Mbyllja e qumështores “Vita”, reagon Kryeministri Kurti

Siguria ushqimore është jetike për shëndetin e qytetarëve, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të premten, një ditë pas mbylljes së qumështores Vita, të cilës iu vu dryni nga pronarët, ditën kur te kjo fabrikë zbritën inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari për të inspektuar, siç thanë, standardet e sigurisë ushqimore.

Shefi në detyrë i qeverisë deklaroi se është e domosdoshme që të bëhen sa më shumë analiza të ushqimeve të cilat u servohen qytetarëve të Kosovës.

Ai i bëri këto komente pas ngjarjes ku u shpallën 556 përfituesit e Skemës së Granteve për Investime – LOT 1, në kuadër të projektit “Mbështetje për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sektorit të Bujqësisë në Zonat Rurale përmes Diversifikimit të Aktiviteteve”.

“Për Qeverinë e Kosovës, bujqësia nuk është vetëm një sektor tradicional, por është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit dhe rritjes ekonomike, sigurisë ushqimore dhe ekonomisë prodhuese. Çdo investim në fermerët dhe prodhuesit tanë është një investim në një Kosovë që prodhon më shumë, përpunon, eksporton dhe krijon më shumë vende pune. Për neve bujqësia është edhe çështje e sovranitetit ushqimor. Çdo fermë që rrit prodhimin vendor e bën Kosovën më konkurruese dhe më pak të varur nga importet, dhe më të përgatitur për sfidat ekonomike në të ardhmen… Siguria ushqimore është jetike për shëndetin e qytetarëve. Që të bëjmë sa më parë, mundësisht aspak, analiza pacientësh në spitale, është e nevojshme që të kemi sa më shumë dhe gjithnjë e më shumë analiza ushqimesh që na servohen”, tha ai.

Duke folur për grantet në këtë ngjarje, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, tha se ato do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e prodhimit dhe zhvillimin ekonomik të zonave rurale.

“Grantet që do t’iu jepen juve sot do të krijojnë një nxitje për prodhimin dhe produktivitetin tuaj. Ato do të mundësojnë investimet e planifikuara tash e një kohë të gjatë. Duke marrë parasysh këtë, grantet do të sigurojnë, shpresojmë, një nxitje të prekshme të ekonomisë bujqësore dhe rurale të Kosovës. Këto janë më shumë sesa grante. Kjo skemë dallon se shënon një formë të re të partneritetit midis vendeve tona. Për herë të parë, Qeveria e Kosovës i është bashkuar me fonde të dukshme të veta, duke financuar në shkallë të madhe nismat rurale”, potencoi diplomati gjerman.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, tha se procesi i ndarjes së këtyre granteve ka qenë transparent dhe konkurrues./kp

Akųzohej për vr’asje, ťortura e malťretime gjatë lufťës – Ekrem Bajroviqi dënohet me 12 vjet burg

Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykim e ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar me 12 vite burgim Ekrem Bajroviqin, i akuzuar për krime lufte gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Istogut.

Ekrem Bajroviq nga Prokuroria Speciale po akuzohet për “krime lufte ndaj popullatës civile” në Istog dhe në fshatrat përreth në vitet 1998-1999.

Shpallja e këtij aktgjykimi u bë të premten, më 03.07.2026, nga gjyqtari Avni Syla.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Ekrem Bajroviq detyrohet të paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumën prej 300 euro, si dhe shumën prej 100 euro për fondin e viktimave të krimit.

Të akuzuarit me aktvendim të veçantë iu vazhdua masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi.

Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike u udhëzuan në kontest të rregullt jurdiko-civil.

Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.

Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë për Ekrem Bajroviqin?

Sipas Aktakuzës gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 në Istog dhe në fshatrat përreth Bajroviq ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.

Këto veprime akuzohet t’i ketë kryer si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe në mënyrë individuale, si dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë.

Aktakuza thotë se në fshatin Staradran, më 08.05.1999, kolona e popullsisë civile që po shkonte në drejtim të Shqipërisë ishte ndalur nga forcat policore dhe ushtarake serbe – pjesë e të cilave ishte edhe Bajroviq, me ç’rast ishin ndarë djemtë e burrat nga pjesa tjetër e grupit.

