Ali Ahmeti mban nesër fjalim në protestën e veteranëve

Ali Ahmeti do të jetë njëri nga katër folësit që pritet t’i drejtohen qytetarëve në protestën e veteranëve të luftës të UÇK-së, të ftuar për të enjten.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) do të jetë i ftuar special në protestë, tha sot nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Gazmend Syla.

Më tutje Syla tha se në protestë do të ketë edhe tre folës të tjerë, përfshirë kryetarin e organizatës, Hysni Gucatin.

Protesta e thirrur nga veteranët e luftës për kundërshtimin e padrejtësive të Gjykatës Speciale në Hagë, pritet të fillojë në orën 17:00. Ajo do të mbahet në sheshin ‘Skenderbeu’ në Prishtinë.

E dhimbshme: Ndahet nga jeta 18-vjeçarja nga Prizreni, Tringa Buqaj

Ka ndërruar jetë në moshën 18-vjeçare Tringa Buqaj, nga Prizreni, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin e kanë konfirmuar familjarët e të ndjerës, duke bërë të ditur se 18-vjeçares do t’i jepet lamtumira e fundit sot, me drekë, nga ora 13:00 në varrezat e Prizrenit.

“Nisja e funeralit bëhet nga xhamia e lagjes Dardania, Prizren.”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, për vdekjen e saj ka reaguar edhe Gjimnazi “Gjon Buzuku” – Prizren, duke shprehur ngushëllimet për humbjen e tragjike të nxënëses së tyre.

“Tringa do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë si një vajzë e ndritur, e sjellshme dhe me ëndrra të mëdha për të ardhmen. Humbja e saj është një dhimbje e madhe për familjen, shoqërinë dhe gjithë komunitetin tonë shkollor.”, thuhet në njoftimin e shkollës.

Gjetjet e autopsisë së trupit të Enver Bajraktarit: U vra me mjete të forta

Enver Bajraktari të hënën u gjet i groposur në një arë të mbjellë me misër në Baicë të Lipjanit. Express mëson nga burimet brenda prokurorisë se bëhet fjalë për vrasje me mjete të forta.

Sot Prokuroria Themelore në Prishtinë i tha Expressit se është kryer autopsia e të ndjerit dhe se po zhvillohen hetime intensive për të zbuluar rrethanat e rastit.

Ata nuk pranuan të japin më shumë informacione.

“Ju njoftojmë, se me datë 05/08/2025, është bërë identifikimi i plotë dhe ishte Enver Bajraktari, është kryer autopsia dhe janë në proces intensiv hetimet në këtë çështje, por detaje më të hollësishme nuk mund të japim në këtë fazë të hetimeve.”

Bajraktari do të varroset sot.

Njëri nga familjarët e të ndjerit, i pyetur se si u gjet vendi i varrosjes së viktimës, tha dje se fillimisht ‘’kanë hi me vëzhgu, ata vëzhguesit e kamerave e kanë gjet tani që lëvizja e fundit u kanë të kjo shtëpia këtu. Në bazë të aty janë ardh kanë lyp qetu. Ata djemtë që kanë ardh, tu lyp nëpër arë përmes shtagës, tani aty e kanë pa që ka zvarritje’’.

Ai ka folur edhe për viktimën duke thënë se i njëjti ‘’nuk supozohet’’ që ka pasur probleme me dikë.

Dje përmes raportit 25 orësh, Policia ka thënë se në lidhje me rastin janë intervistuar katër dëshmitarë.

“VRASJE E RËNDË- Fsh. Baicë, Lipjan. 04.08.2025-12:05. Në një arë është gjetur i varrosur një trup i pajetë, mashkull rreth moshës 50-60 vjeçare, trupi i cili sipas IML-së është i freskët. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe prokurori kujdestar bashku me njësinë e zhvarrimit e kanë nxjerr trupit e pajetë, momentalisht nuk dihet identiteti i tij. Në lidhje me rastin janë intervistuar katër dëshmitarët meshkuj kosovarë. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Tërmkolli: Më e rrezikshme për Kosovën Presidentja Osmani apo Llabani?!

