Peci paralajmëron LDK’në: Runa Zot nëse tenton ta bllokojë presidentin

Faton Peci, kryetari i deleguar i Mitrovicës nga Albin Kurti dhe Vetëvendosje, ka paralajmëruar Lidhjen Demokratike të Kosovës se do të bien në përqindje njëshifrore nëse nuk i bëjnë aminin Vetëvendosje për zgjedhje të presidentit.

“Unë mendoj që kena me zgjedh Presidentin e vendin, aoj çka mua më befason për të keq është ish-partia ime, LDK-ja. Se runa zot me bë me bë përpjekje ata prap me blloku, ata përfundimisht do të përfundojnë si subjekt me rezultat me përqindje njëshifrore, edhe mas këtij debakli që ju ka ndodh”, tha Peci i sigurt.

Ai po ashtu tregoi se nuk po mund të bëjë gjumë si duhet nga statistikat e këtyre zgjedhjeve.

”Deri në 12 të natës po merrem me statistika, ato janë të frikshme, nuk e di qysh i nxe gjumi ata. Mua s’më ze nga pasioni, e ata s’duhet nga debakli”, tha Peci.

Gazmend Syla: Gjysmë milioni vota kundër UÇK-së, shteti po shkëputet nga lufta që solli lirinë

Kandidati i AAK-së për deputet, Gazmend Syla, ka reaguar pas rezultateve zgjedhore duke thënë se rreth gjysmë milioni vota janë orientuar kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Syla ka deklaruar se një listë “pa vlerë kombëtare” ka fituar përballë tri listave të tjera, të cilat sipas tij përfaqësonin atdhetarë, patriotë, udhëheqës lufte dhe luftëtarë të dëshmuar.

I plotë:

Rreth gjysmë milioni vota kundër UÇK-së.

Një listë pa asnjë vlerë kombëtare fitoi përballë tri listave të tjera, të mbushura me atdhetarë, patriotë, udhëheqës lufte dhe luftëtarë të dëshmuar.

Një listë që për pesë vjet nuk e ktheu kurrë kokën nga luftëtari.

Një listë që, bashkë me Listën Serbe, e la luftëtarin me 204€ pension, shumë që nuk mjafton as për të paguar faturën e rrymës.

Një listë që tha se më mirë ishte të paguhen mercenarë e huaj sesa luftëtarët e popullit.

Një listë që nuk la ofendim e fyerje pa ia drejtuar luftëtarëve, këtu e atje, ndërkohë që ata mbahen me duar të lidhura.

Fatkeqësisht, shteti po shkon duke u shkëputur nga lufta që e solli lirinë, dhe kjo ka emër.

Zgjedhjet e 28-dhjetorit, vjen dorëheqja e ‘papritur’ në PDK

Ragip Xhaka ka dhënë dorëheqje nga kryetari i degës së PDK-së në Zvicër. 

Ai ka thënë se e ndjen obligim moral dhe njerëzor që t’iu drejtohet me mirënjohje të thellë të gjithë strukturave të PDK-së në Zvicër.

Xhaka ka shkruar në Facebook se zgjedhjet e fundit janë një moment reflektimi për të gjithë si parti.

Ai ka bërë me dije se do të mbetet gjithmonë anëtar besnik i PDK-së

Kaq vota mori Vetëvendosje në fshatin e Hashim Thaçit

Në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar rezultat të ulët në fshatin e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Sipas të dhënave nga numërimi i votave, Vetëvendosje ka marrë gjithsej 90 vota, apo 11.29 për qind të totalit në këtë vendvotim.

Ndërkohë, në këtë fshat ka dominuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 645 vota, që përbëjnë 80.93 për qind, duke lënë prapa partitë e tjera.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 33 vota (4.14%), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vetëm 17 vota (2.13%).

Rezultati konfirmon mbështetjen tradicionale të elektoratit lokal për PDK-në, ndërsa Vetëvendosje vazhdon të ketë vështirësi në bastionet e ish-krerëve të kësaj partie.

Janina Ymeri, a i ka siguruar votat për një ulëse në Kuvend?

Ndërsa rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit ishte një nga më të dobëtit për Lidhjen Demokratike të Kosovës, në renditjen e kandidatëve për deputetë po spikat një dinamikë e re.

