Komandanti i FSK’së: Do të marrim masa ndaj ekipit që hyri gabimisht në veri

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka deklaruar për Albanian Post se kanë kontaktuar me ekipin e FSK-së që ka hyrë “gabimisht” në veri dhe se për këtë janë duke përgatitur disa masa të brendshme.

“Po, kemi kontaktuar, pasi janë pjesëtarët tanë që kanë ngatërruar rrugën. Do të sqarojmë të gjithë rastin se si ka ndodhur. Sa i përket masave, këto janë procedura të brendshme, sigurisht që ne jemi angazhuar për to dhe besoj se do të arrijmë tek pikat e duhura”, deklaroi Jashari për AP.

Disa automjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës të enjten hynë gabimisht në territorin e Mitrovicës së Veriut gjatë së enjtes.

Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe tani, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

Pritet të lëshohet urdhërarrest ndaj Dardan Molliqajt

Në mungesë të të akuzuarit Dardan Molliqaj, ka dështuar sërish të nis gjykimi të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ai dhe Fatos Sahiti, akuzohen për sulmin ndaj Haki Abazit pas një debati televiziv në vitin 2019.

Ndaj Molliqajt, do të lëshohet urdhërarrest.

Gjyqtari i rastit, Fisnik Gashi bëri të ditur se për shkak të mungesës në seancë, ndaj Molliqajt do të lëshohet urdhërarrest, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Seanca e sotme e shqyrtimit gjyqësor nuk mund të mbahet për shkak të mungesës së të pandehurit Dardan Molliqaj. Ndaj të pandehurit Dardan Momlliqaj do të lëshohet urdhërarrest”, tha gjyqtari.

Të pranishëm në seancë ishin i akuzuari Fatos Sahiti dhe avokati i Dardan Molliqajt, Dren Kukaj. Ndërsa, nga pala e dëmtuar Haki Abazi me avokaten Sadije Mjekiqi.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore kjo seancë dështoi.

I akuzuari Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD) mungoi edhe në seancën e 4 shtatorit 2025, në të cilën mungesën e kishte arsyetuar me angazhimet për fushatën zgjedhore.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 18 shkurt 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të pandehurit Dardan Molliqaj dhe Fatos Sahiti akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Në aktakuzë thuhet se më 11 shtator 2019, rreth orës 22:00 në Fushë Kosovë, në Kolegjin “AAB”, të pandehurit e lartcekur pas përfundimit të debatit në emisionin “Pressing” në studion së televizionit T7, ku ishin të ftuar Endrit Shala, Rexhep Hoti, Haki Abazi dhe Dardan Molliqaj, me të dalë në korridor të kolegjit AAB, i pandehuri Molliqaj fillimisht e ka thirrë të dëmtuarin Abazi “ndalu këtu të flasim çka deshte me thënë në debat”, i cili ishte para tyre në korridor duke dalë në shoqëri me Rexhep Hotin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se posa i afrohet i pandehuri Molliqaj me dashje, duke e përdorë forcën e sulmon të dëmtuarin Haki Abazi në atë mënyrë që fillimisht e ka kapur për duar e më pas e godet me grusht në fytyrë dhe shqelma në këmbë.

FSK del me njoftim pasi ushtarët hynë gabimisht në pjesën veriore të Mitrovicës

Disa automjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) u panë sot në Mitrovicë të Veriut. 

FSK-ja, cila njoftoi se automjetet kanë ngatërruar drejtimin gjatë lëvizjes nga Istogu drejt kazermës së FSK-së në Mitrovicë.

“Forca e Sigurisë së Kosovës njofton publikun që sot me datë 16.10.2025 në ora 10:30, gjatë lëvizjes së konvojit të FSK-së nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë, pjesëtarët e FSK-së me automjete e kanë ngatërruar drejtimin e lëvizjes”, thuhet në njoftimin për media.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani po ashtu tha se FSK-ja është futur gabimisht.

“Na thanë se e kishin gabuar vendndodhjen dhe se mendonin se ishte Mitrovica Jugore”, ka thënë Elshani.

Sipas raportimeve të mediave serbe dhe videove që kanë qarkulluar në Telegram, automjetet e FSK-së hynë në Mitrovicën e Veriut në orët e mëngjesit.