Fillimisht atyre u ishin marrë paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e më pas ishin vendosur në oborrin e shtëpisë së një personi ku ishin renditur me radhë, me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit, me ç’rast forcat serbe i kishin sulmuar fizikisht dhe rrahur me mjete të ndryshme – thuhet në aktakuzë.

Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe u ishin drejtuar me fjalët: “Ku e keni NATO-n?” e “Ku e keni UÇK-në?”.

Aktakuza thotë se më pas ishin dërguar në një shtëpi, ku kishin pushkatuar së paku 16 prej civilëve shqiptarë. Vetëm një prej tyre kishte mbijetuar, ndonëse i plagosur.

Ndërkaq, sipas Aktakuzës, i akuzuari më 07.05.1999 kishte marrë pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë, të cilët i kishin ndarë fillimisht nga kolona dhe i kishin marrë të gjitha paratë e sendet me vlerë.

Më pas këta persona i kishin dërguar në Gurakovc, në një lokal, ku i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore, e më pas i kishin transferuar në Stacionin Policor në Gurakovc.

Sipas Aktakuzës kolonës i ka prirë i akuzuari Ekrem Bajroviq me nacionalitet boshnjak, i cili kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut një person në anën e djathtë nën brinjë.

Kurse më pas, sipas Aktakuzës, pas vendosjes së civilëve në Stacion Policor i kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore; dhunë psikike – duke i kanosur për jetë. Më tej në Aktakuzë thuhet se përveç lëndimeve të rënda trupore u janë shkaktuar trauma dhe pasoja në shëndet.

Sipas Aktakuzës këto veprime sanksionohen sipas Ligjeve vendore, si dhe Konventës Ndërkombëtare të Gjenevës./Kallxo,com/

Nuk u mbijetoi plagëve, ky është 39-vjeçari që humbi jetën aksidentalisht në Pejë

Ka përfunduar tragjikisht aksidenti i rëndë që ndodhi më 23 qershor në fshatin Zahaq të Pejës, pasi këmbësori që ishte goditur nga një veturë nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është Diamant Goska, 39-vjeçar, i cili kishte qëndruar për disa ditë në gjendje të rëndë shëndetësore, por pasditen e së enjtes ka ndërruar jetë.

Sipas hetimeve fillestare, aksidenti kishte ndodhur në rrugën Pejë–Klinë, në afërsi të “Swiss Oil” në fshatin Zahaq. Dyshohet se drejtuesi i një automjeti Volkswagen, Bashkim Kuqi, 51-vjeçar, duke mos e përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, e kishte goditur këmbësorin në momentin kur ai po e kalonte rrugën.

Si pasojë e goditjes, 39-vjeçari kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe ishte dërguar për trajtim mjekësor, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit po vazhdojnë nga Njësia Rajonale e Hetimeve të Aksidenteve në Pejë.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

Policia jep detaje lidhur me plagosjen në Podujevë

Gjatë ditës së djeshme në qytetin e Podujevës ndodhi një plagosje me armë zjarri.

Sipas Policisë në këtë rast kanë mbetur të plagosur 4 persona, tre të përfshirë në rast dhe një kalimtar i rastit.

Lidhur me rastin kanë intervenuar menjëherë zyrtarë policor dhe njësitë relevante policore, të cilat në vendngjarje kanë gjetur dhe sekuestruar tri armë zjarri dhe 28 gëzhoja.

Po ashtu është bërë e ditur se në vendngjarje ka dalë stafi i lartë menaxhues i PK-së, ekipet mjekësore dhe prokurori i rastit, me vendim të të cilit janë bastisur edhe pronat e të dyshuarve ku janë gjetur dhe sekuestruar dy karikatorë me 58 fishekë, dy karikatorë të tjerë me 27 fishekë, dy armë të shkurta me 82 fishekë dhe një armë gjuetie me 49 fishekë.

