Mbyllja e qumështores “VITA”, reagon ministri Muja

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja ka reaguar lidhur me kontrollet zyrtare që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) po zhvillon në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit, duke ritheksuar se mbrojtja e konsumatorit dhe zbatimi i legjislacionit për sigurinë ushqimore janë përgjegjësi institucionale dhe nuk mund të jenë objekt i përjashtimeve apo standardeve të dyfishta.

Sipas ministrit, kontrollet që po zhvillon AUV-ja janë pjesë e mandatit të saj të rregullt ligjor për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, gjatë ditës së sotme është realizuar kontroll zyrtar edhe në kompaninë “Vita”, njësoj si ndaj çdo operatori tjetër ekonomik që i nënshtrohet mbikëqyrjes institucionale.

“Qytetarët tanë duhet të dinë se çka hanë e çka pinë, për produktet për të cilat paguajnë. Siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë. Kontrollet nuk bëhen ndaj emrave të kompanive, por mbi bazën e mandatit ligjor. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin.” – ka deklaruar ministri Muja, thuhet në komunikatën e ministrisë.

Ai theksoi se kontrollet zyrtare kanë për qëllim verifikimin e respektimit të protokolleve të prodhimit, zbatimin e standardeve dhe dispozitave ligjore, vlefshmërinë e licencave dhe autorizimeve, si dhe përputhshmërinë e operatorëve ekonomikë me legjislacionin në fuqi.

Ministri nënvizoi se qëllimi i vetëm i këtyre veprimeve është mbrojtja e interesit publik, garantimi i sigurisë ushqimore, mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve dhe sigurimi i kushteve të barabarta për të gjithë prodhuesit dhe përpunuesit që respektojnë ligjin.

Ai shtoi se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ushtron të njëjtin mandat në të gjitha segmentet e industrisë ushqimore dhe se kontrollet zyrtare zhvillohen ndaj operatorëve ekonomikë pa dallim sektori, madhësie apo pozite në treg, duke garantuar zbatim të njëjtë të ligjit për secilin subjekt.

Haradinaj: Goditja ndaj VITA-s, goditje ndaj prodhimit vendor

Gjatë ditës së sotme është mbyllur qumështorja ”Vita”. Lidhur me këtë ka ardhur reagimi nga ana e Ramush Haradinajt.

Sipas Haradinajt, goditja ndaj qumështores VITA është goditje ndaj prodhimit vendor, ndaj fermerit të Kosovës dhe ndaj çdo familjeje që jeton nga puna e ndershme.

Ai ka thënë se në vend që t’i mbështesë prodhuesit vendorë, pushteti po i pengon, po i godet dhe po krijon pasiguri për investimet e tyre.

Reagimi i plotë:

Goditja ndaj qumështores VITA është goditje ndaj prodhimit vendor, ndaj fermerit të Kosovës dhe ndaj çdo familjeje që jeton nga puna e ndershme.

Mbyllja e njërit prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë, me direktiva të Qeverisë në detyrë, nuk është vetëm sulm ndaj një kompanie. Është goditje ndaj mijëra fermerëve që e dorëzojnë qumështin e tyre çdo ditë, ndaj qindra punëtorëve që sigurojnë bukën e familjeve të tyre dhe ndaj gjithë ekonomisë së vendit.

Në vend që t’i mbështesë prodhuesit vendorë, pushteti po i pengon, po i godet dhe po krijon pasiguri për investimet e tyre.

Kosova nuk ndërtohet duke mbyllur fabrika. Kosova ndërtohet duke mbrojtur prodhimin vendor, duke përkrahur fermerin, punëtorin dhe sipërmarrësin që investon e krijon vende pune.

Ftoj institucionet përgjegjëse të ndalin menjëherë çdo vendim arbitrar që rrezikon prodhimin vendor dhe mirëqenien e mijëra familjeve kosovare.

Drejtori i “Vitës” pas vendimit për mbylljen e kompanisë: Ministri Muja e do më shumë qumështin nga Serbia sesa qumështin tonë

Drejtori i qumështores “Vita” në Istog, Artan Spahija, ka reaguar ashpër pas vendimit të kompanisë për mbylljen e aktivitetit, duke e lidhur këtë me inspektimet e kryera nga Ministria e Bujqësisë.
Në një adresim para punëtorëve, Spahija akuzoi pushtetin se po favorizon importin e qumështit nga Serbia në vend të prodhuesve vendorë

“Ministri i cili më shumë e do Serbinë, më shumë sesa neve. Do më shumë me hy qumështi prej Serbisë, në Maqedoni e me u fut në Kosovë, sesa qumështi i ‘Vitës’. Ne nuk jemi kriminela, ne kemi me shku faqebardhë, edhe na nuk kemi me u dorëzu, këta munden me kry procedurën e vet, por ne juve nuk ju lëjmë”, tha Spahija.