Sa vota ka marrë deri tash “Alma” e Familjes Moderne, garoi për asambliste nga VV

Aktorja Vlora Merovci, e cila njihet për publikun me rolin e Almës në serialin “Familja Moderne”, ka garuar për Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Ajo ka qenë pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje. Nga numërimi i mbi 25 përqind të votave, Merovci nuk është as në 20’shen e parë të kësaj partie.

Deri tash ajo ka marrë 64 vota, shkruan Reporteri.net.

Më e votuara nga kjo listë është Mrika Limani Myrtaj si bartëse e listës me 4 mijë e 692 vota, pasuar nga Gëzim Sveçla, Nora Kelmendi, Leonora Shabani Bajraktari dhe Egzon Azemi. /Reporteri.net

Lista Serbe i drejtohet sërish Kushtetueses

Më 16 tetor, Lista Serbe sërish ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së kuvendit, si edhe një aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

“Po ashtu, kemi kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua, më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.

Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.

 

 

Kushtetuesja kishte trajtuar ankesën e dorëzuar më herët nga Lista Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kreu i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.

Më pas, gjykata konstatoi se kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e qeverisë.

Në vendimin e Kushtetueses u tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, në këtë rast të pakicës serbe, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.

Pasi deputetët e Listës Serbe nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave, kryetari i kuvendit, Dimal Basha, kërkoi që zgjedhja e nënkryetarit serb të vazhdojë përmes shortit, duke i mundësuar deputetit tjetër serb, Nenad Rashiq nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të zgjidhet nënkryetar.

Rashiq ka qenë ministër në qeverinë e Albin Kurtit, duke udhëhequr Dikasterin për Komunitete dhe Kthim.

Lista Serbe thotë se zgjedhja e Rashiqit është “jolegjitime” dhe paralajmëron se zgjedhjet do të humbasin kuptimin, nëse shumica e deputetëve shqiptarë u imponon serbëve përfaqësues, duke legalizuar ashtu “dhunën e shumicës ndaj pakicës”.

Një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mandatuar udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re. Sipas Kushtetutës, Kurti ka 15 ditë afat për t’i prezantuar kuvendit përbërjen dhe programin e qeverisë së re.

Për zgjedhjen e qeverisë duhen 61 vota të deputetëve dhe Kurti ka thënë se në ditët në vijim do të zhvillojë diskutime me partitë për një koalicion qeverisës. LVV-ja në zgjedhjet e 9 shkurtit ka fituar 48 ulëse në parlamentin me 120 deputetë.

Nëse Kurti nuk arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme deri më 26 tetor, atëherë Osmani, sipas ligjeve, është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar qeverinë.

Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

Nëse qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja Osmani duhet të shpallë zgjedhjet e reja./REL

“Sja ka lanë baba”, Haliti kritikon ashpër Memli Krasniqin: Ai s’është ma PDK se Ramizi

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka folur për zhvillimet e fundit në këtë parti, transmeton Demos.

Haliti deklaroi se lideri i kësaj partie Memli Krasniqi nuk është ma PDK se Ramizi.

‘Memli s’është ma PDK se Ramizi…në PDK duhen zgjedhje… s’ja ka lanë baba’”, tha Haliti.

Muharremi: PDK-ja fituesja më e madhe e raundit të parë

Analisti Shenoll Muharremi përmes një analize të publikuar në bazë të të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve konsideron se Partia Demokratike e Kosovës ka shënuar performancën më të mirë zgjedhore në raundin e parë të zgjedhjeve të 12 tetorit duke u radhitur kështu si fituesja më e madhe në aspektin e rritjes së votave për kandidatët për kryetarë komunash.

Duke bërë krahasime me zgjedhjet e kaluara ai tha se kjo parti ka rritur “numrin e votave për kryetarë nga 177,297/2021 në 199,484/2025 apo një ndryshim pozitiv prej +22,187 votave në raundin e parë (pa diasporë dhe vota me kusht).

“Në krahasim, LVV  ka pasur nje rritje prej +8,152 votave (2021/2025) por Lëvizja Vetëvendosje ka numrin me të lartë të përgjithshëm të votave për kryetarë 224,381 vota krahasuar me 199,484 PDK”.

“Rezultatet sugjerojnë konsolidim dhe rritje cilësore për PDK në zgjedhjet lokale dhe një momentum të qëndrueshëm për zgjedhjet nacionale, sidomos nëse ruhet ky ritëm në balotazh. Rritja dramatike ne Prishtinë me +9,968 vota dhe  Prizren me +5,362 si dhe mirëmbatja e pozicionit kryesor në Mitrovicë, Ferizaj, Vushtrri, Skenderajt, rritja ne Lipjan dhe Istog janë indikatorë pozitiv”.

