div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-25 category-paged-25 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Gjykata liron dhjetë të dyshuar për manipulim votash në Mitrovicë

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 10 kryesuesve komunalë zgjedhorë nga 34 sa u ndaluan një ditë më parë, pas dyshimeve për manipulim me vota.

Gjykata në Mitrovicë, ka vendosur që të njëjtit të mbrohen në liri.

“Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se sot ka mbajtur tri (3) seanca dëgjimore lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dhjetë (10) të pandehurve. Pas shqyrtimit të kërkesave dhe vlerësimit të provave të paraqitura, Gjykata ka refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve: R.J., L.H., N.D., A.N., B.F., H.S., Sh.N., Y.S., D.K. dhe S.S., duke vendosur që të njëjtit të mbrohen në liri. Të pandehurit dyshohen se, secili veç e veç, kanë kryer veprën penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Gjykata ka vlerësuar se, në këtë fazë të procedurës penale, nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

Vdes ish-ushtari i UÇK-së, Tafa Latif Krasniqi

Ka vdekur ish-luftëtari i UÇK-së, Tafa Latif Krasniqi.

Lajmi u bë i ditur nga familjarët e të ndjerit.

“NJOFTIM!
Me pikëllim të thellë njoftojmë bashkëvendasit, shokët, miqtë e dashamirët,ndërroj jetë vllau jonë, ish ushtari, veterani i UÇK, Tafa Latif Krasniqi.
Varrimi bëhet më dt.03.02.2026 në ora 13:00, në Varrezat Shabanaj, lagja Jahaj fshati Drenoc.”, thuhet në njoftimin e familjes

Lajmi u bë i ditur nga familjarët e të ndjerit.

“NJOFTIM!
Me pikëllim të thellë njoftojmë bashkëvendasit, shokët, miqtë e dashamirët,ndërroj jetë vllau jonë, ish ushtari, veterani i UÇK, Tafa Latif Krasniqi.
Varrimi bëhet më dt.03.02.2026 në ora 13:00, në Varrezat Shabanaj, lagja Jahaj fshati Drenoc.”, thuhet në njoftimin e familjes

“E ka qit fotografinë e Thaçit më ka than shkele, i kam than vram” – Ish e burgosura politike rrëfen torturat nga gardianja serbe Nadica Cvetkoviq

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur sot seanca fillestare ndaj Nadica Cvetkoviq, e cila akuzohet se në cilësinë e gardianes në burgun e Prishtinës dhe paralelen në Lipjan, ka kryer krime lufte.

Në këtë seancë, ajo është deklaruar e pafajshme.

Pas seancës, një ish e burgosur politike ka rrefyer për tmerret e shkaktuara nga vetë Cvetkoviq.

“Të gjithë janë sjell keq, në mënyrën më të tmerrshme po kjo ka qenë më kriminelja. E mbaj mend që çdo muaj na ka torturu, e lshojke magnetofonin me zë të lartë që mos me u dëgju britmat. Ka përdor dhunë të vazhdueshme ndaj meje, kam qenë prej femrave më të torturume në burgjet serbe edhe fizikisht edhe psiqikisht. Kjo më ka qu në podrum, ka qenë një dhomë aty me mjete, lloj lloj makina të ndryshme edhe më ka thënë ky është vendi ku kemi gri shqiptar edhe ti në këto maqina sot ki me depërtu”, ka thënë ajo.

Ajo gjithashtu ka thënë se e njëjta e kishte shtyrë ta shkelte fotografinë e Hashim Thaçit, por që thotë se të njëjtën nuk e ka bërë.

“Më ka zhvesh, qysh më ka ba nana, e ka qit fotografinë e Hashim Thaçit në tokë, edhe më kanë torturu sa kanë mujt, derisa s’kam mujt me i përballu. Është mundu me më shti me e shkel fotografinë e Hashim Thaçit edhe nuk e kam shkel. Në fund i kam thënë, nxirre revolen vram se nuk e shkeli se është vllau jem”, ka shtuar ajo.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 16 janar 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Nadica Cvetkoviq të cilën e akuzon për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Cvetkviq akuzohet se në mënyrë sistematike, i ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, duke i kanosur për jetë dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, si shkop gome, shqelma dhe grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura N.C., gjatë periudhës 1998-1999, në cilësinë e personit zyrtar-gardiane në Burgun e Prishtinës, paralelja për gra në Lipjan, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgut, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës. Sipas aktakuzës, N.C., gjatë gjithë kësaj periudhe, në mënyrë sistematike, i ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, duke i kanosur për jetë dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme , si shkop gome, shqelma dhe grushte, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore. Si pasojë e këtyre rrahjeve, viktimat kanë pësuar dhunë psikike, gjendje ankthi dhe frike, dhe u është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Martin Berishaj e pranoi para Prokurorisë se u pagua nga Serbia

Martin Berisha, e ka pranuar në intervistën e tij para Prokurorisë Speciale të Kosovës se ka marrë shuma të majme parash nga kompania GEN-i, dega në Beograd.