Përbërja e ardhshme e Kuvendit pritet të ketë një opozitë me ton tjetër, të përfaqësuar nga figura që gjatë mandatit të kaluar janë bërë të njohura për ballafaqim publik, dhe për insistim në çështje që prekin jetën e përditshme të qytetarëve. Në këtë konktest, një nga emrat që bien në sy është ai i Janina Ymerit, e cila për herë të parë iu fut garës për deputete në listën e Lidhjes Demokratike.

Vetëm dy muaj më parë, Ymeri ishte kandidate për asambliste në Komunën e Ferizajt, ku mori vetëm 128 vota. Ymeri nuk u tërhoq dhe u angazhua në shpërfaqjen e skandaleve dhe keqmanxhimit të qeverisë Kurti II për një temë që ka peshuar drejtpërdrejt mbi buxhetet familjare përgjatë katër viteve të fundit: shtrenjtimi i energjisë elektrike.

Me 45 për qind të votave të numëruara, Ymeri aktualisht gjendet në top 10 kandidatët më të votuar të LDK-së, me 8 mijë e 74 vota, duke u renditur pas figurave të njohura të partisë si Lutfi Haziri, Armend Zemaj dhe Anton Quni. Njëkohësisht, ajo ka lënë prapa edhe emra të tjerë të njohur si Jehona Lushaku-Sadriu dhe Besian Mustafa.

Në pak javë, Ymeri e ktheu debatin për energjinë në pikë referimi të daljes së saj publike. Në një intervistë të ditëve të fundit me Berat Buzhalën, ngriti shqetësime për heshtjen e pushtetit dhe mungesën e llogaridhënies nga institucionet dhe akterët përkatës për importin e energjisë dhe çmimet stratosferike.

“Ky është peng i mafisë energjetike – nuk fol. Ti nuk ke mundësi teknike me iu ik krejt këtyre lojtarëve, ku je duke e marrë rrymën. NOA nuk gjeneron rrymë. Shqipëria nuk ka rrymë sa na nevojitëm, ke me marrë prej Greqisë, Serbisë, Republika Srpskas – kah e ke marrë? Ama heshtin, nuk flasin. Nuk po mund që 1 muaj ditë me ma dhanë një raport teknik që më thënë ‘jo, ne nuk e kemi marrë asnje megavat prej këtyre që po thua ti’.”– deklaroi ndër të tjera Ymeri.

A siguroi votat për deputete Adriana Matoshi

Janë numëruar 53% e votave për deputetë.

Adriana Matoshi është rrugës për t’u bërë deputete e Kuvendit të Kosovës.

Deri më tani ajo renditet e 21-ta me 16 mijë e 493 vota.

Arifi: Vetëm 25% e qytetarëve mbështesin VV-në, rrenci mbetet rrenc

Politikani shqiptar, Shqiprim Arifi, është deklaruar pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Arifi ka thënë se vetëm 450 mijë votues kanë votuar për VV. Sipas tij, vetëm rreth 25 për qidn e Kosovës janë mbështetës të përkohshëm të VV’së.

“Vota për Albinin dhe VV-në nuk e bën më pak RRENC dhe as nuk i jep më shumë të drejtë apo të vërtetë! Përkundrazi, shumica jo gjithmonë është pasqyrim real i së vërtetës; në këtë rast, ajo është bazë për të ardhmen për të mashtruar e gënjyer edhe më shumë, për të vjedhur edhe më shumë. Nesër mos u ankoni, i keni ditur të gjitha”, ka deklaruar ai.

Postimi i plotë:

Nuk foli i gjithë populli, por vetëm rreth 25% e tij!

Nga 2 milionë votues, 900 mijë kanë dalë në votime dhe prej tyre rreth 450 mijë kanë votuar për VV. Kjo do të thotë se vetëm rreth 25% e gjithë e Kosovës në përgjithësi, janë mbështetës të përkohshëm, të manipuluar, të mashtruar dhe në fund edhe të blerë nga VV.

Vota për Albinin dhe VV-në nuk e bën më pak RRENC dhe as nuk i jep më shumë të drejtë apo të vërtetë! Përkundrazi, shumica jo gjithmonë është pasqyrim real i së vërtetës; në këtë rast, ajo është bazë për të ardhmen për të mashtruar e gënjyer edhe më shumë, për të vjedhur edhe më shumë. Nesër mos u ankoni, i keni ditur të gjitha!