“Sfida kryesore mbetet vazhdimi i momentumit dhe konsolidimi rreth Prishtinës si dhe gjetja e zgjidhjes për rajonin Perendimor ku ka pozicion jo të mirë”, shkroi ai në Facebook.

Muharremi njëherësh njoftoi se të gjitha të dhënat e publikuara janë nga KQZ ndërsa sipas tij, ndonjë komunë edhe mund të ketë gabime të paqëllimshme.

“Secili rezultat të vërtetohet nga burimet zyrtare në KQZ-së. Ky elaborim ka për bazë vetëm raundin e parë për kryetarë dhe duhet të kuptohet më shumë si trend tregues”, shtoi ai.

Më poshtë postimi i plotë i tij:

Partia Demokratike e Kosovës – Performanca Zgjedhore për Kryetarë Komunash (2025 vs 2021)

PDK ka tregu performancë të mirë dhe është fituesja më e madhe në raundin e parë me rritje të numrit të votave për kryetarë nga 177,297/2021 në 199,484/2025 apo një ndryshim pozitiv prej +22,187 votave në roundin e parë (pa diasporë dhe vota me kusht).

Në krahasim, LVV ka pasur nje rritje prej +8,152 votave (2021/2025) por Lëvizja Vetëvendosje ka numrin me të lartë të përgjithshëm të votave për kryetarë 224,381 vota krahasuar me 199,484 PDK.

Rezultatet sugjerojnë konsolidim dhe rritje cilësore për PDK në zgjedhjet lokale dhe një momentum të qëndrueshëm për zgjedhjet nacionale, sidomos nëse ruhet ky ritëm në balotazh.

Rritja dramatike ne Prishtinë me +9,968 vota dhe Prizren me +5,362 si dhe mirëmbatja e pozicionit kryesor në Mitrovicë, Ferizaj, Vushtrri, Skenderajt, rritja ne Lipjan dhe Istog janë indikatorë pozitiv.

Sfida kryesore mbetet vazhdimi i momentumit dhe konsolidimi rreth Prishtinës si dhe gjetja e zgjidhjes për rajonin Perendimor ku ka pozicion jo të mirë.

Përmbledhje Kryesore

-Votat 2021: 177,297

-Votat 2025: 199,484

-Ndryshim total: +22,187 vota

Trendi tregon rritje kredibile prej +12.5%, duke e bërë PDK-në partinë me rritjen më të madhe neto krahasuar me 2021 në këtë raund, sa i përket votave për kryetarë komunash.

Komunat ku PDK ka fituar më shumë

-Prishtinë: +9,968*

-Prizren: +5,362

-Lipjan: +3,760

-Vushtrri +3,279

-Istog +2,595

*Rritja më e madhe në Kosovë dhe rikthim i fuqishëm urban

Këto komuna përfaqësojnë kthesën e madhe elektorale të PDK-së, e cila ka arritur të forcojë bastionet e veta dhe njëkohësisht të depërtojë në disa komuna të reja.

Rritje të lehta

-Pejë: +2,005

-Gjilan: +1,755

-Klinë: +1,437

Komunat me rënie të votave

-Ferizaj: -2,907

-Kamenicë: -1,413

-Mitrovicë: -1,198

-Drenas: -1,046

Edhe pse në Ferizaj PDK ka fituar pa balotazh, ka një tkurrje të votave prej gati 3,000 votave. Gjtihashtu në Kamenicë ka një rënie prej 1,4k vota, ndërsa në Mitrovicë, përkundër performancës së mirë të kandidatit të ri dhe numrin më të lartë të votave në roundin e parë, kandidati ka rreth -1,2k vota më pak sesa Bedri Hamza në roundin e parë. Në Drenas në roundin e parë 2021 ka pasur 10,419 vota, ndërsa me 12 tetor 2025 ka fituar 9,373 vota.

Dinamikat Rajonale:

-Qendër (Prishtinë, Lipjan, Fushë Kosovë, Obiliq) Rritje neto, sidomos një ‘shpërthim’ në Prishtin por gjithashtu rritje te votave prej 5,201 ne 8,961 (+3,760) ne Lipjan.