Ai u zotua para punëtorëve se kompania do të vazhdojë aktivitetin dhe se pagat e tyre do të ekzekutohen, pavarësisht zhvillimeve të fundit.

“Ne kemi prodhime tjera, ne kemi me vazhdu, nuk munden me na ndalë. Nuk ka mujt as Serbia me na ndal. Ju mos keni merak, rrogat ja’u qesim, dhe ne nuk dorëzohemi”, deklaroi drejtori i “Vitës”.

Gjatë ditës, Ministria e Bujqësisë ka zhvilluar një aksion inspektues në qumështoren “Vita”, ku, sipas raportimeve, janë dërguar 25 inspektorë për kontroll pa paralajmërim

 

Nëse jo Lumir Abdixhiku – ja cilët emra po përmenden për kryetar të LDK-së

Kryetari i Degës së Dytë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Florian Dushi, ka deklaruar se partia ka figura të mjaftueshme që mund të marrin përgjegjësinë për drejtimin e saj, por ka theksuar se prioritet duhet të jetë organizimi i një procesi të rregullt dhe demokratik zgjedhor brenda partisë.

Dushi tha se qëllimi i kritikëve brenda LDK-së nuk është promovimi i një kandidati të caktuar për kryetar, por krijimi i kushteve që gara të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe demokratike.

Ai përmendi disa nga emrat që, sipas tij, janë diskutuar si kandidatë potencialë për udhëheqjen e LDK-së, duke përfshirë Përparim Ramën, Avdullah Hotin dhe Hykmete Bajramin.

Megjithatë, ai theksoi se procesi nuk duhet të fokusohet fillimisht te emrat, por te garantimi i një gare demokratike.

“Mendoj që LDK-ja ka mjaftueshëm njerëz që mund të marrin këtë përgjegjësi. Kjo nuk është betejë e jona për të sjellë dikë në krye… deri më tani janë mjaftueshëm emra që janë përmend. Natyrisht në mesin e tyre është Përparim Rama, edhe Avdullah Hoti është edhe zonja Hykmete Bajrami. Por, megjithëse, procesi është i ndërlidhur. Por në këtë fazë ky proces duhet të ndahet. Njëherë duhet të krijojmë kushte demokratike, për të zhvilluar një proces zgjedhor të mirëfilltë brenda LDK-së”, ka thënë Dushi në Debat Plus.

I riu shqiptar humb jetën në vendin e punës në Itali

Një aksident i rëndë në vendin e punës i ka marrë jetën një 27-vjeçari shqiptar në Itali, duke e shtuar edhe më tej listën e viktimave nga incidentet në punë në rajonin e Venetos.

Floriano Cani, 27 vjeç, banor i Gemona del Friuli, ndërroi jetë më 30 qershor në një spital në Padova, katër ditë pasi u plagos rëndë gjatë një aksidenti në Due Carrare. I riu ishte shtypur nga një shtyllë telekomunikacioni teksa ishte duke punuar, shkruajnë mediat në Itali.

Menjëherë pas incidentit, ai humbi ndjenjat dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit me ambulancë ajrore. Mjekët e shtruan në repartin e kujdesit intensiv, ku iu nënshtrua të gjitha ndërhyrjeve dhe trajtimeve të nevojshme.
Megjithatë, dëmtimet e marra rezultuan tepër të rënda dhe, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, 27-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.

Sipas mediave italiane, që në momentet e para pas aksidentit u kuptua se gjendja e tij ishte kritike. Vdekja e Floriano Canit shënon një tjetër humbje tragjike në provincën e Padovës, ku një punëtor humb jetën gjatë ushtrimit të detyrës.

Pas ngjarjes ka reaguar edhe Roberto Toigo, sekretari i përgjithshëm i UIL Veneto, i cili kërkoi më shumë vëmendje ndaj sigurisë në vendin e punës.

“Rajoni i Venetos mban zi për një tjetër vdekje në vendin e punës. Pas katër ditësh në spital, punëtori shqiptar i shtypur nga një shtyllë në Due Carrare ka ndërruar jetë. Lista, fatkeqësisht, vazhdon të zgjatet, në një vit që e ka rikthyer rajonin tonë në zonën e kuqe për aksidente fatale. Shëndeti dhe siguria në vendin e punës duhet të rikthehen në qendër të debatit publik, me një angazhim të përbashkët për të ndalur këtë trend tragjik”, u shpreh ai.