VOX Kosova ka siguruar deklarimin e Berishajt para Prokurorisë të dhënë në vitin 2025. Aty Berisha e pranon se… “Pagesat janë realizuar përmes GEN d.o.o. Beograd, në bazë të autorizimeve të brendshme të këtij grupi. Të gjitha pagesat janë kryer përmes bankave dhe janë shoqëruar me kontrata dhe fatura përkatëse”.

VOX ka kuptuar nga Prokuroria Speciale se kanë kërkuar informacione shtesë edhe nga autoritetet e Serbisë, që kanë të bëjnë me të dhënat financiare të Berishajt në këtë shtet.

Edhe prokuroria sllovene pati njoftuar se është vendosur që çështja e Martin Berishajt t’u dorëzohet serbëve, meqë pagesat vinin nga Beogradi.

Sllovenët kishin gjetur mjaftueshëm prova për dyshim të bazuar për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo besimit në veprimtari ekonomike, por dyshimi ishte për Borislav Antoviç, shtetas serb.

Antoviç, si këshilltar financiar në GEN-i Boegrad, ishte personi që kishte nënshkruar kontratat me Martin Berishajn për pagesat milionëshe.

Përkundr dyshimeve të sllovenëve dhe kalimit të rastit në Serbi, Berishaj tentonte ta prezantojë krejt ndryshe rastin e tij para mediave në Kosovë.

“U mbyll more ajo çështje në Slloveni, ajo punë. Hiqni dorë nga përrallat”, thoshte Berishaj.

Edhe pse drejtësia e sheh me dyshim Berishajn, krerët e shtetit në Kosovë thoshin se… “Ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës”.

Berishaj ishte paguar me shuma marramendëse nga GEN-I serb për të dhënë këshilla lidhur me tregjet e energjisë në Ballkan.

Sipas dokumenteve të publikuara nga Njësia e Inteligjencës Financiare në Kosovë, të dhënat në bankat e Kosovës dëshmojnë pagesa marramendëse për Berishajn.

Aty shihet se Berishaj, pasi pranonte të hollat përmes bankës i tërhiqte ato në formë të keshit pa sqarime për destinacion final.

Por, siç do të thoshte Donika Gërvalla më vonë “Tema e Martin Berishajt është konsumu bre”.

13 vjet burgim për Muhamet Alidemajn për masakrën e Izbicës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 13 vjet burgim Muhamet Alidemajn për krime lufte kundër njerëzimit.

Sipas aktakuzës, Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës, që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë.

Ndryshe, në seancën fllestare më 29 prill 2022, në gjykimin e parë, Alidemaj ishte deklaruar i pafajshëm. Njësoj u deklarua edhe në seancën e rigjykimit, më 23 tetor 2025.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 korrik 2024 e shpalli Muhamet Alidemajn fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burgim për krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë. Ndaj tij u shpall aktgjykim refuzues për dispozitivin e dytë, ku ngarkohej për zhvarrosjen e trupave me ekskavator, pasi në fjalën përfundimtare në seancën e 9 korrikut 2024, prokurori Ilir Morina u tërhoq nga pika e dytë e dispozitivit të aktakuzës, për shkak se nuk ishte arritur të vërtetohet se i akuzuari Alidemaj ka marrë pjesë në zhvarrosjen e viktimave.

Por, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

U përmend në dokumentet për Epstein, reagon Atifete Jahjaga

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka quajtur “të pabaza dhe të pavërteta” raportimet për “lidhjen” e saj me Jeffrey Epstein, duke iu referuar një materiali nga shumë të tjera që u publikuan së fundmi nga Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Jahjaga tha në një sqarim publik se si presidente, nuk ka pasur “asnjë njohje, takim apo çfarëdo kontakti” me Epstein.

“Sqarim publik. Raportimet mediatike për “lidhjen time” me dosjen “Epstein” janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë. Përmendja e emrit tim nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua. Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar”, shkroi ajo në një postim në Facebook.

Jahjaga tha se në atë e-mail të publikuar s’përmendet as ndonjë kërkesë për takim.