Ish deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka reaguar lidhur me deklaratat e presidentes Osmani se gjyqtari Radomir Llaban përbën rrezik për sigurinë kombëtare.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka pyetur se a është më e rrezikshme për Kosovën Osmani apo Llabani.

Po ashtu, Tërmkolli ka thënë se Llaban është dashur të arrestohet kur presidentja ka pasur të dhëna se ai përbën rrezik për rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare.

“Presidentja Osmani dhe Albin Kurti padyshim janë rrënuesit më të mëdhenj të rendit kushtetues dhe të sigurisë kombëtare me Puçin e tyre kundër rendit kushtetues që pas zgjedhjeve e deri në veprimin e djeshëm”, ka shkruar ajo.

Postimi i saj i plotë:

Më e rrezikshme për Kosovën Presidentja Osmani apo Llabani?!

Llaban do të duhej të ishte arrestuar që kur Presidentja paska pasur të dhëna zyrtare se ai përbën rrezik për rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare.

Presidentja Osmani dhe Albin Kurti padyshim janë rrënuesit më të mëdhenj të rendit kushtetues dhe të sigurisë kombëtare me Puçin e tyre kundër rendit kushtetues që pas zgjedhjeve e deri në veprimin e djeshëm.

Këta kanë dëshmuar se për pushtet janë në gjendje të shkelin mbi çdo gjë, edhe mbi rendin kushtetues edhe mbi të gjallë e të vdekur!

Në kushte të tilla, në mungesë për kohë të gjatë të institucioneve më vitale të shtetit, të Kuvendit dhe Qeverisë, institucionet e sigurisë do të duhej të vepronin për të rivendosë rendin kushtetues!

Këta fëmijaqë të rrezikshëm nuk njohin gjuhë tjetër!

#MakeDardaniaAgain

#MDA

Protesta kundër Speciales, Mustafa: Sikur ta kisha shëndetin, më 7 gusht do të isha edhe unë në shesh

Të enjtën më 7 gusht me fillim nga ora 17:00, Organiazata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka organizuar një protestë për të kundërshtuar padrejtësitë e Gjykatës Speciale.

Në mbështetje të kësaj proteste, doli edhe ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.

Mustafa tha se po ta kishte shëndetin edhe ai do të dilte dhe të protestonte në shesh.

“Shteti i Kosovës është rezultat i rezistencës politike të drejtuar nga Presidenti Rugova dhe i luftës së UÇK-së. Është vlerë e përbashkët. Ne kemi pasur besim në drejtësinë ndërkombëtare kur Kuvendi i Kosovës votoi themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë me ligje të Kosovës. Jam dëshmitar se këtë besim të plotë e kanë pasur edhe Presidenti Thaçi dhe Kryeparlamentari Veseli, me të cilët kam punuar asokohe. Gjykata u themelua me bindje se do të marrin dënimet e merituara njerëzit për të cilët faktohet se kanë kryer krime. Askujt s’do ti shkonte mendja se në vend të kësaj, bartësit kryesor të luftës për të mbrojtur pragun e shtëpisë, me rol kyç në Rambuje, në bisedat e Vjenës, në shpalljen e pavarësisë; në kundërvënien ndaj depërtimit me dhunë të një milion shqiptarëve nga Kosova, do të cilësoheshin si ndërmarrje e përbashkët kriminale”, tha Mustafa

Tentoi t’i godiste me veturë dhe sulmoi fizikisht policinë – Lihet i lirë 40-vjeçari nga Fushë Kosova

Një incident i rëndë është regjistruar të martën pasdite në rrugën “Pajazit Islami” në Fushë Kosovë, ku një person ka sulmuar zyrtarët policorë që ishin në detyrë, raporton Sinjali.

Sipas informacioneve, B.M, rreth 40-vjeçar, fillimisht tentoi t’i godiste me veturë zyrtarët policorë të cilët po intervenonin në një rast dhune në familje. Më pas, ai sulmoi fizikisht njërin nga zyrtarët, të cilin e goditi në gjoks me një mjet që dyshohet të ketë qenë telefon.

