div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-435 category-paged-435 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Xheladini premton 500 euro subvencione për gratë me kancer të gjirit

Kryetari i Komunës së Dragashit, Behxhet Xheladini ka prezantuar programin e tij për mandatin e ri për zgjedhjet lokale 2025.

Xheladini ka thënë se për në sektorin e shëndetësisë, synojnë të përkrahin drejtpërdrejt qytetarët në nevojë, sidomos gratë që përballen me sëmundje të rënda.

Sipas Xheladinit, të gjitha gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit do të përfitojnë një subvencion prej 500 eurosh, ndërsa përkrahje do të ketë edhe për pacientët me sëmundje të zemrës dhe ata që janë në dializë.

“Në këtë vit kemi marrë një vendim që pap-testi të ofrohet falas për të gjitha gratë, dhe kjo tashmë ka hyrë në fuqi që nga fillimi i vitit. Po ashtu, të gjitha shërbimet gjinekologjike janë pa pagesë,” u shpreh kryetari Xheladini.

Ai theksoi se në mandatin e ri, tre prioritetet kryesore do të jenë: arsimi, shëndetësia, dhe më pas zhvillimi ekonomik i komunës.

“Ne kemi marrë një qëndrim në këtë vit se do ta bëjmë Papa testin pa pagesë dhe kemi filluar që nga fillimi i këtij viti, një ashtu edhe shërbimet gjinekologjike të gjitha janë pa pagesë. Tri prioritetet kryesore për mandatin e rinj, arsimin e shëndetësisë në plan të parë, pastaj zhvillimi ekonomik”, ka deklaruar Xheladini në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Peci: Pamjet nga protesta në Hagë nuk më pëlqyen, mund të ndikojnë negativisht

Faton Peci, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për komunën e Mitrovicës, ka komentuar zhvillimet e fundit rreth Gjykatës Speciale, përfshirë protestën e mbajtur në Hagë dhe dëshminë e ish-zyrtarit amerikan James Rubin.

Në emisionin “Mesditë” në Tëvë1, Peci u shpreh se, për shkak të angazhimit në fushatën zgjedhore, nuk ka arritur t’i ndjekë në detaje zhvillimet e fundit.

“Për besë nuk po mundem me arrit me i ndjek të gjitha zhvillimet që janë duke ndodhur, për shkak të dinamikës së madhe që e kam në zgjedhjet komunale. Nuk i di krejt zhvillimet që kanë ndodhur, kam parë disa tituj, por deri sa të jap komente, kam dëshirë me qenë i mirëinformuar. Nuk parapëlqej me dhënë deklarata pa qenë i informuar,” deklaroi ai.

Peci u ndal edhe te protesta e fundit në Hagë, duke shprehur shqetësimin se forma e organizimit mund të ketë efekt të kundërt ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“E di që ka pasur një protestë në Hagë. Unë personalisht e kam bindjen, pa dasht me paragjyku ose me ndiku në çfarëdo çështje të sistemit të drejtësisë, të cilin e kemi themeluar si shoqëri – mendoj se organizimi i tillë, si protesta ku edhe ajo pjesa e rrethojës në Hagë tentohet të demolohet, më shkakton drojë që mundemi me dëmtu procesin, në disfavor të figurave të Kosovës që po përballen me një proces gjyqësor,” u shpreh Peci.

I pyetur për mungesën e reagimit zyrtar nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me zhvillimet në Hagë, Peci tha se një reagim i tillë duhet të vijë nga Ministria e Drejtësisë.

“Po flitet për një reagim të rëndësishëm, por kur ka reagim nga ne, po thonë që po ndikojmë në procesin e tyre. Edhe një reagim të tillë duhet ta bëjë ministri në detyrë i Drejtësisë,” tha ai.

Në fund të intervistës, Peci ritheksoi se nuk ka ndjekur të gjitha zhvillimet, por disa pamje nga protesta nuk i kanë lënë përshtypje pozitive.

“Unë, me thanë të drejtën, nuk e kam përcjellë krejt. Çka kam parë janë disa pamje nga ajo protestë që mua nuk më kanë pëlqyer. Arsyeja pse është se mundet me ndiku negativisht në procesin gjyqësor,” përfundoi ai.

Serbi vret gruan, plagos vajzën dhe partnerin e saj, më pas vetëvritet

Një burrë me origjinë nga Serbia vrau mbrëmë bashkëshorten, plagosi rëndë vajzën dhe partnerin e saj, pastaj vrau veten në një veturë.

Ky krim ndodhi në lagjen Leopoldstadt, në qendër të Vjenës, raportojnë mediat lokale.

Sipas informacionit nga Austria, masakra u krye para ndërtesës ku familja jetonte ndërsa policia ishte mobilizuar në të gjithë qytetin për ta kapur autorin, i cili u gjet më pas pa shenje jete.

Trupi i gruas u gjet para apartamentit gjersa në ndërtesë, policia gjeti vajzën (24 vjeçe), që është vajza e çiftit, dhe një djalë (26 vjeç), të dy të plagosur rëndë. Vajza është në gjendje kritike për jetë.

Fqinjët njoftuan policinë pasi dëgjuan disa të shtëna, raporton nova.rs.

Pas kësaj, autori u përpoq të ikte me veturën e markës “Mercedes”, por u kap i plagosur rëndë, e cila gjë i solli edhe vdekjen.

Fillimisht nuk ishte e qartë nëse ai ishte qëlluar nga policia, por hetimet kanë treguar se bëhet fjalë për vetëvrasje.

Në apartament ku ndodhi sulmi fillestar, ishin edhe dy fëmijë të tjerë që panë ngjarjen, por ata nuk u lënduan. Policia kishte urdhëruar që banorët të mos dilnin në rrugë dhe disa rrugë ishin bllokuar.

Motivi i krimit nuk është plotësisht i qartë ende, por si një prej mundësive po merret në konsideratë fakti që çifti ishte duke u përgatitur për shkurorëzim që pritej të ndodhte së shpejti.

Zgjedhjet lokale, nis votimi nga diaspora

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të mërkurën ka nisur procesi i votimit me postë për qytetarët e Kosovës që janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale jashtë vendit.

Periudha e votimit me postë do të zgjasë 25 ditë, nga 17 shtatori deri më 11 tetor, dhe do të përfshijë vetëm 43,933 votues që janë regjistruar me sukses jashtë Kosovës.

“Në përputhje me detyrimet e përcaktuara në Rregulloren Zgjedhore Nr. 04/2025 për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, sipas të cilave KQZ do të sigurohet që shtetasve të Kosovës të regjistruar për votim me postë t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotime, KQZ ka përgatitur pakot për secilin votues të regjistruar, e cila përmban nga dy fletëvotime, një për zgjedhjet për Kryetar Komune dhe një për Zgjedhjet për Kuvend Komunal.”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Deri më tani, disa pako me fletëvotime janë dërguar përmes postës për votuesit e regjistruar në disa shtete, ndërsa shërbimet postare do t’i përcjellin ato te votuesit në adresat e dhëna gjatë procesit të regjistrimit. KQZ vazhdon të dërgojë pjesën tjetër të pakove me fletëvotime.

“Zarfi i cili do t’i dërgohet votuesit përmban: fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës”, vijon njoftimi.

Votuesit jashtë Kosovës duhet të depozitojnë pakot me fletëvotime në njërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e rasteve, KQZ ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare përkatëse në shtetin e votuesit. Kur adresa nuk është e shënuar, votuesi duhet të përdorë njërën nga kutitë postare të KQZ-së.

“KQZ fton për vëmendje votuesit e regjistruar se çdo dërgesë postare duhet të jetë individuale. Të gjitha informacionet e detajuara për procesin e votimit jashtë Kosovës, KQZ ua përcjellë individualisht votuesve të regjistruar në e-mail adresat e tyre”, përfundon njoftimi.

Roli i Hashim Thaçit në luftë: avokati ia shfaq diplomatit amerikan një deklaratë të Albin Kurtit, kështu përgjigjet James Rubin

Një deklaratë e Albin Kurtit, kryeministrit në detyrë të Kosovës, dikur sekretar i drejtuesit të zyrës politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçi, u përdor sot në Gjykatën Speciale.

Luka Mishetiq, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi, shfaqi një artikull të gazetës, të shkurtit 1999, për të dëshmuar se roli i Demaçit për vendime të rëndësishme politike, ishte mbi atë të Thaçit, i cili ishte udhëheqësi i delegacionit kosovar në Rambuje.

Avokati i bëri pyetje ish Ndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin për artikullin ku flitej për një konferencë të mbajtur nga Kurti. Titulli i artikullit ishte “Asnjë vendim politik pa pëlqimin e Adem Demaçit”.

Kurti, aty, citohej të kishte thënë se nisja e delegacionit shqiptar në Rambuje në Francë ishte “gjest i vullnetit të mirë”.

Avokati Mishetiq e pyeti diplomatin amerikan lidhur me atë se anëtarët e UÇK-së në atë delegacionin “nuk e kishin autoritetin për të nënshkruar”.

“Një pjesë të anëtarëve të delegacionit e thanë këtë gjë”, tha Rubin.

“Cilët?”, e pyeti Mishetiq.

“Hashim Thaçi”, u përgjigj ish zyrtari i lartë amerikan.

Haki Abazi kritika Kurtit: S’mbahet veriu me Njësi Speciale

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi thotë se në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti do t’i bien maskat në veri.

Abazi u shpreh se ai ka dashur të manipulojë, por sipas tij, do të rikthehet normaliteti në veri të Kosovës.

“Kurtit më 12 tetor, do i bien të gjitha maskat në veri. Kosova duhet të funksionojë si shoqëri demokratike. Kryetarët serbë do të kthehen në komunat në veri. Populli shqiptar do të kuptojë që gjithë ky manipulim i Kurtit në veri ka ndodhur për të shtrirë dhe manipuluar pjesën e jugut. Nuk ka ndodhur për veriun. Realiteti në veri do të kthehet në momentin kur kryetarët serbë, më 12 tetor do marrin pushtet atje. Marrëveshjet që kanë me BE, do vendosen edhe për me komandantët e policisë dhe do i kthehen strukturave. Ky është funksionimi i Kosovës. Përveçse Kurti mendon se mund ta mbajë me njësi speciale veriun. Nuk ka shtet në botë që mund ta mbajë demokracinë me njësi speciale.”, theksoi ai në ABC News.