RRENCI mbetet RRENC, sepse e ka të dëshmuar me 20 vjet tone të larta, inçizime dhe vendime. Këtë e dinë të gjithë saktë, edhe votuesit e vet, por inati i shqiptarit i’a shuan mendjen dhe logjikën e shëndoshë. Siç ka ndodhur shpesh në historinë tonë dhe më pas jemi bërë pishman.

Sa i përket diasporës, lëreni rehat. As ajo nuk ka faj që opozita nuk ka lider e as strategji (mendojnë se “me të mira” duhet bërë fushata kundër manipulimit). Po ashtu, nuk është faji i tyre që janë përballur me një RRENACAK ordiner, që prej 20 vitesh komunikon rrenën intensivisht dhe sot, e shpërblejnë me votë.

Albini nuk lëshoi pe, e pse të lëshojmë pe, ne?!

E vërteta është mbi votën e inatit apo shumicës së inatit dhe i’a vlen të qëndrosh për të, edhe nëse je i vetëm kundër të gjithëve.

Unë, që nga viti 2017 nuk kam lëshuar pe për këtë RRENC dhe kështu do të vazhdoj, me kismet!

”Të rinjtë kishin hyrë në vilë që nga mbrëmja e djeshme..”, detaje nga rasti tragjik në Pejë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Pejë, ku dy persona janë gjetur pa shenja jete brenda një vile në rrugën “KFOR”.

Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 15:10, kur Policia ka pranuar informatën se në vilat nr. 03 ndodheshin një mashkull dhe një femër, të moshës rreth 20 deri në 25 vjeç, të cilët sipas informacioneve fillestare kishin hyrë në vilë që nga mbrëmja e 29.12.2025, por prej asaj kohe nuk ishte dëgjuar asnjë zë nga brenda.

Pas daljes së patrullave policore në vendin e ngjarjes dhe kontrollit të objektit, është konstatuar se të dy personat ndodheshin pa shenja jete. Njësia e Emergjencës, e cila ka dalë në vendngjarje, ka konfirmuar vdekjen e tyre.

Menjëherë janë njoftuar njësia e hetimeve dhe krimteknika e Stacionit Policor në Pejë, të cilët ndodhen në lokacion dhe kanë nisur procedurat hetimore. Po ashtu, është kërkuar edhe dalja e Njësisë së Hetimeve të DRP Pejë për trajtimin e mëtejmë të rastit.

Për momentin, identiteti i viktimave dhe rrethanat e sakta të vdekjes së tyre mbeten të paqarta, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rastit

Pas zgjedhjeve, Lumbardh Salihu tregon nëse siguron ulëse në Kuvend

Me numërimin e rreth 30 për qind të kutive të votimit, kanë dalë në dritë shifrat e para për kandidatin e LDK-së, Lumbardh Salihu.

Deri në këtë fazë të procesit, Salihu ka grumbulluar rreth 1200 vota.

Ky rezultat tregon një ecuri sfiduese për ish-fituesin e Big Brother, i cili po garon për një ulëse në Kuvendin e Kosovës nën siglën e Lidhjes Demokratike të Kosovës

 

Pas publikimit të rezultateve të para, Salihu ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë.

“Qytetarë të dashur, faleminderit për përkrahje. E kuptoj që rezultati nuk është i kënaqshëm, por unë nuk do të ndalem”.

“Do të vazhdoj të kontribuoj me zemër për vendin tim dhe atë vetëm përmes LDK-së. Respekt”, ka shkruar ai.

Procesi i numërimit të votave vazhdon, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të sjellin një pasqyrë më të qartë për garën elektorale.

Numërohen 30% të votave për deputet, në PDK vazhdojnë të prijnë figurat e reja

KQZ në faqen zyrtare ka procesuar 29,88% të votave të numëruara të kandidatëve për deputet. Në Partinë Demokratike të Kosovës, aktualisht Bedri Hamza ka marrë 45,619 vota.

Në vend të dytë është Arian Tahiri me 21,800 vota.

Me 20,221 vota në vend të tretë radhitet deri tani Përparim Gruda.

Uran Ismaili është i katërti me 15,963 vota, ndërsa në të pestin Sala Jashari me 14,474 vota. Pas saj, Vlora Çitaku me 12,767 vota.

Nga totali i votave, nga 2,557 vendvotime të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 49.34%.

20.98% ka marrë Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 13.57%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 5.66%.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë të drejtë vote patën 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë.

/Reporteri.net/