-Lindje (Gjilan, Viti, Kamenicë) Rritje e pjesshme në Gjilan nga 3,518 në 5,273 vota (+1,755), ndërkohë që në Viti ka ruajtur numrin e votave (nga 4,879/2021 në 4,831/2025). Në Kamenicë ka humbje apo rënie të përkrahjes nga 2,098 vota në 2021 në 685 vota 2025 apo -1,413.

-Jug (Prizren, Ferizaj, Kaçanik, Shtime) Stabilitet dhe rritje. Në Prizren kemi rritjen më të theksuar pas Prishtinës. Votat atje janë rritur nga 18,919/2021 në 24,281/2025 apo +5,362. Në Ferizaj kemi tkurrje për -2,907 por në vendin e parë të konsoliduar.

Shtime ka -723 më pak e Kaqaniku gjithashtu -732.

-Veriu (Mitrovicë, Skenderaj, Vushtrri) Rritje e ndjeshme dhe konsolidim i plotë i bazës. Mitrovicë stabilitet me një tkurrje të lehtë nga 16,566 në 15,368. Në Vushtrri konsolidim dhe rritje e theksuar nga 10,247 në 13,526 vota (+3,279). Në Skenderajt tkurrje të numrit të votave prej 13,123/2021 në 12,433/2025 por rrithe te % nga 57.89% në 83.45%.

-Perëndim (Peje, Istog, Rahovec, Kline, Gjakovë) Rezultate të përziera, rritja në numra por pozicion i dobët rajonal. Pejë 2,005 më shumë, por kjo vetëm pasiqë nuk ka pasur kandidat me 2021. Gjakove rritje nga 1,377 2,277 por vendi i 4-te me 5,75%. Istog rritje e theksuar nga 1,189/2021 në 3,784/2025 (+2,595) dhe kalim në vendin e dytë. Klinë rritje nga 4,766/2021 në 6,203/2021 (+1,437) dhe Rahovec rritje te votave nga 2,418/2021 ne 3,077/2025.

p.s. Të gjitha të dhënat janë nga KQZ ndërsa ndonjë komunë edhe mund të ketë gabime të paqëllimshme. Secili rezultat të vërtetohet nga burimet zyrtare në KQZ-së. Ky elaborim ka për bazë vetëm roundin e parë për kryetarë dhe duhet të kuptohet më shumë si trend tregues.

 

Skandal: Zyrtari i Policisë së Kosovës me pasaportë serbe, dyshohet për lidhje me shërbimet sekrete të Beogradit

Një grup i organizuar, ende po vazhdon të operoj me kontrabandë në veri të vendit.

Grupi dyshohet të ketë lidhje të forta edhe me një zyrtar policor shqiptar, i cili është pjesë e Inteligjencës së Policisë së Kosovës.

Zyrtari G.K, emër i njohur për redaksinë, në disa fotografi të siguruara nga televizioni, shihet duke u shoqëruar me grupin e kontrabandës në veri, nofka e të cilëve është “Limuncat”.

Pjesë e grupit janë Millosh Vicentijevic dhe Miljan Vicentijevic, të cilët kanë lidhje biznesore me Radule Stevic, personi i cili është pjesë e aktakuzës në rastin “Banjska”, si i akuzuar për pastrim të parave.

Sipas burimeve të TËVË1, këto fotografi e vërtetojnë bashkëpunimin e policit G.K, në këtë grup të kontrabandës.

Për t’ia mundësuar Millan Vicentijeviqit kontrabandimin e mallrave nga Serbia në Kosovë, G.K dyshohet se u pagua prej 400 deri në 800 euro.

Përveç lidhjes me këtë grup, institucionet e sigurisë kanë dyshime të bazuara se zyrtari policor G.K, dërgon edhe informacione te BIA serbe.

Polici emër i njohur për redaksinë përveç pasaportës së Kosovës, posedon edhe një letërnjoftim të Serbisë.

TËVË1 ka siguruar këtë letërnjoftim, mirëpo për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit nuk do ta zbuloj këtë dokument.

G.K dyshohet se është pajisur edhe me pasaportë të shtetit serb.

Madje, TËVË1 ka mësuar se kur kamionët e Millan dhe Millosh Vicentinjeviq bllokuan më 24 shtator urën në fshatin Banjskë të Zveçanit, komunikuan me G.K për të marrë informacione rreth lëvizjeve të Policisë së Kosovës.