Rasti i është nënshtruar procedurave të mëtejme hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Humb jetën një i ri aksidentalisht në Pejë

Aksidenti i rëndë që ndodhi më 23 qershor në fshatin Zahaq të Pejës ka marrë epilog tragjik. Këmbësori i cili ishte lënduar rëndë pasi u godit nga një veturë nuk ka arritur t’u mbijetonte plagëve dhe ka ndërruar jetë të enjten, pas disa ditësh trajtim në spital.

Viktima është D. G, 39 vjeç, i cili kishte qëndruar për disa ditë në gjendje të rëndë shëndetësore. Pavarësisht trajtimit mjekësor, ai ka ndërruar jetë pasditen e së enjtes.

Lajmin për vdekjen e viktimës e ka konfirmuar për Indeksonlinen zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

“Jemi informuar se personi i lënduar ka ndërruar jetë. Më 23 qershor 2026, në fshatin Zahaq, ka ndodhur një aksident trafiku, ku një këmbësor është goditur nga një veturë. Viktima kishte qëndruar për disa ditë në trajtim mjekësor, por si pasojë e lëndimeve të marra nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

Personi i dyshuar vazhdon të jetë nën hetim, ndërsa njësitet kompetente janë duke vazhduar hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”. ka deklaruar Rugova.

23-vjeçarja i jep fund jetës me fotoksinë, dyshohet se shkak ishte i fejuari

Një ngjarje e rëndë është raportuar në fshatin Xhyherinë, Vlorë, ku një 23-vjeçare, Ola Metani, dyshohet se ka konsumuar fotoksinë dhe ka humbur jetën.

Dyshohet se ajo jetonte me të fejuarin e saj.

Në lidhje me vdekjen e saj ka reaguar edhe xhaxhai i saj i cili tha:

“O Ola e xhaxhit. Menduam që mjaft i kemi pasur lotët, por ikja jote na hidhëroi shpirtin. Ishte një lule e bukur dhe e tillë do të mbetesh gjithë jetën, o yll i bukur, që na loton zemrën dhe shpirtin. Lamtumirë, o yll i xhaxhit”,shkruan xhaxhai në Facebook.

Deri tani lidhur me ngjarjen policia nuk ka reaguar dhe nuk ka dhënë asnjë detaj.

Ndërkohë një mikeshë e saj shkruan se shkak mund të ketë qenë i fejuari.

Në një fshat të Vlorës ka vdekur një 23 vjeçare. Mendohet se shkak ka qenë i fejuari”, shkruan shoqja e të ndjerës në rrjetin social facebook.

Mirena tallë hipokrizinë: Vetëvendosja nga ‘Duaje tëndën’ në ‘Duaje Vuk Hamoviqin’

Gazetari e komentatori politik, Ilir Mirena, ironizoi me ndërhyrjet dhe qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje në sektorin privat pas inspektimit të sotëm në qumështoren ‘Vita’, transmeton Gazeta Metro.

“Kampanjat e VV’se, nga “Duaje tenden” ne…”

AUV ndërhy me një bataljon inspektorësh në qumështoren ‘Vita’ me dramë që u mësua se ishte urdhër i ministrit në largim Armend Muja./gazetametro.net

E dhimbshme: Humb jetën tragjikisht në Gjermani, 63-vjeçari nga Rahoveci

Më 29 qershor të këtij viti, Elhami Elshani, nga fshati Brestoc i Rahovecit vdiq tragjikisht në Gjermani.

Sipas njoftimit të fshatit, i ndjeri humbi jetën në moshën 63-vjeçare, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa është bërë e ditur se ceremonia e varrimit do të zhvillohet të premten, më 3 korrik, pas faljes së namazit të Ikindisë, në varrezat e fshatit Brestoc.

Rama: Kurti e izoloi Kosovën, humbëm fondet e BE-së dhe tani po i mbyll fabrikat

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj Qeverisë së Albin Kurtit, duke e fajësuar për izolimin e Kosovës, humbjen e fondeve të Bashkimit Evropian dhe, sipas tij, mbylljen e bizneseve vendore.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e ka përmbledhur bilancin e qeverisjes me fjalët: “Izolim. Sanksione. Humbje fondesh. Mbyllje fabrikash.”, duke thënë se kjo është pasoja e një politike që, sipas tij, u paraqit si patriotike, por që po e paguajnë qytetarët e Kosovës.

