div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-26 category-paged-26 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Shqiptari nga Amerika: “Krejt pasurinë e kisha shkri mu liru Hashim Thaçi”

Florin Krasniqi, biznesmeni shqiptaro-amerikan dhe ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë një deklaratë të fuqishme dhe emocionale duke pretenduar se ka shpenzuar pasuri të madhe personale për të ndihmuar në mbrojtjen ligjore dhe përpjekjet për lirimin e ish-Presidentit Hashim Thaçi nga burgu i Hagës.

Në një intervistë të fundit, Krasniqi tha me zë të lartë:

“Krejt pasurinë e kisha shkri me e liru Hashim Thaçin nga burgu.”

Kjo deklaratë ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik kosovar. Florin Krasniqi, i cili njihet si një nga mbështetësit më të mëdhenj të UÇK-së gjatë luftës duke mbledhur miliona dollarë nga diaspora amerikane dhe duke ndihmuar në furnizimin me armë, tashmë duket se ka marrë një pozicion të fortë në mbrojtje të ish-liderëve të luftës çlirimtare.

Florin Krasniqi është një shqiptar nga Kosova, i lindur në vitin 1964. Ai emigroi në Shtetet e Bashkuara në fund të viteve ’80 dhe u bë një biznesmen i suksesshëm në ndërtimtari në New York. Gjatë viteve ’90 ai ishte një nga figurat kryesore të lobit shqiptar në Amerikë, duke mbledhur fonde të mëdha për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Pas luftës ai u kthye në Kosovë, u zgjodh deputet me Lëvizjen Vetëvendosje 2010-2014 por më vonë u largua nga kjo parti. Ai vazhdon të jetë aktiv në jetën politike dhe biznesore, duke u konsideruar si një zë i fortë i diasporës shqiptare/Gazzetta Journal/

Tragjike: Humb jetën një 50-vjeçar, katër të tjerë të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mesditën e kësaj të diele në aksin Bulqizë–Klos, në zonën e njohur si Plani i Bardhë, ku si pasojë ka humbur jetën një person dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Viktima është identifikuar si Hali Gjashi, rreth 50 vjeç, i cili ndodhej si pasagjer në njërin prej automjeteve të përfshira në përplasje.

Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë dy automjete të drejtuara nga shtetasit me iniciale Xh. S. dhe S. C.

Përplasja ka qenë e fortë, duke sjellë vdekjen e menjëhershme të 50-vjeçarit në vendin e ngjarjes, ndërsa dy drejtuesit e mjeteve dhe dy pasagjerë të tjerë janë transportuar në spital për trajtim mjekësor.

Autoritetet policore dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit tragjik.

Lushtaku pret Limajn në Drenicë, i dhuron simbol me logon e UÇK-së

Në Skenderaj është mbajtur një takim ku ka marrë pjesë edhe Fatmir Limaj, së bashku me bashkëluftëtarë.

Limaj ka publikuar një video nga vizita, ku shihet edhe Sami Lushtaku, ndërsa në përshkrimin e tij ai ka shkruar: “Në Skenderaj, me bashkëluftëtarët, bashkë i themi STOP krizës.”

Takimi është përcjellë edhe me një gjest simbolik dhe mesazh për bashkim dhe tejkalim të situatës aktuale politike në vend.

 

Lajm i hidhur: Vdes haxhi Hysamedin Zekiqi nga Vushtrria

Ka ndërruar jetë haxhi Hysamedin Zekiqi nga Vushtrria, i njohur si një besimtar i devotshëm dhe njeri i respektuar në qytetin e tij.

Ai kujtohet nga miqtë dhe bashkëbesimtarët si një person i veçantë, i cili gjithmonë ishte i gatshëm të këshillonte dhe mbështeste të rinjtë në rrugën e besimit.

Për vdekjen e tij janë shprehur ngushëllime të shumta, me lutjen që Allahu ta mëshirojë dhe ta shpërblejë me Xhenet.

Theret me thikë një kamarier

Një debat në lokal përfundon me therje me thikë, një person përfundon në spital

Një incident i rëndë ka ndodhur në Deçan, ku një përplasje mes dy personave ka eskaluar në përdorimin e një arme të ftohtë, duke lënë një person të lënduar dhe duke kërkuar trajtim mjekësor.

Sipas informacioneve të raportuara, ngjarja ka nisur si debat verbal brenda një lokali, ku pas përshkallëzimit të konfliktit, njëri nga të përfshirët dyshohet se ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur viktimën në dorën e majtë.

Personi i lënduar është dërguar fillimisht për trajtim në qendrën lokale shëndetësore, ndërsa më pas është transferuar në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim të mëtejmë.

Pas incidentit, i dyshuari është paraqitur në Polici dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

“Kosovës i duhen më shumë burra si ti” – Arjola Demiri del hapur në mbështetje të kësaj partie

Aktorja e njohur Arjola Demiri ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për kandidatin e Lidhja Demokratike e Kosovës, Bardhyl Hasanpapaj, i cili në listën zgjedhore garon me numrin 34.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Demiri ka vlerësuar figurën e Hasanpapajt, shkruan Indeksonline.

Në përshkrim të postimit ka shkruar: “Kosovës i duhen më shumë burra si ti”, duke e cilësuar atë si një zë të arsyes, integritetit dhe profesionalizmit në jetën publike.