“Në këtë email te palëve të treta permendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili, dhe nuk permendet kerkesa per takim në emër të tij apo të saj. Çdo raportim ndryshe është insinuate dhe mashtrim i opinionit, siç mund te verehet lehtë nga dokumentet”, tha ajo.

Ish-presidentja kërkoi një “sqarim” nga mediat që ia lakuan emrin.

“Kërkoj që ky sqarim të jepet në mediat të cilat e kanë lakuar emrin tim, sidomos meqenëse as nuk e kam njohur, as takuar dhe as nuk kam kërkuar takim me personin në fjalë në asnjë pozitë që kam mbajtur deri më tani”.

Deputeti i PDK-së mbeti jashtë Kuvendit, dorëzon dy ankesa në PZAP

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka dorëzuar dy ankesa zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me rezultatet përfundimtare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 31 janar 2026.

Sipas tij ankesat lidhen me:

1.Përfshirjen e 23,323 pakove të fletëvotimeve me postë nga votimi jashtë Kosovës, të pranuara pas afatit ligjor, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme;

2.Llogaritjen e gabuar të rezultatit përfundimtar, i cila ka ndikuar në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura me 28.12.2025.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka theksuar se afatet zgjedhore dhe barazia e votës nuk janë thjesht rekomandime, por garantojnë besueshmërinë e procesit zgjedhor.

“Asnjë vendim administrativ i KQZ, nuk mund të ndryshojë ligjin dhe Kushtetutën. Nuk kërkoj privilegj. Kërkoj vetëm zbatim të barabartë të ligjit dhe Kushtetutës. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë”, shkroi Haxhiu

ZRRE-ja tregon nëse do të ketë rritje të tarifave të energjisë

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka mbajtur mbledhjen e parë të Bordit për vitin 2026-ë, në të cilën ka shqyrtuar kërkesën për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave të NEMO për periudhën 2026-2028, duke theksuar se lista e tarifave për Kosovën propozohet të mbetet e pandryshuar dhe se nuk bëhet fjalë për rritje të tarifave të energjisë, raporton Ekonomia Online.

Muharrem Gashi, Udhëheqës i Departamentit të Tarifave në ZRrE, ka deklaruar se të hyrat e lejuara të propozuara përfshijnë komponentët rregullatorë standardë, si kostot operative, kostot që lidhen me investimet kapitale, amortizimet, kapitalin e punës dhe tarifat e licencës, duke theksuar se për Kosovën vlerat e propozuara si të hyra janë 669 mijë e 28 euro për vitin 2026, 712 mijë e 410 euro për vitin 2027 dhe 835 mijë e 613 euro për vitin 2028, ndërsa struktura e tyre dominohet kryesisht nga kostot operative, transmeton Klankosova.tv.

“ZRrE ka pranuar aplikimin e ALPEX-it për përcaktimin e të hyrave dhe të tarifave të NEMO për periudhën 2026-2028. Pas analizimit dhe shqyrtimit të aplikacionit në aspektin teknik, financiar dhe ligjor, ZRrE ka zhvilluar edhe procesin e konsultimit publik, ku ka dalë me raportin konsultativ, i cili ka qenë i publikuar në uebfaqen e ZRrE-së. Ky raport ka dalë në muajin dhjetor të vitit 2025; gjatë kësaj periudhe nuk kemi pasur komente nga palët e interesit dhe as nga ALPEX-i. Shqyrtimi është realizuar në përputhje me Ligjin për Rregullatorin për Energji, Ligjin për Energji Elektrike dhe metodologjinë për përcaktimin e tarifave të operatorit të lejuar të tregut të energjisë elektrike NEMO. Kjo bazë ligjore i jep ZRrE-së kompetencë për miratimin e të hyrave të lejuara dhe të strukturës tarifore. Të hyrat e lejuara të propozuara furnizohen, ofertomi i tribunës së Kosovës përfshin komponentët rregullatorë standardë, siç janë kostot operative, kostot që janë të lidhura me investimet kapitale, amortizimet, kapitali i punës, tarifat e licencës. Vlerat e propozuara për Kosovën për vitin 2026 si të hyra janë 669 mijë e 28 euro për vitin 2026. Për vitin 2027 janë 712 mijë e 410 euro dhe për vitin 2028 janë 835 mijë e 613 euro. Struktura e të hyrave dominohet kryesisht nga kostot operative. Kjo rritje nuk është si rezultat i rritjes së tarifave. Kjo buron nga rritja e kostos për njësi, është rritur volumi i energjisë”, ka thënë ai.

