Hoxhaj e akuzon Qeverinë për padituri e pasivitet: Kurti e izoloi Kosovën

Deputeti i PDK’së, Enver Hoxhaj thotë se kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij e kanë bërë një Kosovë pa kurrfarë politike të jashtme dhe pa asnjë aleat në rajon.

Hoxhaj përmes një shkrimi në Facebook thotë se izolimi që i është bërë Kosovës vjen si pasojë e një qeverie passive dhe të paditur në marrëdhënie ndërkombëtare.

“Izolimi, pos që është pasojë e një qeveri pasive dhe e paditur të Kosovës në marrëdhënie ndërkombëtare, atij i është shtuar edhe politika e ledhatimit të Serbisë nga Berlini dhe Parisi, ku për interesa afatshkurtëra gjeopolitike dhe ekonomike, është duke u rrezikuar rendi i krijuar në Ballkan me përfundimin e luftërave në Jugosllavi”.

Tutje, Hoxhaj thekson se Kosovës i duhet një qeveri e cila e nxjerr vendin nga izolimi.

”Kurrë më shumë se tash, Kosovës i duhet një qeveri e cila e nxjerrë vendin nga izolimi dhe komunikon edhe karshi partnerëve të saj gabimet strategjike që po bëhen me ledhatimin e Serbisë, gjë që sot është gabim, por do të jetë edhe në të ardhmen”.

Zgjedhjet e 9 shkurtit, konfirmohet edhe një koalicion i ri

Sot ka përfunduar afati për të gjitha partitë politike të regjistruara në Kosovë që të njoftojnë KQZ-në se në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, do të garojnë si pjesë e koalicionit.

E pikërisht në këtë ditë është konfirmuar edhe koalicioni mes Partisë së Drejtësisë dhe Aleanca Kosova e Re, me emrin “Lista për Familjen”, gjë e cila është bërë e ditur sot nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në lidhje me koalicionin mes Partisë së Drejtësisë dhe Aleanca Kosova e R, Klan Kosova ka raportuar dy ditë më parë.

Ndërkaq, Elezi gjithashtu njoftoi edhe se cilat janë partitë që nuk dëshirojnë të garojnë në zgjedhje.

“KQZ njofton se ka përfunduar edhe periudha për partitë politike të regjistruara në Kosovë, që të njoftojnë se nuk dëshirojnë të garojnë në zgjedhje”.

“Gjatë kësaj periudhe 16 gusht deri më 30 gusht 2024, tri parti politike të regjistruara kanë njoftuar se nuk dëshirojnë të certifikohen për zgjedhje si në vijim: Partia Demokratike e Diasporës, Lëvizja për Bashkim dhe Partia Balliste”, është shprehur ai.

Kurti u kërkon ndërkombëtarëve t’i bëjnë trysni Beogradit, për hapje të arkivave

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 1595 personat që vazhdojnë të mbesin të zhdukur, nga lufta e fundit në Kosovë.

Pasi bëri homazhe te lapidari që përkujton ata, Kurti u shpreh se në këtë betejë kemi përballë një shtet gjenocidal që e mohon të kaluarën.

Tutje, kryeministri u bëri thirrje ndërkombëtarëve t’i bëjnë presion Serbisë në hapje të arkivave, pasi sipas tij, në to gjendet e vërteta.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, ju bëjmë thirrje edhe njëherë faktorëve ndërkombëtarë që ashtu siç na kanë ndihmuar së fundmi me trysni mbi Serbinë që të fillojë gërmimet në Kozhle në Sanxhak, midis Tutinit dhe Novi Pazarit, të bëjnë trysni mbi Beogradin që të ndërrohet vendimi, dhe arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave të hapet, dhe të zbardhen shumë informacione” shkroi Kurti.

Ky është postimi i plotë i tij:

1595 persona janë ende të zhdukur. Ankthi i familjeve është i madh, pikëllimi i thellë, mirëpo qëndrueshmëria e tyre është e lartë dhe ne u kemi borxh, që me gjithë dijen dhe mundësitë e aftësitë tona, të bëjmë gjithçka që të zbardhet fati i të pagjeturve dhe të gjendet vendndodhja e tyre.

Në këtë betejë, përballë e kemi një shtet gjenocidal, që e mohon të kaluarën. Por ne nuk do të heshtim, e as nuk do të ndalemi së thëni të vërtetën.

Në muajt e fundit të vitit 2000 dhe përgjatë vitit 2001, në varrezat masive në Batajnicë, Petrovo Selo edhe Peruqac, janë nxjerrur 900 shqiptarë, pleq, gra e fëmijë. 744 në Batajnicë, 84 në Petrovo Selo dhe 72 në Peruqac. Pastaj, nuk ka pasur zhvarrime të tjera, sepse nuk ka pasur gërmime dhe, në periudhën nga viti 2010 deri në 2021, në dy varreza të tjera masive janë nxjerrur edhe 61 shqiptarë të tjerë: 54 në Rudnicë edhe 7 në Kizhevak. Pra pjesa dërmuese, afër 94 përqind të zhvarrosurve, janë në muajt e parë pas rrëzimit të regjimit të Millosheviqit dhe më pastaj nuk ka pasur vullnet në Serbi për gërmime të mëtutjeshme.

