Resul Sinani lë ATV, i bashkohet këtij mediumi

Moderatori i njohur kosovar, Resul Sinani, i është bashkuar mediumit më të madh në vend, Klan Kosova.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Sinani përmes një njoftimi, ku ka paralajmëruar se nga vjeshta do të jetë pjesë e ekranit të televizionit kryesor në Kosovë, duke nisur kështu një kapitull të ri në karrierën e tij profesionale.

“Sot po e filloj një kapitull të ri. Rrugëtimin tim profesional po e vazhdoj në Klan Kosova. Shihemi në vjeshtë,” ka shkruar ai. /Klankosova.tv

Mehemtaj: Gazetarja u largua nga RTK pasi, iu kërkua të prodhonte me Inteligjencë Artificiale një storje se Sami Lushtaku e kishte sulmuar me veturë Albin Kurtin

Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar pas largimit të gazetares Arlinda Sejda nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK), duke pretenduar se ajo është detyruar të largohet për shkak të presioneve politike brenda transmetuesit publik.

Sipas Mehmetajt, Sejda, të cilën ai e cilëson gazetare me përvojë, është larguar si pasojë e presioneve që, sipas tij, ushtrohen nga persona të afërt me Lëvizja Vetëvendosje, të cilët, sipas tij, kanë ndikim në RTK.

Ai gjithashtu pretendon se gazetares i është kërkuar të përgatisë një storje me Inteligjencë Artificiale për të mbështetur një version sipas të cilit Sami Lushtaku ka sulmuar me veturë kryeministrin Albin Kurti.

Në reagimin e tij, Mehmetaj thekson se gazetarët ndihen të pambrojtur dhe, sipas tij, nuk po marrin mbështetje as nga opozita, as nga përfaqësitë diplomatike dhe as nga organizatat joqeveritare.

Ai shton se sa më shumë, sipas tij, pushteti përpiqet të forcojë kontrollin mbi institucionet, aq më shumë, sipas tij, humb legjitimitetin moral dhe ekspozohet para opinionit publik

Rrahet analisti Ilir Demailia

Analisti Ilir Demalia është rrahur ditën e sotme në Tiranë.

Nga pamjet e publikuara, Demalia shfaqet me dëmtime në zonën e fytyrës dhe plagë pranë syrit, ndërsa më pas është marrë ndihmë mjekësore.

Në një lidhe live nga spitali për ‘Shqipëria Live’, analisti sqaroi se është dhunuar sapo doli nga shtëpia nga dy persona të cilët e goditën me grushte.

“Asgjë, po dilja nga shtëpia dhe dy veta të lagjes që kanë dyqan aty më sulmuan. Një polic po i vinte gjobë për parkim të gabuar. Më goditën me grushte se thanë që kam lajmëruar policinë, por nuk e kisha lajmëruar unë.

Nuk i kam borxh njeriu dhe as armiqësi, por kërcënime të vazhdueshme kam pasur, urrejtje kot. Si shqiptarët, shihemi online, në media, jemi një popull që veç urrejmë, por nuk e kuptojmë që me këtë do të shkatërrojmë vetveten.

Shumë njerëz më thonë pse rri, pse ashtu, unë rri ku të më dojë qejfi mua. Nuk besoj që më rrahën për qëndrimet e politikës, por pse kam ngritur problemin për të pastruar parkimin e asaj zone, se nuk hyjmë dot në shtëpi. Këtu është vendi i cubave. Më dhunuan në sy të policisë. Po i kërkon policia, i ka gjetur, por nuk e di nëse i kanë kapur. A ka shtet këtu? E bëra denoncimin. Më dhunuan me grushte, ishin dy veta”, u shpreh Demaliaj.

E dhimbshme: Gjendet trupi i të riut që u zħduk në Batllavë

Pas shumë orësh kërkimesh është gjetur trupi i pajetë i të riut në Liqenin e Batllavës.

Nga publikimet në media, bëhet fjalë për të riun, Lirim Ruhani.

Ngushëllime familjes për këtë rast të rëndë.

Ky është i riu Lirim Ruhani, i cili humbi jetën në Liqenin e Batllavës

Ky është i riu Lirim Ruhani, i cili humbi jetën në Liqenin e Batllavës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur te Liqeni i Batllavës, ku ka humbur jetën i riu Lirim Ruhani.

Dje rreth orës 13:00, policia ka pranuar informatën se një person dyshohet se ka hyrë në ujë në Liqenin e Batllavës dhe më pas nuk është parë të dalë.

Menjëherë pas pranimit të informatës, janë angazhuar të gjitha njësitë relevante policore, si dhe njësitë e tjera të kërkim-shpëtimit, me qëllim të lokalizimit të personit.

Kurse sot pas përpjekjeve nga ekipi i kërkimit dhe shpëtimit, personi është arritur të nxirret nga uji. Ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ka konstatuar se i njëjti është pa shenja jete.