Gashi ka shtuar se këto tarifa nuk përfaqësojnë çmimet e energjisë elektrike në bursa, pasi çmimet e tregut formohen automatikisht nga platforma e tregtimit, bazuar në ofertat dhe kërkesat e pjesëmarrësve në treg për çdo ditë dhe për çdo orë.

“Lista e tarifave të NEMO-s për Kosovën propozohet që të jetë e pandryshuar krahasuar me periudhën paraprake, dhe vazhdon me u apliku për tregun… Tarifat e ALPEX-it duhet sqaruar se aplikohen vetëm për shërbimet ndaj anëtarëve të bursës, përfshirë tarifat vjetore, tarifat administrative, tarifat variabile të tregtimit, klerimit. Pra, këto tarifa nuk përfaqësojnë çmimet e energjisë elektrike në bursa, pasi që këto çmime tregu formohen në mënyrë automatike nga platforma e tregtimit bazuar në ofertat e kërkesës së pjesëmarrësve në treg për çdo ditë dhe për çdo orë”, tha ai.

Katërshja e UÇK-së drejt fundit të procesit gjyqësor në Hagë

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në rifillimin e procesit më të madh gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.Katërshja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po shkon drejt fundit të gjykimit, ku më 9 shkurt pritet të fillojnë seancat me fjalët përfundimtare të palëve.

Nga 9 deri më 18 shkurt, Prokuroria e Specializuar, trupi gjykues dhe mbrojtja e të akuzuarve do të thonë fjalët e tyre. Në fund, të drejtën për fjalim e kanë edhe katër të akuzuarit, ku secili do të ketë në dispozicion 20 minuta për të dhënë versionin e tij mbrojtës. Në prag të këtyre seancave, avokati i akredituar nga Specialja, Artan Qerkini, tha se mbrojtja ka kryer punën e saj me dëshmitarë të fuqishëm.

“Mbrojtja do ta paraqesë fjalën përfundimtare. Mbrojtja e ka strategjinë e saj të qartë: nuk ka ekzistuar përgjegjësia komanduese dhe nuk ka ekzistuar e ashtuquajtura ndërmarrje e përbashkët kriminale. Këtë teori mbrojtja e vërtetoi duke thirrur dëshmitarët e saj, të cilët po ashtu vërtetuan se këto dy baza të përgjegjësisë penale nuk përkojnë me katërshen e akuzuar”, tha Qerkini për RTK-në.

Pas fjalëve përfundimtare, janë në dispozicion 90 ditë për vendimin e shkallës së parë për rastin “Thaçi e të tjerët”. Lirimin e tyre e presin edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. “Me vullnetin më të madh presim lirimin e bashkëluftëtarëve tanë, sepse asnjë faj nuk e kanë, të paktën sa i përket luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lufta për çlirimin e vendit nga një pushtues që s’ka lënë gjë të zezë pa ia bërë popullit tënd nuk është krim; përkundrazi, është nder dhe respekt që mund t’ia bësh kombit tënd. Prandaj, të njëjtën punë e kanë kryer ata burra që sot i kemi në Hagë”, deklaroi Fatmir Sopi, nënkryetar i OVL të UÇK-së.

U lëndua duke prerë lisin, vdes një burrë në Rahovec

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Dejn të Rahovecit, ku një 34-vjeçar ka humbur jetën në rrethana tragjike, teksa ishte duke punuar në oborrin e shtëpisë së tij.

Burime të sigurta bëjnë të ditur se dje, më 1 shkurt 2026, rreth orës 15:30, familjarët kanë dërguar pa shenja jete në Emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë viktimën Nevruz Krasniqi, rreth 35 vjeç.

Sipas informatave fillestare, viktima ishte duke prerë një lis të gjatë në oborrin e shtëpisë së tij, kur gjatë punës ka pësuar lëndime të rënda trupore. Familjarët e tij, e kanë transportuar menjëherë drejt spitalit, mirëpo mjeku kujdestar ka konstatuar se i njëjti kishte mbërritur pa shenja jete.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante të Policisë së Kosovës, përfshirë hetuesinë dhe forenzikën nga Stacioni Policor në Rahovec, si dhe hetimet rajonale në Gjakovë.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Hetim i vdekjes”.

Rreth orës 18:20, në Spitalin Rajonal të Gjakovës kanë mbërritur zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë marrë trupin e pajetë të viktimës dhe e kanë dërguar në IML në Prishtinë për obduksion, me qëllim të përcaktimit të saktë të shkakut të vdekjes.

Hetimet lidhur me këtë rast tragjik janë në vazhdim.