“Hej nalu”, arsimtari nuk e kursen nxënësin, e rrah brutalisht në Prishtinë

Një rast i dhunës fizike është regjistruar brenda ambienteve të shkollës ‘Pavarësia’ në Prishtinë.

Në videon që e ka publikuar Kallxo, shihet një mësimdhënës i kësaj shkolle derisa e godet një nxënës.

Drejtori Halilaj i cili nuk ndodhej në shkollë, e ka konfirmuar rastin përmes telefonit më 09.02.2026.

Pritjes i vjen fundi – ja kur do të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhjen e radhës, ku në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Lajmin e ka konfirmuar për Insajderin zëdhënësi i KQZ-së, i cili bëri të ditur se mbledhja do të nisë në orën 18:00.

“Ju njoftoj se sot (e hënë, 9 shkurt 2026, ora 18:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës dhe në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 28 dhjetor 2025”, deklaroi ai.

Ky certifikim i hap rrugë konstituimit të Legjislaturës së Re të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të institucioneve të reja pas procesit zgjedhor të fundvitit të kaluar.

“45-vjet burgim për ish-krerët e UÇK-së”, vjen reagimi i parë nga Vetëvendosje

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër pas kërkesës së Prokurorisë në Hagë për dënimin me 45 vjet burgim të secilit prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Haxhiu e ka cilësuar këtë kërkesë si një akt padrejtësie dhe fyerje të rëndë ndaj viktimave shqiptare të luftës.

Sipas saj, ky proces nuk ka të bëjë me drejtësinë, por është një orvatje prokuroriale për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë çlirimtare.

“Serbia ka kryer krime lufte të dokumentuara, vrasje, masakrime, përdhunime seksuale si armë lufte dhe dëbime masive. E megjithatë, Serbia nuk u përball kurrë me drejtësinë në mënyrë serioze. Kriminelët e saj u ricikluan në pushtet, u amnistuan e u privilegjuan”, ka shkruar Haxhiu.

Haxhiu tutje ka theksuar se në vend të gjykimit të agresorit, po tentohet kriminalizimi i rezistencës së popullit të Kosovës, duke e trajtuar UÇK-në si shkak të luftës e jo si përgjigje ndaj terrorit shtetëror serb.

“Të kërkosh aq vite burgim për drejtues e ushtarë të UÇK-së, është tendencë për të zhveshur Kosovën nga e drejta morale e çlirimit dhe tendencë për ta barazuar viktimën me xhelatin”, tha jo.

Prokuroria kërkoi 45-vjet dënim, ja si reagon djali i Thaçit

Djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi ka ripërsëritur thirrjen për pjesëmarrje në marsh.

Ky marsh do të mbahet në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me fillim nga ora 14:00.

“Drejtësi, jo politikë”, organizohet nga platforma “Liria ka Emër”.

 

Prokuroria kërkoi 45 vjet dënim edhe për Selimin, reagon gruaja e tij

Sot në Hagë ka nisur faza përmbyllëse e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së. Prokuroria kërkoi që katër ish-krerët të dënohen me nga 45 vjet secili.

Për këtë ka reaguar bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipe Selimi. Ajo ka kërkuar drejtësi për çlirimtarët.

Reagimi:

E shenjta UÇK!

E shenjtë është liria për të cilën luftuam e u derdh gjak.

Historia jonë nuk rishkruhet.

Drejtësi për çlirimtarët!

/Reporteri.net/

Ky ishte reagimi i ish-krerëve të UÇK-së kur prokuroria kërkoi dënimin me nga 45 vjet për secilin prej tyre

Prokuroria e Hagës ka kërkuar dënim prej 45 vjetësh burg për secilin nga ish-krerët e UÇK-së, në seancën për deklaratat përmbyllëse në këtë proces gjyqësor.

Kërkesa u bë nga kryeprokurorja Kimberly West, e cila theksoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk po kërkon përgjegjësi për Shtabin e Përgjithshëm në tërësi, por për persona konkretë, bazuar në veprimet dhe kontributet individuale të secilit prej të akuzuarve.

“ZPS-ja kërkon vendim dënues për persona konkretë, jo për shtabin e përgjithshëm, por për persona konkretë. ZPS-ja kërkon dënim për të gjitha pikat e aktakuzës, prej 45 vitesh, mbështetur në kontributet individuale të kryera nga secili prej personave”, deklaroi West.

Ajo shtoi se veprat për të cilat akuzohen ish-krerët e UÇK-së përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke theksuar se bëhet fjalë për krime të rënda në natyrë.

Sipas kryeprokurores, pavarësisht kalimit të kohës, këto akuza nuk e kanë humbur peshën apo rëndësinë e tyre. “Këto krime janë të rënda dhe mbeten shumë të rënda edhe sot”, tha ajo.