Pjesë e grupit është edhe kunati i Radule Stevic, Ivan Grubor, për të cilin i kemi siguruar edhe këto fotografi gjatë një takimi në Mitrovicë të Veriut.

Grupi bashkëpunon edhe me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, fakt i cili vërtetohet përmes këtyre fotografive të Millan Vicentijeviq pranë Vuqiqit në vitin 2018, në inaugurimin e Qendrës për Ekologji dhe Zhvillim të Sportit, në afërsi të liqenit të Ujmanit.

Qendra dyshohet se është përdorur edhe për aktivitete terroriste.

Ndaj zyrtarit G.K, Policia e Kosovës e kishte nisur një hetim të brendshëm në vitin 2015.

Sipas dokumentetit të siguruar, G.K gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në pikën kufitare në Jarinje, kishte regjistruar hyrje të kamionit nga Serbia në Kosovës në emër të Dragisa Miletic, për cka raporti thotë se ky kamion nuk kishte hyrë fare në territorin e Kosovës dhe se emri ishte vendosur i dikujt tjetër.

Raporti vlerëson se me këtë veprim është bërë shkelje e rëndë disiplinore.

Në një përgjigje për Tëvë1, Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se nuk mund të japin më shumë hollësi rreth hetimeve ndaj këtij zyrtari policor, por që në vitin 2024, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj G.K dhe një zyrtari tjetër policor në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Tëvë1 mëson se G.K kishte shkrepur me armë zjarri ndaj disa kontrabanduesve në veri të vendit.

“Për shkak të integritetit të procesit hetimor IPK nuk mund të ofrojë informacione në të gjitha pyetjet që ju keni adresuar. Sidoqoftë ju njoftojmë se IPK ka dorëzuar një kallëzim penal më 13.01. 2024 në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë për dy zyrtarë policorë si të dyshuar për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe për informacione shtesë rreth këtij rasti ju lutem i referoheni Prokurorisë së Shtetit”, ka thënë Arbër Beka zëdhënës i Inspektoratit Policor të Kosovës.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë nuk e ka mohuar e as pohuar se ndaj të njëjtit po bëhen hetime, por kanë bërë të ditur se për rastin më 13.01.2024 kanë pushuar hetimet ndaj tij nga prokurori i rastit.

“Në prokurori është paraqitur një kallëzim penal nga IPK ndaj personave G.K., dhe F.Xh lidhur me veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. Për këtë rast prokurori ka zhvilluar hetime dhe i ka pushuar me arsyetimin “se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit kanë kryer vepër penale“. Ndërkaq sa i përket pyetjeve tuaja të mëposhtme, rasti i cili është trajtuar nga prokurori nuk ka të bëjë me rrethanat të cilat i keni parashtruar në pyetjet tuaja”, ka thënë zëdhënsi Valon Preteni.

Në disa kërkime në internet, vërehet se G.K është mjaft aktiv edhe në rrjetet sociale, ku në vazhdimësi bën komente në postimet e politikanëve.

Një gjë e tillë nuk i lejohet një zyrtari policor, me rregulloren e Policisë së Kosovës.

Haradinaj: Ka interesim nga Vetëvendosje për koalicion me ne, por s’do të ketë qeveri Kurti 3

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se ka interesim të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje, por që nuk janë të interesuar për një koalicion me Kurtin.

Për IndeksOnline, Haradinaj ka thënë se Kurti s’i ka numrat për të formuar qeverinë.

Mirë do të ishte, sipas tij, që opozita ta bëjë qeverinë, deri në kohën kur zgjidhet presidenti i Kosovës.

Megjithate, ai thotë se si datë e mundshme për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme mund të jetë 14 dhjetori.

Kryetari i AAK-së ka thënë se partia që ai drejton do të garoj e vetme në zgjedhje parlamentare, kurdo që ato mbahen.

Përfundon numërimi i votave për asamble komunale në Skenderaj, kjo është top 5-shja e PDK-së

Tri ditë pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, po vazhdon ende numërimi i votave të kandidatëve për asamble komunale, transmeton Gazeta Online Veriu.info.

Ndërsa në komunën e Skenderajt ka përfunduar numërimi nga Qendra Komunale e Numërimit për Asamble.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ bartësja e listës së PDK-së në Skenderaj Adelina Spahiu-Alija ka marrë plotë 11.684 vota.

Kjo është top 5-shja e listës së PDK-së për asamble komunale: