div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-259 category-paged-259 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Dimal Basha: Kam kërkuar dhe është miratuar tërheqja e punimit tim nga publikimi i mëhershëm

Kryetar i Kuvendit, Dimal Basha ka deklaruar se i është miratuar tërheqja e punimit të tij nga publikimi i mëhershëm ku më 2012 pretendonte se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u financua nga trafikantë të drogës dhe mafia shqiptare.

“Të nderuar qytetarë,

Dua t’ju informoj se me t’u vënë në dijeni që një punim i imi nga studimet para 13 viteve ishte përfshirë si kapitull i veçantë në kuadër të një publikimi më të gjerë, në të cilin gabimisht isha listuar si bashkë-autor, unë kam bërë kërkesë tek Revista në fjalë që pjesa që kam kontribuar unë, pra Kapitulli 3, të hiqet tërësisht nga ai publikim!

Komiteti i Publikimeve i Revistës në fjalë sot më ka njoftuar që ka miratuar kërkesën time për tërheqjen e Kapitullit 3 nga publikimi, dhe gjithashtu ka hequr edhe emrin tim nga autorësia, meqenëse unë nuk kam autorësi në pjesën tjetër të publikimit, përveç Kapitullit 3 i cili tashmë është tërhequr.

Ju falënderoj për mirëkuptimin!”, tha Basha.

Vuçiq në OKB: Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara tha se Kosova është “pjesë e pandashme e Serbisë” dhe “shtylla kryesore e identitetit, kulturës dhe trashëgimisë shpirtërore” të Serbisë.

“Për ne, serbët, ajo nuk është thjesht një copë toke, por djep i shpirtit tonë dhe e ekzistencës sonë në këtë tokë”, tha Vuçiq.

Sipas tij, serbët në Kosovë po jetojnë në “kushte dramatike”.

“Atyre po u mohohen të drejtat themelore njerëzore: e drejta për jetë, për lëvizje, për arsim dhe për përkujdesje shëndetësore. Atyre u mohohet qasja në vendin e punës dhe në pronë”, pretendoi udhëheqësi serb.

Që nga viti fillimi i vitit, Kosova ka nisur mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë, të cilat i konsideron paralele dhe të jashtëligjshme.

Këto veprime të autoriteteve kosovare kanë hasur në kundërshtim të komunitetit serb dhe janë përballur me kritika nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i ka cilësuar si veprime të pakoordinuara.

Gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Vuçiq i bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të “marrë hapa konkretë dhe të vendosur” për të ndalur, siç tha ai, dhunën në Kosovë.

Gjithashtu, udhëheqësi serb deklaroi se “Serbia beson në dialogun” që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008, të cilën Serbia refuzon që ta njohë. Mbi 100 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës përfshirë 22 nga 27 shtete të Bashkimit Evropian, ku Kosova dhe Serbia synojnë të anëtarësohen.

Dy shtetet zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve që nga viti 2011. Procesi, që lehtësohet nga BE-ja, ka prodhuar disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar në terren.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur viteve të fundit dhe që nga shtatori i vitit 2023, palët nuk kanë zhvilluar asnjë rund të dialogut në nivel politik, por vetëm runde në nivele të kryenegociatorëve.

Rundi i fundit i dialogut në nivel politik u mbajt disa ditë para sulmit të armatosur të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Në përvjetorin e dytë të sulmit, për të cilin Prishtina e fajëson Beogradin, autoritetet në Kosovë kërkuan ekstradimin e Radoiçiqit dhe të përfshirëve të tjerë në Banjskë.

Vitin e kaluar, Kosova ngriti aktakuzë kundër 45 të dyshuarve për sulmin në Banjskë, ndërsa vetëm tre nga këta të akuzuar janë duke u gjykuar në Prishtinë, pasi të tjerët janë të paarritshëm për autoritetet kosovare. Që të tre i mohojnë akuzat.

Plagoset një person, dyshohet se është nxënës

Një person është plagosur me armë zjarri pasditën e sotme në Kijevë të Malishevës.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se i plagosuri është nxënës dhe se e gjithë ngjarja ka ndodhur në orët e pasditës, afër shkollës së fshatit.

Indeksonline ka kontaktuar policinë e Kosovës dhe është në pritje të një përgjigjje, lidhur me plagosjen në Kijevë./Indeksonline/

Xhelal Sveçla thotë se dronat e Serbisë kanë hyrë në territorin e Kosovës

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Serbia kohët e fundit ka shkelur hapësirën ajrore të Kosovës përmes dronëve.

Lajm i cili gjatë ditës u raportua nga Gazeta Imazhi.

EKSKLUZIVE: Dyshohet për drona të dyshimtë në Veri, FSK në alarm – thërret ushtarët nëpër kazerma

Ai ka deklaruar: Në vazhdimësi ne kërcënohemi nga Serbia. Tash, kohën e fundit, po besoj që tashmë e dini se ka pasur lëvizje të paautorizuara dhe shkelje të hapësirës ajrore përmes dronëve, të cilët kohë pas kohe qarkullojnë ose shkelin hapësirën tonë ajrore.

Sveçla ka pohuar se autoritetet kosovare kanë identifikuar disa raste të dronëve serbë që janë parë mbi Kosovë, por ka shtuar se nuk ka arsye për shqetësim

“Nuk ka asgjë për t’u brengosur,” tha ai.

Kjo është deklarata e tij:

Ka ndodhur në disa raste. Ne jemi duke i hetuar në mënyrë profesionale në bashkëpunim edhe me KFOR por edhe me shërbimet partnere dhe  në momentin që kemi më shumë patjetër që do të ndajmë informatat. Tash për tash nuk ka ndonjë gjë për të cilën publiku i Kosovës duhet të brengoset, të gjitha institucionet e Kosovës janë në krye të detyrës.  Por e thash duke dashtë që të pasqyrojë natyrën e veprimit të institucioneve të Serbisë dhe  e përmenda edhe paradën ushtarake  e cila në vetvete është një kërcënim ndaj Republikës së Kosovës posaçërisht meqenëse shumica e vendeve që rrethojnë Serbinë janë anëtarë të aleancës ma të madhe ushtarake NATO-s, do të thotë Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria por edhe Bullgaria e vendet e tjera fqinje nuk mund të jenë të cenueshme nga Serbia. Potencialisht janë dy vende të cilat Serbia do të mund t‘i cenonte, ato janë së pari Bosnjë e Hercegovina e cila është duke u ballafaquar me paqartësi politike por edhe situata të rrezikshme në vazhdimësi dhe Republika e Kosovës e cila përderisa për çdo ditë e më shumë po fuqizohet dhe po arrin suksese prapë ballafaqohet me këtë politikën e vjetër hegjemone të Serbisë e cila edhe siç ka deklaruar vet ndryshimin e rrethanave globale që potencialisht të cenojë prapë Kosovën.

Arsyetohet hoxha shqiptar që mori pjesë në paradën e ushtrisë serbe: S’kam qef me i ikë përgjegjësisë

Reisu-l-Ulema i Bashkësisë Islame të Serbisë, Nexhmedin Saqipi, ka folur për herë të parë lidhur me pjesëmarrjen e tij në paradën e ushtrisë Serbe të mbajtur në Beograd.

Për këtë ai u kritikua shumë ku e quajtën edhe tradhtar të shqiptarëve,.

Myftiu sqaroi në emisionin Kosova Live se praninë e tij në këtë ceremoni e bëri me ftesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, duke theksuar se përfaqësonte institucionin fetar që udhëheq dhe se qëllimi ishte përcjellja e një mesazhi për paqen, tolerancën dhe bashkëjetesën ndërfetare.

Saqipi, i njohur si myftiu nga Tërnoci, tha se Bashkësia Islame e Serbisë do të vazhdojë të jetë faktor i rëndësishëm në ndërtimin e paqes sociale dhe respektimit të diversitetit.

 

 

 

Milaim Zeka: “Vjosa është një milion herë më e rrezikshme se Albin Kurti”

Gazetari dhe analisti Milaim Zeka ka bërë një deklaratë të fortë në emisionin Kosova Live, ku ka krahasuar rolin politik të presidentes Vjosa Osmani me atë të kryeministrit Albin Kurti.

Sipas Zekës, Osmani është treguar “një milion herë më e rrezikshme se Kurti”, pasi në shumë raste ka qëndruar e heshtur dhe nuk ka reaguar, edhe kur kryeministri ka marrë vendime që, sipas tij, kanë qenë në dëm të raporteve të Kosovës me ShBA-në.

“Kurti ka bërë gjëra që nuk kanë qenë në favor të Kosovës, sidomos për marrëdhëniet me amerikanët. Por, për mua, edhe më problematike është fakti që presidentja ka heshtur. Ky është rreziku i saj më i madh politik”, tha Zeka

Deklarata e plotë:

Gazetari dhe analisti Milaim Zeka ka bërë një deklaratë të fortë në emisionin Kosova Live, ku ka krahasuar rolin politik të presidentes Vjosa Osmani me atë të kryeministrit Albin Kurti.

Sipas Zekës, Osmani është treguar “një milion herë më e rrezikshme se Kurti”, pasi në shumë raste ka qëndruar e heshtur dhe nuk ka reaguar, edhe kur kryeministri ka marrë vendime që, sipas tij, kanë qenë në dëm të raporteve të Kosovës me ShBA-në.

“Kurti ka bërë gjëra që nuk kanë qenë në favor të Kosovës, sidomos për marrëdhëniet me amerikanët. Por, për mua, edhe më problematike është fakti që presidentja ka heshtur. Ky është rreziku i saj më i madh politik”, tha Zeka.

PAMJE: Momenti kur Policia hynë brenda Manastirit të Banjskës ku po qëndronte Milan Radojçiq

Sot janë bërë dy vjet prej sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku një grupi i prirë nga Millan Radoiçiq e sulmoi Policinë e Kosovës, si pasojë e të cilit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa u plagos polici Alban Rashiti e u lëndua një tjetër.

Lidhur me këtë rast, Tëvë1 ka ndarë pamjet nga momenti kur policia e Kosovës kishte hyrë në Manastirin e Banjskës.

Në pamje shihen armë të ndryshme e municion.

“E di që babai im nuk ishte vetëm im, por i gjithë Kosovës”, djali i Afrim Bunjakut me një fjalim emocionues

Në Prishtinë po mbahet një akademi përkujtimore në nderim të policit të vrarë në sulmin në Banjskë, Afrim Bunajku.

Para të pranishmëve, një fjalim mbajti edhe djali i vogël i Afrim Bunjakut, Fatlumi,

Ai deklaroi se plagët e mungesës së babait të tij nuk shërohen kurrë.

“Jemi mbledhur këtu për ta kujtuar, babain, heroin, Afrim Bunjaku. Kanë kaluar dy vite nga ajo ditë e dhimbshme, kur ai ra heroikisht, por plagët e mungesës së tij nuk shërohen kurrë. Çdo mëngjes kur zgjohem e ndjej boshllëkun që ka lënë, e kujtoj buzëqeshjen dhe fjalë e tij”, ka deklaruar ai.

Ai shtoi më tej, se bashkë me mallin që ka, ai e di se babai i tij ra për një ideal më të madh, për atdheun, kufijtë, e Kosovën.

“Është e rëndë ta them, por edhe pse nuk është pranë meje, unë ndihem krenar që pata një baba si ai. Sa herë që i takoj kolegët e tij, e di që babai nuk ishte vetëm i imi, por i gjithë Kosovës. Babai im prehu i qetë, ne do të kujtojmë gjithmonë”, tha ai.

Heroi Afrim Bunjaku u vra nga forca terroriste serbe më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Kurti: Nuk do të lejohet të hiqet asnjë grimë nga territori, sovraniteti apo nga pavarësia e Kosovës

Kryeministri në detyrë Albin Kurti në akademinë përkujtimore në dyvjetorin e Afrim Bunjakut ka thënë se edhe vidoexhirimet nga dronët tregojnë se në krye të grupit kriminal ishte Millan Radoiçiqi

Edhe përkundër kësaj, Kurti tha se Lista Serbe asnjëherë nuk e ka dënuar sulmin terrorist serb në Banjskë të Zveçanit.

Këtu ai çoi mesazh se nuk do të lejohet të hiqet asnjë grimë nga territori, sovraniteti apo nga pavarësia e Kosovës.

“Siç e kemi parë edhe nga videoxhirimet me dron, në krye të grupit kriminal ishte Milan Radoiçiq, që në atë kohë ishte nënkryetar i partisë Lista Serbe. Pavarësisht kësaj, Lista Serbe asnjëherë nuk e ka dënuar sulmin terrorist në Banjskë. Në këtë pikë më lejoni të them sa më qartë as Lista Serbe dhe asnjë parti apo organizatë e fshehtë apo legale, nuk do të mund, sepse nuk do të lejohet, ta heqë asnjë grimë nga territori, sovraniteti apo nga pavarësia e Republikës së Kosovës. Kjo sepse Kosova është dhe do të vazhdojë që të mbetet histori e suksesshme e shtet-ndërtimit, për të cilin paraprakisht janë mbajtur mijëra e mijëra vite burgosje politike, janë vrarë mbi 2 mijë dëshmorë gjatë luftës së drejtë të UÇK-së, janë vrarë e masakruar mijëra viktima civile në luftë pikërisht me Serbinë”, tha ai.

Operacioni “Qielli i Thyer”, arrestohen shtatë persona (Pamje)

Në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nën udhëhejqen e  Prokurorisë Speciale të Kosovës, të mërkurën është zhvilluar një operacion policor në regjionet e Prishtinës dhe Pejës.

Ky aksion, i koduar me emrin “Qielli i Thyer”, është realizuar në 25 lokacione të ndryshme, ku si rezultat janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale:pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave.

Të pandehurit, dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar “SkyECC” për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale.

Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë:

 

 

  • 638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë;
  • Një ( 1 ) peshore për matjen e lëndëve narkotike;
  • 11,065 euro para të gatshme;
  • 34 automjete;
  • Shtatë (7) armë zjarri;
  • Dokumente personale me identitet të rremë;
  • Pajisje elektronike;
  • Dokumentacion i ndryshëm pronësor dhe financiar.

Operacioni është mbështetur nga një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, përmes shkëmbimit të të dhënave me autoritetet belge, franceze, holandeze dhe agjencinë europiane Europol, duke siguruar koordinim të plotë ndërkufitar.