Ndërkohë që kryeprokurorja po shprehte kërkesën për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, të njëjtit janë kapur nga kamerat. Fillimisht Krasniqi e Veseli, e pastaj Thaçi e Selimi, të cilët shihen me fytyrë të vrenjtur.

Pamje:

Prokuroria e Specializuar kërkon nga 45 vite burgim për Thaçin dhe të tjerët

Prokuroria e Specializuar në Hagë ka kërkuar nga 45 vite burgim për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prokurorja e Specializuar, amerikanja Kimberley West tha sot gjatë dhënies së fjalës përfundimtare në një seancë të Dhomave të Specializuara se Prokuroria kërkon burgim individual për secilin nga katër të akuzuarit.

Ajo tha se Prokuroria nuk kërkon dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së si entitet, por për individët e pandehur.

West, gjatë fjalës përfundimtare të Prokurorisë, përmendi disa nga krimet e dyshuara për të cilën akuzohen katër ish-krerët e UÇK-së.

Prokuroria e Specializuar do të japë sot dhe nesër paradite fjalën e saj përfundimtare në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.

Më pas është radha për avokatin e viktimave, dhe pastaj për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së.

Më 18 shkurt është planifikuar ta thonë fjalën e tyre edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E trishtë: Ndërron jetë mësimdhënësi nga Vushtrria

Mësimdhënësi i biologjisë nga shkolla “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Pantinë, Selami Zeqiri, ka ndërruar jetë.

Me këtë rast, kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka shprehur ngushëllime për familjen, kolegët dhe nxënësit e të ndjerit, duke theksuar se Zeqiri do të kujtohet për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tij të çmuar në edukimin e brezave të rinj.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”, ka shkruar Idrizi në telegramin e ngushëllimit.

Elektrosever nuk rrit çmimet, qytetarët në veri mbeten me tarifa më të ulëta se pjesa tjetër e vendit

Derisa qytetarët në 34 komuna mund të përballen me një rritje të serishme të çmimit të rrymës nga pranvera e këtij viti, ata në katër komunat me shumicë serbe në veri nuk do ta kenë këtë brengë as këtë vit.

Në përgjigjen e parë që nga licencimi, më 2022, kompania Elektrosever njoftoi se tarifat e saja do të mbesin të pandryshuara.

“Kompania Elektrosever nuk planifikon të rrisë çmimet e energjisë elektrike për momentin. Ne monitorojmë me kujdes dhe vazhdimisht situatën në treg dhe marrim në konsideratë të gjithë faktorët përkatës që ndikojnë në formimin e çmimeve”, thuhet nga ana e Elektroserverit.

Furnizuesi i licencuar për Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok aktualisht ka tarifa 12 deri në 22 për qind më të ulëta se sa ato në kuadër të Furnizuesit të Shërbimit Universal apo KESCO-s.

Ndërkaq, një aprovim eventual nga Zyra e Rregullatorit për Energji i propozimit të KESCO-s për rritje prej 21.3% do të thellonte dallimit.

Në një situatë hipotetike – nëse tarifat e KESCO-s do të rriteshin aq sa propozimi – për konsumin mujor nën 800 kilovatë orë Elektrosever do të kishte tarifa 48% më të ulëta.

Ndërsa, për bllokun mbi 800 kilovatë orë për tarifën lartë apo të ditës – dallimi do të ishte 36% e për atë të ulët apo të natës 47%.

Ndonëse Elektrosever funksionon jashtë tregut të rregulluar, në ZRRE nuk u përgjigjën në pyetjet e televizionit për këto dallime brenda vendit./Tv Dukagjini/

 

IKSHPK flet për rrezikun nga virusi Nipah në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndeti Publik ka bërë të ditur se Komiteti për Inteligjencë Epidemike dhe Komiteti për Sëmundje Ngjitëse, kanë mbajtur takime, ku kanë diskutuar situatën globale rreth përhapjes së virusit ‘Nipah’.

Për RTK-në ata bën të ditur se sipas vlerësimit aktual të Komiteteve, rreziku për Kosovën është i ulët, meqë edhe OBSH dhe organizatat e tjera kanë vlerësuar se shpërthimet mbeten sporadike, të lokalizuara dhe me mundësi të kufizuara të përhapjes përtej Indisë, ku janë zbuluar dy raste.

Sidoqoftë, sipas tyre, Komitetet kanë rekomanduar që të zgjerohet mbikëqyrja epidemiologjike dhe të rritet gatishmëria e sistemit shëndetësor, mirëpo, në këtë fazë nuk ka arsye për alarmim publik apo rrezik për popullatën në Kosovë.

Mjeku Naser Ramadani, njëherësh ish-drejtues IKSHPK-së, thotë se ekspertët e shëndetit publik theksojnë se virusi Nipah është i rrallë, por kur ndodhin shpërthime, pasojat mund të jenë shumë të rënda.