Me mbështetjen e figurave publike si Arjola Demiri, kandidatura e tij po fiton vëmendje gjithnjë e më të madhe gjatë fushatës zgjedhore.

Ymeri: Ma shumë po shtohen serbët me ligjin e të Huajve e Shtetësisë sesa Megavat të energjisë

Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka kritikuar gjendjen në sektorin energjetik dhe varësinë nga importi.

Ymeri tha se nga pesë blloqe prodhuese, Kosova nga sonte ka mbetur me prodhim vetëm nga një bllok, ndërsa pjesa më e madhe e energjisë elektrike duhet të sigurohet përmes importit.

“Nga 5 blloqe, nga sonte kemi prodhim vetëm me 1 bllok, 90% e energjise tash na duhet Import. Ma shumë po shtohen serbët me ligjin e të Huajve e Shtetësisê sesa Megavat të energjisë”, shkroi Ymeri.

Kurti sonte në debat televiziv, përballë dy analistëve

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pritet të jetë sonte i ftuar në një debat televiziv në emisionin “Politiko” në Kanal 10, i cili fillon në ora 21:00.

Në këtë përballje televizive, Kurti do të diskutojë me analistin Halil Matoshi dhe gazetarin Fidan Rama, ku pritet të trajtohen tema të aktualitetit politik, zhvillimet e fundit në vend, si dhe fushata zgjedhore në prag të zgjedhjeve nacionale që do të mbahen më 7 qershor.

Ky debat vjen në një periudhë të rëndësishme politike për Kosovën, ku subjektet politike janë në fazën përmbyllëse të aktiviteteve të tyre para votimeve. Pritet që diskutimi të fokusohet edhe në çështjet kryesore që kanë dominuar agjendën politike, përfshirë ekonominë, dialogun me Serbinë dhe reformat e brendshme institucionale.

Ndërron jetë profesoresha e njohur

Ka ndërruar jetë profesoresha e njohur Mimoza Doko Perçuku, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në fushën e arsimit dhe akademisë.

Lajmin e ka bërë të ditur Kolegji AAB, i cili përmes një telegrami ngushëllimi ka shprehur pikëllimin e thellë për humbjen e saj, duke e cilësuar atë si një humbje të madhe për familjen, kolegët dhe mbarë komunitetin akademik, shkruan Gazeta Demos.

“Në emër të Kolegjit AAB, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe gjithë komunitetit akademik për këtë humbje të madhe.

Prof. Mimoza Doko Perçuku do të kujtohet përherë për kontributin e çmuar në arsim, shkencë dhe formimin e brezave të rinj, si dhe për përkushtimin, integritetin dhe profesionalizmin. Përmes veprimtarisë së saj shumëvjeçare, ajo la gjurmë të pashlyeshme në edukimin e brezave të rinj, në avancimin e dijes dhe në kultivimin e vlerave më të larta universitare.

Humbja e saj është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe kolegët, por edhe për institucionin tonë dhe për mbarë komunitetin akademik.

Duke nderuar kujtimin dhe veprën e saj, shprehim respektin dhe mirënjohjen tonë të thellë.

I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e saj. U prehtë në paqe!”, thuhet në reagimin e Kolegjit AAB.

Partia Fjala: Tradhtia bashkëshortore të dënohet deri në tre vjet burg

Përfaqësuesi i partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, në ‘Debat Përnime’ tha se tradhtia bashkëshortore duhet të trajtohet si vepër penale dhe të dënohet me burg, si pjesë e masave për ruajtjen e familjes dhe shoqërisë.

“Tradhtia bashkëshortore kemi paraparë të jetë vepër penale e dënueshme me burg”, – deklaroi Kelmendi, duke shtuar se kjo masë do të shërbente si parandalim i fenomenit dhe forcim i lidhjeve familjare.

I pyetur se si do të provohej një rast i tillë në gjykatë dhe nëse policia do të duhej të hetonte raste të tilla, Kelmendi tha se në shumë raste palët e pranojnë vetë dhe se fokusi duhet të jetë te shkaku, e jo te pasoja.

“Ne përparësi i japim shkakut, jo pasojës”, – u shpreh ai, duke e krahasuar qasjen me logjikën e mjekësisë ku trajtohet shkaku i problemit.

Ai shtoi se ekzistenca e një dispozite të tillë në Kodin Penal do të kishte efekt parandalues.

“Nëse një çift e di që tradhtia dënohet me burg, atëherë lehtë nuk mund të ndodhë”, – tha ai.

Nga ana tjetër, kandidati tjetër i partisë Fjala, Avni Çakmaku, tha se në programin e tyre parashihet dënim deri në tre vjet burg për tradhti bashkëshortore, duke e lidhur këtë me konceptin e mbrojtjes së integritetit familjar dhe rregullimit ligjor të marrëdhënieve bashkëshortore.

Në debat u ngrit edhe çështja e bazës ligjore dhe përputhshmërisë me standardet evropiane dhe të drejtat e njeriut.

Çakmaku u shpreh se ligjet duhet të evoluojnë sipas nevojave shoqërore dhe se dënimet mund të rriten nëse nuk arrijnë efektin parandalues.

“Në momentin që ka degradim, duhet të ndodhin ndryshime”, – deklaroi ai.