Sivjet janë bërë edhe 20 vjet prej se në krye të Komisionit për Persona të Zhdukur në Serbi, ndodhet Velko Odalloviq, i cili ka qenë njeriu kryesor i Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë. Në fakt, Velko Odalloviq dhe Zoran Angjellkoviq kanë qenë dy personat kryesorë. Ndërkohë që sot do të duhej të ishin në bankën e të pandehurve, të ketë gjykim të drejtë për ta dhe ndëshkim të merituar, ata janë persona të privilegjuar të regjimit të Vuçiqit, ku Odalloviq udhëheq Komisionin për persona të zhdukur në Serbi, që nga viti 2004, ndërsa Angjellkoviq mban poashtu poste të larta, si ushtrues detyre i Drejtorit të Postës së Serbisë.

Në këtë periudhë kohore, më saktësisht në verën e vitit 2014, pra para 10 vjetëve, arkiva e Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave është klasifikuar me vendim në Serbi për 30 vjet. Pra ajo nuk do të hapet deri në vitin 2044. Në ato arkiva, ndodhet e vërteta. Kjo është dhe arsyeja pse nuk janë të qasshme. Sepse kjo brigadë ka kryer një numër të madh të masakrave në Kosovë, sidomos në rajonin e Drenicës.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, ju bëjmë thirrje edhe njëherë faktorëve ndërkombëtarë që ashtu siç na kanë ndihmuar së fundmi me trysni mbi Serbinë që të fillojë gërmimet në Kozhle në Sanxhak, midis Tutinit dhe Novi Pazarit, të bëjnë trysni mbi Beogradin që të ndërrohet vendimi, dhe arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave të hapet, dhe të zbardhen shumë informacione.

Do të vijojmë të qëndrojmë pranë familjarëve, që ta lehtësojmë sadopak dhimbjen e tyre.

Presidenti kroat, Millanoviq komenton blerjen e Rafaleve nga Serbia: “Po armatosen për një javë luftë fiktive që nuk do të shpërthejë kurrë”

Presidenti kroat Zoran Millanoviq tha të premten se Serbia është më tepër se dy herë më e pazhvilluar se Kroacia dhe se po armatoset “për një javë luftë fiktive”, duke komentuar vendimin e Serbisë për të blerë 12 avionë të rinj luftarakë francezë Rafale.

Presidenti francez Emmanuel Macron ndodhet për një vizitë dyditore në Serbi me ftesë të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe në kuadër të vizitës së tij të enjten është nënshkruar kontrata për blerjen e 12 avionëve të rinj luftarakë Rafale me vlerë 2.7 miliardë euro.

“Kjo është punë e tyre. Kjo nuk ka të bëjë me mua dhe ne,” tha Millanoviq.

“Sidoqoftë, kur shikon se ku ishte Serbia në vitet 1990, çfarë ishte potenciali i saj, niveli i industrializimit, arsimit, traditës industriale, atëherë ata duhet të ishin më të zhvilluar se Rumania. Sot, ata janë dy herë më të pazhvilluar sesa Rumania dhe më shumë se dy herë më shumë sesa Kroacia”, u tha Millanoviq, gazetarëve të premten në Pozhegë.

Millanoviq tha se këto janë fakte, pra shifra.

“Gjithçka tjetër është një paradë. Si ky me Rafalet që do të blejë Serbia në fund, siç blen sisteme kundërajrore franceze, si dhe ato kineze dhe ruse të klasit të parë, ndoshta më të mirat në botë. Ne i kemi asnjë prej tyre, pra e kemi këtë fuqi të Serbisë, e cila po armatoset, por në fakt po armatoset për një javë të një lufte fiktive që nuk do të shpërthejë kurrë”, tha presidenti kroat.

Në fund të vitit 2021, Kroacia bleu dymbëdhjetë Rafales të përdorura për 1.13 miliardë euro. Gjashtë të parat kanë ardhur në fund të prillit të këtij viti, ndërsa të tjerat priten në fillim të vitit 2025, kujton Hina.

Deputetja britanike, Kearns: Ne mbështetëm Kosovën pas Banjskës, Macron i shet aeroplanë Vuçiqit

Pas vizitës që presidenti francës, Emmanuel Macron ka realizuar në Serbi dhe pas marrëveshjes për shitjen e aeroplanëve luftarakë, ka reaguar deputetja britanike Alice Kearns.

Në një postim në platformën “X”, Kearns ka ngritur një paralele mes dy vizitave të ndryshme.

Ajo ka thënë se ish-kreu i diplomacisë britanike, David Cameron, në fillim të vitit  shprehu përkrahje për Kosovën pas sulmit të Banjskës në emër të Mbretërisë së Bashkuar. Tutje ajo thekson se në anën tjetër presidenti francez gjatë vizitës në Serbi, po i shet Vuçiqit aeroplanë luftarakë .