Falë reagimit të shpejtë dhe përdorimit të pajisjeve ndërmjetësuese, patrulla ka arritur ta neutralizojë dhe arrestojë të dyshuarin në vendngjarje.

Pas shoqërimit në stacionin policor, i dyshuari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës, ndërsa Prokurori i Shtetit ka autorizuar inicimin e rastit si “Sulm ndaj personit zyrtar”, përderisa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Prokuroria ka udhëzuar se hetimet rreth këtij incidenti do të vazhdojnë. Sinjali do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

“Kjo është e vërteta” – Kajtazi tregon arsyen pse Osmani vendosi që ta tërheqë kërkesën e saj

Gazetari Vehbi Kajtazi ka thënë se presidentja Osmani ka qenë e njoftuar se kërkesa e saj ka qenë e papranueshme nga Gjykata Kushtetuese, prandaj edhe ka vendosur që ta tërheq kërkesën e saj.

I ftuar në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Kajtazi ka deklaruar se Osmani ka vepruar kësisoj me qëllim që të mos ndihej e poshtëruar.

Sipas Kajtazit, kërkesa e presidentes Osmani ishte e papranueshme dhe se për këtë vetë ajo ishte e njoftuar.

“Osmani e ka ditur se lënda e saj është e papranueshme. Mbi këtë bazë ka vendosur që ta tërheq lëndën në mënyrë që të mos ndjehej e poshtëruar nga gjykata. Kjo është arsyeja e vërtetë. Lënda e saj ka qenë e papranueshme, sepse mënyra se si e ka hartuar ajo ka qenë gabim dhe kjo tregon se kushdo që e ka hartuar at lëndë ka mangësi profesionale. Ky është një arsyetim për ta tërhequr lëndën.

Para se ta dërgonte këtë lëndë në Gjykatën Kushtetuese, njëri nga këshilltarët e Vjosa Osmanit, ka kontaktuar me juristë të kësaj fushe për të marrë mendim se çfarë duhet të bëjë. Ka marrë vërejtje me shkrim se lënda e saj nuk shqyrtohet nga gjykata kushtetuese. Ajo është bazuar në konfliktikin ndër institucional dhe Kuvendi i Kosovës derisa nuk është konstituar nuk konsiderohet se ka Kuvend. Për këtë arsye lënda e saj ka qenë e papranueshme”, ka thënë Kajtazi.

Presidentja Osmani në një konferencë për media të martën bëri të ditur se ka tërhequr kërkesën e saj në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se sipas saj lënda i ishte dorëzuar një gjyqtari serb, i cili sipas Osmani përbënte rrezik kombëtar bazuar në informacionet nga organet e sigurisë.

Mushkolaj: Nëse gjyqtari serb cenon sigurinë kombëtare, atëherë përgjegjësinë më të madhe e ka vetë presidentja

Analisti Imer Mushkolaj reagoi pas vendimit të Presidentes Vjosa Osmani për të tërhequr kërkesën e saj nga Gjykata Kushtetuese, me arsyetimin se gjyqtari raportues, Radomir Laban, paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.

Mushkolaj ngriti disa pyetje lidhur me kohën dhe mënyrën e reagimit të Presidentes, duke vënë në pikëpyetje konsistencën dhe përgjegjësinë institucionale të saj dhe të autoriteteve shtetërore.

Sipas tij, nëse gjyqtari serb vërtet cenon sigurinë kombëtare, atëherë “përgjegjësinë më të madhe e ka vetë presidentja, e cila nuk ka reaguar me vite.”

“A ka paraqitur dhe a paraqet rrezik kombëtar gjyqtari serb i Kushtetueses? Nëse po, çfarë kanë bërë institucionet, presidentja për ta larguar atë? Nëse nuk kanë bërë asgjë, atëherë kanë përgjegjësi. Nëse gjyqtari serb cenon sigurinë kombëtare, atëherë përgjegjësinë më të madhe e ka vetë presidentja, e cila nuk ka reaguar me vite. Pse presidentja nuk reagonte kur ai caktohej gjyqtar raportues për raste të tjera, por vetëm tash për kërkesën e saj? Pasojat e kësaj qasjeje të presidentes do të kuptohen më vonë. Pasoja negative, fatkeqësisht.” – shkroi ai.

