të shkëputet totalisht nga Serbia dhe nuk duhet të jetojë me idenë e Serbisë”, u shpreh Rama.

Nasim Haradinaj i drejtohet qytetarit që u përlesh me Zemajn: Pak ta ka bo, doren ja lumsha

Ish-nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj e ka mbështetur deputetin Armend Zemaj për incidentin e djeshëm.

Haradinaj e ka kritikuar qytetarin për veprimin e tij.

“Pak ta ka bo përgjigjen e ke mar qfare e ke kerku…!! Doren ja lumsha!”, thuhet në një koment të Haradinajt në Facebook.

Gjendet i vdekur një person në banesën e tij në Prishtinë

Një person është gjetur i vdekur në banesën e tij në Prishtinë.

Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur dje dge trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

·”Rr. Ismail Dumoshi, Prishtinë 24.10.2025 – 21:00. Raportohet se në banesën e tij është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, njoftoj policia në raportin 24 orësh.

Presidentja tregon hapat në rast dështimi të Kurtit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e di nëse VV-ja i ka numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë së re.

Në një intervistë për DW, e cila duket se është realizuar para caktimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, Osmani ka treguar se si do të veprojë nëse Albin Kurti nuk arrijnë të formojë qeverinë të dielën.

E para e vendit ka bërë me dije se si presidente do t’i ftojë të gjitha partitë politike për të parë nëse dikush nga subjektet politike mund të krijojë shumicën parlamentare.

“Nuk dihet në qoftë se të dielën do të ketë seancë të kuvendit ose jo, sepse seanca e kuvendit ftohet vetëm në qoftë se krijohen 61 votat e nevojshme nga i mandatuari për kryeministër, zoti Kurti. Në qoftë se kjo do të ndodhë apo jo, është tërësisht në duart e partive politike dhe për momentin nuk mund të parashikoj, edhe pse e diela është shumë afër, por siç e dini rrjedhat politike në Kosovë nganjëherë janë të paparashikueshme. Pra, brenda orësh mund të ketë marrëveshje”, ka thënë Osmani.

Ajo ka bërë me dije se është ende herët të flitet për zgjedhje të parakohshëm.

“Në qoftë se ka marrëveshje, mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri. Në qoftë se s’ka marrëveshje, atëherë si presidente e vendit do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën, sepse mendoj që është përsëri herët të flasim për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë në qoftë se nuk krijohet shumica”, është shprehur Osmani.

Kuvendi i Kosovës dje ka njoftuar se seanca e jashtëzakonshme për formimit e Qeverisë së re do të mbahet të dielën duke filluar nga ora 10:00.

Në ftesën që kryeparlamenatri Dimal Basha ua ka dërguar deputetëve tregohet se kjo seancë ka vetëm një pikë të rendit të ditës: Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Ndonëse seanca është ftuar, ende nuk ka ndonjë konfirmim nga Lëvizja Vetëvendosje nëse i ka siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re.

Në fakt, zyrtarët e lartë të VV-së kanë pranuar se ende nuk i kanë 61 votat e nevojshme për qeverinë Kurti 3.

Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, e ka pranuar se tani për tani Albin Kurti nuk u ka votat e mjaftueshme për kryeministër.

Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ajo ka treguar se sa vota aktualisht i ka VV-ja.

Ajo ka treguar se Kurtit i duhet edhe 4-5 deputetët për të formuar qeverinë e re.

“Pritjet janë që të kemi një qeveri nga mandatari e kryeministri aktual Kurti, e cila pritet t’i marrë të paktën 61 vota. Megjithatë në këtë moment edhe përderisa po flasim ende nuk kemi konfirmim zyrtar mbi koalicionet e mundshme duke marrë parasysh që numri i deputetëve në grupin tonë parlamentar është 48, 8 të tjerë janë nga komuniteti joshumicë dhe një është nga nënkryetari Rashiq, që prapë i bie që jemi afër 4-5 deputetë mangu për të pasur minimumin e shumicës që duhet pasur”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Për formimin e qeverisë së re, Lëvizjes Vetëvendosje i duhen së paku edhe pesë vota. Si parti fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, VV-ja e Albin Kurtit ka 48 deputetë. VV-ja ka përkrahje edhe nga shtatë deputetë të komuniteteve joserbe, si dhe të deputetit serb Nenad Rashiqit.

Deri me tani, të gjitha partitë shqiptare në Kuvend kanë bërë me dije se nuk kanë votë për qeverinë “Kurti 3”.

Klosi: Kurti nuk iu bashkua UÇK-së në mal, iu tha se nuk ishte mirë me shëndet dhe nuk e përballonte jetën e malit

Ish-kreu i Shërbimit Informativ të Shqipërisë, Fatos Klosi, në një intervistë për Top News, thotë se ‘Kurti është në armiqësi të hapur me historinë e UÇK-së sepse nuk mori pjesë në atë histori”.

Kurti është në armiqësi të hapur me historinë e UÇK-së se ka qenë vetë pjesëtar në fillimet e Demaçit, asistent i të cilit ka qenë Kurti.

Pas Rambujesë, ai nuk ra dakord në mënyrën se si u trajtua, ai iku, iku edhe ky”, thotë Klosi.

Ai ka thënë se UÇK e luti Kurtin që të dilte bashkë me ta në mal, por sipas Klosit, Kurti refuzoi me arsyetimin se ‘nuk ishte mirë me shëndet’.

Ju lutën që ta ndihmonin nëse donte të merte pjesë të dilte në mal. Nuk ishte aq i ri ky në krahasim me të tjerët.

U justifikua që nuk jam mirë me shëndet dhe unë nuk e përballoj dot jetën e malit dhe u tërhoq.

Që atëherë, sigurisht e ka ndjerë veten të mangët se pse nuk mori pjesë. Ai nuk mori pjesë në çlirimin e Kosovës që ishte fenomeni më i madh në historinë e kombit shqiptar, në shekujt e fundit po themi”, tha Klosi.

A do t’i ketë votat për nesër? – Kurti zgjedh heshtjen

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka treguar nëse do t’i ketë 61 votat për ta bërë Qeverinë nesër.

Ai nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth kësaj çështjeje pas pjesëmarrjes në një aktivitet në Prishtinë, njofton Klankosova.tv.

Kurti, njëkohësisht nuk ka treguar se a është në kontakt me dikë nga partitë e tjera për t’i siguruar votat që i nevojiten për ta bërë funksional ekzekutivin.

Seanca e Kuvendit për qeverinë e re është caktuar për nesër me fillim nga ora 10:00.