Derisa po ndërmerren veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimore lidhur me rastin.

LVV-ja pranon “ofertën” e Aleancës për presidentin

Idenë e Besnik Tahirit që për president të jenë dy kandidatë, një nga Vetëvendosja dhe një nga ish-opozita, e kanë mirëpritur në partinë që ka fituar zgjedhjet – VV. Sipas deputetit të zgjedhur të VV-së, Adnan Rrustemi, një skenar i tillë siguron kuorumin e nevojshëm. Por, në LDK kanë thënë se për postin e kreut të shtetit, e kanë kandidatin e vet

Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë thënë se një nga zgjidhjet për zgjedhjen e presidentit është edhe gara mes një kandidati të saj me një që do ta jepnin bashkërisht partitë që kanë qenë në opozitë.

Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka thënë se presidenti është përgjegjësi e të gjithë deputetëve, e jo vetëm e atyre që përbëjnë shumicën parlamentare.

Sipas tij, një garë mes kandidatit të Vetëvendosjes dhe një kandidati të përbashkët të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës do ta tejkalonte sfidën kryesore, kuorumin.

“Ka mënyra të ndryshme për ta tejkaluar bllokadën nëse ka vullnet politik. Kjo është një nga mënyrat. Opozita ka mjaftueshëm nënshkrime për ta nxjerrë një kandidat, po ta bënte një gjë të tillë herën e kaluar, nuk do t’i kishim zgjedhjet e 7 qershorit”, ka thënë Rrustemi.

Të hënën, deputeti i zgjedhur i Aleancës, Besnik Tahiri ka thënë se zgjidhja për të tejkaluar një ngërç të ri institucional do të ishte nëse partitë e ish-opozitës rreshtohen pas Ramush Haradinajt si kandidat për president e përball tij në garë të jetë një kandidat i VV-së, si parti fituese e zgjedhjeve.

Në një skenar të tillë, me 57 deputetë të Vetëvendosjes dhe 47 të ish-opozitës do të sigurohej kuorumi i nevojshëm prej 80 deputetësh në dy raundet e para për zgjedhjen e presidentit.

KOHA ka adresuar pyetje te zyrtarë të Partisë Demokratike lidhur me këtë ide, por nuk ka marrë përgjigje.

E nënkryetari i Lidhjes Demokratike, Lutfi Haziri, ka thënë se Vjosa Osmani është kandidate e partisë për presidente dhe se kjo nuk ndryshon.

Ai ka thënë që parimet për bashkëpunim të mundshëm veçse i ka paraqitur.

“Ka 10 ditë që i kam paraqitur parimet gjithëpërfshirëse për bashkëpunim, nuk del jashtë parimeve të veta, e në veçanti për partinë e parë, partinë e dytë edhe partinë e pestë”, ka thënë ai.

Një propozim për zgjidhje e ka dhënë edhe deputeti i zgjedhur nga komuniteti serb, Nenad Rashiq.

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim ka thënë se partitë shqiptare duhet të bëhen bashkë.

“Një planifikim gjithëpërfshirës, mos të jetë vetëm fazë pas fazës ose të krijohet një pjesë e institucioneve pa pasur plan çfarë bëhet me institucionet e tjera. Ta përkthej në një fjali më popullore, është shumë me rëndësi që të kemi të gjithë një pako që të mos të mundësojmë që armiqtë e institucioneve të Kosovës të ndikojnë me disa presione”, ka thënë Rashiq.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit janë mbajtur pasi deputetët e Legjislaturës X kanë dështuar të zgjedhin presidentin.

Berberët gjilanas rrisin çmimet: Prerja e flokëve nga 5 në 7 euro

Berberët në Gjilan, duke filluar nga sot, më 1 korrik, kanë vendosur të ndryshojnë çmimet e shërbimeve të prerjes së flokëve.

Sipas informatave të fundit, një pjesë e madhe e berberëve kanë rritur çmimin e prerjes së flokëve nga 5 euro në 7 euro.

Në të kaluarën, çmimet e prerjeve varionin nga 3 euro, ndërsa me kalimin e viteve dhe rritjen e kostove të jetesës, pagave dhe shpenzimeve të bizneseve, tarifat janë rritur gradualisht.

Burime nga sektori bëjnë të ditur se në disa sallone të qytetit, çmimi i prerjes së flokëve arrin deri në 10 euro, varësisht nga lokacioni dhe lloji i shërbimit që ofrohet.

Behgjet Pacolli I gatshëm ta pranojë propozimin për President, por ka një kusht

Ish-Presidenti dhe ish-ministri i Jashtëm Pacolli thotë se shërbimi ndaj Kosovës nuk ka qenë kurrë çështje posti, por përgjegjësi shtetërore.

Ai nuk e përjashton mundësinë e rikthimit në Presidencë, por vetëm në kushte të qarta kushtetuese.

“Për mua, shërbimi ndaj Kosovës ka qenë gjithmonë nder dhe përgjegjësi, jo çështje posti. Nëse një ditë do të ekzistonte një konsensus i gjerë politik dhe qytetar se unë mund t’i shërbeja vendit në atë detyrë, sigurisht që do ta konsideroja. Por, vetëm mbas ndryshimeve kushtetuese duke ju nënshtruar votës së qytetarëve e jo pazareve të partive politike. Sot besoj se më e rëndësishme se emrat është ndërtimi i institucioneve funksionale dhe ruajtja e unitetit të vendit. Kosova ka nevojë për stabilitet, për bashkëpunim dhe për një vizion të përbashkët për të ardhmen”, tha ai kur u pyet nga Front Online nëse do ta pranonte një propozim të tillë.

Zgjedhja e Presidentit, deklarohet Kurti

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha sot se, ende nuk ka filluar diskutimet me partitë politike për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës dhe formimin e institucioneve.

Kurti për media tha se është duke pritur certifikimin e rezultateve dhe trajtimin e ankesave.

Pas certifikimit, ai tha se do të zhvillohen diskutimet e nevojshme.

“Së pari duhet ta presim certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, dhe trajtimin e ankesave  dhe pastaj pa humbur kohë do të kemi komunikimet dhe diskutimet e nevojshme”, tha Kurti.

U.D. e presidentit aktualisht është Albulena Haxhiu, pas skadimit të mandatit presidencial të Vjosa Osmanit në prill.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit më 27 qershor.

Nga këto zgjedhje partia e parë ka dal Lëvizja Vetëvendosje në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alterntaiva, me 47.13% që ka fituar 53 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës me 19.44%, ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.69% ka fituar 18 ulëse dhe Aleanca më 6.74% ka fituar shtatë ulëse.

Shtrenjtimi i biletave të autobusëve në Prishtinë, Rama jep arsyet

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka folur lidhur me shtrenjtimin e biletave të autobusëve të Trafikut Urban.

Ai tha se me këtë vendim po shtyhen përpara proceset drejt digjitalizimit të pagesave për bileta.

“Ne faktikisht po i shtyjmë proceset për digjitalizimin e biletave, pra digjitalizimi i procesit, pra jo me paguar me me kesh, po me i ble biletat ditore, javore, mujore në bazë të proceseve, pra të kartave digjitale. Edhe ato i kemi mbajtur këto biletat pra të ulëta. Mirëpo, kemi një çmim më të ngritur nëse e bleni me kesh në vend sot. Pra, të gjithë qytetarët që i marrin, pa parë se e marrin këtë kuletën digjitale, biletën e kanë po them pothuajse të njëjtë ose shumë më lirë sesa nëse e paguajnë kesh. Pra është një proces i modernizimit të të gjithë flotës. Tash edhe autobusët e rinj që janë duke ardhur kanë me pasë mundësinë për kështu touch, sistemi për me prekë me telefon apo me kartelë, edhe këto bileta kanë qëndruar të ulëta, pra nuk janë të ngritura. Janë vetëm ato të cilat, të cilat i paguajnë kesh. E këtë po them po mundohemi që një numër sa më i madh i qytetarëve që të adaptohen përdorimit të autobusëve, sepse po them po e modernizojmë edhe flotën e autobusëve në të gjitha pjesët e kryeqytetit. Pra e kemi tashmë vetëm një numër të madh prej 24 autobusëve që qarkullojnë të rinj, po vijnë edhe 20 të tjerë e kemi me pasë 100 e më shumë autobusë të rinj në kryeqytet, të cilët mundësojnë qytetarët që ta përdorin sistemin në mënyrë më të lehtë edhe më të shpejtë”, tha Rama.

Nga dita e sotme, biletat e transportit publik do të ndryshojnë në çmime për ato të paguarat fizikisht dhe ato me SMS apo përmes kuletës digjitale.

“Biletat e blera përmes kuletës digjitale ose SMS-së, përmes operatorëve të telefonisë mobile, do të kenë çmime më të ulëta krahasuar me biletat fizike. Ndryshimet përfshijnë biletat njëdrejtimëshe, ditore, javore, mujore, biletën për linjën e Aeroportit, si dhe biletat vjetore dhe korporative digjitale” u tha në njoftimin e djeshëm.

Bileta njëdrejtimëshe fizike do të jetë 80 centë, ndërkaq ajo digjitale 60 centë.Bileta ditore fizike do të bëhet nga 80 centë në 1 euro e 20 centë, teksa ata që e blejnë me SMS apo nëpërmjet kuletës digjitale, do ta paguajnë të njëjtën për 1 euro.