Ai ka deklaruar se Bashkimi Evropian po i ridrejton fondet drejt Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa Kosova, sipas tij, ka mbetur jashtë për shkak të masave ndëshkuese të vendosura nga BE-ja.

Rama ka përmendur edhe mbylljen e fabrikës së qumështit “Vita”, duke thënë se pasojat po i ndiejnë punëtorët, fermerët dhe pronarët, ndërsa ka ngritur pyetjen se cili biznes do të jetë i radhës.

“Sot po shohim biznese që mbyllen. Po mbesim pa fonde të Bashkimit Evropian, ndërsa amerikanëve, për projektin e gazit, iu përgjigjëm me arrogancë: ‘Ne kemi ide më të mirë’”, ka shkruar ai.

Sipas kryetarit të Prishtinës, Kosova po ua kthen shpinën aleatëve që kontribuuan në lirinë dhe shtetësinë e saj, ndërsa ka krahasuar zhvillimet e fundit me vitet e ’90-ta, duke thënë se pamjet e largimit të punëtorëve nga vendet e punës kujtojnë periudhën kur regjimi serb largonte shqiptarët nga institucionet dhe ndërmarrjet.

Ai ka vlerësuar se vendi po humb investime, vende pune dhe dinjitet ekonomik, ndërsa ka akuzuar Qeverinë se po i mban qytetarët të varur nga, siç është shprehur ai, “lëmoshat dhe premtimet elektorale prej 100 eurosh”, në vend që të krijojë kushte për punësim dhe zhvillim ekonomik.

Në fund të reagimit, Rama e ka cilësuar situatën si pasojë të një “qeverie autokrate, të paaftë dhe papunëtore”, duke e përmbyllur postimin me fjalën: “Mjerim!”

Rasti i qumështores “Vita”, AUV: Janë marrë mostra, priten rezultatet e analizave

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka kryer një inspektim të jashtëzakonshëm në një subjekt që merret me përpunimin e qumështit dhe prodhimin e produkteve të qumështit, gjatë të cilit janë konstatuar mospërputhje me legjislacionin në fuqi.

Sipas AUV-së, inspektimi kishte për qëllim verifikimin e përputhshmërisë së aktivitetit të operatorit me kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore.

Në njoftim thuhet se, pas verifikimit të dokumentacionit, kontrollit fizik të objektit dhe inspektimit të linjave të prodhimit, është konstatuar se operatori ushtron veprimtari të përpunimit të qumështit në bazë të autorizimit përkatës, por në objekt janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me origjinë shtazore dhe me bazë qumështi, duke përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse.

Sipas Agjencisë, është konstatuar gjithashtu se subjekti nuk posedon autorizim të veçantë për prodhimin dhe përpunimin e produkteve me bazë yndyrash bimore dhe proteinash qumështi për qëllimet e deklaruara në etiketim, ndërsa disa elemente të procesit kërkojnë vlerësim të mëtejshëm nga autoritetet kompetente.

AUV thekson se në këtë fazë nuk është marrë asnjë vendim për mbylljen e subjektit.

“Inspektimi ka konsistuar vetëm në verifikim dhe marrje mostrash, ndërsa vlerësimi i plotë dhe konstatimet përfundimtare do të bëhen pas pranimit të rezultateve laboratorike, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

Pas përfundimit të procedurës inspektuese, subjektit i është lënë vendim për të respektuar dhe zbatuar kërkesat e legjislacionit në fuqi, përfshirë udhëzimet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për prodhimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ritheksoi se mbrojtja e shëndetit publik dhe siguria ushqimore mbeten prioritet institucional, ndërsa rezultatet laboratorike do të përcaktojnë veprimet e mëtejshme administrative dhe ligjore ndaj subjektit./Telegrafi.