Sulmi kundër Hekuran Hodës -Pse nisi, kush u arrestua dhe cili është ndikimi i disa policëve në këtë rast?

Sot është sulmuar Hekuran Hoda. Por, pse erdhi deri te ky sulm?

Burime të Insajderit bëjnë me dije se në këtë rast ka shumë interesa të përfshira dhe disa njerëz të fuqishëm me ndikim në Policinë e Gjakovës.

Pavarësisht kësaj, për këtë rast ka pasur disa të arrestuar dhe Insajderi sjell emrat, si dhe tregon se si lidhen ata me persona me ndikim të madh në hetuesi.

Por fillimisht, si ndodhi rasti dhe për çfarë nisi?

Avdyl Zeneli, gjatë kësaj jave, ka pasur një aksident me veturë me djemtë e Hekuran Hodës, Pëllumbin dhe Diamantin, thonë burime të Insajderit, duke treguar se aty nisi telashja.

Pas aksidentit, del nga vetura Avdyl Zeneli dhe dyshohet se e sulmon Pëllumb Hodën duke e kapur për fyti, ndërkohë që Diamanti e godet Avdylin me grusht.

Pastaj në skenë vjen policia, dhe në prani të tyre dyshohet se Avdyli i kërcënon Diamantin dhe Pëllumbin se “do t’i vras”.

Policia e qetëson situatën, pasi Avdyli është vëllai i policit të Autokrimeve, Shaban Zeneli.

Më vonë, pasi Hekuran Hoda njihet me Avdylin, ata vënë kontakt dhe ky i fundit i kërkon falje për atë që ka ndodhur, duke kërkuar ta sqarojnë situatën. Ata lënë takim te lokali “Konti”.

Sipas marrëveshjes, Hekuran Hoda shkon për të biseduar, por në hyrje të lokalit sulmohet nga 6 persona.

Hetuesit dyshojnë se në sulm morën pjesë: Edon A. Zeneli, Haxhi A. Zeneli, Ardion Zeneli, Bajram Begbushati, Avdyl Zeneli dhe një person tjetër, emër tashmë i njohur për Policinë.

Dyshohet se, edhe pse ka të arrestuar, ndikimi i tyre është shumë i madh në Policinë e Gjakovës, pasi djali tjetër i Avdylit është hetues në Hetimet Rajonale në Gjakovë, person i dyshuar më herët për rrjedhje të informatave policore, çka po e ngadalëson hetimin.

Burime të Insajderit bëjnë me dije se familja Zeneli po ushtron presion të madh për të mos u marrë vendime për ndalim nga Prokuroria, ani pse viktima, Hekuran Hoda, ka hundën e thyer dhe shumë plagë tjera në trup.

LAJM I FUNDIT: Gjuajtje me armë te sheshi Skënderbeu në Prishtinë, ku po mbahej një koncert

Një incident me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së martës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku po mbahej një koncert me prezencë të madhe qytetarësh.

Sipas informacioneve fillestare të siguruara nga burime brenda hetuesisë për Gazetën Imazhi, nuk raportohet për persona të lënduar nga kjo ngjarje.

Policia e Kosovës ka arrestuar një person që dyshohet se është i përfshirë në rastin e të shtënave, ndërkohë që arma e zjarrit e përdorur është konfiskuar.

Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë, e cila sipas autoriteteve mund të jetë kyçe në zbardhjen e rrethanave të incidentit.

Gazeta Imazhi ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe është në pritje të një deklarate zyrtare nga zëdhënësit kompetentë. Detajet e reja do të publikohen menjëherë sapo të konfirmohen nga burimet zyrtare.

👉 Qëndroni me Gazetën Imazhi për më shumë informacione në vijim.