Aksion i madh nga Njësia Speciale, arrestohen 5 persona

Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Organizuar dhe Korrupsionit (DHKOKR), në koordinim me Prokurorinë, ka realizuar dje (16.09.2025) një aksion në Shtime, Lipjan dhe Drenas, ku janë bastisur pronat e pesë personave të dyshuar, meshkuj kosovarë.

Gjatë bastisjeve, policia ka gjetur dhe sekuestruar: një armë automatike AK-47, pushkë e gjatë me dylbi, një pushkë gjuetie, një revole, 116 fishekë, tetë fishekë me gaz, dy pushkë ajrore dhe pesë telefona.

Pesë personat e dyshuar janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.

Policia e Kosovës njofton se veprimet hetimore do të vazhdojnë në koordinim me organet e drejtësisë.

Ky është 49-vjeçari që humbi jetën në aksidentin tragjik

Gazeta Sinjali raporton se një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në fshatin Makoc të Prishtinës, ku ka humbur jetën shoferi i një automjeti dhe janë lënduar tre persona të tjerë.

Viktima është identifikuar si Mehdi Krasniqi, rreth 49-vjeçar, i cili po drejtonte një automjet të tipit Opel Corsa, që për shkaqe ende të panjohura ka kaluar në korsinë e kundërt dhe është përplasur me një Range Rover pa targa.

Nga përplasja janë lënduar: L.H., rreth 35-vjeçare, L.H., rreth 8-vjeçar dhe D.H., rreth 4-vjeçar.

Siç mëson Sinjali, rreth orës 14:00, në Emergjencën e QKUK-së është konstatuar se Mehdi Krasniqi ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.

Bashkëpunimi i Haradinajt me CIA-n, Shala: Ka informata për bashkëpunimin e Kurtit me Serbinë

Analisti Azdren Shala ka thënë se Ramush Haradinaj mund të ketë informacion që Albin Kurti punon me Serbinë si rrjedhojë e raporteve të këtij të parit me CIA-n.

“Kjo ndërprerja ose pezullimi ose suspendimi qysh doni me i thanë, i dialogut strategjik, lidhet me një element. Mes tjerash që foli dje James Rubini, tha Ramushi ka qenë [në raporte] me CIA-n”, ka thënë Shala në Rubikon të Klan Kosovës.

“Na Ramushin e shohim duke na tregue, duke na porositë, duke na paralajmëru që Albin Kurti punon për Serbi. Atë që unë e kam analizë edhe analiza ime më  çon te konstatimi i Ramushit, mendoj që ai ka fakte. Ai e ka edhe informacionin”.

“Pse hala s’del me na kallëzu, këtu ia shoh fort për të madhe z. Haradinajt. Është mirë me kallëzu fakte se besoj që ai e din”.

Bosch: Gjykata në Hagë po i shërben Serbisë, jo drejtësisë

Ish ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch foli mbi procesin gjyqësor të mbajtur në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Bosch, i cili mbajti një fjalim në protestën e së dielës në Hagë në mbështetje të Thaçit, theksoi se ngritja e kësaj gjykate është perceptuar jo si një përpjekje e sinqertë për drejtësi.

“Unë kam qenë i përfshirë që në 2010-tën, dhe gjatë luftës kemi bërë gjithçka më ndërkombëtarët për të sjellë paqe, kemi pasur negociata në Kosovë edhe kur u bënë zgjedhjet në Serbi dhe jemi përpjekur të zgjedhim rrugën e duhur. Tashmë e dimë që Vuçiç nuk është miku ynë në Europë por i Rusisë dhe Kinës”, tha Bosch, në Euronews Albania.

Sipas tij, Kosova vazhdon të mbajë barrën e përgjegjësisë për marrëveshjen me Serbinë, dhe theksoi se shumë individë përgjegjës për krimet e viteve ’90 sot mbajnë pozita të rëndësishme në Serbi.

“Kosova këtu fajësohet gjithmonë sa i takon marrëveshjes me Serbinë. E gjithë kjo gjykatë ishte pjesë e kësaj marrëveshje, ne krijuam de facto për serbët. Në një raport që nuk besoj se e ka lexuar njeri, ka një pikë të rëndësishme sa i takon krimeve të kryera nga Thaçi supozohet, shkruhet që të gjitha krimet janë kryer nga serbët dhe asnjë serb nuk akuzohet nga kjo gjykatë.

Ka shumë fajtor që mbajnë pozicione të mira ndërkohë që kanë qenë kriminelët kryesorë në vitet 90’. Nuk është një gjykatë objektive por është një gjykatë për ti shërbyer Serbisë”, shtoi ish-ambasadori i Hollandës në Kosovë, Robert Bosch.