Të plagosurit në Podujevë dyshohet se kanë lidhje familjare

Të plagosurit në Podujevë dyshohet se kanë lidhje familjare, ka thënë prokurori kujdestar Menduhi Kastrati.

Ai ka thënë se është nisur drejt vendit të ngjarjes dhe se deri më tani nuk ka informacione për viktima.

“Për persona të lënduar kemi informata që janë duke u dërgu në QKUK, mirëpo për të vrarë nuk kemi informata. Jemi duke shku në vend të ngjarje”, ka thënë prokurori.

Informatat janë se dyshohet se janë familjarë, kanë lidhje familjare, por detaje nuk kam as unë. Motivet ende nuk dihen, policia është e angazhuar”, ka thënë Kastrati për Betimi për Drejtësi.

Pľagosja në Podujevë, mes dajëve dhe nipave

Podujeva është tronditur sot nga një ngjarje e rëndë që ka ndodhur mesditën e sotme. Katër persona kanë mbetur të plagosur dhe të njëjtit janë transferuar në QKUK.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se personat e përfshirë janë në lidhje familjare, dajë dhe nipa.

Një konflikt i mëhershëm dyshohet se ka çuar deri tek sherri i ditës së sotme.

Tre të pľagosur nga të sħtënat në Podujevë, Policia nis hetimet

Janë raportuar të shtëna me armë zjarri në qendër të Podujevës, pasditen e së enjtes.

Sipas Policisë së Kosovës, njësitet kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku nga informacionet e para dyshohet se tre persona kanë mbetur të plagosur.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana ka thënë për Dukagjinin se të lënduarit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim mjekësor.

Aktualisht, policia është duke zhvilluar veprime operativo-hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes.

Dyshohet se ka humbur jetën një vajzë në plazhin e Shëngjinit

Një ngjarje e rëndë dyshohet të ketë ndodhur pasditen e sotme në plazhin e Shëngjinit, ku, sipas informacioneve të para, një vajzë ka humbur jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe autoritetet përkatëse, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, raporton Indeksonline

Deri në këto momente nuk ka ende një konfirmim zyrtar lidhur me shkaqet e ngjarjes apo identitetin e viktimës.

Kurti, kryeministri me pagën më të ulët në Ballkan

Sipas një raporti të revistës ekonomike “Monitor”, i realizuar në bashkëpunim me korrespondentët e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina kryesojnë rajonin për nga pagat e presidentëve dhe kryeministrave, ndërsa Kosova renditet ndër vendet me pagat më të ulëta për drejtuesit e saj shtetërorë.

Raporti tregon se kryeministri shqiptar është më i paguari në Ballkanin Perëndimor, me një pagë mujore bruto prej rreth 4,130 eurosh, ose 4.8 herë më të lartë se paga mesatare në Shqipëri. Ndërkaq presidenti i Shqipërisë përfiton një pagë mujore bruto prej rreth 4.470 eurosh, që është 5.2 herë më e lartë se paga mesatare në vend.

Në Bosnjë e Hercegovinë, për shkak të strukturës së veçantë administrative, mesatarja e pagave bruto të presidentëve arrin në rreth 4.600 euro, ndërsa ajo e kryeministrave në rreth 4.000 euro. Megjithatë, diferenca me pagën mesatare në vend është më e ulët se në Shqipëri.

Image

Në Mal të Zi, presidenti dhe kryeministri kanë paga bruto prej rreth 2,700 eurosh, ose 2.2 herë mbi pagën mesatare të vendit.

Serbia, ndonëse ka pagën mesatare më të lartë në rajon, paguan më pak drejtuesit e saj shtetërorë. Presidenti serb ka një pagë bruto prej rreth 2,740 eurosh, ndërsa kryeministri rreth 2,300 euro.

Në Maqedoninë e Veriut mediat raportojnë se presidenti dhe kryeministri përfitojnë paga bruto prej rreth 3,300 eurosh secili, ose rreth tri herë më të larta se paga mesatare në vend.

Sa i përket Kosovës, paga bazë mujore bruto e presidentit është 1,980 euro, ose 1.64 herë mbi pagën mesatare në vend, ndërsa kryeministri ka një pagë bazë bruto prej 1,870 eurosh, ose 1.55 herë më të lartë se mesatarja.

Raporti vlerëson se, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Kosova ka një nga nivelet më të ulëta të pagave për drejtuesit e saj shtetërorë, ndërsa diferenca mes pagave të tyre dhe pagës mesatare në vend mbetet më e vogël se në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas “Monitor”, Shqipëria mbetet vendi ku presidenti dhe kryeministri kanë avantazhin më të madh financiar në raport me qytetarin mesatar, me paga rreth pesë herë më të larta se mesatarja kombëtare.