“Lord Cameron në Kosovë në fillim të këtij viti, u zotua për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar pas sulmit në Banjskë shtatorin e kaluar. Presidenti Macron në Beograd këtë javë, duke i shitur avionë luftarakë presidentit Vuçiq”, ka shkruar ajo.

Mbyllen pesë komuna paralele në veri, Krasniqi: Nuk ka vend për operim ilegal në asnjë hapësirë të Kosovës

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka njoftuar se pas aksionit të policisë në katër komunat veriore janë mbyllur institucionet paralele ilegale të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës

Komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë:

1. Qarku i Mitrovicës së Kosovës

2. Komuna paralele e Mitrovicës

3. Komuna paralele e Zveçanit

4. Komuna paralele e Zubin Potokut

5. Komuna paralele e Leposaviqit.

Krasniqi thotë se këto 5 sot i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.

“Institucionet e Republikës së Kosovës oftojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës.

Krasniqi thotë se nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës sonë.

Aksioni i madh në veri, Policia jep detaje

Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke u zhvilluar një aksion në katër komunat veriore.

Sipas njoftimit, qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale.

Ky operacion është nisur me kërkesë të Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

“Policia e Kosovës,  bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë, është duke zhvilluar një operacion policor në katër komuna në veri të Kosovës. Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues.  Operacioni policor është duke vazhduar, ndërsa për informacione shtesë do të informoheni pas përfundimit të operacionit”, thuhet në njoftim.

Policia me aksion të ri në Veri

Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke zhvilluar një operacion policor në katër komuna në veri të Kosovës.

Ky operacion është nisur me kërkesë të Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues. Operacioni policor është duke vazhduar, ndërsa për informacione shtesë do të informoheni pas përfundimit të operacioni”, thuhet në njoftim e policisë.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, përmes një postimi në facebook ka ndarë detaje mbi aksionin e sotëm të Policisë në veri të vendit, me ç’rast bëri të ditur se u mbyllën komunat paralele në katër komunat veriore.

Sipas Krasniqit, këto institucione paralele ilegale funksionin nën direktivat e Serbisë, duke cenuar kushtetueshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

“Komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë:

1. Qarku i Mitrovicës së Kosovës

2. Komuna paralele e Mitrovicës

3. Komuna paralele e Zveçanit

4. Komuna paralele e Zubin Potokut

5. Komuna paralele e Leposaviqit.

Këto 5 sot i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash”, ka thënë Krasniqi.

Indeksonline ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes./Indeksonline/

Këta janë ish-ministrat që i’u ngritën aktakuzë nga Specialja

Endrit Shala dhe Vesel Krasniqi janë dy ish-zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ka njoftuar sot se u është ngritur aktakuzë për korrupsion.

Të dy, Shala dhe Krasniqi kanë qenë ish-Ministra të Tregtisë dhe Industrisë, i pari në kohën e Qeverisjes së Ramush Haradinajt, e i dyti në qeverisjen e Avdullah Hotit. Dy ish-ministrat e akuzuar për korrupsion kishin marrë pozitat si anëtarë të NISMA-s së Fatmir Limajt, partia e cila ishte pjesë e të dy qeverive.

Njoftimin për ngritjen e aktakuzës e dha sot Prokuroria Speciale e Kosovës e cila bëri të ditur se të dy ish-ministrat akuzohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, transmeton gazeta online Reporteri.net.

Prokuroria ka propozuar që krahas dënimit kryesor, Shalës dhe Krasniqit t’u shqiptohet edhe dënimi plotësues: Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.

Të dy anëtarët e NISMA’s, Shala dhe Krasniqi edhe më parë kanë qenë të akuzuar dhe dënuar për vepra të ndryshme penale gjatë kohës sa kanë qenë Ministra.

Kurti: Dogana ka mbledhur mbi 1 miliard euro të hyra për shtatë mujorin e parë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka komentuar vjetorin e 25-të të Doganës.

“Gushti i këtij viti përveç që shënon një periudhë 25 vjeçare të pazëvendësueshme për realitetin që gëzojmë sot, vë në pah një rekord historik të kësaj agjencie” ka shkruar Kurti.

Kryeministri deklaroi se për herë të parë që nga themelimi, Dogana ka mbledhur mbi 1 miliard euro të hyra për shtatë mujorin e parë.

“Sot, sado që kjo arritje historike tingëllon e këndshme e na bën krenarë të gjithëve, rruga që na ka sjellë tek këto rekorde nuk ka qenë aspak e lehtë, përkundrazi ka qenë e mbushur me sfida. Dogana e Kosovës u themelua në vitin 1999. Afër nëntë vjet më vonë, pak kohë pas shpalljes së pavarësisë, më 19 shkurt 2008, pikat doganore 1 dhe 31 në Jarinje dhe Bërnjak, në veri të Republikës së Kosovës, u dogjën e shkatërruan nga grupe kriminale të mbështetura nga Serbia. Rimarrja e kontrollit të këtyre pikave dhe vendosja e ligjit në veri të Kosovës kanë qenë pikë kthese kritike” shtoi Kurti.